Botuar ne Gazeten Panorama, me date 24.04.2021.
Pushteti konsumon ata që nuk e kanë”, thoshte senatori i përjetshëm Xhulio Andreoti. Ka disa mënyra, në fakt, për t’iu qasur një filozofie të tillë politike. Njëra do të ishte, për shembull, ajo që sekti i Rilindjes ka tash 8 vjet që po ndjek në mënyrë sistematike ndaj popullit shqiptar, të majtë dhe të djathtë, të rinj e të moshuar, në qytet e në fshat. Sipas interpretimit mavi dhe në gjurmët e paraardhësve të tyre, marrja e pushtetit ekzekutiv është vetëm hapi fillestar për të përqendruar te vetja dhe anëtarët e sektit pushtetin ekonomik, mediatik, legjislativ dhe sipas mundësive, edhe atë gjyqësor. Thagmat e qeverisë në ikje që nisi me kanabizimin e vendit, kriminalizimin e Kuvendit dhe administratës, vazhdoi me shtimin e kushteve për t’iu afruar BE-së, shndërrimin e ekonomisë në lavatriçe të narkotrafikut dhe PPP-ve, e po mbyllet me ringritjen e mekanizmave survejues, gjobat e majme nga arbitrazhet ndërkombëtare e mashtrimet për legalizime pronash, mund të krahasohen vetëm me pacipërinë, arrogancën e harbutërinë e marrjes nën mbrojtje të asaj që s’mund të mbrohet nga kryepatronazhisti dhe marionetat e tij. Në fakt, një qasje e tillë antishqiptare i ka dhënë frytet e veta. Sot jemi më të shpopulluar, më të varfër, më larg BE-së, më të paarsimuar, më të pashëndetshëm, më të pabarabartë në mundësi dhe më të pashpërblyer në meritokraci. Ky është konsumi masiv që kemi pësuar si shoqëri në 8 vitet e fundit, sepse në pushtet nuk ka qenë populli, por një kastë pseudorilindësish që i bëjnë qejfin njëri-tjetrit me poste, fonde publike dhe përdhosje emra heronjsh.
Por ka edhe një qasje tjetër ndaj konsumit që mbart pushteti. Dhe kjo qasje mund të kuptohet vetëm kur demokracia rikonfirmohet me votë, në periudha zgjedhjesh, kur sovrani bën bilancin e pushtetit që delegoi përkohësisht te përfaqësuesit e vet. Aty mund të jesh dëshmitar i konsumit kapilar që ka gërryer ndër vite pushtetarin e fasadës. Në një periudhë shumë të shkurtër, pothuajse 2-3 mujore, mund të shohësh se si i bie kallaji një qeverisjeje të ndryshkur.
Të konstatosh se si obeziteti i premtimeve të para 8 apo 4 viteve nuk ka më dhjamë për të djegur, se si reformat e nisura dhe të pabitisura bëhen gur Sizifi vazhdimisht e vazhdimisht. Periudha e zgjedhjeve është lakmusi që dallon pushtetin real, në shërbim të popullit dhe pushtetin autoritar, në shërbim të vetes dhe klanit tënd. Në vend që të ishte shërbestar i popullit, sekti Rama zgjodhi të ishte shërbyes i oligarkisë, në vend që të stimulonte barazinë sociale dhe rishpërndarjen e drejtë të pasurisë, sikurse i takon një qeverisjeje të majtë, sekti zgjodhi të bipolarizonte shoqërinë në çdo aspekt dhe të tatonte me shumë punonjësin sesa pronarin. Por, sikurse thotë me të drejtë Abraham Lincoln: “Mund t’i gënjesh disa për shumë kohë, mund t’i gënjesh edhe të gjithë për pak kohë, por nuk mund t’i gënjesh të gjithë pafundësisht”.
Kush është i zgjuar për veten dhe fëmijët e tij, kush kërkon të qëndrojë e të punojë në Shqipëri, kush dëshiron të ketë shpresë në këtë vend e ka kuptuar konsumin total që ka kapluar këtë qeverisje. Pa ide për zhvillim, pa investitorë të huaj që përpos parave sjellin edhe kulturë perëndimore pune, know-how dhe modele moderne menaxhimi, pa kolegjialitet vendimmarrjeje, si kusht themelor i politikëbërjes së shëndetshme, pa drejtues teknikë, por me militantë të verbër partiakë, pa transparencë dhe llogaridhënie, pa të ardhme. Ky është konsumi i pushtetit fasadë, që me dashje nuk sheh hallet e popullit, nuk dëgjon këshillat e ndërkombëtarëve, nuk lexon as raportet mbi korrupsionin, klimën e biznesit, lirinë e medias dhe narkotrafikun. Një pushtet i tillë të konsumon dhe vetëkonsumohet… si një qelizë kancerogjene, trajektorja e tij është shkatërrimi i verbër, deri në vetëshkatërrim.
Një pushtet i tillë nuk i duhet asnjë shqiptari, as vetë “rilindësve” në qeveri. Është koha që të ngremë vetveten, të djathtë, të majtë e pse jo edhe “rilindës”. Është koha të ndryshojmë për t’i dhënë një shans të ri vetes dhe fëmijëve tanë. Është koha për t’i dëshmuar njëri-tjetrit dhe partnerëve që nuk jemi bashkëpunëtorë në rrënim, por pionierë të zhvillimit. Por për një gjë duhet të jemi të vetëdijshëm, ringritja nuk është magjike, ringritja nuk është premtim së jashtmi, por angazhim së brendshmi. Ringritja nuk kërkon vetëm një lider vizionar e të kujdesshëm, as vetëm politikanë të përgjegjshëm apo ndihmën e pakursyer të partnerëve, por kërkon punë, transparencë, llogaridhënie dhe mbi të gjitha të qenit “shërbestarë të devotshëm të popullit”, siç thoshte Mit’hat Frashëri. Aleanca për ndryshim dhe lideri i saj janë të angazhuar të jenë shërbestarë të tillë, një motor zhvillimi për të gjithë ata që duan të ngrenë të ardhmen këtu, brenda vendit dhe e shohin pushtetin jo si konsum për të tjerët, por si investim afatgjatë për të gjithë njerëzit e ndershëm e punëtorë të Shqipërisë sonë.
Bujar Leskaj