Botuar ne gazeten Panorama, me date 10.03.2021.
Në raportin vjetor dërguar Kongresit Amerikan mbi pastrimin e parave dhe publikuar më 3 mars 2021 (https://www.state.gov/2021-incsr-volume-ii-money-laundering-as-submitted-to-congress/), Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) shprehet se “Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm drejt pengimit të pastrimit të parave dhe krimeve financiare në vitin 2020. Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare… Trafikimi i narkotikëve dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar janë burimet kryesore të pastrimit të parave. Afërsia e Shqipërisë me Europën Perëndimore dhe prania e krimit të organizuar shqiptar në Europën Perëndimore dhe Amerikën e Jugut rrisin dobësitë. Investimet në pasuri të paluajtshme dhe projektet e zhvillimit të biznesit janë ndër metodat më të përhapura të pastrimit të të ardhurave të paligjshme”. (faqe 37 e Raportit. https://www.state.gov/wp-content/uploads/2021/02/21-00620-INLSR-Vol2_Report-FINAL.pdf)
Në një tjetër raport për trafikun ndërkombëtar të drogës, DASH thotë se organizatat e trafikut të drogës janë duke e shtrirë prezencën e tyre edhe në rang global. Sasitë e kokainës kapur në Europën Perëndimore janë të lidhura me shtetas shqiptarë, të cilët e trafikojnë drogën për tregjet europiane direkt nga Turqia apo vende të Amerikës Latine, duke përfshirë edhe Azinë.
Më 5 mars 2021, Indeksi i Lirisë Ekonomike 2021 i Fondacionit Heritage (“Trashëgimia”, indeks që ka që nga viti 1995 që mat liritë ekonomike të 186 vendeve të botës) e renditi Shqipërinë në vendin e 66-të me 65.2 pikë nga 178 vendet e përfshira në Indeksin 2021. Kundrejt një viti më parë, ne kemi rënë me 1.7 pikë, për shkak të problemeve me të drejtat e pronës dhe efektivitetit të sistemit gjyqësor. Shqipëria renditet në vendin e 35-të midis 45 vendeve të Europës dhe rezultati i saj i përgjithshëm është nën mesataren e rajonit. Në renditjen e Heritage, para Shqipërisë, për sa i përket lirisë ekonomike renditen Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova.
Më 21 shkurt 2020, Komiteti i Ekspertëve të Vlerësimit të Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizimit (MONEYVAL) i Këshillit të Europës e rifuti Shqipërinë në Listën Gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave. Dy vite më parë, në korrik 2018, po MONEYVAL paralajmëronte: “Korrupsioni në Shqipëri paraqet risqe të larta të pastrimit të parave, shpesh të lidhura me krimin e organizuar, duke gjeneruar sasi të konsiderueshme të ardhurash… Të ardhurat nga krimi po qarkullojnë dhe investohen në disa forma, për shembull përmes investimeve në pasuritë e paluajtshme dhe në kompani tregtare” http://www.fatf-gafi.org/media/fatf/documents/reports/mer-fsrb/MONEYVAL-MER-Albania-2018.pdf).
Konstatimet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe MONEYVAL janë detajuar edhe në raportin e Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar (Global Initiative against Transnational Organized Crime), një think tank(organizatë joqeveritare studimore) i financuar nga GIZ-i gjerman dhe Ministria e Jashtme Norvegjeze. Ky Raport me titull “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”( https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/08/IFFs-Balkans-English-WEB-Nov2020-1.pdf) thekson se në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, rreth 60 për qind e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017-2019, nuk i justifikojnë burimet e tyre financiare. Hartuesit e raportit kanë analizuar të dhënat nga Qendra Kombëtarë e Biznesit për kapitalin e këtyre firmave. Ata evidentojnë se në Shqipëri, boom-i i ndërtimeve ka ardhur si pasojë e financimit nga paratë e paligjshme, shumica të ardhura nga aktivitete kriminale. “Në Tiranë u lëshuan 65 për qind e të gjitha lejeve të ndërtimit për ambiente banimi, me një shume totale prej 400 milionë eurosh. Nga 141 kompani që fituan leje ndërtimi për ndërtesa më të larta se gjashtë kate, gjatë periudhës 2017–2019, 59 për qind e tyre nuk i kishte burimet financiare për të përfunduar ndërtesat. Sipas bilanceve të këtyre kompanive, të ardhurat e tyre ishin minimale dhe nuk kishin prona apo kredi që mund t’i lejonte që të kryenin investime të tilla. Sipas vlerësimeve tona, afërsisht 60 për qind e kësaj vlere vinte nga para të paligjshme dhe kriminale, afro 240 milionë euro”, shprehen autorët e Raportit “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”. (https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/08/IFFs-Balkans-English-WEB-Nov2020-1.pdf, faqe 17).
Sipas Raportit, në Shqipëri, 30 për qind e vlerës së një apartamenti të blerë rishtas sigurohet përmes parave të paligjshme. Ai evidenton se janë 500 milionë euro që janë pastruar përmes sektorit të pasurive të paluajtshme për vitin 2019, ndërsa vlera e parave të pastruara për 2017 ka qenë 320 milionë euro dhe për vitin 2018 ka qenë 570 milionë euro. “Agjencitë e Real Estate (tregut të pronave të paluajtshme raportojnë se mbi 50% e shitjeve bëhen me para në dorë.
dhe vlerësojnë se për këtë periudhë 3-vjeçare 2017-2019 janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”, thekson Raporti (https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/08/IFFs-Balkans-English-WEB-Nov2020-1.pdf, faqe 18).
Sipas INSTAT, sipërfaqja e dhënë për ndërtim në Tiranë vetëm për vitin 2019 i korrespondon një vlerë prej rreth 52 miliardë lekësh, ose 420 milionë euro(https://www.monitor.al/ndertime-rekord-prej-420-milione-euro-ne-tirane-siperfaqja-e-dhene-per-leje-u-rrit-me-55-ne-2019-n/. Po sipas saj, në Tiranë për katër vite (2016-2019) janë dhënë leje për sipërfaqe ndërtimi për afro 3 milionë m2. Kjo sipërfaqe ka një vlerë totale mbi 2.1 miliardë euro, ndërkohë që fuqia blerëse e vendit nuk rritet më shumë se 680 milionë euro në vit, nëpërmjet kredive hipotekore, parave nga emigrantët dhe kursimeve të qytetarëve. Flluska e këtyre ndërtimeve do të vazhdonte, por u ndërpre nga pandemia. Sot, metri katror ndërtim i ri në Tiranë shitet me 200-300 euro/m2 më shumë se në vitin 2017, megjithëse sipërfaqja e ndërtimit është shtatëfishuar, ndërkohë që fuqia blerëse ka rënë nga tërmeti dhe pandemia.
Ekspertë të real estate, tregut të shitblerjeve të apartamenteve në Tiranë, shprehen se në zona ku nuk guxonin të merrnin/shisnin mbi 900 euro/m2, tani ndërtimet e reja shesin me 1600 euro/m2. “Vazhdimi i parave të çuditshme patjetër që ka ndikimin më të madh në këtë përmbysje dhe çudi të tregut imobiliar. Paga të ulëta, emigracion masiv, metra katror ndërtimi pafund të hedhura në treg dhe çmimet rriten”, shprehet një prej ekspertëve. “Në shumë raste gjenden hapësira që përdoren për pastrim parash, si në investim, edhe në blerje apartamentesh. Në qoftë se ne kemi këto çmime në rritje dhe vijim të shitjes, do të thotë që fuqia blerëse ekziston. Nëse kjo fuqi është e përqendruar në disa duar, janë po prapë elementë jashtë tregut” (https://www.monitor.al/ndertime-rekord-prej-420-milione-euro-ne-tirane-siperfaqja-e-dhene-per-leje-u-rrit-me-55-ne-2019-n/).
Kompani me nga 20-30 mijë euro të ardhura kanë disa vite që po ndërtojnë në Tiranë dhe në qytetet e tjera kryesore të vendit, pallate me vlerë disa milionë euro. Kryeministri i mbretërimit të parave të paligjshme në Shqipëri deklaroi se nuk kemi pse të shkojmë në Itali te Ndrangheta, pse ujqit i kemi në Tiranë. Po, janë në Tiranë, por të ushqyer prej keqqeverisjes së tij.
Ndrangheta është një strukturë mafioze në Itali, që qarkullon 53 miliardë euro në vit në të gjithë botën, por që e ka lënë rajonin më jugor të Italisë, Kalabrinë me 2 milionë banorë (ku ka dhe epiqendrën) pa shumë zhvillim dhe perspektivë. Është zona më e varfër e Italisë, edhe pse ndër më të bukurat e tërheqëset (e lagur nga dy dete). Zonë ku mungojnë investuesit seriozë italiane e të huaj, pikërisht nga prania e fuqishme e krimit të organizuar.
Në mënyrë të ngjashme, edhe financuesit e panjohur në ndërtim te ne, me burime të dyshimta parash për të paktën në një të tretën e ndërtimeve të reja, të denoncuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit, MONEYVAL i Këshillit të Europës dhe Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar, rrezikojnë ta lënë Shqipërinë tonë në periferi dhe asnjëherë të integruar si duhet me familjen e madhe evropiane.
Kjo nuk do të ndodhë, pse më 25 prill qytetarët shqiptarë do t’i marrin frenat e vendit në duart e tyre. Partia Demokratike do t’i kthejë perspektivën dhe shpresën e humbur vendit, nëpërmjet programit të saj si ekonomik dhe social, me objektiva të qartë, tregues numerikë të mirëpërcaktuar dhe me vullnetin e plotë të kryetarit Basha dhe mbarë lidershipit të saj, për të ndërtuar shtet realisht (dhe jo në 3D), duke luftuar me tolerancë zero krimin e organizuar dhe paranë kriminale, kudo ku shfaqet ajo.
Programi i ligjit Antimafia të Partisë Demokratike do ta largojë Shqipërinë përfundimisht nga harta e vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave kriminale, me struktura mafioze shqetësuese për mbarë Evropën dhe SHBA-të, të organizuara brenda dhe jashtë vendit. Partia Demokratike do t’ia kthejë dinjitetin qytetarit shqiptar dhe imazhin vendit, si një shtet demokratik dhe që nuk ka asgjë të përbashkët me strukturat dhe paranë kriminale.
Bujar Leskaj