Botuar ne gazetën Mapo, më date 22.04.2021.
Në tetë vitet e fundit, janë larguar rreth 140 mijë të rinj nga Shqipëria, duke sjellë perspektivën ogurzezë që vendi të shpopullohet tërësisht brenda 7 dekadave të ardhshme. Në vitin 2020, në Shqipëri jetonin më pak se 700 mijë të rinj nën moshën 29 vjeç. Po të krahasojmë numrin e përgjithshëm të popullsisë së të rinjve (mosha 15 deri në 29 vjeç) në vitin 2014 me të dhënat e vitit 2020, shohim se popullsia rinore është ulur me rreth 70 mijë vetë. Krahasuar me dy vitet e 2018-2019, numri i të rinjve në Shqipëri më 1 Janar të vitit 2021 ka pësuar një ulje drastike me rreth 25 mijë të rinj. Papunësia e të rinjve vijon të mbetet një arsye thelbësore për largimin e tyre nga vendi, pasi janë pikërisht të rinjtë e diplomuar ata që vuajnë nivelet më të larta të papunësisë. Sipas të dhënave të INSTAT, duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor, në vitin 2019 rezultonin të papunë rreth 14,4 % e të rinjve me arsim të mesëm dhe rreth 12,3 % e të rinjve me arsim të lartë. Sipas Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO), rreth 80 % e azilkërkuesve shqiptarë drejt vendeve të Bashkimit Europian iu përkasin moshave deri në 34 vjeç. Referuar të dhënave dhe studimit të vitit 2019 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), përgjatë vitit 2018, papunësia e të rinjve arriti në masën 33%, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në Europë për përqindjen më të lartë të të rinjve të papunë. Për shumicën e të rinjve, arsyet e eksodit të tyre masiv nga Shqipëria janë: mungesa e mundësive të punësimit, vlerësimit, pagat e ulëta, kosto e lartë e jetesës, korrupsioni, problemet me nepotizmin dhe promovimi në bazë të kritereve jo profesionale. Këto arsye nuk u trajtuan asnjëherë si shqetësime kryesore nga qeverisja e 8 viteve të fundit.Rreth 6 vite më parë, më 6 Maj 2015, qeveria miratoi Planin Kombëtar 2015-2020 të Veprimit për të Rinjtë. Plani caktoi një sërë detyrash për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, institucionet në varësi të saj, ministritë e tjera të linjës dhe bashkitë për arritjen e objektivave të tij. Deri në fund të vitit 2020, periudhës së mbuluar nga ky plan kombëtar, nuk u raportua asnjë aktivitet apo arritje në kuadër të tij. Ai thjesht u la në harresë të plotë dhe përbën një nga papërgjegjësitë e shumta, të ngritura në sistem nga qeverisja Rama. Jo vetëm Plani nuk u zbatua në asnjë nga objektivat e tij, por deri më sot nuk është përgatitur asnjë raport monitorimi apo vlerësimi nga strukturat e ngarkuara me këtë funksion. Qeveria dështoi dhe në funksionimin e portalit www.rinia.al, i cili, edhe pse u parashikua me fondin përkatës, nuk u realizua. Sekti Rama, ndonëse premtoi me shumë fanfara, nuk realizoi as Paktin për Universitetin, as vetingun në universitete. Pavarësisht përpjekjeve që organizatat e shoqërisë civile kanë zhvilluar që të rinjtë në Shqipëri të kishin një ligj që do të garantonte të drejtat dhe shërbimet bazë për ta, çfarë u arrit ishte mjerane. Më datën 4 Nëntor 2019 u miratua Ligji nr. 75/2019 “Për rininë” një ligj në kundërshtim të plotë me standardet bazë të të drejtave të njeriut, të mbrojtura dhe të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë, si dhe aktet kryesore të OKB-së dhe të Këshillit të Europës. Ky ligj nuk identifikon rregullime për të gjithë shtresat e të rinjve, duke mos u bërë në këtë mënyrë gjithëpërfshirës dhe i plotë. Ai nuk parashikon nisma konkrete për nxitjen e punësimit, apo masa për parandalimin e emigracionit të të rinjve. Parashikimet e ligjit nuk iu japin statusin të rinjve për pjesëmarrje në hartimin e politikave dhe as në vendimmarrje. Në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut, ky Ligj parashikon që në strukturat drejtuese të këshillave rinorë të jenë funksionarë politikë, duke i vënë organizatat rinore dhe të rinjtë nën drejtimin ekskluziv politik. Ligji nr. 75/2019 “Për rininë” nuk është kurrsesi në përkrahje të të rinjve, por i përdor këta të fundit për qëllime tërësisht politike. Më 2017, katër vite më parë, riorganizimi i ministrive dhe funksioneve të tyre solli dhe shkrirjen e së vetmes Drejtori të Politikave Rinore në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e cila ishte përgjegjëse për zhvillimin e politikave për të rinjtë dhe zbatimin e tyre. Në të gjithë infrastrukturën e qeverisjes qendrore, në këto katër vite nuk ka patur asnjë njësi që të merret ekskluzivisht me të drejtat dhe planet e zhvillimit për të rinjtë. Në të tetë vitet e qeverisjes së sektit Rama, strategjitë dhe programet për të rinjtë nuk janë adresuar asnjëherë në nivelin e politikave qendrore dhe lokale dhe as nuk janë rishikuar masat administrative dhe legjislative për të inkurajuar politikat rinore. Të rinjtë tanë u goditën fort gjatë pandemisë, me një papunësi të shtuar me 20 për qind më shumë në radhët e tyre. Po humbim një brez të tërë! I cili e kërkon shpëtimin vetëm duke ikur nga vendi.Për një vend të vogël si Shqipëria, me një histori gjysmëshekullore 1944-1991, fatkeqësisht armiqësore ndaj sipërmarrjes së lirë, kapitalit human dhe forcës së kualifikuar të punës, me një ekonomi relativisht pak të zhvilluar, krahasuar edhe me vendet që na rrethojnë, mosvlerësimi dhe largimi i të rinjve, dhe veçanërisht i të rinjve të arsimuar, ka sjellë mungesën e theksuar të kapaciteteve profesionale, menaxheriale dhe një deficit të rëndë në forcën punëtore të vendit. Në këto kushte, është e domosdoshme që të ndërmerren sa më shpejt politika strategjike, afatgjata për rininë dhe t’i përgjigjemi me forcë, menjëherë dhe me sukses sfidave për të ndaluar hemorragjinë e emigracionit rinor. Sikurse e theksoi Kryetari i PD, Lulzim Basha në shkurt 2021, në prezantimin e Programit të PD për rininë, “Mbi 50% e shqiptarëve të moshës 18-40 vjeç duan të largohen nga vendi! Kjo katastrofë është edhe më e madhe, kur pyet moshat 19 deri 27 vjeç, 74% e tyre duan të emigrojnë! 94% e shqiptarëve që studiojnë jashtë, nuk duan të kthehen më. Ky është një brez i tërë i humbur. Braktisen prindërit, braktisen vëllezërit dhe motrat, familjet shkatërrohen, sepse njerëzit me të drejtë nisen në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Kjo është katastrofë kombëtare”.Partia Demokratike angazhohet të shërojë plagën e emigracionit biblik dhe të papunësisë masive për të rinjtë. Programi i saj i ndryshimit nis me shkollat, ku të rinjtë do marrin më shumë mundësi arsimimi dhe mbaron me krijimin e më shumë vendeve të punës në ekonomi për ta. Ky do të jetë zinxhiri i shpresës dhe besimit, ku të rinjtë do të ankorojnë ëndrrat dhe dëshirat e tyre, 9 në 10 studentë që vijnë nga familje me të ardhura nën 64.000 lekë të rinj në muaj, do të përfitojnë mbështetje të plotë përmes financimit 100% të tarifave për studimet e tyre Bachelor dhe Master. Pjesa tjetër, që vijnë me të ardhura mbi 64.000 lekë të rinj në muaj, do të përfitojnë përgjysmimin e tarifave universitare. Ndërsa 5000 bursa të plota në vit do t’u ofrohen të gjithë të rinjve të cilët kanë pamundësi ekonomike për të ndjekur studimet e larta. Nuk do të ketë të rinj, që do të mbeten pa studiuar, për shkak të pamundësive ekonomike të familjeve të tyre!
Për të rinjtë që bashkohen në familje, për çiftet e reja, PD do të subvencionojë përqindjet e interesave të kredive të tyre për shtëpi. Janë 10 mijë çifte të porsamartuar që do të përfitojnë nga ky program.
PD do të rrisë cilësinë e arsimit, duke e vendosur INOVACIONIN në krye të listës së përparësive. Studentët do të kenë praktika të paguara prej 30 000 Lekë në muaj për 12 muaj, për 10.000 më të mirët prej tyre çdo vit.
Qeveria e PD-së, e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, do të krijoje 4 inkubatorë biznesi brenda 4 viteve, për të zhvilluar ide inovatore dhe për të promovuar sipërmarrjen e punësimin te të rinjtë. Do të ketë programe të posaçme për mbështetjen e sipërmarrjeve start-up.
PD do të ngrejë skema financimi për çdo të ri nga zonat e largëta dhe të varfra të vendit, i cili dëshiron të nisë një sipërmarrje. Asetet e sekuestruara në bazë të Ligjit Antimafia, do të kalojnë në duart e të rinjve që ngrenë biznese me benefite sociale për shoqërinë. PD do të mundësojë katërkëndëshin e së ardhmes për të rinjtë: Punë, arsim, mundësi dhe profesion.
Jemi në një moment vendimtar për reflektimin që duhet të bëjmë të gjithë si qytetarë të këtij vendi. Reflektim për të kuptuar sa shumë kemi humbur në 8 vitet e fundit dhe sa shumë mund të realizojmë në vitet e ardhshme, nëse të gjithë së bashku bëjmë zgjedhjen e duhur. Jemi në kohën e duhur për t’i bërë të rinjtë të besojnë se ka ardhur koha që ëndrrat t’i realizojnë në vendin e tyre, në Shqipëri.
E gjithë rinia shqiptare e ka mundësinë që më 25 prill të dëshmojë se nuk pranon të jetë një brez i humbur. Vota e të rinjve do të jetë ndëshkimi për ata që u kanë marrë peng të ardhmen. Vota e të rinjve do të jetë vota e shpresës për ndryshim, me të cilën do të fitojë jo vetëm çdo i ri, por çdo shqiptar.