Në Programin Qeverisës 2013-2017 dhe 2017-2021 Qeveria e sektit Rama u angazhua dhe premtoi uljen graduale të borxhit publik në rreth 60% të PBB-së deri në fund të mandatit. (pika 2.1 stabiliteti mikroekonomik, faqe 9, programi 2017-2021). Kjo faktohet edhe nga angazhimi për të ulur borxhin publik në strategjinë e menaxhimit të financave publike, ku për periudhën 2014-2020 është parashikuar një nivel nën 60% deri në fund të vitit 2019 dhe niveli i synuar për vitin 2020 në 56.7% të PBB-së. Rezulton se borxhi publik nga 884,692 milion lekë në vitin 2013 ose 65.5% në raport me PBB është rritur në 1,223,810 milion lekë ose 77.9% në raport me PBB në fund të vitit 2020. Nëse do eleminojmë efektin e pandemisë përgjatë vitit 2020 dhe të marrim në konsideratë veprimtarinë deri në fund të vitit 2019, stoku raportohet në shumën 1,112,044 milion lekë ose 66.2% e PBB, pra pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2013. Kjo tregon se përgjatë periudhës nuk ka pasur ulje reale të borxhit, por përmirësimi i raportit ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së PBB dhe në të njëjtën kohë nga ulja e kursit të këmbimit, që ka dhënë efektin në uljen e stokut të borxhit duke qenë se gati gjysma e borxhit publik shtetëror është në monedhë të huaj.
Sot, në mandatin e radhës, në Programin Qeverisës 3, në faqen 16 citohet tekstualisht “Shënjestra e këtij mandati – konsolidim i përshpejtuar fiskal duke synuar borxh nën 60% në fund të mandatit”. Sa besim duhet të kenë qytetarët shqiptarë te një Qeveri që nuk e ka përmbushur angazhimin e saj në 8 vite dhe premton po të njëjtën gjë për 4 vitet e ardhshme?
Përtej faktit që angazhimi i programit 2013 dhe 2017 nuk është realizuar, borxhi publik ka qenë objekt i rritjes së vazhdueshme dhe është kthyer në një barrë të rëndë për rritjen ekonomike, duke qenë se rritja e tij përgjatë viteve nuk është reflektuar në rritje ekonomike.
Në vlerën e raportuar në treguesit e borxhit publik, nuk përfshihen detyrimet e prapambetura (borxh publik i fshehur), me qëllim mbajtjen në kontroll të treguesve fiskalë të raportuar. Vlera e detyrimeve të prapambetura deri në fund të vitit 2020 sipas raportimit të MFE vlerësohet në rreth 14 miliard lekë, pa përfshirë këtu stokun e TVSH-së së rimbursueshme. Këto të dhëna raportohen në bazë të vet deklarimit të institucioneve buxhetore, ku mbartet risku i mosdeklarimit dhe raportimit të saktë të detyrimeve. Kjo është kushtëzuar në masë të madhe nga lidhja e kontratave buxhetore përtej fondeve të miratuara nga parlamenti si financim në dispozicion, duke krijuar borxh të fshehur. Rasti më i fundit ka të bëj me kontratat e lidhura në vitin elektoral 2020 (pasi që këtu ka filluar procesi i përgatitjes për zgjedhjet elektorale), përtej vlerës së financuar nga parlamenti me akte normative Pjesa tjetër e pasaktësisë lidhet me nënvlerësimin si pasojë e mos raportimit të detyrimeve që rrjedhin nga kontratat koncesionare. Efekti real i këtyre kontratave dhe pasqyrimi i detyrimeve po realizohet duke transferuar detyrimin lidhur me to, në brezat e ardhshëm. Nëse përfshihen detyrimet e rreth 80 kontratave koncesionare të formës PPP të lidhura në vitet 2014-2020, borxhi publik shtohet me 11.6% duke arritur në 89.5% të prodhimit tonë kombëtar.
Nëse i shtojmë edhe 446 milionë euro, detyrime nga gjyqet ndërkombëtare (humbja në çështjen “Hydro Srl” (çështja Becchetti) 109 milionë euro; humbjet e pritshme “Durrës Kurum Shipping sh.p.k 100 milionë euro, “Arka Energy B.V 110 milionë euro, “Costruzioni Dondi-Kubota Co 90 milionë euro dhe “JV Copri Construction Enterprises 37 milionë euro), borxhi publik i Shqipërisë i rritur gjatë periudhës 2014-2021 shtohet edhe me 23.4% , duke kapur vlerën alarmante prej 112.9% të PBB-s.
Të gjitha këto risqe, së bashku me mos realizimin e angazhimit të marr në programin e parë dhe të dytë qeverisës, janë një borxh i fshehur, që e rrisin potencialisht vlerën e borxhit publik mbi nivelin aktual të pranuar dhe raportuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Si mund të angazhohet një Qeveri të premtoj ulje borxhi në nivelin 60% kur me papërgjegjshmëri të plotë jo që nuk realizoi angazhimin për ta ulur nga niveli 65,6% në 60% të PBB-s gjatë 8 viteve por e rriti në nivelin e raportuar 77,9 % në vitin 2020 dhe shtoi risqet për një nivel potencial të borxhit deri në 112.9%?!
Por a ka shkuar realisht ky borxh i marrë përgjatë viteve për mbështetjen e rritjes ekonomike, nëpërmjet kryerjes së investimeve publike?
Sipas raportimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ecuria e investimeve publike ka pësuar ulje dhe rritje, duke treguar që edhe në periudha kur është marrë borxh i lartë, investimet kapitale kanë ardhur në ulje në krahasim me vitin e kaluar, konkretisht në 2014 ulje të investimeve me 4.7 miliard lekë, në 2015 rritje me 2.3 miliard lekë, në 2016 ulje me 3.6 miliard, në vitin elektoral 2017 rritje me 8.9 miliard, në 2018 me rritje në 9.9 miliard lekë, në 2019 ulje me 3.5 miliard dhe në vitin pandemik 2020 me rritje 10.3 miliard lekë. Nëse analizojmë vitin 2020, borxhi është rritur në vlerë nominale me 111,766 milion lekë. Kjo është arritur nëpërmjet financimit të brendshëm me rreth 48 miliard lekë (bono thesari dhe obligacione) dhe financimit të jashtëm me 61 miliard lekë (nga të cilat Eurobond dhe mbështetje buxhetore, në total 720 milion euro). Sipas aktit normativ nr. 28/2020 ku rritja e borxhit është parashikuar me 64 miliard lekë, rritja e investimeve me financim të brendshëm është parashikuar në 12.9 miliard lekë, për projekte të transportit rrugor dhe furnizimit me ujë dhe kanalizime. Kjo tregon se borxhi i ri i planifikuar për tu marrë nuk ka pasur destinacion kryerjen e investimeve.
Nëse do të marrim në analizë edhe cilësinë e investimeve kapitale të raportuara, efekti i mësipërm përfshin një gjendje akoma më të rëndë, pasi përfshihen shpenzime të cilat realisht nuk paraqiten si investime, kryesisht ato me burim financimi të huaj. Këto përfshijnë projekte për ngritje kapacitetesh njerëzore, projektet e huasë së sektorit energjetik të cilat i transferohen kompanive të sektorit energjitik, të cilat në mënyrë të vazhdueshme kanë krijuar detyrime ndaj buxhetit të shtetit për marrëdhëniet e nënhuasë pranuar rishtazi me urdhrin e përbashkët të ministrave të MIE dhe MFE nr. 304 datë 17.12.2020. Vlera e detyrimeve që sektori energjitik ka ndaj MFE, nga 12.7 miliard lekë në 2017 ka shkuar në 30.5 miliard lekë në 2020, ndërkohë që vlera e detyrimeve që institucionet buxhetore kanë ndaj OSHEE nga 13.5 miliard lekë (10.8 vetëm ujësjellsat) ka shkuar në 20.8 miliard lekë në 2020. Kjo tregon edhe marrëdhënien kaotike që është krijuar me borxhin e marrë nga sektori energjitik, larg asaj që reklamohet si rimëkëmbje e sektorit energjitik, ndikuar nga keqmenaxhimi i kompanive.
Nga ana tjetër, sipas pretendimit mbi përmirësimin e shërbimin të borxhit, interesat për borxhin janë ulur duke përfshirë një shërbim borxhi më të favorshëm nga 43 miliard lekë (36 miliard të brendshme dhe 7 miliard të huaja) në vitin 2013, në 34 miliard lek (22 miliard të brendshme dhe 12 miliard të huaja) në vitin 2020. Por a vjen kjo si pasojë e suksesit të mirëadministrimit?
Së pari, norma e interesit në tregun e brendshëm ndër vite ka ardhur duke u ulur, si pasojë e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë dhe rrjedhimisht kjo ka dhënë efektin e saj në uljen e normës së interesit të borxhit të emetuar.
Së dyti, efekti i kursit të këmbimit në shërbimin e borxhit të jashtëm ka sjellë një ulje të shpenzimeve të interesit për borxhin e huaj. Kjo nuk është arritje sepse duhet të jemi të kujdesshëm me nivelin e borxhit aktual pasi një rritje në kursin e këmbimit do të përbënte një mjedis jo të favorshëm për mbështetjen e shërbimit të borxhit në vitet e ardhshme.
Së treti, efektet e normave të interesit deri në negative në tregje ndërkombëtare financiare nuk mund të konsiderohen kurrsesi sukses i qeverisë, por reflektim i situatës së favorshme në lidhje me normat e interesit në tregje ndërkombëtare. Pyetja është se çfarë do ndodhë kur tregjet ndërkombëtare të japin sinjale për rritje të normave të interesit dhe borxhi duhet rifinancuar (Eurobondi)?!
Në këto kushte, angazhimi për uljen e borxhit publik në nivelin 60% të PBB-së është jo thjesht një pamundësi por një papërgjegjshmëri dhe një mashtrim i madh që po i bëhet qytetarëve shqiptarë për herë të tretë nga Rama dhe sekti i tij.
Bujar Leskaj