Nga Bujar Leskaj Shoqëria civile në vendet Perëndimore përfaqëson një nga kolonat e demokracisë dhe llogaridhënies së administratës publike. Rëndësia e saj në vendet ish-komuniste rritet akoma dhe më shumë, pasi demokracia në këto vende paraqitet ende e brishtë dhe ndarja dhe pavarësia e pushteteve e dobët. Pavarësisht defekteve dhe të metave që ka shoqëria civile, një pjesë e së cilës është kapur nga qeveria, ne duhet të vlerësojmë dhe inkurajojmë atë pjesë të shëndoshë të shoqërisë civile që përpiqet fort të kryejë rolin e saj monitorues, këshillues dhe denoncues, në lidhje me qeverisjen në Shqipëri dhe dukuritë që e shoqërojnë qeverisjen publike në sprovën për mirëfunksionim të demokracisë së brishtë shqiptare. Organizata të shoqërisë civile, të tilla si Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qendra Shqiptare Kundër Torturës dhe Dhunës, drejtuar nga ish i përndjekuri politik Adian Kati, Instituti i Studimeve Bashkëkohore, drejtuar nga Artan Hoxha, Qendra Ligjore dhe Territoriale, drejtuar nga Edvin Karamuço, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, drejtuar nga Sotiraq Hroni, Zyra Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit, drejtuar nga Sazan Guri, janë shembuj të një shoqërie civile aktive dhe të përgjegjshme në misionin e saj. Në fillimet e tij, Komiteti Shqiptar i Helsinkit udhëhiqej nga personalitete si Arben Puto, Kristo Frashëri, Ylli Popa, Isuf Vrioni, Fatos Lubonja, Kujtim Çashku, Viktor Dosti, Maks Velo, Ksenofon Krisafi, të cilët i dhanë peshë, imazh dhe perspektivë veprimtarisë së institucionit. Njëlloj mund të flasim për personalitete individuala të shquara të shoqërisë, që janë kthyer në institucione të shoqërisë civile dhe mendimit publik sot, si Fatos Lubonja, Ndriçim Kulla, Përparim Kabo, Artan Fuga, Gëzim Tushe, Bedri Islami, etj. Në vitet e fundit, është shquar në veprimtarinë e shoqërisë civile Instituti i Studimeve Politike (ISP), me drejtues historianin dhe politologun Afrim Krasniqi. Kjo organizatë ka realizuar studime dhe botime profesionale dhe unike në mendimin politik në Shqipëri, siç janë studimet dhe botimet dedikuar partive politike, demokracisë së brendshme në partitë politike, dekriminalizimin, reformën në drejtësi, eksperimentin me ministrat teknikë, votën dhe ndikimet e grupeve informale në zgjedhje, standardet e përfaqësimit në partitë politike, përfaqësimin gjinor në zgjedhje dhe në partitë politike, standardet në aplikimin e sistemit të transparencës në qeverisjen vendore, standardet e llogaridhënies dhe përfaqësimit në qeverisjen lokale, etj. Qëllimi i këtij shkrimi është të shpreh respektin dhe vlerësimin tim për studimin më të fundit të kësaj organizate të shoqërisë civile, të titulluar “Raport Monitorues: Deputetët, Kuvendi dhe aktiviteti parlamentar në Shqipëri”, mbi performancën e punës së Kuvendit, publikuar më 26 janar 2022. ISP monitoroi statistikisht diskutimet në seancat plenare dhe në komisionet parlamentare, duke evidentuar me tregues sasiorë deputetët aktivë dhe jo aktive të kësaj legjislature, për periudhën shtator-janar 2021. Raporti ka mbikëqyrur nismat ligjore, propozimet në formë të amendamenteve dhe nismave politike, pjesëmarrjen e deputeteve dhe diskutimet e tyre në komisione dhe në seancat plenare, pjesëmarrjen dhe votimin e akteve në Parlament, ushtrimin e të drejtës për interpelanca dhe seanca pyetjesh, si dhe për pyetje të adresuara ndaj institucioneve shtetërore, daljet në media të deputetëve dhe aktivitetin e tyre mediatik (publik). Vlera e studimit do të ishte rritur ndjeshëm, nëse monitorimi nuk do të përfshinte vetëm numrin e diskutimeve, por edhe tregues cilësorë, të tillë paraqitja në mbledhjet në komisione dhe në seancat plenare e problematikave aktuale që mbulon një draft-ligj i caktuar, ofrimi i alternativave dhe zgjidhjeve për ndryshimet e caktuara në ligjet në diskutim, lidhja e ngushtë e propozimeve me interesat e komuniteteve që përfaqësojnë, etj. Në Kuvend po bëhet “ligjshmëri” shqetësuese numri i fjalimeve jashtë temës, sa për t’u treguar aktiv në mënyrë fiktive dhe ky tregues duhet ulur në minimum. Jo më kot deputetët më efektivë në renditjen e ISP kanë rezultuar Jorida Tabaku dhe Erion Braçe. Deputetja Tabaku e tregoi veten me drejtimin më efiçiencë dhe profesionalizëm të Komisionit të Hetimit Parlamentar mbi Incineratorët, së bashku me deputetin Belind Këlliçi dhe të tjerë që u shquan, ndërsa deputeti Erion Braçe, me interpelancat e tij dhe me problematikat qe ngre në vijimësi. Pavarësisht këtyre mangësive, raporti i ISP mbart shumë vlera, pasi ai adreson disa drejtime tejet të rëndësishme për gjallërimin dhe efektivitetin e prodhimit parlamentar. Parlament i hapur Sipas raportit, Kuvendi ka shënuar progres në shtimin e elementëve të transparencës, sidomos në aspektin statistikor. Një database e ofruar online nga Kuvendi me bilancin e akteve, votimeve, kohës së debatit, angazhimeve gjinore dhe politike, mbi natyrën e akteve dhe vendimmarrjet, përbën një zhvillim pozitiv dhe plotëson një prej mangësive të legjislaturave të kaluara. Disa broshura dhe manuale informative mbi Kuvendin, rolin dhe aktivitetin e tij janë risi dhe kontribut pozitiv në drejtim të konceptit “Parlament i hapur”. Falënderoj, me këtë rast, stafin e Bibliotekës së Kuvendit dhe të gjithë Njësinë e Shërbimeve në Kuvend, për punë të kujdesshme, të përkushtuar dhe profesionale. Një ide e mirë e raportit të ISP është që Kuvendi të aplikojë standarde më të larta transparence dhe konkurrence në shpalljen e vendeve vakante dhe në procesin e përzgjedhjes se kandidateve në institucionet shtetërore, duke aplikuar seanca dëgjimore dhe duke ofruar informacion cilësor mbi kandidatët, si dhe duke respektuar afatet ligjore. Një propozim tjetër me vlerë është që komisionet e përhershme të Kuvendit të publikojnë raportet vjetore të aktivitetit të tyre, të disponueshme për publikun, me një bilanc real të punës, problematikave, sfidave dhe përgjegjësive. Forcimi i komisioneve është parësor për efektivitetin e prodhimit parlamentar. Kuvendi ka nevojë urgjente për një rikompozim dhe riorganizim të faqes së vet online, me miqësore me vizitorin dhe të ngjashme me modelet e mira të parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Efiçienca e deputetëve Një vrojtim i tillë si i ISP-së i bën mirë jetës parlamentare dhe i vë deputetët përpara përgjegjësisë për të qenë më prodhues me diskutime, vërejtje dhe ide në Kuvend. Një nga gjetjet e rëndësishme të raportit është se qeveria vijon të ketë shumicën dërrmuese të nismave ligjvënëse me 94 për qind të tyre. Ky është një nivel shqetësues për jetën tonë parlamentare, nëse e krahasojmë me përqindjet më të larta të nismave ligjore nga deputetë të veçantë dhe nga opozita në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kuvendi ka nevojë të trajtojë me prioritet ndryshime përmirësuese në Rregulloren e Kuvendit dhe në ligjin për statutin e deputetit, si dhe në aktet plotësuese rregullatore, në mënyrë që normat organizative dhe rregullimi i jetës parlamentare të përputhet me sfidat e sotme të parlamentarizmit të një vendi kandidat për në BE, për më shumë transparencë, konsultim dhe llogaridhënie. Kuvendi duhet të forcojë komponentin e kontrollit kushtetues mbi pushtetin ekzekutiv dhe institucionet e varësisë dhe ato të pavarura. Platforma institucionale duhet të jetë më e gjerë, më transparente dhe më aktive, në përputhje me rezolutat, por edhe sfidat e reja të institucioneve dhe të vendit. Partitë politike dhe grupet parlamentare duhet të evitojnë sa është e mundur transferimin e konflikteve të tyre të brendshme në agjendën parlamentare, si dhe të përmirësojnë aktet e tyre të brendshme rregullatore, duke nxitur standarde më të larta etike, konkurrencë dhe cilësi në përfaqësimin parlamentar të deputetëve të tyre. Sipas raportit të ISP, Kuvendi duhet të investojë më shumë në rritjen e klimës së besimit politik midis mazhorancës dhe opozitës, për prioritetet politike e legjislative të vendit. Ato janë reforma zgjedhore, ndryshimet kushtetuese, zgjedhja e Presidentit të Republikës, reforma në drejtësi dhe kriteret e procesit të integrimit. Ndërsa deputetët diskutojnë, mbrojnë apo kritikojnë ligje të caktuara që qeveria dërgon për miratim në Kuvend, shumica e deputetëve nuk prononcohen për problemet akute të ditës që lidhen me ligjin që diskutohet. Gjykoj se në plan personal, deputetet duhet të japin shembullin e kursimit të parasë publike dhe të heqin dorë nga disa privilegje që u kushtojnë taksapaguesve, si për shembull pagesa mujore 17 mijë lekë për shpenzimet telefonike celulare Sipas ISP, Kuvendi duhet të dëshmojë vëmendje më të madhe ndaj standardeve të Kodit të Etikës, përfshirë hetimin e rasteve të mundshme të konfliktit të interesit, marrjen e masave administrative në rastin e shkeljeve të etikës dhe gjuhës denigruese, jetësimin e regjistrave të deklarimit dhe hetimin e thelluar të çdo rasti të raportimit publik mbi shkelje të mundshme nga Kuvendi apo deputetët në aktivitetin e tyre parlamentar. Nisma të pakta ligjore nga deputetët Raporti i ISP përmend një numër shumë të vogël nismash serioze ligjore nga deputetët: vetëm tre. Kjo dëshmon për një mendësi tejet të kufizuar të të bërit parlamentarizëm nga ana e shumicës socialiste, e përqendruar në rutinën dhe bindjen e verbër ndaj diktaturës së kartonit jeshil për nismat ligjbërëse qeveritare dhe kartonit të kuq për nismat e opozitës. Në projektimin e punës për raportimin e performancës parlamentare janar-korrik 2022, monitoruesit e ISP-së duhet të përqendrohen më shumë në vlerësimin e cilësisë së diskutimeve nga deputetët, duke i renditur diskutimet e kryera sipas një pikavarazhi për kompaktësinë me temën, thellësinë e gjetjeve, vërejtjeve, sugjerimeve dhe propozimeve të bëra në diskutim. Mbi bazën e terrenit të fituar nga vlerësimet sasiore(prania fizike në komisione dhe seanca plenare, numri i diskutimeve për deputet në komisione dhe në seanca plenare, diskutimet e publikuara, etj.), ISP mund të kalojë në vlerësime cilësore të punës së kryer, po nëpërmjet pikavarazhit. Në përfitimin shoqëror nga vërejtjet dhe sugjerimet që deputetët japin. Në vlerësimin(s’ka gjë se është i përafërt) e investigimit parlamentar të kryer nga deputeti, një grup deputetësh, etj. Në kuadër të projektit që po zbaton, Instituti i Studimeve Politike ka krijuar një platformë online www.deputetim.al, të cilën ka nevojë ta zhvillojë më interaktive me mediat tradicionale dhe ato sociale, në mënyrë që gjetjet e punës dhe raporteve të monitoruesve të ISP të marrin peshën dhe shpërndarjen e duhur, për të provuar të realizohet një përmirësim i thellë dhe i vazhdueshëm i produktivitetit dhe cilësisë së prodhimit parlamentar. Botuar në Gazeta Sot më 28 Shkurt 2022