Si po shndërrohet vendi në lavatriçe parash!

Më 21 shkurt 2020, Task Forca Financiare e MONEYVAL(MONEYVAL është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës, me detyrë të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar) e futi Shqipërinë sërisht në Listën Gri të pastrimit të parave, nga e cila kishim dalë në vitin 2015 (https://www.fatf-gafi.org/publications/high-risk-and-other-monitored-jurisdictions/documents/increased-monitoring-february-2020.html). Në këtë listë përfshihen juridiksionet që kanë mangësi strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë, si dhe janë nën monitorim të shtuar. Vendet e reja subjekt i monitorimit ishin Shqipëria, Barbados, Xhamajka, Mauritius, Myanmar, Nikaragua dhe Uganda. Shqipëria është e vetmja nga Europa që shfaqet në këtë listë, së  bashku me Islandën.
Task Forca Financiare(FATF) e MONEYVAL identifikon vendet me masa të dobëta për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.  Procesi i FATF për të renditur publikisht vendet me probleme në parandalimin dhe luftën ndaj pastrimit të parave rezultoi i efektshëm. Deri në shkurt 2020, FATF kishte shqyrtuar mbi 100 vende dhe kishte identifikuar publikisht 80 prej tyre. Ndërkohë, 60 prej tyre kishin bërë reformat e nevojshme për të adresuar dobësitë e tyre dhe u hoqën nga Lista Gri. Po Shqiëria? Përgjigjen e jep po MONEYVAL i Këshillit të Evropës.
Moneyval parlajmëroi në fund të 2018-s
Një raport i Moneyval, i publikuar në fund të vitit 2018(https://rm.coe.int/committee-of-experts-on-the-evaluation-of-anti-money-laundering-measur/16808ff138) , u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të shtojnë përpjekjet në ndjekjen e pastruesve të parave dhe konfiskimin e aseteve të tyre, të lidhura me aktivitete që gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme, si dhe në trajtimin e rreziqeve terroriste të financimit të lidhura me to.
Në raportin që ishte shumë negativ për Shqipërinë, vihej në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave, ndërkohë që u tërhiqet vëmendja autoriteteve që ata nuk po marrin masat e duhura për të luftuar këtë fenomen. Raporti përmend që kjo situatë bëri që Komisioni Europian të zgjerojë mekanizmin mbikëqyrës për fenomenin e pastrimit të parave në Shqipëri, duke rrezikuar të fusë sërish Shqipërinë në Listën Gri të vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave.
Sipas konkluzioneve të raportit, “Korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe seriozisht dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Autoritetet janë të vetëdijshëm për rreziqet nga korrupsioni, por zbatimi i ligjit deri më tani ka pasur një vëmendje të kufizuar për të shënjestruar korrupsionin e lidhur me pastrimin e parave https://rm.coe.int/committee-of-experts-on-the-evaluation-of-anti-money-laundering-measur/16808ff138, faqe 13).
Indeksi i Bazelit: Shqipëria, delja e zezë në Evropë!
Kaluan tre vite nga paralajmërimi i MONEYVAL, por asgjë nuk ndryshoi. Në të kundërt. Sipas Indeksit të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, të Institutit të Bazelit për Qeverisjen, edicioni i vitit 2021(https://baselgovernance.org/sites/default/files/2021-09/Basel_AML_Index_2021_10th%20Edition.pdf), vendi ynë renditet i pari në Evropë për rrezikun e pastrimit të parave, më koefiçientin 5.72. Kjo vlerë është shumë më e lartë se sa mesatarja globale botërore  prej 5.22. Është vlera më e lartë në Evropë!
Indeksi i Rrezikut te Pastrimit te Parave i Institutit të Bazelit për Qeverisjen eshte nje tregues shume i njohur ne bote. Ai vlerëson çdo vit shkallën e rrezikut për aktivitetin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në shumicën e vendeve të botës.
Indeksi ndërtohet, duke llogaritur 16 tregues, që lidhen me cilësinë e kuadrit ligjor për luftën ndaj pastrimit të parave, nivelin e perceptuar te korrupsionit, transparencën e raportimit financiar, transparencën dhe llogaridhënien publike, si dhe rreziqet ligjore dhe financiare të pastrimit të parave.
Indeksi i Bazelit evidenton dobësitë kryesore në luftën jo efektive ndaj pastrimit të parave dhe korrupsionit, problemet me liritë politike dhe civile, me lirinë e medias, si dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Në një shkallë nga 0 në 10, ku sa më i lartë të jetë indeksi, aq më i lartë është rreziku, Shqipëria e ka nivelin sot në 5.72. Kjo vlerë është shumë më e lartë se sa mesatarja globale botërore  prej 5.22.
Në zonën e Evropës dhe Azisë Qendrore (https://baselgovernance.org/sites/default/files/2021-09/Basel_AML_Index_2021_10th%20Edition.pdf, faqe 29), ndodhemi në treshen e parë të vendeve me rrezik më të lartë, pas Kirgistanit dhe Taxhikistanit.
Vjet ishim të dytët në Evropë, pas Turqisë, me një koefiçient  5.69, por këtë vit jemi përkeqësuar, duke u renditur një vend më sipër Turqisë, në vendin e 39-të në botë, duke sinjalizuar rrezik që mund të pastrojmë më shumë para për banor.   
Indeksi i Bazelit tregon se jemi mes tetë vendeve të Evropës dhe Azisë Qendrore, të listuara nga SHBA-të si destinacione të rëndësishme (madhore) të pastrimit të parave. Këto tetë vende janë: Armenia, Gjeorgjia, Ukraina, Rusia, Turqia, Kirgistanit, Taxhikistani dhe Shqiperia (https://baselgovernance.org/sites/default/files/2021-09/Basel_AML_Index_2021_10th%20Edition.pdf, faqe 30).
Jemi përkeqësuar në treguesit e luftës ndaj korrupsionit, duke dëshmuar mungesë të madhe efektshmërie në këtë luftë. Kemi transparencë të ulët të raportimit financiar, transparencë dhe llogaridhënie të ulët publike, si dhe rreziqe të larta ligjore dhe financiare të pastrimit të parave.
Dhjetë vite më parë, në vitin 2012, renditeshim shumë më mirë, duke patur një rrezik për pastrim parash shumë më të ulët, me një koefiçient vetëm 5.43
(https://baselgovernance.org/sites/default/files/2020-06/2012_reportwith2012-2013ranking.pdf, faqe 17). Dhjetë vite më parë, ishim më mirë edhe se sa Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina, të cilat e kishin koefiçientin më të lartë se ne, në respektivisht 5.74 dhe 5.71. Por situata u përmbys me kalimin e viteve dhe tani jemi në vendin e parë në Evropë për rrezikun e pastrimit të parave, në sajë të “kontributit”  madhor të sektit Rama në qeverisje.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, janë përmirësuar shumë në 10 vjet të matjes nga Indeksi Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilat e kanë indeksin në fjalë poshtë nivelit 4. Po ne jo! Po përse? Skandali i fundit, me tentativën për pastrim të 18 milionë eurove të Cosa Nostrës nëpërmjet sistemit bankar të Shqipërisë, e tregoi qartë arësyen. Mafiozët e Italisë së Jugut i solli në Shqipëri perceptimi se këtu tek ne, për shkak të korrupsionit të thellë në të gjitha poret qeveritare dhe në vendim-marrjen e lartë të saj, pastrohen shumë lehtë paratë e pista.
Arsyen e dha vetë raporti i MONEYVAL tre vjet më parë. Mjafton ta perifrazosh sërisht: “Korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale https://rm.coe.int/committee-of-experts-on-the-evaluation-of-anti-money-laundering measur/16808ff138, faqe 13).
Sekti Rama rri e vështron, ose ndihmon oligarkët e vet, krahas të tjerave, edhe të pastrojnë para, sidomos në ndërtim. Rrezikun e lartë të pastrimit të parave në ndërtim e kanë denoncuar në dy vitet e fundit organizata si Transparancy International, Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar në Ballkan(https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2020/08/IFFs-Balkans-English-WEB-Nov2020-1.pdf), etj. Më 2 mars 2021, në raportin e Strategjisë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve, Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se “Rrjetet shqiptare të krimit të organizuar në Europën Perëndimore dhe Amerikën Latine targetojnë tregun e pasurive të patundshme dhe projektet e biznesit në Shqipëri.( https://www.state.gov/2021-international-narcotics-control-strategy-report/, Faqe 67).  
Si shoqëri, qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media duhet të punojmë fort së bashku për (i) kryerjen e një analize të thelluar për të kuptuar sa duhet pastrimin e parave dhe forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional; (ii) përmirësimin e trajtimit në kohë të kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjelltë; (iii) krijimin e mekanizmave efektivë për zbulimin dhe parandalimin e infiltrimit kriminal të ekonomisë, përfshirë forcimin e kompetencave të autoriteteve për të ndërmarrë veprimet e nevojshme; (iv) duke siguruar që informacionet e sakta dhe të përditësuara të pronësisë të jenë të disponueshme në kohë reale. Duhet të rrisim numrin dhe përmirësojmë e sofistikojmë ndjekjet penale dhe konfiskimet për pastrimin e parave, veçanërisht në rastet që përfshijnë vepra kallëzuesish të huaj ose pastrim parash të palëve të treta. Duhet të përmirësojmë zbatimin e sanksioneve financiare, sidomos përmes veprimit të zgjeruar mbikëqyrës. Por kush t’i bëjë dhe të bashkëpunojë për të gjitha këto? Sekti Rama?! Atij i intereson vetëm të pasurojë veten dhe oligarkët e tij, në kurriz të qytetarëve të këtij vendi.
Ndryshimin e thellë në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave tek ne mund ta bëjë vetëm opozita e bashkuar dhe qytetarët e ndërgjegjësuar dhe aktivë.
Bujar Leskaj