Ekonomia, shpopullimi dhe menaxhimi qeverisës i krizave

Botuar ne gazetën Panorama, date 25.01.2021.
Ekonomia është një organizëm i gjallë, dinamik , ku e tëra rrallë është e barabartë me shumën e pjesëve. Ndonëse një sistem kaotik në dukje, kaosi ekonomik ka një rregull, një vijueshmëri shkak-pasojë, por analiza e kësaj lidhjeje “vezapulën” apo “pula-vezën” është e vështirë, sepse ndryshimi fillestar në një pjesë të organizmit indukton ndryshime në pjesë të tjera të tij e më pas bëhet vetë pasojë e këtyre ndryshimeve. Kjo është më se e vërtetë sot për Shqipërinë, që po përballet me një shpopullim të përmasave biblike, i cili ka ndikim direkt, rrënues në ekonomi, e, për rrjedhojë, rënia ekonomike shndërrohet më pas në nxitës të shpopullimit të mëtejshëm të vendit. Pra, një rreth vicioz ky. Kjo rënie surreale është përshpejtuar këto 7 vite nga qeveria, e cila është kujdesur që me indiferencën apo shurdhërinë e vet, sklerozën kronike ndaj premtimeve, trajtimin bipolar e selektiv të investitorëve në veçanti e popullatës në tërësi, të mos kryejë minimalisht rolin, për të cilin është mandatuar si imunizuese krizash e maksimalisht si stimuluese e ekonomisë.
Por, le t’i marrim gjërat me radhë, le të sjellim fillimisht disa statistika për të kuptuar kontekstin e situatës.
Niveli i të ardhurave : Sipas të dhënave të EUROSTAT, në vitin 2018 niveli i të ardhurave për familje në kufirin e varfërisë e rendit Shqipërinë në vendin e fundit krahasuar me vendet e rajonit. Të ardhurat mujore për familje në Shqipëri janë 105 €, në Malin e Zi janë 189 €, në Serbi janë 140 dhe në Maqedoninë e Veriut janë 131 Euro. Ndërsa përqindja e popullsisë në kufirin e varfërisë është përsëri më e lartë, respektivisht 39% në Shqipëri, 31% në Malin e Zi, 29,6% në Serbi dhe 25,7% në Maqedoninë e Veriut.
Sipas raportit të Bankës Botërore (tetor 2020), tronditës është fakti se niveli i popullsisë që jeton me më pak se 5.5 $ në ditë për banor, është rritur në 41,5%, nga 35,6% krahasuar me vitin e kaluar. Niveli i varfërisë në Shqipëri, rezulton dy dhe më shumë herë më i lartë se në të gjitha vendet e rajonit, ndërkohë që borxhi publik për qytetar rritet. Sipas shifrave, të ardhurat për frymë kanë rënë nga 5.323 $ për vitin 2019 në 4.898 $ në 2020-n, ndërkohë që borxhi është rritur nga 3.606 $ në 4.079 $ respektivisht për këto vite.
Dhe në treguesin e të ardhurave për frymë në vitin 2020, Shqipëria renditet e fundit në rajon. Të ardhurat për frymë respektivisht parashikohen të arrijnë në 4.898 $ në Shqipëri, 7.933 $ për frymë në Malin e Zi, 7.497 $ për frymë në Serbi dhe 6.019 $ për frymë në Maqedoninë e Veriut. Qytetarët shqiptarë parashikohet të varfërohen më shumë në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020.
Rritja e papunësisë: Raporti i INSTAT tregoi një rritje të papunësisë në tremujorin II të vitit 2020, krahasuar me tremujorin e parë. Niveli i papunësisë u rrit nga 11,4% në 11,9% në fund të tremujorit II të vitit 2020. Më shqetësues mbetet niveli i papunësisë për grupmoshat 15-29 vjeç, i cili është në rreth dy herë më i lartë se mesatarja kombëtare. Ndërsa mesatarja kombëtare është 11,9%, niveli i papunësisë për grupmoshën 15-29 vjeç është 21,4% (disa studime e nxjerrin në nivelin 51%). Sipas të dhënave të EUROSTAT, Shqipëria rezulton me një përqindje të papunësisë për të rinjtë e grupmoshës 15-24 vjeç në vitin 2018, në 2,3 herë më e lartë se grupmoshat mbi 24 vjeç. Nëse do të trajtonim lidhjen e papunësisë me arsimimin, rezulton se norma e papunësisë për të rinjtë me arsim të lartë është 11% për meshkujt dhe 13,1% për femrat respektivisht dhe për ata me arsim të mesëm 13,4% dhe 14,4%. Domethënës është fakti që normën më të ulët të papunësisë në vend e kanë të arsimuarit me arsim 8-9-vjeçar.
Pensionet dhe pagat: Rritja mesatare vjetore e pensionit mesatar të qytetit dhe të fshatit është realizuar me ritme shumë më të ulëta në periudhën 2013- 2019, krahasuar me periudhën 2005- 2013. Ndërsa në periudhën 2005-2013 pensioni mesatar në qytet u rrit mesatarisht në 8,5% në secilin vit, në periudhën 2013-2019 u rrit mesatarisht me 2,6%. Ndërsa pensioni i fshatit u rrit mesatarisht në 20,6% në secilin vit në periudhën 2005-2013, ndërsa për periudhën 2013-2019 u rrit mesatarisht me 3,8% për çdo vit.
Sipas INSTAT, rritja e pagës reale për periudhën 2005-2013 është mesatarisht 5,8%/vit, ndërsa për periudhën 2013- 2019 rritja e pagës reale është vetëm 1,6% mesatarisht çdo vit. Rritja nominale e pagës në sektorin shtetëror në periudhën 2005-2013 është mesatarisht në çdo vit 8,7%, ndërsa për periudhën 2013-2019 rritja vjetore mesatare e pagës është 3,3%.
Ndihma, asistenca dhe remitancat: niveli i varfërisë është thelluar më shumë, si për shkak të uljes së numrit të familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, ashtu edhe për shkak të nivelit të ulët të ndihmës ekonomike. Numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, sipas të dhënave të INSTAT, është ulur në mënyrë drastike. Nga 104.398 familje në vitin 2013, në fund të tremujorit të II të vitit 2020, numri i familjeve me ndihmë ekonomike ka zbritur në 63.670. Ndërsa niveli i pagesës së ndihmës ekonomike për një familje në vitin 2020 është mesatarisht 4.965 lekë në muaj. Rikujtojmë këtu që qeveria shqiptare ende nuk ka përllogaritur, publikuar e vënë në jetë një minimum jetik për person në Shqipëri, vlerë e cila do të ishte guri i themelit për hartimin dhe implementimin e një strategjie të mirëfilltë kombëtare për të adresuar siç duhet varfërinë.
Të ardhurat nga asistenca përfaqësojnë aktualisht vetëm 1% të burimit të të ardhurave nga 3% që kanë përfaqësuar në vitin 2010.
Një nga efektet e pandemisë është dhe ulja e remitancave në vendet e rajonit. Sipas raporteve të fundit të Fondit Monetar dhe të Bankës Botërore, ulja e remitancave ka prekur kryesisht Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën. Ulja e tyre jo vetëm ka ulur të ardhurat e familjeve, por dhe ka ndikuar negativisht në uljen e konsumit dhe si rrjedhim dhe në uljen e rritjes ekonomike.
KUPTIMI I SHIFRAVE
Ndonëse shifrat më lart flasin vetë për këdo që do dhe di të lexojë, është e nevojshme të bëjmë një analizë të tyren. Rreth 79% e të rinjve që studiojnë sot në Shqipëri kërkojnë të emigrojnë (studim i Gëdeshi&King) dhe arsyeja lidhet me perceptimin e tyre për të ardhmen e vendit. Nëse vijohet me këto ritme, EUROSTAT parashikon që brenda 70 viteve Shqipëria të shpopullohet tërësisht. Cilat janë arsyet e këtij emigrimi biblik dhe pasojat e tyre mbi ekonominë?
Nga njëra anë, Shqipëria, në aspektin makroekonomik, ka bjerrë gjatë gjithë këtyre viteve potencialin e avantazheve të veta konkurruese. Sfida e identifikimit, planifikimit investues, vjeljes së fryteve dhe rishpërndarjes së drejtë të tyre i përket më së pari qeverisë, e cila ka monopolin e strategjive dhe politikave zhvillimore për të gjithë agjentët e tjerë ekonomikë në vend. Si një vend i vogël, me pasuri natyrore dhe pozicion gjeografik të favorshëm, histori të pasur dhe orientim pro perëndimor, i vetmi motor që do t’i përkthente në vlera ekonomike gjithë këta faktorë prodhimi, do të ishte popullsia e arsimuar, e shëndetshme, sipërmarrëse dhe e vlerësuar për punën e saj.
Pikërisht ky motor zhvillimi i mungon sot Shqipërisë, sepse politikat qeveritare kanë dështuar ta adresojnë siç duhet në të gjitha dimensionet e saj. Tregues final i kësaj performance të dobët është mungesa e një shtrese të mesme të stabilizuar në vendin tonë, që do të përbënte shtyllën kurrizore të zhvillimit ekonomik. Kjo shtresë ose është varfëruar ndër vite, ose ka humbur nocionin e pasurimit me meritokraci, ose ka emigruar dhe po tenton të emigrojë familjarisht. Nëse në vitet e para të tranzicionit synonin të largoheshin moshat e reja, tashmë studimet tregojnë se edhe në moshën 45 vjeç shqiptarët janë gati të emigrojnë së bashku me fëmijët e tyre. Kjo ka pasoja dhe implikime të rëndësishme, sepse tashmë janë gati të largohen jo vetëm të rinj të paarsimuar apo pa eksperiencë, por brez i mesëm me eksperiencë, përvojë pune dhe kualifikime. Madje, po t’i shtosh kësaj edhe faktin që largohen ata që nuk duan të bëjnë kompromise të pista, atëherë mund të konkludohet se po largohen punonjësit më me integritet, ata për të cilët Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë. Kësaj kambane alarmi i kanë rënë dhe po i bien me forcë partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët në pothuajse të gjithë raportet e tyre e theksojnë problemin me korrupsionin dhe paaftësinë e administratës, që shtrihet më pas në pengesa për zhvillimin e biznesit, rritjen ekonomike dhe mbarëvajtjen e skemës së pensioneve sot e në të ardhmen.
Si zgjidhje afatshkurtra për këtë problem afatgjatë, qeveria ka tentuar të ridimensionojë politikën për borxhin publik, të forcojë luftën ndaj korrupsionit, të fusë mekanizmin e PPP-ve për të stimuluar përfshirjen e sektorit privat, të bëjë reforma në arsim e shëndetësi, skema pensionesh deri edhe në riformatimin e territorit administrativ. Por strategjitë e zhvillimit që janë hartuar dhe miratuar ndër vite nuk janë ndjekur rigorozisht ose sepse kanë qenë të projektuara për imazh e reklamë, pra, utopike e si të tilla të paarritshme, ose sepse janë lënë pas dore për shkak të mungesës së vullnetit politik ose “filozofisë” së vitit zero, duke mos akumuluar pak e nga pak zhvillim të qëndrueshëm, ose dhe kjo është më e dëmshmja, janë përdorur për interesa të pasurimit personal. Vendin e ka pllakosur varfëria, qeverisja sipas dëshirave dhe interesave klienteliste ose siç shprehet sekti i Kryeministrit: modeli “KÇK”, i cili, në fakt, është model ekskluziv pikërisht i këtij sekti.
Në aspektin makroekonomik, qeveria ka dështuar të krijojë dhe promovojë modelin e duhur të kulturës kapitaliste të punës. Ajo ka stimuluar kulturën e pasurimit të shpejtë, selektiv dhe okult (jotransparent), të pambështetur në merita (arsim, profesionalizëm, novatorizëm, integritet). Në këto kushte, çdokush e kupton që pavarësisht strategjive qeverisëse dhe talentit personal, modeli i gabuar që buron nga qeveria është pengesë për zhvillim. Ky model kërkon udhëheqjen dhe kohën e vet të kthehet në brazdën e duhur.
Në aspektin mikroekonomik, motori i ndryshimit është sipërmarrja individuale. Shqiptarët kanë shpirt sipërmarrës, ndonëse historia dhe tranzicioni 30-vjeçar i kanë penguar. Madje, janë aq sipërmarrës, sa kur nuk u ecin gjërat brenda vendit, dalin të provojnë veten e tyre jashtë tij. Ky shpirt sipërmarrës duhet kultivuar e mbështetur për të dhënë frytet e veta. Një problem ende i pazgjidhur për të vjelë frytet e sipërmarrjes është ai i pronave. Po kështu, konkurrenca e pandershme, ku qeveria ka rolin e vet, qoftë duke mbështetur selektivisht biznese të caktuara, qoftë duke mos ushtruar siç duhet funksionet e veta mbikëqyrëse e rregullatore, dëmton më shumë sipërmarrësin e vogël e të ndershëm. Një nga arsyet e migrimit në masë të shqiptarëve lidhet me rregullat e drejta e të barabarta për të bërë biznes e siguruar jetesën për vete dhe fëmijët. Këto rregulla në Shqipëri vlejnë vetëm për individin punëtor, pa lidhje me pushtetin, “ushtarin e vogël të perandorisë”. Për pjesën e lidhur me pushtetin, militante të Rilindjes, e cila është tkurrur në numër, por është bymyer në pasuri, vlejnë të tjera rregulla e ligje, ato që draftohen e miratohen posaçërisht për ta.
Individi shqiptar ka humbur gjithashtu besimin se arsimimi mund t’i shpjerë përpara në jetë këtu brenda vendit. Për këtë arsye, ata emigrojnë në Perëndim. Mjafton të rikujtojmë se kur Europa u përmbyt nga kriza e emigrantëve në vitin 2013, Instituti Gjerman i Tregut të Punës raportonte se 49% e refugjatëve në moshë pune që kishin mbërritur në Gjermani ishin të punësuar. Më shumë se gjysma e atyre ishin në punë të kualifikuar dhe më shumë se dy të tretat ishin në punë me kohë të plotë. 17% të tjerë ishin në programe trajnimi me pagesë dhe 3% ishin në praktikë me pagesë. Sipas hulumtimit, shumica e të tjerëve ishin ose duke studiuar, duke kërkuar në mënyrë aktive punë ose me leje lindjeje ose prindërore. Rreth 85% kanë marrë kurse të gjuhës gjermane. Shoqëritë e zhvilluara gjithnjë e kanë mirëpritur dhe stimuluar individin e arsimuar. Në Shqipëri po ndodh e kundërta, po përzihen nga vendi më të arsimuarit.
Një panoramë e tillë nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë më gjatë. “Elefanti në dhomë” është pikërisht qeveria, e cila këtë emigrim masiv mundohet të na e shesë si zhvendosje globale normale të popullsisë.
Bujar Leskaj