Partia Demokratike dhe e ardhmja e biznesit

Fjala e mbajtur ne Seminarin e organizuar nga Bordi i Biznesit date 20.03.2021, me teme “Partia Demokratike dhe e ardhja e biznesit”!
Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit në vendin e 82-të në botë për klimën e të bërit biznes nga raporti i Bankës Botërore “Doing Business 2020”,  me një rënie vertikale me 19 vende, krahasuar me vitin 2019. Eshtë rënia më e madhe që pëson një vend i Evropës. Jo vetëm vendi ynë është i fundit në Europë, por renditet edhe ndër vendet me përkeqësimin më të lartë ne bote të klimës së biznesit brenda një viti.
Nga 10 indikatorët e matur nga studimi i Bankës Botërore, shihet se degradimin më të madh vendi ynë e shënoi në mbrojtjen e investimeve. Ndërsa në vitin 2019, Shqipëria u rendit në vendin e 26 për mbrojtjen e investimeve, në vitin 2020 u rendit në vendin e 111.
Ky është indikatori më i rëndësishëm për investitorët e huaj dhe Shqiperia pesoi renien me te madhe ne bote per kete tregues, pas Mianmar qe ndodhet ne lufte civile. Për një vit, vendi yne u ul në renditje me 85 vende në raport me një vit më parë. Kjo është “dhurata” e sektit Rama për sipërmarrjen e vendit të tij, gjatë periudhës më të vështirë që po kalon Shqipëria, me pandeminë e Covid-19 dhe një krizë të paprecedentë ekonomike. Përkeqësim shënoi edhe indikatori tjetër që ka të bëjë me investimet, “mbrojtja e kontratave”. Vendi ynë humbi 22 vende në renditje, në raport me vitin 2019. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka shënuar përkeqësim në të 9 indikatorët nga 10 gjithsej.
Objektivi ynë është që ta fusim Shqipërinë midis 30 vendeve më të mira.
Në pandemi, qeveria dha në formën e paketave sociale vetëm 2.8% të prodhimit kombëtar (PBB-së), duke u renditur e fundit në rajon. Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhanë 5.5% të prodhimit kombëtar, ndërsa Serbia 11% dhe Mali i Zi 12.2%.
Goditja nga Covid-19 mund të kishte qenë shumë herë më e përballueshme, nëse do të ishin marrë masat e duhura nga ana e qeverisë, me pagesa jo direkte tek punonjesit, por me ndihmesa direkte tek sipërmarrjet në vështirësi ekstreme, sikurse vepruan, pavarësisht se në nivele të ndryshme, qeveritë e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Për shkak të ndihmës fare të dobët ose inekzistente ndaj biznesit, eksportet dhe importet e mallrave regjistruan në vitin 2020 ulje të ndjeshme, respektivisht 10 dhe 7.2%. Eksportet ranë me 27 miliardë lekë ose 220 milionë euro, ndërsa importet me 44 miliardë lekë ose 358 milionë euro.
Gjatë vitit 2020, industria e veshjeve dhe këpucëve (fasonët), sektor që punëson 70 mijë vetë dhe siguron 40% të eksporteve të vendit, humbi 148 milionë euro dhe u detyrua të largojë 22 mijë punonjës. Në fund të shkurtit 2021, kishte 27 mijë punonjës më pak. Të 700 fabrikat e këtij sektori janë në luftë për mbijetesë dhe në prag të falimentimit. Ky sektor ka bërë apel publik për mbështetje emergjente nga qeveria që në prill 2020, por kërkesat e përsëritura për ndihmë nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga sekti Rama.
Ulja e importeve dhe mungesa e aksesit në tregjet ndërkombëtare ka patur ndikim tejet negativ në ekonomi, veçanërisht për sektorin e industrisë dhe kompanitë që varen plotësisht nga importet.
Për biznesin, qeveria Rama ofroi përdorimin e dy instrumenteve të Garancisë Sovrane. Garancia e parë sovrane (prill-qershor 2020) prej 11 miliardë lekë ose 81 mln euro u përdor vetëm 40 përqind, për shkak të kufizimit të skemës, që stimuloi huamarrjen vetëm për pagesat e punonjësve. Në shumë raste, biznesi refuzoi të aplikojë për përfitimin nga fondi i garancisë sovrane 1, pasi fillimisht u prezantua me interesa bankare dhe përdorimi vetëm për paga e kufizonte kredinë. Për këto arsye, nisma nuk u pëlqye nga të gjitha bizneset dhe u realizua vetëm 40 përqind.
Garancia e dytë sovrane (maj-shtator 2020) prej 15 miliardë lekë ose 122 mln euro u përdor akoma dhe më pak nga sipërmarrjet, vetëm 27 përqind! Edhe pse ajo përfshiu jo vetëm kredi për pagat, por edhe për nevoja të biznesit në kapital qarkullues dhe investime, fakti që risku i kredisë përballohej 60 përqind nga Shteti dhe 40% nga bankat tregtare, i bëri këto të fundit më të ngurta. Nisma dështoi. Biznesi pati interes të ulët, ngaqë kushtet e kredisë me garanci u aplikuan si për kredi normale. Interesi i lartë deri në 5 përqind bëri që sektori më në vështirësi, ai i turizmit të mos aplikonte fare, ngaqë edhe në kushte normale, operatorët turistikë marrin kredi në banka vetëm deri në 3.7 përqind interes.
Në tërësi, nga garancia e parë dhe e dytë sovrane përfituan vetëm  bizneset më të mëdha e më të  shëndosha, që nuk kishin detyrime karshi shtetit apo shuma të palikuiduara në bankë për tre muajt e fundit. Garancitë sovrane me kushtet e tyre deformuan moralin e ndihmës, e trumbetuar nga sekti Rama si ndihmë në kushte lufte.
Në fakt, në luftë ndihmohen të plagosurit, ata shtrohen në spital dhe kurohen. Skema e garancisë së dytë sovrane futi edhe kushtin e shtyrjes së tatim-fitimit për bizneset deri në fund të shtatorit dhe për sektorët fasoneri, turizëm, call center e biznes i vogël, deri në fund të dhjetorit 2020.
Janë me dhjetëra mijëra sipërmarrjet, të cilat përpara pandemisë vazhdonin aktivitetin, paguanin pagat, taksat dhe eksportonin, që u lanë në mes të rrugës në pandemi, vetëm për shkak të klauzolës së mësipërme.
Sipas rrjetit BIRN të gazetarisë investigative, koncesionarët e qeverisë ishin përfituesit e mëdhenj të fondit të garancive sovrane 1 dhe 2. Një grup i vogël prej 10 biznesesh –fituese të koncesioneve gjatë qeverisjes së Ramës, u bënë njëherazi përfituesit më të mëdhenj të kredive të subvencionuara nga qeveria për përballimin e pandemisë së COVID-19, duke thithur gati gjysmën e fondit të miratuar nga bankat.
Situata për biznesin do të ndryshojë nga nata në ditë me zgjedhjet e 25 prillit dhe fitoren e Partisë Demokratike. Kjo parti ka në qendër të programit të saj të rimëkëmbjes dhe modernizimit të Shqipërisë si qytetarin dhe familjen e tij, ashtu edhe mbështetjen e plotë dhe me projekte konkrete për biznesin
Ndërkohë Partia Demokratike në programin e saj të paraqitur nga kryetari Basha, kryeministri i Shqipërisë në 26 prill, parashikon të ndërmarrë këto hapa  për të përmbushur këto objektiva:
1. Transparenca dhe Mirëmenaxhimi.
– 
Çdo vendim i qeverisë do jete transparent, dhe çdo databazë shtetërore do të jetë publike. Duke filluar nga garat publike e deri te regjistri i pronës. Transparenca totale dhe digjitalizimi do të bëjë të mundur eleminimin e çdo kontakti të panevojshëm me përfaqësues shtetërorë.
– Në 100 ditët e para të punës së qeverisë së re do të publikohet norma e taksave për 4 vite, për çdo biznes te huaj e vendas duke ofruar parashikueshmërinë fiskale.
– Do të eliminohet çdo diskrecion dhe interpretim ligjesh nga zyrtaret e ministrat duke mbledhur legjislacionin fiskal në një Kod Tatimor të vetëm.
– Do të eliminohet çdo përjashtim nga ligjet, që sot janë bërë rregull dhe e kanë çuar korrupsionin në Shqipëri në nivelin e kapjes së shtetit.
– Partia Demokratike do të ngrerë Bordin e Transparencës Fiskale, një institucion i pavarur nga qeveria, me emërim nga Parlamenti, që do të monitorojë zbatimin e të gjitha politikave fiskale dhe kontrollin e shpenzimeve publike që sot kanë dalë jashtë kontrollit.
2.  Së dyti, beteja për një treg të lirë do të jetë hapi tjetër i PD.
 Do të krijojë mjedisin më favorizues për mbështetjen e biznesit, duke eleminuar koston e korrupsionit dhe duke krijuar një sistem të thjeshtë taksash me një nivel.
– Asnjë kontroll tatimor për biznesin e vogël që demonstron pullën fiskale dhe asnjë zyrtar shteti ne dyer te bizneseve.
– Nuk do të lejojë asnjë operator off-shore në tendera, gara dhe koncesione. Duke nisur një betejë për të luftuar jo thjesht korrupsionin përmes këtyre praktikave por edhe luftën ndaj monopolit dhe kontratave abuzive që janë dhënë përmes këtyre skemave.
– Me një institucion të besueshëm ndërkombëtar do të kalohet në lupë çdo koncesion dhe PPP i dhënë duke përfshirë në një hetim të imtësishëm çdo kontratë të dhënë këto vite.
– Nuk do të ketë asnjë garë publike me një operator me qëllim që të rrisim konkurrencën ne treg.
– Asnjë kontratë të re publike për ato kompani që nuk kanë përfunduar 70% të punës në kontratat ekzistuese, me qëllim të zgjerojmë numrin e kompanive dhe të rrisim konkurrencën.
3. Së treti, sistemi anti-korrupsioni si vullnet politik
–  
PD angazhohet në ngritjen e menjëhershme të Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila do të koordinojë përpjekjet për të luftuar korrupsionin në çdo qelizë, duke përgatitur dhe dosjet korruptive që do t’i dorëzohen drejtësisë për ato subjekte që janë identifikuar në akte korruptive.
– Zbatimi i Ligjit Anti-mafia dhe parimeve të tij edhe për aferat korruptive duke zbatuar të njëjtat parime edhe për asetet që janë vendosur nga praktika korruptive.
–  Vendosjen e detyrueshme të kontrollit për çdo kontrate publike koncesionare edhe nga Zyra e Auditit të Brendshëm përveç Kontrollit që ushtron institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Vetëm nga ulja e tatimit mbi fitimin nga 15% që është sot në 9% të taksës së sheshtë të Partisë Demokratike, të 122 mijë bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha të Shqipërise do të fitojnë 36 milionë euro në vit dhe 144 milionë euro në katër vjet. Nga ulja e çmimit të karburantit me 24 lekë/litër, biznesi do të kursejë 183 mln euro në 4 vjet.
Ulja e sigurimeve shoqërore të biznesit si punëdhënës nga 13.5% që është në 9% me angazhimin e Partisë Demokratike, do të sjellë 132 milionë euro në duart e sipërmarrjeve në të katër vitet 2021-2024.
Partia Demokratike do ta mbrojë biznesin e vogël dhe të mesëm nga kërdia, që po ushtrohet sot nga sekti Rama, me tarifat dhe taksat vendore mbi të. Ajo ka caktuar një tavan prej vetëm 0.5% të xhiros vjetore të biznesit, çka do të përbëjë një çlirim të vërtetë të SME-ve nga taksat vendore tejet të larta në qytetet tona kryesore.
Të 235 mijë fermerët tanë do të marrin 400 milionë euro subvencion të drejtpërdrejtë (para të thata në xhepin e tyre) për të katër vitet 2021-2024, nga Partia Demokratike.
Formacioni politik i PD angazhohet të punojë në çdo ditë të qeverisjes për:
1.Përmirësimin e ndjeshëm të klimës së biznesit dhe rritjen e besueshmërisë së sipërmarrjes në vullnetin dhe politikat qeveritare.
2.Parashikueshmërinë e plotë të sistemit të taksave dhe politikave fiskale, tërësisht të thjeshtuara dhe në ndihmë të biznesit.
3.Projekte konkrete për rimëkëmbje të bizneseve të dëmtuara nga tërmeti dhe nga pandemia, në radhë të parë atyre në sektorin e turizmit, fasonerisë dhe tregtisë, në bashkëpunim të ngushtë me donatorët dhe me programet e Bashkimit Evropian për rajonin.
Të gjitha këto masa që do të marrë PD në qeveri kërkojnë vullnet të hekurt, vullnet politik, që demokratët e kanë, në favor të biznesit, në favor të Shqipërisë e shqiptarëve!
Bujar Leskaj