Bujar Leskaj merr mbështetjen e intelektualëve vlonjatë: Janë aset i çmuar, falë tyre PD do të zbatojë politikat social-ekonomike


Shkrim nga Aleksandra HOXHAJ, botuar ne gazeten Sot, date 01.02.2021.

Drejtuesi politik i PD i qarkut të Vlorës, Bujar Leskaj ka marrë mbështetjen edhe të intelektualëve dhe artistëve vlonjatë. Ai ka zhvilluar takime ditën e djeshme me Forumin e Intelektualëve dhe Shoqërisë Civile. Në takim ishin të pranishëm shumë figura të njohura intelektuale nga qyteti i Vlorës. Leskaj u shpreh se Partia Demokratike ka qenë gjithmonë e vëmendshme ndaj mendimeve të intelektualëve. Leskaj tha se në këtë takim u diskutuan probleme nga qytetarët, u dhanë mendime dhe sugjerime nga ana e tyre. “Partia Demokratike gjithmonë e ka dëgjuar, vlerësuar e zbatuar mendimin e intelektualëve. Si parti që lindi prej studentëve e intelektualëve, bashkëpunimin me ta PD e ka pasur gjithmonë konstant dhe mendimet e vyera të tyre ajo ia ka bashkangjitur programit të saj. Duke pasur parasysh këto parime, së bashku me Forumin e Intelektualëve dhe Shoqërisë Civile konkretizuam idenë e hershme të organizimit të një takimi, për të diskutuar për problemet e qytetit, propozimet që ata kanë dhe mënyrën e zbatimit të tyre, jo vetëm tani në fushatë, por edhe pas fitores së 26 prillit. Në takim morën pjesë intelektualë nga fusha të ndryshme; pedagogë të Universitetit “Pavarësia”, arsimtarë, mjekë, arkitektë, inxhinierë, historianë, poetë e shkrimtarë, studiues, etj”, tha Leskaj. Ai u shpreh se gjatë takimit u hap një platformë bashkëpunimi i PD-së me intelektualët e Vlorës, ku mbështetet tek të menduarit e pavarur, vizionet dhe sugjerimet. Leskaj i cilësoi intelektualët si aset të çmuar të qytetit të cilët veçse bashkëhartues janë dhe bashkëzbatues të programit. “Në fjalën hapëse paraqita një platformë të detajuar të bashkëpunimit të Partisë Demokratike me intelektualët e Vlorës, bashkëpunim, i cili do të jetë po kaq i përgjegjshëm, i hapur, transparent e intensiv edhe në vijimësi. Në platformën që paraqita u ndala në faktin që Partia Demokratike është partia e intelektualëve, që mbështetet në integritetin e tyre, pavarësinë e mendimit, vizionin, idetë dhe sugjerimet e tyre. Është një raport i ngritur mbi respektin reciprok lirshmërinë e mendimit dhe kontributin e ndërsjelltë. Për Partinë Demokratike intelektualët janë një aset i çmuar dhe janë jo vetëm bashkëhartues, por edhe bashkëzbatues të programit politik, ekonomik e social, në veçanti në atë program të zhvillimit të Vlorës, që është derivim i programit kombëtar të PD”, u shpreh Leskaj në rrjetet sociale.
Leskaj tregon qëllimet e këtij bashkëpunimi Leskaj tha se qëllimi i këtij bashkëpunimi do të japë ide të reja zhvillimi për çdo problematikë në qytetin e Vlorës. Leskaj tha se forumet si Forumi i Gruas apo ai Rinor do të jenë shumë kryesore gjatë fushatës, por edhe pas saj. Ai u bëri ftesë të gjithë intelektualëve për bashkëpunim që qyteti i Vlorës të ketë fitore. “Qëllimi i bashkëpunimit do të jetë afatgjatë dhe i qëndrueshëm, një bashkëpunim me synimin që të gjenerojë ide, të shtrojë alternativa, të nxisë zhvillimin, të sugjerojë e të japë zgjidhje konkrete të problematikave të Vlorës. Ky është një forum i hapur, produkti i të cilit do të jetë pa ngjyra, pa kufij politikë, por me kornizë qytetare, me etikë morale e verbale. Forumi i Intelektualëve, së bashku me Forumin e Gruas dhe atë Rinor, do të jenë shtyllat ku do të mbështetemi në punën tonë, jo vetëm gjatë fushatës, por edhe në vazhdimësi. Ftesa është e hapur për të gjithë ata intelektualë, ekspertë, inxhinierë, të cilët po krijojnë dhe zhvillojnë jetën sa civile aq edhe ekonomike të qytetit të Vlorës. Nga një bashkëpunim i tillë fitojmë të gjithë, fiton Vlora, fiton Shqipëria”, deklaroi Leskaj.