Nga Bujar Leskaj Edhe pse me shumë ditë vonesë, Rezoluta e Parlamentit të Shqipërisë për dënimin e agresionit të Diktatorit Putin ndaj Ukrainës ishte e nevojshme, por jo e mjaftueshme! Në projekt-Rezolutën e disa deputetëve të opozitës, ne me të drejtë theksojmë qartazi mbështetjen totale ndaj qeverisë dhe popullit martir ukrainas, duke shprehur mirënjohje ndaj tyre për mbrojtjen e Evropës së qytetëruar dhe demokratike me luftën e tyre, por edhe duke dhënë vetë ne, qeveria dhe shteti ynë, kontribute të drejtpërdrejta për qeverinë dhe popullin e Ukrainës. Të gjitha shtetet Perëndimore dhe jo vetëm, e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë, të shkaktuar nga Diktatori Putin. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e datës 2 mars 2022, e miratuar nga 141 shtete me 5 shtete kundër dhe 35 shtete që abstenuan, tregoi vullnetin e pjesës më të madhe të globit për të dënuar me forcë invazionin e Diktatorit Putin në Ukrainë dhe për të kërkuar largimin e trupave ruse nga ky shtet i pavarur. Dua të citoj me këtë rast, fjalët e shahistit rus me famë botërore Garry Kasparov në postimin e tij të dytë në rrjetet sociale më 3 mars, në lidhje me invazionin. “Për të gjitha mediat dhe zyrtarët:Mos e quani më Putinin “PRESIDENT”. Ai është një diktator. Fjalët kanë fuqinë e tyre”. Shumë mirë që edhe qeveria shqiptare i është bashkuar dënimit të njëzëshëm dhe të vendosur të botës së qytetëruar dhe shteteve demokratike në mbarë globin, ndaj agresionit rus në Ukrainë, si dhe është bashkuar me valën e parë të sanksioneve ekonomike kundër Rusisë. Marrëdhëniet tona diplomatike me Ukrainën datojnë që në vitin 1992 dhe janë zhvilluar sidomos viteve të fundit, kur Ukraina u shndërrua në një vend demokratik që synon anëtarësimin në BE dhe në NATO. Qëndresa e popullit ukrainas është impresionuese, duke filluar me të 13 ushtarët e Ishullit të Gjarpërinjve dhe duke vijuar me personalitetet ukrainase të kulturës, artit dhe sportit, që po luftojnë në vijën e parë kundër pushtuesit rus, duke rrezikuar jetën e tyre për mbrojtjen e lirisë së atdheut. Ukraina po lufton për të ardhmen e të gjithë Botës! Për mendimin tim, ne duhet të analizojmë me kujdes dhe thellë, si dhe të shprehemi në një Rezolutë tjetër, të cilën duhet ta miratojmë urgjent, për rrezikun e rritur të provokimeve serbo-ruse në Ballkanin JugPerëndimor, në rajonin tonë, në veçanti ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Për këtë, si deputet i Vlorës, do të kërkoj me forcë dhe vendosmëri: 1. Dhënien fund të nismës “Ballkan i hapur” dhe largimin e menjëhershëm të Shqipërisë nga kjo nismë, e cila ka ngelur peng e dy vëllezërve autokratë Vuçiç-Rama. Serbia është i vetmi vend evropian(duke përjashtuar Bjellorusinë) që refuzon të vendosë sanksione ekonomike kundër Rusisë, si masa për të dënuar agresionin e Diktatorit rus në Ukrainë dhe për ta detyruar atë të pushojë luftën dhe të largohet. Në të kundërt, drejtuesit e këtij vendi vijojnë të evokuojnë teoritë dhe qëndrimet e vjetra shoviniste ndaj Kosovës dhe fitimit të lirisë dhe pavarësisë së saj. Nga nisma “Ballkan i hapur” duhet të distancohemi me forcë pikërisht tani, edhe për shkak të sulmeve të sotme pirateske që bëjnë udhëheqësit e Beogradit ndaj pavarësisë së shenjtë të shtetit të Kosovës. 2. Distancimin e Shqipërisë nga qëndrimi serb për luftën në Ukrainë. Edhe pse javën e kaluar, Serbia në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara iu bashkua votës së 140 vendeve të tjera për të kërkuar ndalimin e agresionit rus në Ukrainë, ky ishte një qëndrim thjesht simbolik. Serbia është aleati më i vendosur dhe besnik i Rusisë së Diktatorit Putin në Ballkan. Me luftën në Ukrainë, Serbia është larguar edhe më dramatikisht nga konsensusi evropian, i cili po përqafon gjithnjë e më shumë një linjë më të ashpër kundër Kremlinit. Votimi në OKB nuk ka asnjë ndikim mbi zhvillimet ushtarake e politike në Ukrainë dhe Edi Rama e di mirë se kjo votë nuk i prish aspak punët e Moskës me Beogradin. Megjithatë, ai është i vetmi që mendon se “Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”(?!). Ky qëndrim është një propogandë në dëm të interesave të Kosovës dhe Shqipërisë. Diplomati me përvojë Shaban Murati, në shkrimin e tij “Mbushja e kupës! Apologjia serbe ndaj Rusisë dhe Tirana që s’gjen dot një gjysëm fjale për akuzat e Vuçiç ndaj NATO-s në Kosovë” cilëson se” Si mundet një qeveri normale të mos jetë në gjendje të bëjë leximin e duhur diplomatik dhe vlerëson Vuçiçin për “integritetin territorial të Ukrainës” dhe nuk kupton se presidenti serb e ka fjalën për integritetin territorial të Serbisë, ku ai fut Kosovën si pjesë të saj?”. 3. Cilësimin e saktë të drejtuesve të sotëm të Serbisë për ata që janë në realitet në Ballkan, aleatë të vendosur të Putin. Udhëheqësit e Serbisë sot, disa prej të cilëve kanë qenë bashkëpunëtorë të Millosheviqit, përfshire edhe vetë Vuçiçin, nuk kanë sesi të dënojnë pushtimin e Ukrainës nga Rusia, sepse diktatori Putin në Ukrainë po kopjon, pothuaj me përpikmëri, veprimet barbare të Millosheviçit në Kosovë, siç u shpreh Kryeministri britanik, Boris Xhonson, javën që kaloi në parlamentin britanik duke folur rreth sulmit rus në Ukrainë. Udhëheqesi britanik krahasoi agresionin e Putinit në Ukrainë me atë të Millosheviçit në Kosovë në vitet 1998-1999. “Unë mendoj se njëra nga gjërat më impresionuese se çfarë Putin po bën është sa i përafërt është krahasimi midis veprimeve të tij dhe atyre të Sllobodan Millosheviçit. Ekzaktësisht i njëjti nonsens i përdorur mbi lidhjen mistike mes Kosovës dhe Beogradit dhe Kievit me Moskën. Ekzaktësisht i njëjti agresion dhe kujtoni se Sllobodan Millosheviç vdiq gjatë gjyqit”, tha Boris Johnson. 4. Shkëputjen e Shqipërisë nga nisma “Ballkan i Hapur”, si një nismë e dështuar nga të gjitha aspektet. Bota Perendimore, SHBA, BE, NATO, institucionet financiare ndërkombëtare po i thellojnë sanksionet ekonomike ndaj Rusisë dhe ne duhet t’i bashkohemi këtij veprimi. Kjo është edhe një arësye më tepër për t’iu larguar nismës së Ballkanit të Hapur. Në rast se ne nuk abortojmë dhe dënojmë nismën “Ballkan i Hapur”, duke u shprehur qarte zyrtarisht kundër saj, ne do të quhemi në këtë histori si shërbëtorë të shërbëtorit! Shërbëtorë të Vuçiçit, i cili nga ana e vet është shërbëtor i Diktatorit Putin! Me zgjedhjet e përgjithshme në muajin prill 2022 dhe Vuçiç që kërkon votën e shumë elementëve filorusë në vendin e tij, Serbia po shndërrohet gradualisht jo vetëm në një hapësirë të vendosur kundër integrimit euroatlantik të Ballkanit, por edhe në një pararojë të rrezikshme të provokimit dhe kërcënimeve të ardhshme ruse ndaj gjithë vendeve të NATO-s dhe të BE-se në rajon. Raporti i vitit 2019 i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes vlerëson se "Serbia ofron mjedisin më të favorshëm për ndikimin rus në Ballkan". (https://www.forbes.com/sites/zakdoffman/2019/07/01/pentagon-report-u-s-failing-to-combat-russias-dangerous-global-influence/?sh=169a083d36b2 ) Në fund, dua të sjell përkufizimin e publicistit dhe shkrimtarit kombëtar Bedri Islami në shkrimin e tij të disa ditëve më parë me titull “Ukraina, krismat në Tiranë! Shqipëria duhet të deklarojë sa më shpejt largimin nga i ashtuquajturi “Ballkan i Hapur”. “Është e pakuptimtë që, nga njëra anë je nënshkruese e përbashkët e dokumenteve, mbajtëse e firmës me Shtetet e Bashkuara, dënon agresionin, dhe, nga ana tjetër mendon se mund të bësh politikë të hapur me presidentin serb që mbështet agresionin, duke ëndërruar çastin kur falangat e tij të vërshojnë në Kosovë”. Botuar në Gazeta Sot më 12 Mars 2022