Në emër të “zhvillimit” nuk mund të grabitet historia!
Në emër të gjasme “investimeve” nuk mund të fshihet tradita!
Profanët nuk e zhbëjnë dot historinë e Vlorës, e as atë të arsimit shqiptar!
Megjithëse ata këtë duan, qytete pa kujtesë, pa histori, pa tradita!
E kam fjalën për të famshmen Shkollë Tregtare të Vlorës, shkollën historike, djepin e arsimit, përparimit e të atdhedashurisë; shkollën që i dha aq shumë Shqipërisë, jo vetëm në dije, por edhe në heronj që vaditën me gjakun e tyre ëndrrën e lirisë!
Por në Shqipëri, nga ky regjim, asgjë nuk është e rastësishme!
Po goditen simbolet!
Po goditet e po zhbëhet Historia, tradita, kultura, kujtesa!
Pas tentativës për Sheshin e Flamurit dhe projektit për “rijetëzimin” e tij, pas lënies pas dore qëllimisht dhe përdhosjes me zhgarravina të Monumentit të Pavarësisë së kombit tonë; pas zhvendosjes së Portit të Skelës, pas ngeljes vetëm të vargjeve “Moj Vlorë e bukur në gropë/ skelë e parë në Evropë”, pasi vendin e tij do ta zënë kullat e rënda prej betoni, pas projektit për ndërtime kullash të larta te ish- Shkolla e Marinës, duket se i erdhi radha edhe një tjetër monumenti të kulturës, arsimit e historisë së Vlorës; Shkollës Tregtare!
Lajmi ogurzi për zhvendosjen e shkollës në qytet, me pretekstin e lehtësimit të transportit të nxënësve u mësua në 1 qershor 2021, pikërisht në ditën e lindjes së Rilindasit e ideologut të madh të Rilindjes sonë Kombëtare, Sami Frashërit.
Si për ironi dhe sfidë ndaj rilindësve, patriotëve të vërtetë shqiptarë; si për ironi të të gjithë atyre që ëndërruan e projektuan një Shqipëri të përparuar e zhvilluar, duan të grabisin ditën për diell godinën e kësaj shkolle të themeluar, ngritur e financuar nga patriotët e vërtetë vlonjatë 97 vite më parë.
Nuk bëhet fjalë vetëm për një godinë!- Ajo mund të ndërtohet kudo nëpër Vlorë!
Nuk bëhet fjalë vetëm për pamjen e mrekullueshme që ofron ajo kodër!- Vlora ka plot vende me pamje të mrekullueshme.
Nuk bëhet fjalë vetëm për kullat që do të ngrihen!- Vlora është e betonizuar!
Bëhet fjalë për kujtesën tonë, simbolet e qytetit tonë.
Bëhet fjalë për atë grabitje të ububushme të oligarkisë, e cila ka nënshtruar politikën dhe e përdor për gjasme përparimin.
Pak histori
Shkolla Tregtare u çel “në Ujë të Ftohtë në Vlorë, më 8 nëntor 1924. Qeveria e Fan Nolit e subvencionoi shkollën me 20 mijë franga ari, por ndihmesën më të madhe e dha Bashkia, në krye të së cilës qëndronte patrioti Qazim Kokoshi. Ndërsa pjesën tjetër të financimit e vuri paria e Vlorës dhe kryesisht Oda e Tregtisë Vlorë. (Aristidh Ruci, Pandeli Bezhani, Xhemil bej Vlora, Muço Sharra, Mehmet Isai, Musa Jonuzi, Mateo Matathia, Sheref Dano, Shahin Haruni, Kristo Karbunara, Shyqyri Radhima, Ali Çakërri, Ibrahim Shyti, Toli Kedhi dhe Rafo Jakoel.)
Drejtori i parë i shkollës ka qenë Isuf Puka “Mësues i Popullit”, dhe vite më pas Naum Stralla nga Korça (1903 – 1972), i cili kreu studimet e larta për inxhinieri kimike në Athinë dhe më 1931 u emërua drejtor i Institutit Tregtar Mbretëror (kështu quhej atëherë Shkolla Tregtare në Vlorë). Në këtë shkollë kanë dhënë mësim Stavro Skëndi nga Korça (1906- 1989) historian, etnolog, gjuhëtar, arsimuar në Stamboll, Zvicër e Gjemani; Skënder Luarasi nga Luarasi i Kolonjës (1900-1982), i biri i rilindasit të dritës shqiptare Petro Nini Luarasi, publicist, përkthyes, luftëtar antifashist, autor librash, veprimtar i arsimit dhe i shkollës shqipe, personalitet i shquar i kulturës shqiptare, arsimuar në Stamboll, SHBA dhe Austri; studimet e larta i përfundoi në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Vjenës. Një tjetër emër i shquar që ka dhënë mësim në këtë shkollë është Ernest Koliqi nga Shkodra (1903 – 1975), shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë, publicist, botues, arsimuar në Itali; studimet e larta i kreu për letërsi në Padova. Në shkollën Tregtare kanë dhënë gjithashtu mësim Leonidha Naçi, delegat i Vlorës në Kongresin e Manastirit 1909. Po ashtu patrioti Kolë Kamsi dhe Zihni Hamzaraj, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë dhe patriot i madh. Në atë shkollë gjatë atyre viteve kanë dhënë mësim profesorë të përgatitur në universitetet më të mira të botës, si Safet Butka, Llazaraq Eftimiadhi, Isuf Luzaj, etj.
Traditat atdhetare të qytetit historik të Vlorës, ku ishin ende të freskëta ngjarjet madhore të vitit 1912 dhe fitorja e vitit 1920, ndikuan shumë për të ushqyer në një shkallë më të lartë frymën përparimtare të nxënësve. Gjatë periudhës së pushtimit fashist të vendit, nxënësit e Shkollës Tregtare sabotuan masat për fashistizimin e shkollës.
Në ditën e pushtimit Italian të Shqipërisë nxënësit dhe mësuesit e Shkollës Tregtare do t’i prisnin pushtuesit me demonstratë dhe me armë në dorë. Madje, një nga profesorët e kësaj shkolle, Isuf Luzaj bashkë me 12 studentë të tij do të internoheshin në ishujt famëkeqë të Italisë.
Në bankat e Shkollës Tregtare kanë studiuar dhe 229 nxënës e nxënëse që u radhitën në formacionet e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, ndër ta shkrimtarët Petro Marko, Shevqet Musaraj, Andrea Varfi, Aleks Çaçi, Fatos Arapi, etj.
45 prej tyre ranë dëshmorë për lirinë e Atdheut e u përjetësuan si 45 yje e pashuar, ndër ta dhe Heronj të Popullit: Kastriot Muço (1923-1943), Bajram Tushi (1924-1942), Hajredin Bylyshi (1920-1942), Shyqyri Alimerko (1923-1943), Maliq Muço (1921-1944).
Kujtimi i heronjve dhe dëshmorëve Astrit Kokoshi, Akile Bezhani, Azem Troqe, Bedri Agalliu, Dadan Dajlani, Donika Dule, Enver Velja, Gaqo Qeleshi, Gogo Mati, Hajro Çakërri, Hasan Kushta, Hektor Shyti, Ismet Çakërri, Jani Mone, Jashar Luçi, Josif Bitri, Kostandin Kazanxhiu, Kujtim Hoxha, Lef Sallata, Llambro Sheti, Merjeme Gjomemaj, Mitaq Sallata, Mithat Dauti, Nexhat Agolli, Nustret Xhelo, Numan Bilani, Petrit Bisha, Pirro Palla, Polo Bezhani, Prënjo Petoshati, Qëndro Bellaj, Reiz Rukaj, Sami Imami, Senusi Nota, Skënder Libohova, Sulo Didi, Teli Ndini, Vllas Arapi, Xhuvel Xhemalaj, Bego Gjonzeneli e shumë e shumë të tjerëve është përjetësuar në kujtesën atdhetare të Vlorës dhe Shqipërisë.
Veçanërisht gjurmë të pashlyeshme në historinë e kësaj shkollë kanë lënë patrioti i madh, Bego Gjonzeneli dhe Isuf Luzaj! Emrat e tyre janë gdhendur në faqet e këtij instucioni të rëndësishëm profesional dhe dritërojnë me dinjitet si yje lirie…
Shkolla Tregtare është mbyllur në 22 maj 1943 nga pushtuesit fashistë.
Sot 97 vite pas hapjes dhe 78 vite pas mbylljes së parë prej fashistëve tentohet mbyllja e dytë, prej atyre që mendojnë se çdo natë e çdo ditë mund të shqyejnë si të babëzitur copa Shqipërie.
Shkolla Tregtare është simbol i një qyteti që historikisht ka vendosur fatet e Shqipërisë. Dhe kur zhduk simbolet ke gërryer themelet dhe ke rrëzuar kolonat që mbajnë në këmbë kombin tonë.
Mënyra e mefshtë se si po ndodh e gjithë kjo nuk lajmëron gjëra të mira.
Shkolla tregtare nuk duhet të prishet sepse është simbol i qytetit, është pjesë e historisë së ndritur të qytetit, është pjesë e panteonit të arsimit në Shqipëri.
Vetëm pushtuesit dhe barbarët shkatërrojnë kulturën, shkollat dhe teatrot; vetëm pushtuesit vrasin kujtesën dhe zhdukin simbolet për të ndërtuar kulla prej betoni.
Bujar Leskaj