Botuar në Gazeta Sot më 26.02.2022 “Viktimat e pafajshme u pushkatuan në mesnatën e 26-27 shkurtit në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Mënik dhe në fshehtësi u hodhën në një gropë të madhe të përbashkët 4.30x3x1.50 m, të lidhur me njëri-tjetrin me tela me gjemba. Bashkë me 22 të gjallët, ndodhej edhe një i vdekur, Jonuz Kaceli, i vrarë në hetuesi. Në mesnatë, fshatarët e Mënikut dëgjuan krisma të pandërprera pushkësh, ndërsa në të gdhirë panë një skenë të llahtarshme: diku dilte një dorë, diku një këmbë, diku flokë të përgjakur. Një fshatar nga Mëniku, rrëfen: “Më vonë, kur ai vend filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që po punonte atje, i ra të fikët tek pa që traktori po tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuloi sërish. Ishte trupi i patretur i Sabiha Kasimatit.”- Uran Butka Masakra e mesnatës së 26 shkurtit 1951 në Tiranë (me pretekstin e vendosjes së bombës në ambasadën sovjetike) është ngjarja më tipike e krimeve përçudnuese të komunizmit, të diktatorit, Komitetit Qendror të PKSH, Byrosë Për dhe drejtuesit të Sigurimit të shtetit. 22 intelektualë të shquar shqiptarë u arrestuan nga Sigurimi i shtetit dhe u pushkatuan pa gjyq, pa prova, pa asnjë fakt kundër tyre; u dënuan e u ekzekutuan jo nga një gjyq i rregullt, por nga vendime të marra në Komitetin Qendror të PKSH dhe Byrosë Politike. 22 intelektualë shqiptarë krejtësisht të pafajshëm u masakruan nga regjimi stalinist që po instalohej në Shqipëri. Arrestimet u bënë mbi tre listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme. Lista e parë, e përgatitur nga sektori i parë i Drejtorisë së Sigurimit, mban titullin tronditës: Personat e arrestuar që propozohen për t’u …( ...). Mbi pikat titullarët mund të shkruanin ç’të dëshironin: për t’u pushkatuar, për t’u burgosur, etj. Lista e dytë, e përgatitur në sektorin e dytë të Sigurimit, përmbante tetë propozime, nga të cilat u përzgjodhën për t’u pushkatuar, duke u shënjuar me nga një kryq përbri çdo personi që do të ekzekutohej. Lista e tretë e parapërgatitur në sektorin III të Sigurimit ka titullin: Lista e elementit që propozohet për t’u dënuar me vdekje. Sigurimi i Shtetit ishte vendosur mbi organet e drejtësisë, të cilat kishin mbetur formale dhe zbatonin verbërisht urdhrat e vendimet e Ministrisë së Brendshme dhe të Mehmet Shehut. Dhe atë shkurt të zi u zgjodhën nga Sigurimi i Shtetit dhe Byroja Politike intelektualët më në zë nga gjithë hapësira shqiptare dhe u ekzekutuan për të ngjallur frikë e terror në popull, sidomos tek intelektualët properëndimorë, por edhe për t’i bërë fli në themelet e kthesës makabre politike, personalitete me peshë si: Sabiha Kasimati, nga Libohova, shkencëtarja e parë shqiptare; Tefik Shehu, nga Gjakova, tregtar i diplomuar për ekonomi dhe drejtësi në Itali; Niko Lezo, nga Delvina, i diplomuar për kimi në Universitetin e Tuluzës, themelues i laboratorit të parë kimik, deputet i Parlamentit shqiptar (1923), antifashist i internuar në Ventotene nga italianët; Jonuz Kaceli, tregtar i njohur, nga familja e shquar tiranase Kaceli; Manush Peshkëpia, nga Gjirokastra, intelektual shumëdimensional, poet e publicist; Anton Delhysa nga Prizreni, ndërtues i ambasadës amerikane dhe i shkollës teknike të Fullcit; Haki Kodra, nga Dibra e Madhe, i diplomuar për ekonomi në Universitetin e Zagrebit; Gafur dhe Myftar Jegeni, oficerë të ushtrisë kombëtare nga Dibra e Madhe, të diplomuar në akademitë ushtarake të Italisë, luftëtarë antifashistë; Zyhdi Herri, nga Tirana, gazetar; Qemal Kasoruho, nëpunës; Ali Qorraliu, pronar i madh, intelektual me studime të larta juridike në Selanik; Petro Konomi, nga Përmeti, i lauruar në Robetr Kolezh të Stambollit dhe në Akademinë Ushtarake në Itali; Reiz Selfo, nga Gjirokastra, tregtar; Gjon Temali, intelektual nga Shkodra, studiuar në Austri; Pjetër Guraziu, nga Shkodra, i doktoruar për shkencat ekonomike në Itali; Pandeli Nova, intelektual, shtresë e pasur; Thoma Katundi, nga Korça, veprimtar i shoqërisë panshqiptare “Vatra” në SHBA; Mehmet Ali Shkupi, shqiptar nga Shkupi, nëpunës; Fadil Dizdari, librar; Hekuran Troka, nga Kuçova, tregtar; Lluka Rashkoviç, biznesmen nga Mali i Zi. Ngjarja e 26 shkurtit 1951 ka hyrë në histori si simbol i terrorit ndaj mendimit të lirë. Kjo ngjarje është një nga krimet më të rënda shtetërore të atij sistemi, që kurrë nuk duhet të harrohen, sepse po u harruan tragjedi të tilla mund të të përsëriten në të ardhme. Sot, 22 martirët e demokracisë, prehen në Varrezat e Dëshmorëve të kombit, si pasojë e punës këmbëngulëse të familjarëve dhe Hysen Tefik Shehut, i cili kur i pushkatuan babanë ishte vetëm 2 vjeç! Bujar Leskaj