Buxheti është dokumenti më i lartë ekonomiko-financiar për menaxhimin e financave publike. Nëse do të ishte në lartësinë e përgjegjshmërisë buxhetore përpara qytetarëve, ai do t’u jepte përgjigje çështjeve të tilla themelore, si lufta kundër varfërisë dhe pabarazisë së shtuar, si dhe ulja graduale e borxhit të tejfryrë publik.
Qeveria e sektit Rama e solli në Parlament projekt-buxhetin, duke e konsideruar atë thjesht dhe vetëm një dokument politik, ku të fitonte pikë me shqepje dhe rishtrim asfaltesh në qytetet tona.
Pavarësisht argumentave të sjella nga Presidenca, shqetësimeve të opozitës dhe nga ndonjë zë i rrallë kritik nga rradhët e deputetëve të shumicës, Qeveria kërkoi bindjen e tyre të verbër dhe votimin në rrjesht për Buxhetin, duke e shndërruar Kuvendin në një noter të rëndomtë të saj.
Kam diskutuar dhe më përpara në detaje për mangësitë dhe deformimet e Buxhetit 2022, por tani dua të ndalem në dy drejtime, në varfërinë dhe pabarazinë ekonomike dhe sociale, si dhe në borxhin e tejfryrë publik dhe riskun e tij.
Varfëria dhe pabarazia: të patrajtuara nga Buxheti
Buxheti i Shtetit 2022 përfaqëson një plan financiar antisocial, pse nuk prezanton asnjë strategji dhe plan veprimi për të ulur varfërinë masive të shqiptarëve dhe për të kufizuar pabarazinë e thellë që ekziston mes tyre.
Nuk miratojmë minimumin jetik
Sipas Raportit të FMN-së të datës 6 dhjetor 2021, i cili përbën mirëfilli një denoncim të madh ndaj rreziqeve të jashtëzakonshme që zbatimi i pakorrigjuar i Ligjit “Për Buxhetin e vitit 2022” sjell ndaj ekonomisë sonë në tërësi dhe financave publike në veçanti. “Përcaktimi i nivelit të pagës minimale duhet të balancojë nevojën për të zbutur varfërinë në punë dhe për të reduktuar pabarazinë në të ardhura dhe faktorët ekonomikë. Niveli i duhur i pagës minimale duhet të sigurojë një modelim të mirë pagash, pa ndikuar negativisht në produktivitetin, konkurrencën dhe punësimin” (https://appsso.eurostat.ec.europa.eu/nui/show.do?dataset=ilc_li02&lang=en, faqe 25, Kutia 3:Paga minimale në Shqipëri).
Jemi i vetmi vend në Evropë dhe ndër të rrallët në botë, që nuk kemi minimum jetik zyrtar të llogaritur. Shumat që shumica ka miratuar në Buxhetin 2022 për të ndihmuar të varfërit dhe shtresat në nevojë, janë shumë të ulëta dhe qesharake. Caktimi i minimumit jetik do t’ju detyronte të rrisnit pagesat për shtresat në nevojë dhe të varfërit, prandaj nuk e caktoni minimumin jetik zyrtar.
Në të kundërt, miratoni rritjen e pages minimale, pa rritur produktivitetin e punës. Rritja e pagës minimale duhet të vijë në përpjestim të drejtë me rritjen e produktivitetit, për të kompensuar punonjësit, në përputhje me kontributin e tyre në prodhim, duke shmangur deformimin ekonomik.
FMN deklaron se produktiviteti i punës në vitet e fundit ka rënë(Po aty, faqe 25, Kutia 3:Paga minimale në Shqipëri). Duke rritur kostot për firmat, rritja e pagës minimale mund të ulë konkurrencën e eksportit dhe sektorit formal. Po sipas Raportit të FMN-së, “Përqëndrimi i tregut redukton fuqinë negociuese të pagave të punëtorëve dhe mund të kontribuojë në rritjen e varfërisë dhe pabarazisë në të gjithë fuqinë punëtore. Në Shqipëri, firmat e mëdha (50+ punonjës) përfaqësojnë vetëm 1.4 për qind të numrit total të firmave, por punësojnë 41.4 për qind të punëtorëve formalë, gjë që sugjeron ekzistencën e fuqisë monopoliste në disa sektorë. Kufijtë e lartë të informalitetit, ndikimi i rritjes së pagës minimale në shumicën e punëtorëve vulnerabël dhe rritjet e pagave minimale në të kaluarën, kanë përkuar me një rritje të informalitetit. Rreth 110 mijë individë përfituan nga rritja e fundit e pagës minimale, që korrespondon me 4.6 për qind të popullsisë mbi 15 vjeç. Në të njëjtën kohë, punëtorët informalë përfaqësojnë 30.3 për qind të fuqisë punëtore, më e larta në Evropë dhe do të përfitojnë vetëm në një masë të vogël nga rritja e pagës minimale, ngaqë punësimi i tyre është më i brishtë dhe më i pak i paguar se punëtorët formalë” (Po aty, faqe 25, Kutia 3:Paga minimale në Shqipëri).
Nuk luftojmë varfërinë. Në të kundërt, e thellojmë atë!
Buxheti i vitit 2022 nuk reflekton një politikë të kujdesit social, për të përmirësuar gjendjen sociale në tërësi, si dhe në veçanti të personave në kufijtë e varfërisë. Ai nuk përmban prioritetet për shpenzimet, të cilat duhet të mbështesin grupet më në nevojë. Gjendja sociale në vitin 2020 dhe në vazhdim në vitin 2021 është përkeqësuar më tej për shkak të rritjes së shpenzimeve familjare për shëndetësinë, rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe jo ushqimore, si dhe uljes reale të të ardhurave.
Në buxhet, fondet e ndihmës ekonomike dhe të paaftësisë nuk kanë rritje, por përkundrazi, ulje, nga 24.7 miliardë lekë në vitin 2021, në 23.5 miliardë lekë të planifikuara për vitin 2022.Sipas raporteve të Bankës Botërore, si dhe treguesve nga Eurostat dhe nga FMN, niveli i varfërisë në Shqipëri është rritur gjatë pandemisë. Treguesit e ndihmës ekonomike për vitin 2020 dhe 2021 dëshmojnë për 930,457 persona që jetojnë me të ardhura nën 5.5 USD, pra nën kufirin e varfërisë. Ky numër, sipas tabelës së FMN-së (Po aty, faqe 26, Kutia 3:Paga minimale në Shqipëri) përbëjnë 30.8 përqind të popullsisë sonë, përkundrejt 17.1% në Serbi, 16.9% në Maqedoninë e Veriut dhe 20.9% në Kosovë.
Niveli i varfërisë në Ballkanin Perëndimor 2019-2021 % e popullsisë
Shteti | Shqipëri | Kosovë | M. Veriut | Mali i Zi | Serbi |
Viti 2019 | 31.8 | 20.9 | 16.9 | 14.5 | 17.3 |
Viti 2020 | 32.6 | 23.4 | 18 | 20 | 17.4 |
Viti 2021 | 30.8 | 20.9 | 16.9 | 17.07 | 17.1 |
Burimi: BB
Banka Botërore thekson se kemi një varfëri relative prej 41%, ndërsa EUROSTAT, në treguesin e tij “Risk of poverty and social exclusion(Rreziku për të rënë në varfëri dhe përjashtim social)” jep shifrën e 51 përqind të popullsisë sonë, e rrezikuar për të rënë në varfëri dhe në përjashtim social. Shteti i dytë në renditje pas nesh është Mali i Zi, me 36.6%. E treta renditet Maqedonia e Veriut me 34.2% dhe Serbia me 31.1%. (të dhënat për Bosnjë Hercegovinën dhe Kosovën mungojnë).
Eurostat raporton se faktorët që ndikojnë varfërinë ose përjashtimin social ndikohen nga politikat sociale të buxheteve të shtetit në vendet me risk të lartë. Në buxhetin 2022, ne nuk kemi politika sociale, por lëmosha qeveritare, si ajo e bonusit 5 mijë lekë për Vitin e Ri 2022 per pensionistet dhe për shtresat në nevojë, që ju i servirni si politika. Mungesa e indeksimit të plotë të pensioneve me nivelin e çmimeve në 2022, do të thellojë nivelin e varfërisë për pensionistët.
Për shkak të politikave të papërshtatshme të buxhetit të shtetit për vite me rradhë, kemi ngelur vendi më i varfër në rajon, me gjysmën e popullsisë, sipas Eurostat, në rrezik, që do të thotë që një ndryshim i vogël mund ta bëjë më shumë se gjysmën e shqiptarëve të bjerë në varfëri. Kjo është këmbana e madhe e alarmit që bie për të gjithë Ne shqiptarët dhe vetëm sekti Rama në pushtet nuk e dëgjon.
Pabarazia: Koefiçienti Gini
Koeficienti Gini ka një shkallë nga zero deri në 100, ku zero nënkupton barazinë e plotë, ndërsa 100 pabarazinë e plotë. Mbështetur në të dhënat e Instat, koeficienti Gini për Shqipërinë në vitet e fundit ndodhet në intervalin 35-36%. Mbështetur në të dhënat e Eurostat dhe Bankës Botërore, nivelin më të ulët të pabarazisë në rajon e ka Kosova, me 29%. Ekonomia e dytë me pabarazinë më të ulët është Maqedonia e Veriut, me 31.9%, ndërsa për Bosnje Hercegovinën koeficienti Gini është 32.7%. Pra, jemi edhe më keq se Bosnje-Hercegovina dhe përfaqësojmë një nga ekonomitë me pabarazinë më të madhe të të ardhurave në Europë. Ky tregues e nxjerr zbuluar rritjen ekonomike prej 7.6% të trumbetuar nga qeveria si sukses i madh për këtë vit, pse, duke hequr rekuperimin nga rënia me 4.5% vitin e kaluar, pjesa tjetër është një shtim anemik. Kjo rritje nuk sjell as vende të reja pune, as perspektivë tek njerëzit më në nevojë dhe qytetarët e thjeshtë, që e kanë humbur përfundimisht shpresën për përmirësim të gjendjes së tyre ekonomike, nëpërmjet gjetjes së një vendi pune në Shqipëri.
Borxhi i tejfryrë publik dhe efekti ekonomik i tij.
Jemi ndër vendet e Ballkanit që e kemi shtuar ndjeshëm borxhin publik gjatë pandemisë, me një ritëm ndër më të lartët, me 9.9% të PBB-së në vitet 2020-2021.
Në periudhën 2020–2021, produktiviteti i borxhit, i vlerësuar si raport i rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto kundrejt rritjes së stokut të borxhit është përkeqësuar me here. Qeveria nuk bën transparente efektivitetin e përdorimit të borxhit dhe ndikimin e tij në rritjen ekonomike. Sipas raportit të FMN-se të 6 dhjetorit(Po aty, faqe 16, Pika 16), borxhi publik zyrtar parashikohet të rritet në mbi 80 përqind të PBB-së në fund të vitit 2021, i dyti më i larti në rajon.
Në programin qeverisës 2021-2025, keni marrë zotim të ulni borxhin publik në 60% të PBB-së në vitin 2025. Jo vetëm këtë premtim nuk e mbani dot, por po rrisni borxhin dhe gjatë vitit 2022. Me fjalë pranoni se objektivi kryesor i politikës fiskale duhet të jetë ulja e borxhit publik, por me vepra tregoheni kampionë të mungesës së transparencës, për sa i përket vlerësimit real të stokut të borxhit dhe risqeve të reja të rritjes së tij.
Për pasojat nga marrja e shpeshtë e eurobondeve të fundit kam folur në detaje në diskutimet në Kuvend dhe në shkrimet e kohëve të fundit. Këtu dua të theksoj se kreditë e buta dhe grantet nga Banka Botërore dhe nga bankat e tjera ndërkombëtare të zhvillimit, janë snobuar dhe zëvendësuar qëllimisht nga sekti qeverisës me eurobondet, këto borxhe të marra në kushte tregtare, duke i ekspozuar financat tona publike, krahas kostos më të lartë, edhe ndaj shumë rreziqeve, si risku i kursit të këmbimit, efekti dëmtues në tregun e këmbimit valuator, në drejtim të kundërt me politikat e bankës qendrore, risku i shërbimit të borxhit, etj.
Detyrime të fshehura që e çojnë borxhin në 100% të PBB-së
Në stokun aktual të borxhit, nuk janë të llogaritura Detyrimet Kontigjente për Koncesionet-PPP, të cilat deri në fund të vitit 2020 llogariteshin në 183 miliardë lekë ose rreth 1 miliardë e 489 milionë euro (sipas përllogaritjeve të portalit www.data.al), si dhe as detyrimet e prapambetura, të cilat sipas raportit të zbatimit të buxhetit të vitit 2020, llogariten në afërsisht 631 milionë euro.
Nuk po zgjatem, pasi këto detyrime i kam trajtuar në detaje ne Kuvend dhe shkrime të mëparshme, por këto detyrime të fshehura përbëjnë 16.5% të PBB-së! Nëse masës së deklaruar të borxhit publik në muajin nëntor 2021 i shtojmë edhe këto detyrime, stoku real i borxhit arrin në vlerën e 12 miliardë e 869 milionë euro, ose 94.8% e PBB-së. Duke i shtuar stokut të borxhit edhe faturën e kripur të gjyqeve ndërkombëtare, borxhi ynë publik e kalon nivelin 100% të PBB-së!
Parashikojmë investime publike, pa matur vlerën e parasë që do të harxhohet.
Sipas Raportit të FMN-së, ‘Investimet publike të financuara nga buxheti janë me mangësi që mbeten të pa-adresuara, ndërkohë qe dhe disa rekomandime kryesore nga Vlerësimi i Menaxhimit të Investimeve Publike 2016 (PIMA) mbeten të pazgjidhura. Sfidat kryesore përfshijnë mungesën e transparencës për tejkalimet e kostove dhe afateve dhe mospërputhjen me proceset e përcaktuara të përzgjedhjes dhe miratimit, duke përfshirë edhe faktin e përdorimit të PPP-ve për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme” (Po aty, faqe 16, Pika 16).
Në buxhetin që keni miratuar, shpenzimet kapitale janë më pak se viti 2021 dhe nuk pasqyrojnë një strategji të mirëfillte investimesh publike, defekt madhor ky, i theksuar edhe nga raporti i misionit të FMN-së në tetor 2021 dhe nga Progres-Raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë po në tetor 2021. Investimet publike parashikohen, duke injoruar tërësisht kërkesat e tre E-ve(efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet), pra pa matur vlerën për paranë publike.
Po sipas Raportit të FMN-së, ‘Kushtet më të shtrënguara financiare globale që rrjedhin nga një ç’ankorim i mundshëm i pritjeve inflacioniste, mund ta bëjnë financimin më sfidues për Shqipërinë, një skenar që mund të përkeqësohet më tej nga çdo përkeqësim i ndjeshëm i pozicionit fiskal të vendit. Buxheti i vitit 2022, i miratuar nga Parlamenti, tregon se presionet e rritura të shpenzimeve do të vazhdojnë, të mbështetura nga parashikimet tepër optimiste të të ardhurave” (Po aty, faqe 12, Pika 11).
Në buxhetin 2022, shpenzimet jo esenciale për rifinitura në qendra qytetesh, shpenzime luksi për fasada dhe pajisje ndërtesash, apo rikonstruksione zyrash, etj., janë në nivele të larta, njëlloj si në buxhetin e këtij viti. Ato dëshmojnë vetëm papërgjegjshmërinë e lartë të kësaj qeverie dhe mungesën totale të ndjenjës dhe përgjegjësisë për kursim, për të rezervuar fonde për ndihmë të shtuar ndaj shtresave në nevojë, në kohë tërmeti dhe pandemie.
Kjo shumicë injoron qëllimisht propozimet e bëra nga partnerët tanë strategjikë dhe nga institucionet kushtetuese për ndalimin e pjesëmarrjes në tenderat publikë të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale offshore, si dhe për çdo licencë që jepet për shfrytëzimin e pasurive kombëtare. Rezultati është fshehja e fitimit të kompanive nga parajsat fiskale dhe të ardhura gjithnjë e më të pakta në Buxhetin e Shtetit.
Si deputet do të sjell në Kuvend propozimin përkatës për ndalimin me ligj të pjesëmarrjes në tenderat publikë të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale, edhe pse jam i bindur që kjo shumicë këtë projektligj do ta shtyjë për në kalendat greke ose do ta refuzojë.
U besojmë pjesën dërrmuese të investimeve publike kompanive vendase mbizotëruese në tregje të caktuara, nëpërmjet PPP-ve, pa nxitur ardhjen e investuesve të huaj strategjikë
Sipas Raportit të FMN-së, ‘Rreziqet fiskale janë rritur dhe mungesa e të dhënave të qarta mbi ekspozimin e qeverisë e bën të vështirë vlerësimin dhe menaxhimin efektiv të tyre. Informacioni i kufizuar mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore” (Po aty, faqe 17, Pika 17).
E keni kthyer buxhetin 2022 tërësisht në shërbim të koncesioneve-PPP, duke ulur ndjeshëm kredibilitetin e Buxhetit të Shtetit dhe duke minuar tërësisht transparencën e tij. Merrni përsipër angazhime financiare në formën e projekteve të mëdha PPP, jo në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi dhe me angazhimet e disiplinën buxhetore të buxhetimit afatmesëm, në mungesë të strategjisë për investimet e huaja dhe ato publike, mungesë kjo e theksuar dhe nga Deklarata e misionit të FMN në tetor 2021.
Qeveria Rama vijon e pangopur të prokurojë PPP të reja për vitin e ardhshëm, krahas shlyerjes së detyrimeve të plota për ato ekzistuese, në një vit të vështirë dhe të paqartë në pandemi, sikurse do të jetë edhe viti 2022.
Për të gjitha këto arësye, vlerësoj dekretin e Presidentit për kthimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2022, si tërësisht të bazuar në argumenta dhe konstatime shkencore, të cilat, po të merreshin parasysh, do të kontributin në formatimin e një buxheti realist dhe në ndihmë të problemeve madhore ekonomike të vendit, sikurse janë reduktimi i varfërisë dhe pabarazisë ekonomike dhe sociale, si dhe ulja e borxhit të tejfryrë publik.
Shënim: Këtë material do ta paraqisja në diskutimet në Kuvend për Projektligjin Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 13.369, datë 10.12.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022”, por drejtuesit e Kuvendit nuk e mundësuan shtyrjen e seancës, për shkak të përplasjes në kohë me aktivitete të opozitës. Mora pjesë në protestën e djeshme kundër vëllezërve siamezë Rama-Vuçiç, ndërkohë që deputetë të opozitës ndodheshin të zënë me “mbledhje në seli”.
Bujar Leskaj