Nga Bujar Leskaj Përshëndes ligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet qeverise së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje-daljes së mallrave” që Kuvendi i Shqipërisë votoi pardje, në veçanti Nenin 1, Pika 1, d, ku përcaktohet se “Në Zonën Doganore të Portit të Durrësit dhe në Porto Romano vendoset Zyra Doganore e Republikës së Kosovës”. Pasi kaluam pragun e 14 viteve të ekzistencës së shtetit më të ri evropian, atij të Kosovës, që nga themelimi i tij më 17 shkurt 2008 dhe 23 viteve nga Çlirimi i Kosovës, kemi firmosur rreth 90 marrëveshje bashkëpunimi të qeverisë sonë me atë kosovare, në nivel të kryeministrive, ministrive, institucioneve të doganave, drejtorive qendrore, bashkive, etj.. Numri i lartë i marrëveshjeve është në përpjestim të zhdrejtë me zbatimin dhe efiçiencën e tyre, duke ngelur vetëm në letër, apo duke u shënuar në statistika. I.Vëllimi tregtar Tregtia me shtetin më të ri të Evropës ka ecur pozitivisht gjatë këtyre viteve, por duhet ta pranojmë që është larg potencialit dhe nivelit ku realisht duhej të ishim. Sipas të dhënave të INSTAT, nëse vëllimi tregtar(import-eksporte) në vitin 2016 ka qenë vetëm 22.6 miliarde leke(184 mln euro), në vitin 2021 ishte në nivelin e 53.1 miliarde lekeve(434 mln euro), me një bilanc pozitiv tregtar të Shqipërisë(37.7 miliarde leke eksporte dhe 15.4 miliarde leke importe). Në krahasim me vitin 2019(krahasimi me vitin 2020, për shkak të pandemisë, nuk ka vlerë), kur vëllimi tregtar ishte 37.2 miliarde leke(308 mln euro)., kemi një rritje prej 41 përqind. - 2008 9.9 miliardë lekë(81 mln euro) - 2009 10.1 miliardë lekë(83 mln euro) - 2014: 24.5 miliardë lekë (203 mln euro) - 2016: 22.3 miliardë lekë (184 mln euro) - 2019: 37.2 miliardë lekë(308 mln euro) - 2020: 34.5 miliardë lekë(283 mln euro) - 2021: 53.1 miliardë lekë( 434 mln euro)(37.7 miliardë lekë eksporte; 15.4 miliardë lekë importe) · Tregtia me Kosovën, rritje me 41 përqind në krahasim me vitin 2019 Burimi: (http://www.instat.gov.al/media/2601/ecuria_e_tregtise_se_jashtme_2013.pdf; http://www.instat.gov.al/media/9488/tj-dhjetor-2021.pdf) II. Rugova, 1 shtator 1995 Rruga e Kombit është parashtruar si ide më 1 shtator 1995, nga Lideri historik i Kosovës dhe babai i Shtetit kosovar, Dr. Ibrahim Rugova, ne takim me Presidentin Berisha. Rugova u shpreh se “Projekti për Ndërtimin e Autostradës në rrugën e vjetër Lezhë-Prizren-Prishtinë është një arterie kryesore që tradicionalisht ka lidhur Kosovën me Bregdetin. Realizimi i këtij projekti kërkon kohë, por duhet të mendojmë për të tashmen dhe të ardhmen”. Rruga e Kombit Durrës-Kukës-Morinë(pjesa e Shqipërisë) u realizua nga Kryeministri Sali Berisha në vitet 2007-2010, si investimin më madhor gjeostrategjik i Shqipërisë, pas anëtarësimit në NATO në vitin 2008, të realizuar nga qeveria Berisha dhe Presidenti Bamir Topi. Dy vite më pas, qeveria kosovare kompletoi aksin Morinë-Prishtinë të Rrugës. Sali Berisha ishte i pari që e propozoi ndërtimin e Rrugës, në vitin 1996, në cilësinë e Presidentit të vendit. Vëllimi i marrëdhënieve tregtare dhe investimeve private mes Kosovës dhe Shqipërisë u shtua me herë, pas nisjes së funksionimit të Rrugës së Kombit në tetor 2010, me hapjen e galerisë veriore të Tunelit të Kalimashit. Kështu, vëllimi tregtar Shqipëri-Kosovë në vitin 2009 ishte 10.1 miliardë lekë, ndërsa pas ndërtimit të Rrugës, në vitin 2021, arriti në 53.1 miliardë lekë, ose një rritje pesëfish! III. Problematika në marrëdhëniet tona ekonomike Bashkëpunimi ekonomik dhe marrëdhëniet tregtare midis Kosovës dhe Shqipërisë vijojnë të vuajnë nga shumë moskuptime dhe mungesë informacioni në nivel të rregjimeve tona të ndryshme doganore. Historia e procedurave dhe pengesave burokratike dhe doganore me Kosovën është e trishtë dhe ende qëndron kokëfortë mbi traun mes të dyja vendeve. Gati tre vjet më parë, në Forumin Ekonomik Mbarëshqiptar në Tiranë, më 21 maj 2019(https://www.cci.al/marredheniet-tregtare-shqiperi-kosove-zhvillohet-ne-tirane-forumi-ekonomik-mbare-shqiptar/) , Oda Ekonomike e Kosovës u shpreh se “është hera e 20 që takohemi dhe vazhdojmë diskutojmë për barriera. Këtë dekadë bisedimesh do ta quaja dekadë të barrierave... Pse nuk është shfrytëzuar avantazhi i rrugës, teksa më parë e kishim si justifikim? Ne i plotësojmë të gjitha parakushtet për të patur një shkëmbim tregtar të shëndoshë, por të vështrosh statistikat, lënë për të dëshiruar”. IV. E ardhmja e bashkëpunimit ekonomik dhe marrëdhënieve tona tregtare Sipas një studimi të ndërmarrë nga Qendra Shqiptare e Tregtisë Ndërkombëtare(ACIT), e mbështetur nga USAID, tarifat doganore dhe pengesat burokratike në pikat e kalimit kufitar janë arsyet e mosrritjes në nivelin e pritshëm të tregtisë mes dy vendeve. Qendra gjeti se për të eksportuar mallra nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas, praktika kushton minimalisht 250 euro. Këtu përfshihen deklaratat doganore, çertifikatat e produktit, analizat e mallit, kosto e skanerit për Shqipërinë, kosto e parkingut doganor në Kosovë, por edhe në Shqipëri. ACIT propozon në studimin e vet edhe zgjidhjen e këtij ngërçi, një program kompjuterik që duhet të zbatohet nga të dyja administratat doganore, i cili kushton pak dhe shpresojmë te jetë në rrugën e implementimit dhe të zgjidhjes sa më shpejt nga institucionet përgjegjëse të të dyja vendeve tona, sikurse e sqaroi me profesionalizëm përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Programi realizon transmetimin online të faturës së regjistruar në Shqipëri ose Kosovë, duke e dërguar informacionin drejtpërsëdrejti në drejtorinë përkatëse të tatimeve. Kështu, biznesi nga të dyja anët e kufirit nuk do të detyrohet më të paguajë 35 euro për deklaratën doganore, 10 euro për parking doganor në Shqipëri, 40 euro për parkim doganor në Kosovë, si dhe shumë taksa e kosto të tjera. Dhe mbi të gjitha, nuk humbet kohë, orë të tëra pritjeje sa të marrë dokumentet e kërkuara. Shumë mirë është bërë që kemi sportel të përbashkët në Doganën e Morinës, si dhe zyrën doganore të Kosovës në Portin e Durrësit dhe tashmë edhe në Porto Palermo. Kjo zyrë duhet të lidhet në kohë reale dhe online me doganat tona. Sot po flitet për idenë e projektit të një hekurrudhe mes Shqipërisë dhe Kosovës. Janë zhvilluar bisedime mes dy qeverive tona dhe ndoshta është çështje muajsh që të përgatitet studimi i fizibilitetit për këtë projekt. Vërtet shumë mirë. Por duhet të nxitojmë, se koha nuk pret. Në vitin 2009, kam hedhur në Kuvend dhe në opinionin publik projekt-idenë që Porti i Shëngjinit t’i jepet Kosovës për përpunimin e mallrave që shkojnë drejt saj, duke e modernizuar dhe zgjeruar këtë port. Kjo ka qenë edhe një kërkesë e qeverisë Thaçi po në vitin 2009. Zgjerimi i aftësisë përpunuese të Portit të Shëngjinit dhe vendosja në funksion të ekonomisë Kosovare, qeverisë së Kosovës dhe biznesit kosovar do të krijonte, praktikisht do te hipotekonte, një portë shumë të mirë gjeo-ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Evropës Perëndimore. Porta do të sillte përfitime ekonomike dhe politike të dyanëshme si për Kosovën dhe Shqipërinë. Kosova do të ulte varësinë tregtare me vendet fqinje sidomos me Serbinë, duke e orientuar vendin në volumet tregtare drejt vendeve të BE-së. Këtu nuk është fjala për të dëmtuar ekonomikisht Serbinë, por për t’i krijuar oportunitet Kosovës të konkurojë direkt në tregjet ndërkombëtare dhe biznesi kosovar të mos jetë dorë e dytë apo e tretë në blerjen e mallrave, duke reduktuar ndjeshëm koston e lartë të transportit. Sa i përket fitimeve politike, përpos të tjerash, Kosova do të ishte më pak e kërcënuar nga presionet ekonomike shpesh absurde të shtetit serb. Kujtojmë “bllokadën” që Serbia i shpalli Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë. Kjo bllokadë, edhe pse një nonsens ekonomik për Serbinë më shumë, se sa për Kosovën, përsëri ishte dhe sërisht, nën prizmin e invazionit ushtarak të Diktatorit Putin në Ukrainë, si një formë presioni ekonomik dhe politik ndaj shtetit kosovar. Porti i Shëngjinit, i administruar si port i Kosovës dhe për ekonominë kosovare, do ta pavarësonte më shumë ekonomikisht shtetin e ri, Republikën e Kosovës, duke i dhënë një liri të dimesionit ekonomiko-politik, një dalje të ëndërruar në Adriatik. Përsa i përket Shqipërisë, porti i ri do të rriste investimet në vend të inkuadruara si investime të huaja apo vendase. Për më shumë këto do të realizoheshin në një zonë deri tani me zhvillim mesatar duke i dhënë një impuls të fuqishëm zhvillimit ekonomik të zonës. Pra, ky port nën një administrim të ri, të një vendi fqinj si Kosova, jo vetëm do të sillte përfitime ekonomike për të, por do të ishte një mundësi e mirë për zhvillimin e pjesës veriperëndimore e verilindore të Shqipërisë. Përveç përfitimit ekonomik, dhënia e portit nën administrimin e drejtpërdrejt të Qeverisë Kosovare do ta kthente Shqipërinë jo thjesht në burim emancipimi, por ç’ka është më thelbësore, në një burim stabiliteti dhe zhvillimi në Ballkanin Perëndimor e më gjerë, duke u bërë një faktor edhe më potent stabilizues ekonomik e politik. Në këtë rast, racionaliteti ekonomik dhe racionaliteti politik shkojnë në kahje të përbashkëta pozitive për të dy vendet veçmas e së bashku. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe aspirata e Kosovës për anëtarësim në të ardhmen në këtë organizatë, ashtu si ambicia e njëjtë e të dy vendeve për t’u integruar në Bashkimin Europian, e bëjnë edhe më të dobishëm e kuptimplotë këtë veprim, sa ekonomik aq dhe politik, sa kombëtar aq dhe europian. Objektivat e njëjtë që ne kemi (si dy vende të pavarura) kanë nevojë për vështrim të përbashkët, për çështje të interesit të ndërsjelltë. Ashtu si investimi madhor Durrës-Kukës-Prishtinë dhe dhënia në administrim e Portit të Shëngjinit, Qeverisë së Kosovës, dëshmon për një sinergjizim të politikave ekonomike të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, si detyrime politike ndaj interesave të përbashkëta të kombit si një tërësi dhe të komplementaritetit (plotësimit) në fushat ekonomike. Sot marrëdheniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës zhvillohen përmes 90 marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit ekonomik, social, kulturor dhe politik, por theksoj me bindje që ajo për dhënien në dispozicion të Portit të Shëngjinit, për Kosovën, do të jetë një nga më të rëndësishmet politikisht e me efiçencë të plotë ekonomike. Nga ana e investuesve dhe e qeverive kosovare, kjo ide ka gjetur përparësi dhe shumë sipërmarrës të rëndësishëm kosovarë janë shprehur të gatshëm për të financuar, mirëpo nga ana e qeverive tona është bërë shumë pak, për të mos thënë asgjë, në drejtim të realizimit të paktën të një studimi fizibiliteti për këtë urë të jashtëzakonshme bashkimi dhe bashkëpunimi mes të dyja vendeve tona. Ka ardhur koha që projekti i modernizimit dhe shndërrimit të Portit të Shëngjinit në një port tregtar për Kosovën të ketë përparësinë e dy qeverive tona, njëlloj si dhe projekti i hekurrudhës Kosovë-Shqipëri. Të dyja projektet do t’i jepnin një shtysë shumë konkrete dhe përmasa të gjera e të panjohura më parë bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes nesh. Pengesat burokratike dhe pagesa të kripura doganore e kanë lënë potencialin e rritjes me herë të marrëdhënieve ekonomike mes të dyja vendeve tona në thjesht potencial. Jemi në kohë dhe ligji i votuar pardje “Për ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet qeverise së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje-daljes së mallrave” e dëshmon mundësinë, që të shtojmë shumë më ndjeshëm tregtinë dhe investimet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Dua ta mbyll këtë shkrim me fjalët lapidare të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova në Tiranë në vitin 2004, kur u shpall Doktor Honoris Causa i Universitetit të Tiranës : “Duhet të punojmë së bashku dhe fort për integrime shqiptare, për mirëkuptim mbarëshqiptar e ndërnjerëzor”. Botuar në Gazeta Sot më 21 Mars 2022