Në asnjë moment apo shans nuk do ketë një koalicion te PD me PS. Përndryshe do te ishte tradhti ndaj demokratëve dhe qytetarëve.
-Intervistë ekskluzive për KOHA JONE e Bujar Leskaj, drejtues i shtabit elektoral të PD në qarkun Vlorë-
Pyetja 1: Pse u kthyet në politikë kur ishit kryetar i KLSH, një organ kushtetues?
Bujar Leskaj: U riktheva, sepse ky rikthim është një sfidë. Unë do të veçoja dy parametra që e bënë vendimin tim të rikthimit në politikë të lehtë.
E para, situata ekonomike dhe politike e Shqipërisë, e cila në vitet e qeverisjes Rama është situata më e vështirë në gjithë vitet e tranzicionit, problematikat me administrimin e fondeve nga ana e kësaj qeverie, keqmenaxhimi i fondeve të qytetareve; të gjitha këto të denoncuara nga ana e KLSH që drejtoja.
Së dyti, Dashuria dhe përkushtimi që kam për qytetin tim, Vlorën.
Vlora është nga qytetet më të goditura nga qeverisja e Rilindjes. Mijëra të rinj të larguar në emigrim, mijëra intelektualë e profesionistë të zotë kanë braktisur pa kthim Vlorën dhe Shqipërinë.
Pas 8 vjet dështimesh, Rama mund të ofrojë vetëm më shumë dështime dhe fatkeqësi për familjet shqiptare dhe për Shqipërinë.
Qytetarët e Vlorës meritojnë ndryshim, meritojnë një qeveri ndryshe që punon për njerëzit, jo për veten. Qytetarët e Vlorës e meritojnë një qeveri të Partisë Demokratike. Vlonjatët meritojnë shërbestarë që t’i përfaqësojnë.
Rinia jonë meriton shpresë, meriton mundësi, meriton shansin të ndërtojë një jetë të lumtur në atdhe.
E, në rast se do t’i referohesha poetit tonë të madh, Ali Asllani, dashuria për Vlorën përmblidhet në vargjet e tij:
“Vlorën dhe Vlorën,
thelp e kam në zemër,
ditën e kam dritë,
natën e kam ëndërr…”
Pyetje 2: A mendoni se do të fitoni si opozitë e bashkuar në qarkun Vlorë?
Po! Rama e quan Vlorën bastionin e tij. Por nuk është kështu. Nuk kam asnjë dyshim që Rama dhe sekti rreth tij do të thyhen në Vlorë. Vlora ka ditur gjithmonë të bëjë ndryshimin dhe të kuptojë momentin kur nëpërkëmbet dhe prihet në besë.
Në historinë e Shqipërisë ndryshimet gjithmonë kanë ardhur nga Vlora. Vlora e ka kuptuar që sot nuk ka më arsye për të pasur iluzione. Rama e donte timonin i vetëm, e deshi të gjithë tepsinë për vete, e ka mbajtur vetë të gjithë tepsinë e pushtetit dhe cili ka qenë rezultati? Vetëm dështim, rrënim, papunësi, varfëri, emigrim.
Opozita e bashkuar do te dominojë në të gjitha qarqet, por goditjen më të fortë do e marrë nga Vlora, pasi ne dimë si të fitojmë. Ne kemi fituar edhe në 1992, edhe në 1996, edhe në vitin 2005. Do te fitojme edhe ne 2021!
Ne kemi besim te puna dhe programi ynë, te ndershmëria, me të cilën u drejtohemi qytetarëve, te përkushtimi që na karakterizon.
Ne kemi besim te zgjimi dhe ndërgjegjja e qytetarëve të qarkut të Vlorës, të cilët e kanë kuptuar vetëm duke bashkuar fuqitë tona, do të arrijmë shumë dhe do të kthejmë faqen në skenën politike të Shqipërisë. Sepse të gjithë së bashku mund të fitojmë luftën për të nesërmen, betejën për Shqipërinë, Vlorën tonë, bashkëqytetarët tanë.
Qytetarët kanë besim se Partia Demokratike do të sjellë për Shqipërinë përgjegjshmëri maksimale në drejtim, transparencë maksimale në vendimmarrje, ndershmëri e llogaridhënie në çdo rast.
Pyetje 3: Nga se druheni në këto zgjedhje; nga tentativa e Ramës për të blerë votat apo nga mundësia që t’i vjedhë nga kutitë?
Në të dyja rastet, si blerja e votës, ashtu edhe vjedhja e votës janë fyese dhe përçmuese për shqiptarët, për inteligjencën e tyre; për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Një gjë është e sigurtë. Qoftë nga paniku i humbjes, qoftë nga korrupsioni që Rama dhe sekti i tij e kanë në gen, ata do të tentojnë të tjetërsojnë votën dhe vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë.
Por qytetarët vlonjatë e qytetarët shqiptarë nuk do të pranojnë e as do të lejojnë më, të vidhet vullneti i tyre.
Ju garantoj se blerja e votës do të jetë një “mision i pamundur” për Ramën, pasi të gjithë e kanë kuptuar se duke shitur votën, pengojnë zhvillimin e vendit dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre, duke nxjerrë një qeveri që nuk vjen nga vullneti i lirë i qytetarëve. Njërezit janë të varfër, por nga kontaktet në terren prej 3 muajsh shikoj një mllef për ta rrëzuar këtë qeveri, mllef i cili vjen nga ekonomia gjithmonë në rënie, keqmenaxhimi i arsimit dhe spitaleve dhe shumë arsye të tjera që janë të jetës së përditshme të qytetarëve.
Rama nuk do guxojë as ta blejë e as ta vjedhë votën në Vlorë përndryshe përgjigjja e qytetarëve do të jetë më e fortë se asnjëherë tjetër. Kujtoni historinë e Vlorës!
Pyetje 4: Rama e ktheu qytetin e Vlorës ne “Venecia”, pra të përmbytur. Mendoni se do t’ja kthejnë me votë kundër vlonjatet, apo do të vijë Rama e Gjiknuri dy ditë para votimeve t’ju nderrojnë mendjen?
Patjetër po! Arroganca e këtij pushteti në çdo qelizë është mëse e dukshme, njerëzit janë të lodhur dhe të rraskapitur nga kjo mënyrë qeverisjeje dhe trajtimi që u bëhet.
Bashkinë, e majta e drejton prej vitit 1997 dhe akoma qyteti mbytet sepse këta e kanë mendjen tek fasadat dhe jo investimet thelbësore. Sa për “ndryshimin e mendjes dy ditë përpara votimeve” e përmenda më sipër që qytetarët vlonjatë janë aq të zgjuar e të ndërgjegjësuar që t’u japin përgjigjen që meritojnë.
Vlonjatët e dinë që premtimet e tyre do të jenë thjesht “asfalte elektorale”, asfalti që do shtrohet do të jetë “baltë mbi baltë”. Vlonjatët e dinë që investimet e tyre në Vlorë janë veçse fasadë dhe në rast se do të “ndryshonin mendjen” dy ditë përpara zgjedhjeve, përsëri do të vidhen, përsëri do të përçmohen, përsëri do të fyhen, përsëri do të përmbyten.
Pyetje 5: Sa deputete mendoni se merr PD ne qarkun Vlore? Po si opozite e bashkuar?
Partia Demokratike bashkë me aleatët është e ndërgjegjshme që me punë do të marrë një rezultat shumë pozitiv. Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar synojnë të marrin 6-7 deputetë. Vetëm ne si Parti Demokratike do të fitojmë 5-6 mandate.
Duket e vështirë por jo e pamundur.
Mundesitë janë për të marrë këtë rezultat.
Pyetje 6: PD nuk e merr dot e vetme pushtetin ndaj do të votoni në parlament për një qeveri PD-LSI apo PD-PS?
Në politikë “Kurrë nuk thuhet kurrë”! Por në rastin tonë kjo sentencë nuk vlen. Në asnjë moment apo shans nuk do ketë një koalicion te PD me PS. Përndryshe do te ishte tradhti ndaj demokratëve dhe qytetarëve.
Ne nuk bëhemi palë me këtë pushtet arrogant, i cili ka abuzuar me mbi 7 miliard euro fonde publike, me këtë pushtet që varfëroi shqiptarët, që vrau shpresën dhe që në shtatë vite shkaktoi hemoragjinë më të rëndë në historinë e Shqipërisë; largoi mbi 500.000 shqiptarë.
Ndersa aleanca me LSI do te funksionoje edhe pas zgjedhjeve në qeverisje!
Pyetje 7: Qeveria Rama mburret se e ka rregulluar turizmin në Zonën e Vlorës. Çfarë mendoni Ju?
Që të kesh turizëm duhet të kesh infrastrukturë. Që të kesh infrastrukturë duhet të kesh vizion. Që të kesh vizion duhet të kesh pergjegjshmëri. Që të kesh pergjegjshmëri duhet të kesh ndjeshmëri. Që të kesh ndjeshmëri duhet të kesh përgjegjësi. Që të kesh përgjegjësi duhet të kesh transparencë. Që të kesh transparencë duhet të kesh llogaridhënie.
Cilat nga këto ka sekti i Rilindjes?
Turizmi në Vlorë është në ditët më të vështira. Për vitin 2020 ka një rënie mbi 50% gjithashtu dhe sot në qoftë se nuk ndërhyn shteti me pjese nga paketa per ndihmë sovrane ose paketa të ndryshme do vuajmë një pasojë të pariparueshme në 5 vitet e ardhshme. Mos harrojmë se qeverive ju deshën 6 vjet për të bërë një Lungomare 3 km, duke i sjellë këtij sektori humbje të konsiderueshme nga 2013-2019.
Dhe nuk duhet te harrojme që ky projekt është bërë i gjithi me fonde te BE
Shikoni projektin për Sheshin e Flamurit në Vlorë. Është një projekt që PD e Vlorës e ka denoncuar si projekt korruptiv, por edhe si një projekt që humbet e zhduk kujtesën historike të qytetit e të kombit tonë.
Është një shesh jo i zakonshëm. Është Sheshi i kombit, i Shqipërisë, i Kosovës; është sheshi i gjithë shqiptarëve anembanë botës.
Është shesh i krenarisë sonë kombëtare. Dhe, në kuadër “të zhvillimit dhe të zhvillimit të turizmit”, ky shesh do të humbasë identitetin. Vlora do të humbasë krenarinë.
Në emër të zhvillimit të qytetit dhe atraksionit turistik simbolet do të zhduken për t’u lënë vendin Terminalit të autobusave, apo tezgave ambulante me çikërrima.
Për të mos folur pastaj për “investimet” e tjera turistike në Vlorë…
Rama nuk e do Vlorën, thjesht e ka manipuluar me strategjinë e tij, duke investuar shuma të mëdha, të cilat kanë sjellë abuzime akoma më të mëdha.
Ndërkohë që Partia Demokratike ka në programin e saj investime serioze për Shqipërinë dhe Vlorën. Dhe ndryshe nga sekti i Rilindjes, jo vetëm në turizëm, por në të gjitha fushat e jetës, ekonomi, arsim e shëndetësi ne do të bëjmë diferencën, me përkushtimin, punën, transparencën, llogaridhënien dhe integritetin.