103 vjet më parë, më 24 janar 1919 u largua nga jeta, për të hyrë dhe qëndruar në altarin e pavdekshmërise të kujtesës sonë kombëtare, themeluesi i shtetit shqiptar, ati i Kombit, personaliteti më i shquar shtetëror, diplomatik dhe shoqëror i lëvizjes kombëtare shqiptare, Ismail Qemal Vlora.
Ai u lind në Vlorë, në 24 janar 1844, në familjen e madhe të Vlorajve. Mbiemri i tij Vlora flet shumë për vendlindjen e tij, për qytetin dhe për familjen e tij patriotike. Familja “Vlora” është ajo familje e madhe që në breznitë e saj i ka dhënë shumë personalitete Perandorisë Otomane, por edhe themeluesin e shtetit shqiptar, Ismail Qemal Vlorën, që i kushtoi jetën dhe pasurinë idealit kombëtar.
Në vitet e kryengritjeve shqiptare 1910-1912 dhe të Luftrave Ballkanike, veprimtaria atdhetare e Ismail Qemalit u kurorëzua më 28 nentor 1912 me shpalljen në Vlorë të Pavarësisë së Shqipërisë. Kuvendi Kombëtar i Vlorës, të cilin ai e ideoi dhe e drejtoi, e zgjodhi Ismail Qemal Vlorën, kryetar të Qeverisë së Përkohshme dhe Ministër të Jashtëm.
Ai ndërroi jetë në Peruxhia të Italisë, ndërsa ndodhej aty, i ftuar nga Qeveria Italiane për të arritur një bashkëpunim mbi të ardhmen e Shqipërisë, në prag të nisjes së punimeve të Konferencës së Paqes të Parisit.
Emri i Ismail Qemalit është shkruar me gërma të arta në kujtesën tonë kolektive, si Babai i Pavarësisë dhe Themeluesi i shtetit shqiptar. Ai është protagonisti kryesor që bëri përpjekje kolosale politike dhe diplomatike nëpër kancelaritë e Evropës, për të siguruar mbështetjen për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Politikani shqiptar më i suksesshëm në Perandorinë Otomane 1860-1908
Ismail Qemali përfaqëson njërin nga politikanët me prejardhje shqiptare më të suksesshëm në Perandorinë Otomane, me një karrierë të gjatë politike e shtetare dhe me ndikim të madh. Megjithëse u shkollua, punoi dhe jetoi për mbi gjysëm shekulli në një Perandori ku mendimet liberale shtypeshin dhe bartësit e tyre persekutoheshin dhe dënoheshin edhe me vdekje, ai do të qëndronte gjithnjë konsekuent i bindjeve të tij liberale dhe tejet përparimtare për shtetin ku jetoi dhe kontribuoi.
Arsimimi i tij filloi në Selanik dhe vijoi e mbaroi në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës.
Karrierën e tij administrative e filloi pranë administratës së Vilajetit të Janinës dhe ne vitin 1860 u vendos në Stamboll, ku filloi punën në zyrën e përkthimeve të MP Jashtme Osmane.
Më 1869, në moshën 25 vjeçare u dektretuar mytesarif (prefekt) i Varnës, (Bullgari), në mars të 1870 u dërgua mytesarif në Dobruxhë (Rumani), me qendër në Tulça, ndërsa një muaj më vonë u emërua kryetar i Komisionit Evropian të Danubit, me qendër në Galac (Rumani).
Në mesin e vitit 1884 u dekretua si Vali (guvernator) i Bejrutit, ku shërbeu deri në fund të vitit 1892.
Ismail Qemali u kthye në Stamboll dhe u dekretua anëtar në Këshillin e Shtetit, ku shërbeu deri më 1 maj të vitit 1900 e më mbas shërbeu si Vali në Tripoli të Libisë.
Qëndrimin e hapur atdhetar të tij, Ismail Qemali e mbajti në Kongresin e Xhonturqve të vitit 1907, duke kërkuar një Perandori Osmane multietnike, ku të gjithë popujt të ishin me të drejta të barabarta. Mbas shpalljes së “Hyrietit” Ismail Qemali u zgjodh deputet i Vlorës në Parlamentin Osman të vitit 1908. Por parlamenti xhonturk u tregua armiqësor me shqiptarët dhe Ismail Qemali u largua në shenjë proteste, për tu rikthyer më vonë.
Liberalizmi i Ismail Qemalit pati më shumë se një burim. Burimi i parë ishte shkollimi i tij. Në gjimnazin e njohur Zosimea të Janinës ai mësoi “…të jetojë – siç thotë vetë – në frymën e lirive të botës së vjetër greke“. Aty ai u njoh dhe përvetësoi idete liberale të Volterit, Zhan-Zhak Rusoit dhe Xhon Lok-ut.
Burimi i dytë ishin njohuritë e gjera që zotëronte për Evropën Perëndimore. Ai qëndroi shpesh, diku më shkurt apo diku më gjatë, në Angli, në Francë e në Itali, ku njohu organizimin shtetëror, sistemin ekonomik, filozofinë politike dhe qytetërimin e këtyre vendeve.
Burimin e tretë te liberalizmit të Ismail Qemalit e përfaqëson kultura e tij e jashtëzakonshme politike dhe historike. Ai e dinte se vetëm shtetet demokratike janë shtete historikisht të qëndrueshme. Ai theksonte se “shovinizmi shtetëror, politik, kombëtar dhe fetar është varrtar i shteteve”. Se “çdo perandori e krijuar me shpatë në të njëjtën kohë ka mbjellë edhe farën e shkatërrimit të vet“. Për këtë arsye, për rregullimin shtetëror ai e çmonte “forcën morale më të fuqishme se forcën e armatosur” por, natyrisht, forcën morale të mbështetur në ligje demokratike.
Në gati gjysmëshekulli (1860-1908) të veprimtarisë se tij politike e shtetare në Perandorinë Otomane, ai arriti të jetë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i propozuar për Ministër të Jashtëm, Ministër të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë në qeverinë otomane. Drejtues dhe pjesëmarrës në misione të ndryshme politike e diplomatike të Perandorisë në vende të Evropës, Ismail Qemali shkëlqeu me te gjithë bagazhin e tij si mendimtar, politikan dhe dijetar. Gjate nje karriere gati gjysem shekullore, u caktua Kryetar i Komisionit Evropian të Danubit, këshilltar dhe sekretar i kryeqeveritarëve në vilajete, prefekt në qytete të mëdha dhe kryeqeveritar në krahina të mëdha të Perandorisë, si dhe Kryetar i Dhomës së Deputetëve.
Njohja e gjendjes politike e shoqërore dhe përvoja e madhe shtetare do ta bënin disa herë të përzgjedhurin e sulltanit për reforma shtetërore, ndërsa liberalizmi i guximshem dhe i theksuar i pikepamjeve te tij per shtetin do ta bënin njëkohësisht edhe të dyshu
Kontributi i qeverisjes liberale të Ismail Qemalit në Perandorinë Otomane
Megjithëse politikan e diplomat në një Perandori në të cilën sundonte despotizmi oriental, me bindje e me sjellje ai ishte dhe mbeti demokrat liberal. Marrëveshja ishte mjeti i tij politik. Toleranca ishte mënyra e sjelljes së tij, ndërsa humanizmi ishte etika e tij. Liberalizmi ishte koncepti i tij për shtetin dhe shoqërinë.
Ismail Qemali mbrojti në Perandorinë Otomane të drejtat e njeriut, në një kohë kur nuk kishte mbrojtje të tyre të ligjësuar dhe në kushte në të cilat aq shumë shkeleshin këto tre drejta në pjesen me te madhe te vendeve në Botë.
Ai punoi për lirimin e çerkezëve që trajtoheshin si skllevër. U muar me pozicionimin normal ne shoqëri në Perandorinë Otomane të hebrenjve të dëbuar dhunshëm nga Rusia. Kudo ku u caktua si qeveritar provincash në Perandori, Ismail Qemali bëri përpjekje të zbusë dhe (aty ku mundi) të zerojë pasojat e sundimit despotik, duke e ushtruar pushtetin si pushtet të ndërgjegjes.
Kryevepra e tij-Themelimi i Shtetit shqiptar
Në fillim të shekullit të Njëzetë, ai mund të qëndronte vali në provincën e qetë të Tripolit në Perandorinë Otomane, por zgjodhi të arratisej dhe në mërgim të kërkonte mëvetësinë e tokave shqiptare dhe krijimin e shtetit shqiptar.
Cilësitë me të cilat e kishte mbrujtur natyra dhe karakteri i tij i vendosur dhe i fortë prej shqiptari, së bashku me dijet e fituara gjatë shkollimit dhe punës, krijonin baraspeshë në personalitetin e tij të jashtëzakonshëm. Ai ishte modest dhe i dinjitetshëm, i vendosur dhe zemërgjerë, i guximshëm dhe i matur, gojëtar e largpamës.
Gjykimi i tij i qartë, ndershmëria dhe qëndrueshmëria, sjellja e përmbajtur dhe kurajo e gykimit e bënin sipëror dhe magjepës personalitetin e tij. Ismail Qemali ishte zotëruesi i situatave dhe zotëri i kohës në të cilën jetoi.
Po në sajë të cilësive të mësipërme dhe të një vizioni sa patriotik aq edhe largpamës, Ismail Qemali arriti të bëhet prijës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, themelues i shtetit shqiptar dhe kryeministër i Shqipërisë.
Të dhënat që dihen për jetën dhe veprimtarinë politike e shtetare të Ismail Qemalit, kujtimet e tij dhe kujtimet e të tjerëve për të e përshkruajnë njeri me formim të gjithanshëm dhe me kulturë të gjerë. Në mendjen e tij kishte vend për të gjitha kulturat, për të gjitha racat, të gjitha kombësitë dhe të gjitha besimet, por në zemrën e tij kishte folenë pasioni i jashtëzakonshëm kombëtar dhe vizioni e ëndrra që e bëri realitet: Shqipëria e mëvetësuar, e pavarur dhe me shtetin e saj.
Megjithëse atdhetar i përkushtuar dhe krijues i shtetit shqiptar, ai kurrë nuk do t’i keqpërdorte ndjenjat kombëtare për qëllime politike. Megjithëse mysliman për nga besimi, ai do të kalonte një jetë të lumtur me gruan e besimit të krishterë dhe të kombësisë tjetër.
Me bindje të tilla liberale, të cilat ishin bërë shkaku i përndjekjes së tij nga sulltani dhe Perandoria Otomane, Ismail Qemali hyri natyrshëm në Lëvizjen tonë Kombëtare për realizimin e pavarësisë së Shqipërisë.
Dhe, duke hyrë, njëkohësisht ai ndryshoi me kohën edhe idenë për mjetet që do të duhej të përdoreshin për sendërtimin e asaj pavarësie. Në vend të luftës politike – si i vetmi mjet në kokën e tij për periudhën 1880-1908, ai tashmë do të kërkojë luftë të armatosur – si mjeti kryesor.
Rrjedhimisht, veprimtaria e tij përqendrohet: e para, në bashkimin e të gjitha forcave mendore, morale e vepruese kombëtare për atë luftë dhe, e dyta, në sigurimin e mirëkuptimit të Fuqive të Mëdha për kërkesën shqiptare për mëvetësi.
Megjithatë, përkundrejt formulës së tij politike gjithnjë realiste, Ismail Qemali arriti t’i shtojë edhe komponentin idealist. Gjenialiteti i tij politik shkëlqeu në ecejaket e tij intensive në kancelaritë e Evropës gjatë viteve 1909-1912. Në mes dhjetëra e dhjetëra takimeve e bisedimeve, letrave të shkruara dhe të marra, ai pa dritën në fund të tunelit. Ai ishte i pari dhe i vetmi që e pa me aq intensitet dhe e kuptoi aq qartë, se ndërsa Fuqitë e Mëdha po haheshin me njëra-tjetrën dhe prisnin shembjen dhe shkërmoqjen e Perandorisë Otomane, ndërsa fqinjët ballkanikë po shikonin me lakmi trojet shqiptare përmes procesit të dezintegrimit të Perandorisë në përfundim të vitit 1912, kishte ardhur pikërisht koha për lëvizjen vendimtare.
Ai lundroi me anije nga Italia dhe zbriti në Durrës. Me një mesazh dhe plan veprimi të qartë në kokë: të realizonte gjënë më të dëshiruar. Shihte tashmë, gjatë udhetimit me pajton nga Durrësi për në Vlorë, idealin e pavarësisë, ëndrrën e përkundur në zemrën e tij kaq gjatë, me mundësitë më të qarta për t’u bërë e sendërtueshme.
Dhe më tej pastaj gjithshka është histori, faqja më e ndritur e idealit modern shqiptar. Më 28 nëntor 1912, ai mblodhi në Vlorë Kuvendin Kombëtar, i cili shpall pavarësinë e Shqipërisë, zgjodhi Qeverinë e Përkohshme dhe atë vetë, Ismail Qemalin, kryeministër të saj.
Ky ishte shtet ende pa kufij, pa forca të rendit, pa ushtri, pa administratë kombëtare, pa ekonomi, pa financa. Pra, shtet pa kushte shteti. Por kishte një garanci të madhe që bëri mrekullinë. Ky shtet i porsalindur kishte dinjitetin politik, juridik dhe moral të shtetit, të mishëruar në personalitetin e Ismail Qemalit, të farkëtuar me aq mund pranë kancelarive evropiane. Kishte institucionet e tij shtetformuese – Kuvendin dhe Qeverinë, struktura sovrane në një pjesë, sado e vogël të atëhershme, të Shqipërisë së ardhshme.
Qeveria e Përkohshme, me në krye Ismail Qemalin, liberalin që ishte i bindur se virtytet shpirtërore duhet të ishin arma kryesore e saj, bëri mrekullinë. Bëri çmos që Shqipëria të shtrihej deri atje deri ku ishin kufijtë e saj etnikë.
Edhe pse kjo nuk ndodhi, edhe pse gjysma e kombit ngeli jashtë kufijve të shtetit të porsaformuar shqiptar, historia ishte shkruar tashmë.
Njeriu, shtetari, pavdekësia
Atë ditë të madhe, më 28 nëntor 1912, kur filloi jeta e Shqipërisë së pavarur, atë ditë nisi edhe kalvari i krijuesit të saj dhe i popullit të tij nëpër mundime. Shqipërisë do t’i shkaktoheshin shumë të këqija. Cënime dhe përvetësime prej fqinjëve ballkanikë, madje dhe prej disa prej Fuqive të Mëdha Evropiane.
Luftërat Ballkanike dhe, menjëherë në vijim të tyre, Lufta e Parë Botërore, do të shtonin numrin e shkaktarëve të mundimeve të Ismail Qemalit dhe të Shqipërisë së tij të porsakrijuar.
Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 do t’i sillte dëshpërim të madh popullit shqiptar dhe vetë Ismail Qemalit. Jashtë kufijve të Shqipërisë, Traktati i Londrës linte më shumë se gjysmën e trojeve shqiptare dhe më shumë se gjysmën e popullit shqiptar. Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë parashikohej t’u jepeshin fushat më pjellore, burime të lumenjve, qytete të zhvilluara shqiptare.
Se ç’përmasa ka papërgjegjësia historike e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër shihet në rastin e Kosovës e të Maqedonisë. Ato iu dhanë Serbise, edhe pse numri i serbëve që jetonin aty ishte gati i papërfillshëm! Serbia i vazhdoi përpjekjet për të dalë në det përmes Shqipërisë dhe një kohë e mbajti të pushtuar një pjesë të saj. Mali i Zi bëri çmos të rikthente Shkodrën dhe gjithë Ultësirën e saj nën sundimin e vet. Greqia pushtoi pjesën jugore të Shqipërisë dhe nuk hiqte dorë prej synimeve për shtrirje sa më lart në veri. Italia pushtoi Vlorën dhe Sazani, duke synuar vënien e Shqipërisë së mbetur nën protektoratin e saj.
Rusia e Franca shikonin si ta bënin Serbinë sa më të madhe, kurse Franca nuk do të ngurronte ta shpërblente Greqinë me Korçën!
Ndërkohë, Esat Pashë Toptani krijoi qeveri tjetër në Durrës, duke zhvilluar fushatë të hapur me shpifje djallëzore kundër Ismail Qemalit dhe u vënë në shërbim të Serbisë.
Anarkia e brendshme, që shfaqet gjithnjë pas rënies së sundimeve të gjata të dhunshme, varfëria, analfabetizmi i shtrirë dhe zia e bukës ishin bërë, po ashtu, rrezik për Shqipërinë dhe për qeverisjen e saj. Fati i Shqipërisë dhe i Atit të saj, Ismail Qemalit, ishin bërë njësh.
I gjetur nën trysninë e Fuqive të Mëdha për arsye se donte të ishte subjekt e jo objekt i historisë, i braktisur nga bashkëpunëtorët arrivistë, i pakuptuar nga një pjesë e madhe e bashkëkombësve, i shpërfolur e i akuzuar rrejshëm nga intrigantë, i lodhur nga mosha, i pushtuar nga një mosbesim për mundësinë e ndryshimit të shpejtë të gjendjes, Ismail Qemali më në fund detyrohet të dorëzoj qeverinë në fund të janarit 1914 në duart të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) dhe rishtazi merr rrugën e mërgimit.
Mirëpo, si njeri që nuk dorëzohej lehtë, ai, megjithatë, do ta vazhdonte fort luftën për Shqipërinë, atje ku edhe e kishte filluar: në qendrat politike evropiane, i vetëdijshëm se atje do të vendosej fati i Shqipërisë në fund të Luftës së Parë Botërore, kur fitimtarët do të ndanin në mes të tyre territoret e të mundurve dhe të vendeve të vogla. Falë potencialit të tij të lartë në vitin 1918 shqiptarët e Amerikës i besuan Ismail Qemalit detyrën që t’i përfaqësonte ata ne Konferencën e Paqes në Paris si mbrojtës i interesave të vërteta të Shqipërisë. Prezenca e Ismail Qemalit ne Konferencën e Paqes do të konsiderohej një perspektivë e rrezikshme për Serbinë dhe për qarqet antishqiptare të përfaqësuara nga Esad Pasha. Në gjithë këto vite Ismail Qemali kishte treguar se ishte një Kryetar që udhëhiqte dhe nuk pranonte lehtë që të udhëhiqej nga të tjerët. Ismail Qemali besonte shumë në katërmbëdhjetë pikat e presidentit të SHBA-s Woodrow Wilson, dhe konkretisht pika e njëmbëdhjetë që theksonte kufinjtë midis: “shteteve të ndryshme të Ballkanit duhet të caktohen miqësisht, sipas këshillave të fuqive, dhe në bazë të vijave kombëtare të caktuara historikisht. Shteteve ballkanike, do tu jepen garanci për pavarësi politike e ekonomike e për tërësine tokësore”. Ismail Qemali niset për në qendrat Europiane, por, me pabesi diplomatike, ai do të kërkohej në Itali për takime me qeverinë e Romës. Në Peruxhia atë janar të ftohtë të vitit 1919, ndërroi jetë (dyshohet i helmuar), në pritje të bisedimeve me qeverinë italiane, për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë së tij. Këtë situatë e përshkruan shumë bukur historiani i shquar Skënder Luarasi mbështetur në kujtimet e kryetarit te Bashkisë së Vlorës, Ali Asllani, dhe djalit të Ismail Qemalit, Etem Vlora. (Skënder Luarasi “Ismail Qemali – Jeta dhe vepra të tjera 1972”)
Me rastin e vdekjes së tij patrioti Mihal Grameno shkruajti artikullin shumëprekës po dhe me plot optimizëm: “Mos qani!”. Midis të tjerash ai shkruante “Mos qani dhe mos vajtoni kurrë të kurrës ju o male dhe kodra të Shqipërisë! Ismail Qemali, Plaku I Shqipërisë, nuk ka vdekur dhe kurrë nuk mund të vdesë sa të jetë bota. Në është që ka vdekur Skënderbeu, atëhere le të thomi që vdiq edhe plaku, po jo kurrë! Plaku rron dhe do të rrojë sa të ketë Shqipëria shqiptarë. Mos qani pra ju o shqiptarë se rron Plaku, posa që kemi për të gjyrmuar Program të tij kombëtarë dhe ay program qëndron: Shqipëria e shqyptarëvet! Mos qani pra mos qani!” (Koli Xoxe “Ismail Qemali”, Tiranë 1983, f. 400 (sipas “Albacia”, Mos qani, Mihal Grameno)
Emri i Ismail Qemalit në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si Shtetari, Ati që themeloi Shqipërinë. Si Demokrati liberal, që e filloi qeverisjen demokratike në jetën kombëtare dhe si personaliteti më i spikatur që dhuntinë e tij politike i përdori në mënyrat më të denja për punët më të rëndësishme të kombit të tij.
Bujar Leskaj