Botuar ne gazeten Mapo, date 07.04.2021.
Organizata Transparency International (TI) dhe Instituti shqiptar për Demokraci e Ndërmjetësim (IDM) publikuan më 30 mars 2021 një raport mbi kapjen e shtetit, korrupsionin e lartë dhe ligjet me porosi.
Raporti i TI-IDM nxjerr plotësisht zbuluar dukurinë më të shëmtuar të sektit qeverisës Rama, “kryeveprën e zezë” të tij: garantimin e pandëshkueshmërisë së veprimit korruptiv të zyrtarëve të lartë publikë. Korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të nxitet nga privatizimi i shërbimeve publike, në dëm të interesave të buxhetit të Shtetit, duke hipotekuar pagesat e taksave për një periudhë të ardhshme deri 13-vjeçare të qytetarëve shqiptarë.
Një dukuri e tillë në përmasa alarmante, është mundësuar nga mekanizmat e pamjaftueshëm institucionalë të kontrollit dhe balancës së pushteteve, si dhe nga politizimi i skajshëm i administratës publike. Këta faktorë mbështeten nga një gjyqësor i korruptuar, që siguron pandëshkueshmëri për autorët e korrupsionit.
Periudha 2013-2020 ka dëshmuar një forcim të bashkëpunimit midis politikës qeverisëse, biznesit dhe krimit të organizuar, që ka arritur kulmin e tij gjatë katër viteve të fundit. Kontratat qeveritare për biznese të zgjedhura dhe të lidhura me funksionarë të spikatur publikë, kanë çuar në keqadministrim të pasurive publike dhe rritje të borxheve financiare që i rëndojnë taksapaguesit shqiptarë.
Bashkëpunimi mes zyrtarëve publikë dhe grupeve të krimit të organizuar për blerjen e votave në zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme, në këmbim të shfrytëzimit të institucioneve publike për interesa privatë, e ka dëmtuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor në Shqipëri.
Shumë institucione të pavarura zotërojnë paraqet një bazë impresive të të dhënave për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe ligjeve të bëra me porosi. Por edhe pse përbëjnë një gur themeli të rëndësishëm në evidentimin e fenomenit të kapjes së shtetit, ngadalësimi i theksuar i zbatimit të Reformës në Drejtësi ka dëmtuar kredibilitetin e denoncimeve të tyre.
Nga kjo ka përfituar sekti Rama, i gjithëpushtetshëm në qeverisje dhe në garantimin e beniaminëve të tij të kapur me presh në duar në afera korruptive, në dëm të interesave të Buxhetit të Shtetit dhe të qytetarit, megjithëse këto afera janë denoncuar fuqishëm nga mediat e pavarura dhe nga opozita. Ja përse qeverisja Rama përfaqëson shtetin më të kapur në historinë e Shqipërisë.
Kapja e shtetit mbështetet në tre shtylla: një rrjet klientele ose marrëdhëniesh klienteliste, procedime gjyqësore të korruptuara dhe ligje të bëra me porosi. Rastet e ekzaminuara të korrupsionit të nivelit të lartë sugjerojnë që marrëdhëniet klienteliste vendosen mes zyrtarëve të nivelit të lartë – me raste edhe të afërmve të tyre – dhe subjekteve private.
Ka raste kur kompanitë private – të cilat janë pjesë e një skeme korrupsioni të madh të nivelit të lartë ose politik – krijohen si rezultat i një miqësie ekzistuese ose marrëdhënie tjetër të ngushtë mes një individi privat dhe një nëpunësi publik, për të përfituar nga privatizimi i një aseti ose shërbimi shtetëror.
Vetëm në mjekësinë publike, sekti Rama që qeveris vendin ka privatizuar gjashtë shërbime publike në vitet 2016-2018, duke krijuar detyrime në kohë për buxhetin e shtetit, në vlerën e 568 milionë eurove. Edhe nëse rrallë kryhet një hetim mbi korrupsionin e nivelit të lartë, ushtrimi i ndikimit politik në procedimet gjyqësore dhe korrupsioni brenda gjyqësorit dhe prokurorisë zakonisht çojnë në dënime të buta ose në pushimin e çështjeve.
Ligjet e bëra me porosi legalizojnë kapjen e Shtetit duke vendosur rregulla që favorizojnë interesat privatë në dëm të interesit publik. Këto ligje zakonisht miratohen pa konsultime paraprake publike dhe nuk bazohen në vlerësime thelbësore të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Ato janë: Ligji special për Teatrin, Ligji për mediat audiovizive, Ligji për lojërat e fatit, Ligji për lotarinë kombëtare, Ligji për koncesionet dhe PPP-të, VKM e kthyer në ligj për autostradën Milot-Balldren, VKM e kthyer në ligj për kompaninë Air Albania.
Ndërkohë që politikanët-kryesisht në qeverinë qendrore, por edhe në qeverisjen vendore – bashkëpunojnë me sektorin privat për të shfrytëzuar burimet e vendit, gjyqësori ende i korruptuar siguron pandëshkueshmëri për këto veprimtari dhe u zgjat jetën skemave fitimprurëse korruptive.
Ky sistem me shtet tërësisht të kapur është e pamundur të shkatërrohet nga përbrenda qeverisjes së sotme, që pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë të korruptuar ose të dyshuar për korrupsion dhe abuzime, e ka “kryeveprën” e sektit të tij drejtues. Koha ka ardhur që qytetari shqiptar të vendosë në balancë abuzimet, korrupsionin galopant dhe kapjen e përbindshme të shtetit ku ai kontribuon me taksat e tij, me shpresën për ndryshim.
Forca politike mbajtëse e kësaj shprese është Partia Demokratike, e cila ka marrë përgjegjësinë e plotë përpara qytetarëve dhe, do të realizojë pas 25 Prillit, çmontimin e plotë të rasteve të kapjes së Shtetit dhe vendosjen përpara drejtësisë të shkelësve, që sot qëndrojnë të patrazuar në piramidën e sektit qeverisës Rama.
Bujar Leskaj