Nga Bujar Leskaj Me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës u bë shteti më i ri, i njohur ndërkombëtarisht në botë. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, me shtetin më të ri krijuan marrëdhënie diplomatike SHBA-të, Gjermania dhe Franca. Deri më sot, Kosovën e kanë njohur 117 vende në mbarë boten. Njohjet e fituara deri tani vërtetojnë se pavarësia e Republikës së Kosovës është një proces i domosdoshëm dhe i pakthyeshëm, për botën demokratike. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pas kërkesës së Republikës së Serbisë për interpretim, konstatonte se: “… shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, rezolutën 1244, si dhe kornizën kushtetuese të UNMIK-ut”. Kërkesën për interpretim nga ana e Serbisë, analistët ndërkombëtarë e kanë konsideruar “autogol” në favor të Kosovës, duke u vërtetuar katërcipërisht ligjshmëria e pavarësisë, si proces në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe i domosdoshëm për stabilitetin ballkanik. Kosova qëndron në qendër të Ballkanit Perëndimor dhe zë një pikë kyçe strategjike në udhëkryqin social, politik dhe gjeografik ndërmjet Evropës Lindore dhe Perëndimore. Me ndihmën e një numri organizatash ndërkombëtare, dhe pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara me Serbinë fqinje, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Kosova është bërë një shtet i qëndrueshëm dhe demokratik. Edhe pse vendi përballet me sfida të mëdha ekonomike, të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, shumë vëzhgues dhe analistë ndërkombëtarë besojnë se Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në forcimin e institucioneve të saj demokratike, ekonominë e tregut të lirë dhe aspiratat e saj euro-atlantike. Ajo është vatër e stabilitetit në rajon dhe synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Pavarësinë e Kosovës, si një vendim i drejtë dhe i pa kthyeshëm, e vërteton edhe anëtarësimi i saj në shumë organizata ndërkombëtare. Kosova u bë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në vitin 2009, e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vitin 2012 dhe e Bankës së Këshillit të Evropës për Zhvillim (CEB) në vitin 2013. Kosova në vitin 2014 iu bashkua Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Ajo është sot pjesë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, e Marrëveshjes së CEFTA-s, etj. Institucioni i auditimit më të lartë publik të Kosovës, Zyra Kombëtare e Auditimit, është anëtare me të drejta të plota e INTOSAI-t, organizatës së institucioneve supreme të auditimit të botës. Republika e Kosovës ka Parlamentin e saj me 120 deputetë dhe institucionet e veta demokratike, të dala nga vota e lirë e popullit kosovar. Në këtë përvjetor të 14-të të Pavarësisë, shteti i Kosovës vjen me shumë arritje, për të cilat me të drejtë krenohen qytetarët kosovarë, ne qytetarët e Shqipërisë, por edhe të gjithë shqiptarët kudo ku janë. Liria ka emër. Si sot 14 vite më parë, gjysma jonë më e mirë, Kosova, shpalli Pavarësinë! Kurorëzim i përpjekjeve, luftës e qëndresës, ndaj padrejtësisë shekullore! Por ende jemi në mes të rrugës! Gëzuar pavarësinë, KOSOVË! Botuar në Gazeta Sot më 18 Shkurt 2022