Të dashur miq!
Ky seminar është veprimtaria e parë që konkretizon bashkëpunimin mes PD, Bordit të Intelektualëve dhe shoqërisë civile. Ky bashkëpunim do të jetë i vazhdueshëm, në dobi të palëve dhe interesit publik.
Nëpërmjet këtij seminari synojmë që shqetësimet dhe problematikat tuaja ti përcjellim në institucionet e reja pas 25 Prillit
Kam nderin të ndaj me ju disa mendime dhe të paraqes pjesë të programit të Partisë Demokratike për arsimin.
Arsimi është një nga fushat më të rëndësishme të çdo shoqërie dhe të çdo sistemi.
Përmes arsimimit shoqëritë dhe kombet u transmetojnë pjesëtarëve të tyre dijen, kulturën, trashëgiminë kulturore, vlerat përmes të cilave shkon përpara shoqëria.
Arsimi është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të një kombi, pasaporta integruese e tij në botën e qytetëruar ndaj kërkohet që ai të jetë sa më i përsosur dhe më i arrirë për të siguruar jo vetëm një të ardhme të mirë e të qëndrueshme të fëmijëve tanë, por dhe një përfaqësim dinjitoz të rinisë shqiptare në botë.
Arsimi krijohet përpara kombit dhe i paraprin procesit të ngjizjes dhe krijimit të tij, por është momenti kur krijohet shteti dhe lind përgjegjësia shtetërore që kujdeset për shtrirjen dhe mbarëvajtjen e tij në të gjithë vendin.
Ashtu siç ka ndodhur edhe në sistemin tonë shkollor, ndryshimet e shpeshta të bëra këto 30 vitet e fundit, kanë treguar se arsimi është munduar të përshtatet sa të mundë me ndryshimet sociale në vendin tonë, por edhe me ato globale. Por këto ndryshime nuk kanë qenë shumë të studiuara.
Eksperimentimi në arsim nuk është diçka e keqe, por kur ky eksperimentim kalon caqet hapësinorë dhe kohorë, atëhere ai bëhet i dëmshëm dhe ndikon negativisht.
Reformat e fundit në arsim dhe debatet që i kanë shoqëruar atë dëshmojnë për një rritje të ndërgjegjësimit të shoqërisë për problemet e arsimit dhe shkollës. Këto probleme duket se i përkasin gjithë shoqërisë dhe jo vetëm një pjese të saj. Por janë vënë re dhe po dalin në pah shumë problematika, të cilat në disa raste, nëse nuk trajtohen me seriozitetin e duhur mund të lënë pasoja të rënda në arsimimin e brezave.
Është trishtuese kur shikon nga politika që problemet e arsimit i trajton thjesht si çështje politikash dhe jo si qëllime me objektiva të qarta.
Do të dëshiroja këtu të citoja Kulturologun, Prof. Ndriçim Kulla, i cili shkruan: “Arsimi i ri, që duhet të zëvëndësojë arsimimin e dështuar të Edi Ramës duhet të ndryshojë nga qëlllimi i qartë që duhet të ketë. Ai duhet që të jetë një arsimim, i cili duhet të ndryshojë në mënyrë krejtësisht cilësore përmirësimin e arsimimit në vazhdimësi. Ai duhet të jetë një arsimim që duhet të përfshijë ose të forcojë në mësimdhënie edukimin pedagogjik, edukimin e munguar krejtësisht patriotik, edukimin familjar, por edhe edukimin europian. Branko Merxhani thoshte se Shqipërinë duhet ta kthejmë në fabrikë pedagogjike. Çfarë do të thotë kjo pjesë e formulave të neoshqiptarizmës e cilësuar 70 vjet më parë në realitetin e sotëm shqiptar, kur fëmijët tanë janë më tepër nën ndikimin e grupit paralel, se sa të shkollës dhe shoqërisë! Ndërkohë që pedagogjia sot më shumë se kurrë në kushtet e modernitetit teknologjik dhe në kohën e internetit dhe telefonisë celulare duhej të ishte një antivirus i gjallë për të ruajtur fëmijët nga efektet anësore të këtij zhvillimi të domosdoshëm është gati anemike për ti paraprirë një mbrojtje të tillë.”
Të dashur miq!
Partia Demokratike me programin e saj “Shqipëria Fiton Arsimin” përpiqet të mbushë dhe të rregullojë difektet e mbartura dhe të shkaktuara nga qeverisja e Ramës.
Plani i PD është një plan konkret, i zbatueshëm dhe larg premtimeve boshe por me angazhime konkrete dhe të realizueshme.
Ne do të sigurojmë tekste shkollore të reja falas, për 350 mijë nxënës. Po kështu fëmijët e të gjitha familjeve në nevojë do të përfitojnë paketa shkollore dhe tekste falas gjatë gjithë arsimit parauniversitar. Ne nuk do të lëmë asnjë fëmijë pa ndihmuar.
Ne do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë. Kështu ne do sjellim më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 000 familjet e mësuesve tanë të arsimit parauniversitar.
Nëpërmjet programit “Shqipëria fiton arsimin” ne do të ofrojmë program pas-shkollor dhe ushqim për orët shtesë e cila do t’ju vijë në ndihmë fëmijëve për përforcimin e dijeve të marra. Ky program do ti mbajë fëmijët të sigurt në shkollë dhe larg rrugës.
Ne do të sjellim arsimim cilësor për të gjithë. As edhe një nxënës nuk do të lihet pas dore e të diskriminohet. Ne do të arsimojmë çdo fëmijë, pavarësisht statusit të tyre social, ekonomik apo aftësive të kufizuara.
Pikënisje e programit tonë për Arsimin e Lartë është ligji i ri i Arsimit të Lartë.
Ky ligj i mirëkonsultuar, do t’i japë fund epokës së braktisjes së universiteteve publike nga qeveria.
Universitetit do t’i rikthehet autonomia funksionale dhe liria e spikatur akademike, përmes mekanizmave financiarë, ligjorë dhe akademikë.
Baza e zhvillimit të Arsimit të lartë të sanksionuar në ligj, do të jetë tregu i dijes në një konkurrencë të ndershme vlerash e arritjesh shkencore e akademike, midis institucioneve të arsimit të lartë publik dhe atij jopublik.
Rikonceptimi i programeve të Arsimit të lartë profesional, do të orientohet si prioritet për t’i dhënë fund diskriminimit e inferioritetit të diplomimit për profesione te ndryshme.
Me ne mësuesia do bëhet profesion i ekselentëve.
Në do të kërkojmë të arrijmë synimin sipas parimit, një Universitet-një kampus.
Një ligj i mirë ka nevojë për një financim të mirë.
Ne do ta bëjmë këtë. Se bashku me Lulzim Bashen do ta realizojmë këtë plan
Dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë, do të shoqërohet me projektin për Grante të dedikuara për IAL-të, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës fizike, mësimore e kërkimore shkencore si dhe krijimin e Fondacionit shqiptar për shkencë, inovacion dhe zhvillim.
Pedagogu mbetet themeli i çdo arritje akademike, shkencore e diplomimi cilësor.
Ai është identikiti i Universitetit.
Me ne ai do të trajtohen si elitë dhe do të kenë përgjegjësi po si elitë, pa korrupsion, pa plagjiatura e fiktivitet.
Pedagogët do të mirëpaguhen, në një rritje page impresionuese përgjatë katër viteve, deri në 900 euro për lektor dhe 1300 euro për profesor.
Për ata do të atashohen fonde në bazë departamenti, për kërkim shkencor të gjithanshëm. Mbështetja e tyre në futjen e teknologjisë në mësimdhënie, do të jetë e vazhdueshme dhe shumëdimensionale.
Në universitetin tonë, Studenti nuk do të jetë më klienti, apo blerësi inkonjito i dijes, shpeshherë fallco. Ai do të jetë qendra e interesit mësimor dhe qëllimi themelor i punës dhe i funksionit akademik e shkencor të Universitetit.
Bursa e plotë për çdo student në ciklin e parë apo të dytë nga familjet me të ardhura nën 64 mijë lekë, do të jetë një ndihmë shumë e madhe për çdo student e familjet shqiptare.
Bursa 50% për studentët nga familjet me të ardhura mbi 64 mijë lekë, vendos një drejtësi sociale të duhur.
Praktika e paguar (30,000 lekë) për 10 mijë studentë, për një vit pasi mbarojnë universitetin, do t’i japë një mundësi të artë çdo të riu, për t’u integruar në tregun e punës dhe për t’i dhënë vlerë diplomës.
Ne do t’i japim fund diskriminimit universitar, duke shembur çdo barrierë formale komunitare, ekonomike, mesatareje që dëmton meritën, preferencën por dhe talentin e të rinjve tanë.
Me ne, çdo të riu do t’i mundësohet vazhdimi i shkollës së lartë.
Ne duam dhe do ta realizojmë që ata të studiojnë këtu, të bëjnë karrierë këtu, të zhvillojnë vendin e kombin.
Në programin tonë orientohet Krijimi i Akademisë së Ekselencës për financimin e më të mirëve drejt 15 universiteteve më të njohura të botës.
Njëherazi që do të synojmë, nëpërmjet ofertave konkrete, thithjen në ekzekutiv e administratë të atyre të diplomuar prej vitesh jashtë dhe negociimin e kontributeve për vendin, të atyre që financohen me bursa ekselence.
Komunitetit shkencor ne do t’i japim më në fund Ligjin e ri për Shkencën, inovacionin e zhvillimin por dhe financimin e duhur.
Akademia e shkencave do të shkojë drejt një depolitizimi total dhe reformimi ligjor e strukturor. Ndërsa Libri, si çelës dije, do të inkurajohet dhe do të mbështetet.
Ndërsa për Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali” si derivim i programit kombëtar të Partisë Demokratike premtoj që:
1.Zhvillimi i Universiteti të Vlorës do të jete ne vemendjen e qeverise dhe do ti kushtohet nje rendesi e vecante.
2.Amendimi i ligjit të arsimit të lartë do t’i shërbejë UV “Ismail Qemali” për t’i dhënë më shumë liri akademike dhe autonomi financiare.
3.Rritja e buxhetit shtetëror për UV “Ismail Qemali” për mësimdhenien, kerkimin shkencor, laboratoret, etj
4.Përpilimi i një strategjie efiçente dhe koherente të arsimit të lartë do t’i shërbejë UV “Ismail Qemali” për të përmirësuar kapacitetet mësimore, pedagogjike dhe kerkimin shkencor.
5.Promovimi i degëve dhe studimeve akademike për të cilat ka më shumë nevojë ekonomia rajonale dhe sektorë te tjere strategjikë, siç është turizmi, ekonomia, inxhinieria navale, mekanike e elektrike, teknologjia e informacionit, shkencat detare, matematika, fizika, mesuesit etj.
6.Hapja dhe promovimi i studimeve doktorale të tjera në UV “Ismail Qemali” , rihapja e degëve të Akademisë Navale dhe Aviacionit.
7.Ulja e tarifave studentore për të gjitha ciklet e studimeve universitare, bachelor, studimet master dhe doktorature ne Universitetin e Vlores.
8.Ngritja e një rrjeti eficent shkollash profesionalene rajonin e Vlores per arsimimin e studenteve ne profesionet qe ka nevoje tregu i punes
9.Kthimi i subvencioneve për studentët ne nevoje dhe ofrimi i bursave shtese per studentet e shkelqyer ne Universitetin e Vlores.
Miqtë e mi!
Duke ju përshëndetur dhe duke ju uruar suksese në këtë seminar modest, dëshiroj t’ju shpreh angazhimin e kryeminisrit të ardhshëm, Lulzim Basha, se qeveria e PD do të bëjë ndryshimin e nevojshëm, për të cilin shqiptarët kanë kaq shumë nevojë.
Suksese!
Bujar Leskaj
(Fjala në seminarin e organizuar nga Bordi i Intelektualëve dhe Shoqërisë Civile në Qarkul e Vlores për çështjet e arsimit- Vlorë)