Kutia e sektit Rama si Kutia e Pandorës

Botuar ne gazeten Panorama, date 17.03.2021.
Thonë se për të dënuar njerëzit, zotat i dhanë Pandorës një kuti. E pazonja për të kontrolluar sjelljen e saj, ajo e hapi duke shpërndarë sëmundje, kaos e vuajtje mbi njerëzimin. E frikësuar, Pandora shpejtoi ta mbyllte kutinë, duke lënë brenda pikërisht të vetmen armë, me të cilën njerëzit mund të luftonin zezonat që iu ranë mbi kokë, shpresën. Tash 8 vjet, edhe sekti Rama e ka hapur kutinë e tij. Ka lëshuar mbi kokat e njerëzve të tokës që kontrollon sentencat e sëmundjeve që ka prodhuar e shitur shtrenjtë vetë.
Varfërinë, kanabizimin, korrupsionin, emigracionin, kriminelët si ligjvënës, gjymtimin e lirisë dhe shpirtit sipërmarrës, shtetin model PPP, mjekësinë model “Tirje”, arsimin model “Turi” dhe integrimin model “Turpi”. Këto zezona të sektit ushqejnë njëra-tjetrën. Ato nuk u krijuan të tilla sot, por u rritën pak e nga pak ndër vite. Dhe sa më shumë rriteshin ato, aq më shumë mekej shpresa e shqiptarëve.
Në 8 vite, Rama dhe rilindësit e tij nuk rritën as edhe një herë të vetme pagat e punonjësve të administratës, burimin kryesor të të ardhurave për një pjesë dërrmuese të popullsisë dhe që do të shërbente edhe si referencë nxitëse për sektorin privat. Por nëse pagat mbetën nominalisht në vend, realisht ato u zhvlerësuan për shkak të inflacionit. I vetmi kompensim, në dukje favorit për shqiptarët, ishte dhe është leku i fortë e që forcohet vazhdimisht.
Në një ekonomi thellësisht të orientuar nga importi si kjo e jona, ky lek artificialisht i mbivlerësuar u jep fuqi blerësve, mbajtësve të tij. Por, si në ato mallkimet e moçme, ky lek i fortë e ka haraçin e lartë. Ai financohet nga paraja e pistë që buron nga narkotrafiku i bekuar nga qeverisja, nga aferat e organizatave kriminale me zyrtarët e lartë të administratës sonë dhe lavatriçja e betonizimit të qyteteve. Të pastrosh këtë lek të pistë në sistemin e kutisë së Ramës, është, siç thotë populli, të lash pusetën me ujë kanali.
Në 8 vite, Rama dhe rilindësit e tij bipolarizuan shoqërinë. Jo thjesht në kuptimin ekonomik, por edhe në atë social e psikologjik. Në kontradiktë me çdo filozofi të majtë, u mpak shtresa e mesme, u shtuan të varfrit dhe u rrit përqendrimi i pasurisë në pak duar oligarkësh. Kudo në botë shihet me shqetësim një dukuri e tillë sot, e cila mund të bëhet shkak konfliktesh të thella sociale në të ardhmen.
Por nëse qeveritë e vendeve të zhvilluara e trajtojnë si problematike këtë prirje dhe marrin masa aktive për ta rishpërndarë pasurinë, në Shqipëri ndodh e kundërta. Planet e ndihmës ekonomike ofrojnë maksimalisht 8.000 lekë në muaj për një familje, pa kurrfarë ankorimi te një minimum jetik, përcaktimin e të cilit rilindësit e lënë qëllimisht në harresë. Politikat e stimulimit të punëzënies, me 300.000 vendet e punës që prisnin të plotësoheshin në fillim të mandatit, i shtynë shqiptarët drejt emigracionit. Punonjësit tatohen progresivisht deri në 23% të së ardhurës, ndërsa pronarët regresivisht në kohë me 8% të dividendit.
Arsimi, që është arma e parë për të luftuar papunësinë dhe varfërinë, lëngon akoma reformat e nisura që para 7 vjetësh dhe ende të papërfunduara. Shëndetësia, që është arma e dytë, jo vetëm që nuk është falas sikurse u premtua, por po vuan ikjen masive të trurit dhe koston e rëndë të pandemisë. Në kutinë e sektit të Ramës, nuk ka vend për të gjithë, as për vetë socialistët, por vetëm për të pasurit.
Në 8 vite, Rama dhe rilindësit e tij ngritën një sistem korruptiv për përdorimin e fondeve publike, atë të PPP-ve me mbështetje buxhetore. Këto PPP, përveçse nuk vlerësohen siç duhet përpara se të nisin, as nuk monitorohen për performancën dhe nevojën ndaj tyre në vijimësi.
Një kontradiktë në këtë drejtim është edhe korrelimi i PPP-ve me nivelin e borxhit. Në thelb, një PPP duhet të çlirojë fondet buxhetore, sepse investimet madhore dhe që rëndojnë menjëherë buxhetin mbahen nga privati në një PPP. Nga ana tjetër, duke qenë se qëllimi i deklaruar i qeverisë ka qenë ulja e borxhit publik, atëherë përdorimi i PPPve nga njëra anë dhe qëllimi i deklaruar për borxhin nga ana tjetër, duhet të kishin dhënë efekt tek ulja aktuale e kësaj barre.
Ajo që vërehet është e kundërta. Borxhi vijon të rritet, duke rënduar edhe më tej xhepat e shqiptarëve sot e në të ardhmen. Madje, edhe përdorimi i këtij borxhi është inefektiv, sepse një pjesë e mirë e tij shkon për shlyerjen e borxhit të mëparshëm dhe pagesën e pagave, e jo për investime. Në kutinë e Ramës dhe sektit të tij, paraja publike është valutë favoresh.
Në 8 vite të rilindjes, shqiptarët e kanë ngritur në mit Kutinë e Ramës. Sikurse në mitin e Pandorës, duket sikur mallkimi vjen prej zotave e prandaj shqiptarët ikin larg. Ndryshe nga miti i Pandorës, Kutia e Ramës nuk ka vend për Shpresën, ajo i ngjan një arkëmorti. Rama nuk mundet edhe sikur të dojë ta mbyllë më këtë Kuti, sepse ajo është tashmë sistemi i vetëm brenda të cilit ai dhe të tijtë funksionojnë.
Por Rama dhe kutia e tij nuk i përkasin Shqipërisë dhe shqiptarëve… vetëm “rilindësve” të vet, të cilët nuk duhen ngatërruar me socialistët atdhetarë. Rama dhe të tijtë, megjithë fasadën që e kanë aq për zemër dhe propagandën që e ruajnë me fanatizëm si trashëgimi të pacenuar të etërve, nuk mund ta mbulojnë diellin me shoshë.
Në asnjë moment, Rama nuk pranon një gabim për këta 8 vjet qeverisje, përveçse kur linçon anëtarët e rilindjes së vet që nuk shkojnë dot më poshtë se delja. Rama nuk shfaq asnjë pendesë për shqiptarët që ikin, varfërinë që ka pllakosur, spitalet plot dhe arsimin bosh. Rama nuk përpiqet as për aparencë të bëjë sikur do ta mbyllë kutinë e vet. Përkundrazi, vijon të shesë shpresë të rreme me gjuhën e vulgaritetit, fyerjes dhe talljes.
Përballë kësaj panorame të zymtë ngrihet alternativa shpresëdhënëse e opozitës, një program ekonomik që tenton të shërojë plagët e ekonomisë, jo vetëm nëpërmjet një politike fiskale lehtësuese, por edhe një reflektimi të thellë mbi gabimet e së shkuarës.
Programi i PD synon të kurojë të gjithë sektorët ekonomikë: nga turizmi e bujqësia, te rritja e konsumit, ndryshimet strukturore të ekonomisë, përkrahjen e eksportit, stimulimin e iniciativës së lirë, përkrahjen sociale, frenimin e emigracionit të të rinjve, forcimin e shëndetësisë dhe të arsimit.
Kjo paketë, e shoqëruar me një reformim të administratës, institucioneve audituese, një qasje tjetër ndaj luftës kundër korrupsionit dhe informalitetit, garanton një faturë të përballueshme për të gjithë efektin financiar që shkakton (njëherazi e djathtë në fiskalitet dhe sociale e humane nga ana tjetër). Alternativa opozitare i rikthen dinjitetin individit, forcon shtresën e mesme të shoqërisë dhe garanton konsolidimin e saj, ka në fokus brezin e ardhshëm –të rinjtë, por me respekt e përkujdesje për kontributin e dhënë ndër vite nga pensionistet e sotëm, duke përcjellë shpresë dhe energji të reja në vend, një alternativë, për të cilën kemi nevojë më shume se kurrë.
Kundër kësaj megastrukure propaganduese të binomit rilindje-pseudoshtet, që ka për qëllim “delëzimin” e shoqërisë me një mënyrë virtuale qeverisjeje, me projekte fasade plot ngjyra e shkëlqim fals, por pa vizion, ka vetëm një qëndrim të imponuar nga vetë përballja me të keqen, që nënkupton ndëshkimin e saj (të keqes) me një vote masive për rikthimin e Shpresës.
Bujar Leskaj