“Është e vërtetë që jetojmë të gjithë nën të njejtin qiell, por fatkeqësisht jo të gjithë shohim të njëjtin horizont” – Konrad Adenauer.
1. Konrad Adenauer
Kancelari i parë dhe jetëgjatë i Gjermanisë Federale Konrad Adenauer është personaliteti më i spikatur i Gjermanisë së re, projektuesi lirisë, mirëqenies dhe sigurisë sociale të kombit gjerman.
Në vitet 1917-1933 dhe në vitin 1945, Adenauer shërbeu si kryetar i bashkisë së qytetit të Këlnit. Në këtë detyrë, ai zbatoi plane ambicioze për modernizimin dhe zgjerimin progresiv të qytetit, duke e shndërruar gradualisht atë në një metropol të Perëndimit. Riaktivizimi i Universitetit të qytetit në vitin 1919, transformimi i zonës përreth në një zonë të gjelbër, ringjallja e Panairit të Këlnit, zgjerimi i Portit të Rinit, ndërtimi i një ure që lidhte dy anët e lumit Rin, zhvillimi i industrisë dhe sjellja e investitorëve të fuqishëm, siç ishte kompania amerikane Ford, prodhuese e automjeteve, ishin nder projektet e tij me kryesore dhe te suksesshme.
Bashkëthemelues në vitin 1946 dhe deri më 1966 udhëheqës i Bashkimit të KristianDemokratëve Gjermanë (CDU), Adenauer e shnderroi partine e tij ne nje formacion politik drejtues te reformave të mëdha në Gjermaninë e pas Luftes se Dyte Botërore. Nga viti 1949 deri më 1963, ai u zgjodh dhe mbajti detyrën e Kancelarit (Kryeministrit) të Republikës Federale Gjermane, si dhe për një periudhë (vitet 1951-1955) edhe të Ministrit të Jashtëm të saj.
Politikan progresist dhe kampion i paqes sociale, Adenauer udhëhoqi një politikë afrimi me fuqite perëndimore si SHBA-te, Britanine e Madhe dhe Francen, duke arritur qe ne vitin 1955 ta nxjerre Gjermanine nga statusi i sovranitetit te kufizuar dhe duke i dhene lirine e plote kombit gjerman.
Promotor i idese dhe vizionit për një Evropë paqësore dhe të bashkuar, ai krijoi marrëdhënie të mira politike dhe zhvilloi një bashkëpunim ekonomik të shkëlqyer me Francën, duke hedhur themelet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, vendosi marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik dhe i ktheu të gjithë robërit gjermanë të Luftës në atdhe.
I rritur në një familje të krishtere konservatore në Rajnland, ai doli në skenën politike gjermane qysh herët si një kundërshtar i rreptë i despotizmit nacional-socialist të Adolf Hitlerit në Gjermaninë e viteve 1930-të. Gjatë një vizite të kancelarit të Rajhut, Adolf Hitler në Këln, në qytetin e lindjes së Adenauerit, ky i fundit, si kryetar i bashkise refuzoi ta priste Diktatorin e mevonshem dhe urdhëroi të hiqeshin flamujt me kryq të thyer në qytet.
Pak më vonë, Adenauer shkarkohet nga posti i tij si kryebashkiak dhe jeton si kundërshtar i regjimit, nën rrezik permanent për asgjesim dhe në ekzil të brendshëm. Në vitin 1945, si i burgosur në një kamp përqendrimi, ai i shpëton për pak vdekjes nga nazistët.
Pas çlirimit, qysh në maj të vitit 1945, 69-vjeçari caktohet nga trupat amerikane në postin e kryetarit të bashkisë së Këlnit.
Adenauer ka qenë pjesëmarrës kyç në krijimin e strukturave demokratike gjatë viteve të ndërtimit të Republikës së re Federale Gjermane. Veprimtaria e tij lidhet pandashëm me themelimin e njërës nga partitë kryesore popullore gjermane, Bashkimit KristianDemokrat.
Ai ka kontribuar që në Gjermaninë e pasluftës të krijohet një mjedis i plotë demokratik dhe funksional i partive politike dhe që diktatura dhe despotizmi t´i takojnë së kaluarës. Në vitin 1949, Konrad Adenauer, bëhet Kancelari i parë i republikës së re. Ai ia del që fatin e rëndë të familjeve gjermane te pas Luftës dhe deshperimin e mungesen e perspektives te qytetareve te tij ta zbusë përmes bashkëpunimit me zgjuarsi dhe efektivitet me fuqitë tutore të Gjermanisë, Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Britaninë e Madhe, duke e shndërruar në forcë dhe motor kryesor për rindërtimin e vendit.
Adenauer ia arrin që Republikën Federale Gjermane ta integrojë përsëri në bashkësinë ndërkombëtare të shteteve te zhvilluara dhe te lira. Veçanërisht pajtimi me Francën, mbi bazen e miqesise proverbiale te tij me Presidentin francez Sharl de Gol (takimi i parë historik mes tyre në vitin 1958) dhe orientimi i fuqishëm Perëndimor, duke u mbështetur në Fuqitë Ngadhënjyese te Luftes, SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, e përmirësojnë gjendjen politike dhe ekonomike të vendit, duke iu rikthyer entusiazmin dhe ndjenjën e perspektivës gjermanëve.
Megjithe vendosjen e Perdes se Hekurt me Lindjen dhe Luften e Ftohte, ai, me diplomacine e tij realiste arrin suksese edhe me Bashkimin Sovjetik, çka edhe sot në Gjermani njerëzit i janë mirënjohës. Gjatë vizitës së tij në Moskë në vitin 1955 si kancelar dhe Minister i Jashtem, Ademauer arrin t´i lirojë dhe t’i ktheje ne shtepi edhe robërit e fundit gjermanë nga Lufta e Dytë Botërore. Angazhimi i tij 14-vjeçar si kancelar u quajt me te drejte “Epoka Adenauer” dhe ka hyrë në historinë e Gjermanisë së pasluftës si nder fazat me te sukseshme te zhvillimit te saj.
Sukseset e tij më të mëdha në politikën e jashtme janë pa dyshim arritja e sovranitetit te plote shtetëror te Gjermanise dhe meritat e tij në bashkimin e Evropës. Ndërsa në politikën e brendshme, nje arritje e shkëlqyeshme ishte integrimi i të dëbuarve dhe refugjatëve gjermanë në shoqërinë gjermane të pasluftës. Adenauer zhvilloi një model të ri të sistemit të ekonomisë së tregut të lirë, të ndërthurur me normat sociale, në të cilat promovohet konkurenca e lirë dhe përgjegjësia sociale.
Mrekullia Ekonomike Gjermane e viteve 50-70-te te shekullit te kaluar nuk do të kishte qenë e sigurtë, pa sigurimin e një paqeje të brendshme sociale. Kjo u vulos nga Adenauer në vitin 1957, me arritjen e një suksesi, i cili deri sot është unik. Gjatë zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, partia e tij Bashkimi Kristian-Demokrat, me Adenauerin si kandidat kryesor, arrin shumicën absolute (50.2 përqind) të votave.
Kur u nda nga jeta më 19 prill 1967, ne moshen 91 vjeçare, ai u nderua në mbarë botën si burrë i madh shteti, të cilit gjermanët në Republikën Federale Gjermane i detyrohen për lirinë, mirëqenien dhe sigurinë e tyre sociale.
Trupi i Konrad Adenauer-it pushon sot në varrezat e Rhöndorf-it. Shtëpia ku ai banoi, është kthyer në muze dhe qendër kërkimore nga Fondacioni që mban emrin e tij.
2.Fondacioni “Konrad Adenauer”
Fondacioni “Konrad Adenauer” Stiftung është një fondacion politik, i cili i qëndron pranë partisë së Bashkimit Kristian-Demokrat të Gjermanisë. Ai mban me krenari emrin e Konrad Adenauerit, bashkëthemeluesit te Bashkimit Kristian-Demokrat dhe projektuesit te Gjermanise moderne, bashkuesit te traditave kristiane, sociale dhe konservative me ato liberale. Emri i tij është simbol per rindërtimin demokratik të Gjermanisë, për pozicionimin e politikave të saj të jashtme në një bashkësi vlerash transatlantike, për vizionin e një Europe të bashkuar dhe për orientimin ndaj ekonomisë sociale të tregut. Trashëgimia e tij shpirtërore është për Fondacionin detyrë dhe zotim njëkohësisht.
Gjatë një vizite në Shqipëri, në vitin 2019 me rastin e 10-vjetorit të themelimit të fondacionit, ish- kryetari i Bundestagut gjerman dhe presidenti i Fondacionit “Konrad Adenhauer” Prof. Dr. Norbert Lammert është shprehur: “Detyra e Fondacionit “Konrad Adenhauer” është të krijojë kushtet për ekzistencën e demokracisë, të garantojë strukturat demokratike dhe të forcojë demokratët!
Demokracia e qëndrueshme në Gjermani u arrit vetëm pas gadishmërisë për t’u përballur në mënyrë të pamëshirshme me të shkuarën historike…
Përfshirja aktive e të rinjve në politikë është jetike për partitë politike, për reformimin dhe demokracinë e brendshme të tyre.”
Në sajë të bashkëpunimit ndërkombëtar, Fondacioni angazhohet që njerëzit të mund të jetojnë të lirë dhe me dinjitet. Duke u orientuar nga vlerat, ai kontribuon që Gjermania të jetë e denjë për përgjegjësitë që ajo ka në botë, përgjegjësi këto gjithmonë në rritje.
Fondacioni synon që të ndihmojë forcat politike të së djathtës, sidomos rininë e angazhuar në këto forca politike, që t’i japë formë së ardhmes, zhvillimit të qëndrueshem social dhe ekonomik të vendit. Me ndihmën e 70 zyrave dhe qindra projekteve në më shumë se 120 vende, Fondacioni jep kontributin tonë të patjetërsueshëm për nxitjen e demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe të ekonomisë sociale të tregut.
Ai mbështet në mënyrë të vazhdueshme dialogun politik dhe komunikimin mes kulturave dhe shtresave të ndryshme të popullsisë, me qëllim që të sigurohet paqja sociale dhe të garantohet liria e të shprehurit dhe e të jetuarit me dinjitet e prosperitet ekonomik.
Në qendër të gjithçkaje, për Fondacionin “Konrad Adenauer” qëndron njeriu me dinjitetin e tij të pacënueshëm, me të drejtat dhe përgjegjësitë e tij. Ai përbën pikën lidhëse për drejtësi sociale, për demokraci liberale dhe për një aktivitet ekonomik të qëndrueshëm.
Duke sjellë bashkë njerëz, sidomos te rinjte, te cilët pranojnë përgjegjësitë e tyre shoqërore, Fondacioni zhvillon rrjete aktive në politikë, ekonomi dhe në shoqëri. Menaxhimi politik i dijes, ideve dhe projekteve per te ardhmen, i ndihmuar nga Fondacioni, përmirëson mundësitë për ta formësuar globalizimin në mënyrë të drejtë nga ana sociale, për ta bërë atë të qëndrueshëm nga ana ekologjike dhe efektiv nga ana ekonomike.
Fondacioni punon në partneritet me institucionet shtetërore, me partitë, me organizatat e shoqërisë civile si dhe me elita të përzgjedhura. Së bashku me partnerët e tij, te cilet jane partite popullore te spektrit politik te djathte, Fondacioni “Konrad Adenauer” kontribuon në zhvillimin e një sistemi ndërkombëtar vlerash dhe projektesh, i cili i mundëson çdo vendi progres në liri dhe në vetëpërgjegjësi.
3.Fondacioni “Konrad Adenauer” në Shqipëri
Zyra për Shqipërinë e Fondacionit “Konrad Adenauer” është inaguruar me 3 shkurt 2010. Në Shqipëri Fondacioni gjeti dhe bashkëpunoi ngushtësit me një formacion politik të djathtë, një parti popullore të këtij spektri, të aftë ta anëtarësojë vendin në NATO dhe të mundësojë dhënien e statusit nga Bashkimi Evropian, të qarkullimit të lirë pa viza të qytetarëve të Shqipërisë.
Edhe në sajë të kontributit të qenësishëm të spektrit të djathtë, në Shqipëri ekziston një orientim konsensual rreth anëtarësimit të vendit në BE, një identifikim me vlerat dhe standardet europiane, si dhe një dëshirë e gatishmëri e madhe për reforma në të gjithë sektorët, siç janë: ekonomia, politika, sektori social dhe ai i sistemit juridik, si dhe i administratës shtetërore shërbestare ndaj qytetarit.
Një element kyç i bashkëpunimit të Fondacionit “Konrad Adenauer“ në Shqipëri është bashkëpunimi me Partinë Demokratike dhe strukturat e saj, nën koordinimin e Kryetarit të partisë, z. Lulzim Basha.
Fondacioni në vijimësi ka kontribuar në procesin e modernizimit të Partisë Demokratike, duke sjellë ekspertë të njohur të Bashkimit Kristian-Demokrat për të ndihmuar në hartimin e një programi ekonomik sa më koherent, për një qeverisje të së nesërmes së afërt që parashikon taksa të ulëta, investime që sjellin zhvillim, hapjen e vendeve të reja të punës dhe një program qeverisës që siguron kujdes të plotë social.
Fondacioni ndihmoi katër vjet më parë iniciativën ligjvënëse të Partisë Demokratike për hartimin e një projektligji për ndalimin e simboleve të komunizmit, si dhe ka mbështetur e po asiston në vijimësi Partinë Demokratike në procesin e përfshirjes sa më të gjerë të të rinjve në nismat dhe programacionin politik, në aplikimin e standardeve më të larta demokratike, që nga përzgjedhja e kandidatëve në garën e zgjedhjeve të përgjithshme, në një proces të hapur ku merren propozime jo vetëm nga anëtarësia e PD, por edhe nga qytetarët e sidomos të rinjtë, e deri tek kontrolli i pastërtisë së figurës, ku përmes një procesi transparent u përzgjodhën më të mirët, më të kualifikuarit dhe njerëzit që gëzojnë integritetin më të lartë në zonat ku kanë kandiduar.
Trajnimi i sotëm me të rinjtë i ACGG (Albanian Center foor Good Governance) dhe Fondacionit Konrad Adenauer, vjen si vijues logjik i qindra aktiviteteve dhe trajnimeve të mëparshme të ndërmarra nga ky institucion në këta 11 vite të kontributit të tij substancial në Shqipëri, përcjell mesazhin e fortë dhe të qenësishëm se keqqeverisja dhe kriza ekonomike, të cilat kanë shkaktuar drama të mëdha njerëzore dhe sociale në Shqipëri, mund të largohen nga vendi një herë e përgjithmonë, vetëm nëpërmjet një programi qeverisës vizionar, të përqëndruar tek familja dhe individi, të përgjegjshëm dhe kampion të kujdesit social, të bazuar në pjesëmarrjen e gjerë dhe efektive të të rinjve në zgjedhje dhe në vendim-marrjen politike të së ardhmes së afërt.
Si një dimension tjetër i rëndësishëm i bashkëpunimit, jam i bindur se aktiviteti i ardhshëm i Zyrës në Shqipëri të Fondacionit “Konrad Adenauer” do të përqëndrohet edhe në mbështetjen e Parlamentit të ardhshëm Shqiptar, që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, në mënyrë që Kuvendi i ri të bëhet më efiçent në punën e tij, si dhe të profesionalizohet puna e deputetëve dhe e administratës së Kuvendit.
E përshëndes këtë aktivitet dhe qëllimin e tij për kualifikimin e mëtejshëm të të rinjve në përcjelljen e shpejtë, të saktë dhe të kuptueshme të mesazheve politike dhe programit elektoral të PD!
Ju faleminderit!