Vazhdon papërgjegjshmëria qeveritare

Botuar në Gazeta Sot më 31.03.2022
Akti Normativ nr. 3 datë 12.03.2022, i cili miratoi ndryshimet e planit të Buxhetit të Shtetit 2022, sipas Ligjit nr.115 “Për Buxhetin e Vitit 2022” nuk e adreson situatën reale të vendit. Për më tepër, nuk jep garanci për të ardhmen, duke patur në konsideratë riskun e pakësimit drastik të nivelit të bazeneve të hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit. Nën zhurmen ë nje faktori tërësisht jashtë nesh, si lufta në Ukrainë, po tentohet të mbulohet kërcënimi i sigurisë energjitike të vendit dhe arësyeja e vërtetë e këtij kërcënimi: keqmenaxhimi i kaskadës.
Mbështetja buxhetore me aktin normativ vjen në një kohë kur garancitë shtetërore vazhdojnë të paraqesin një risk të shtuar në drejtim të administrimit të tyre dhe përballimit të situatës së rënduar financiare të kompanive shtetërore, dukuri kryesisht e shkaktuar nga keqmenaxhimi i sektorit energjetik. Garancitë sovrane të dhëna nga qeveria, në realitet janë një kolateral, garanci dytësore, që mund të përdoret nga sipërmarrjet shtetërore sha të mbytura me kredi, të cilat nuk mund të marrin kredi të tjera nga bankat private. Garancitë “sovrane” të sektit Rama nuk janë as rishikim, as ristrukturim dhe as shkurtim i buxhetit të Qeverisë, por rritje e borxhit publik.
Kompani publike si KESH dhe ERE ndodhen në kulm të keqmenaxhimit të tyre dhe përfaqësojnë gropa të zeza në Buxhetin e Shtetit. Vetëm për tremujorin e fundit të vitit 2021, Buxheti ka dalë garant për rreth 152 milionë Euro të marra hua nga kompanitë publike energjitike.
Në aktin normativ mungon një relacion nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në lidhje me argumentimin e uljes së fondit të pagave dhe përcaktimin nëse do të kemi të bëjmë me ulje pagash apo shkurtim të vendeve të punës. Cilido prej opsioneve nuk mund të cilësohet formë e përballimit të krizës, por masë e cila do të sjellë problematika edhe më të agravuara për familjet shqiptare, pasi qeveria e kalon plotësisht koston e ndërhyrjeve tek TVSH dhe taksat e tjera të konsumit, pra tek qytetari.
Skema juaj e propagandës mbështetet në deklarimin e panikut, siç bëtë më 3 korrik, kur nxorrët nga hiçi rrezikun energjitik, në vitin me prodhimin rekord të energjisë elektrike, duke dashur të mbulonit shitjet abuzive me çmim të ulët që bëtë në gjysmën e parë të vitit 2021, deri në qershor.
Në rast se do të kishit marrë masat e duhura, nuk do të ishim në këtë gjendje që jemi sot, pas vetëm gjashtë muajsh. Kaskada e Drinit ju nxjerr lakuriq!
Ç’do të bëni tani? Do të shkurtoni rrogat e patronazhistëve të famshëm, që ju dhatë kontrata të përkohshme pune tremujore dhe gjashtëmujore, dhe tani nuk ju duhen më?
Filozofia e punës suaj ka qenë dhe mbetet borxhi. Marrja frenetike e borxhit të ri, pa pyetur se borxhi publik i vendit, së bashku me detyrimet e prapambetura, detyrimet PPP dhe ato nga gjyqet ndërkombëtare, tashmë e ka arritur dhe madje kaluar prodhimin kombëtar prej 12.8 miliardë eurosh. Sikurse e kam theksuar në fjalën në Kuvend kur miratuat buxhetin e vitit 2022, “Jemi ndër vendet e Ballkanit që e kemi shtuar ndjeshëm borxhin publik gjatë pandemisë, me një ritëm ndër më të lartët, me 9.9% të PBB-së në vitet 2020-2021”
Më në fund po ulni shpenzimet buxhetore, çfarë jua kemi thënë ta bëni që në mars 2020, kur shpërtheu pandemia e në vijimësi, por kurrë nuk na dëgjuat. Veçse kjo ulje shpenzimesh, ndryshe nga si po e bëni ju, duhet të shkojë në zërat e nevojshëm, të shoqërohet me relacion dhe me një analizë të thellë efektesh që do të japin këto shkurtime në buxhet dhe në treguesit fiskalë.
I. Shkurtime mbi shpenzimet jo të domosdoshme administrative dhe të luksit
Ulja e shpenzimeve duhet të fillojë me:
• uljen e shpenzimeve administrative dhe ato të luksit të qeverisë,
• miremenaxhimin e garancive shtetërore, kryesisht në sektorin e energjisë, i cili prej vitesh është konstatuar me risk të lartë për rritjen e borxhit publik,
• transparencën e procedurave të prokurimit, duke shmangur procedurat e kufizuara dhe ato te negocimit pa shpallje paraprake te tenderit,
• shmangien e akteve normative për ndryshime plani në fund të vitit, si dhe
• uljen e shpenzimeve në PPP dhe koncesione.
Në një kohë kur familjet shqiptare që jetojnë me të ardhura poshtë kufirit të varfërisë(5 dollarë në ditë) dhe me të ardhura modeste sot përbëjnë dy të tretat e popullsisë dhe po bëjnë sakrifica ekstreme, për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave ushqimore bazë për jetesën, ju vazhdoni të mos hiqn dorë nga shpenzimet e tepërta operative, nga ato për udhëtime jashtë shtetit jo të domosdoshme dhe shpenzimet e luksit.
Jeni identifikuar në vijimësi si qeveri fasadash. Një emision i djeshëm i televizionit Top Channel foli për 640 milionë euro të hedhura në fasada dhe rifinitura të shesheve të qyteteve. Por çuditërisht një emisioni i “Top Channel” do të fliste për këtë megaskandal, por u bllokua! Arsyeja?! Besoj ndërhyrja e qeverisë!
Shembulli më i qartë i keqpërdorimit të parasë së taksapaguesve shqiptarë, në kundërshtim flagrant me tre E-të(efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet), vjen nga Vlora. Investimet në Vlorë, në tre sheshet kryesore, në atë të Flamurit, të Skelës dhe përpara bashkisë, kapin shifrën mbi 14 milionë euro për të trija projektet (përkatësisht 5.6 milionë euro, 4.8 milionë dhe 2.8 milionë euro), për punë të bëra dhjetë ose pesë vitë më parë. Pjesa tjetër janë vetëm rifinitura. Madje Sheshi i Flamurit po vidhet dhe shpërfytyrohet, pasi gjysma e tij po kthehet në terminal autobuzësh.
Shpenzimet jo esenciale për rifinitura në qendra qytetesh, shpenzime luksi për fasada dhe pajisje ndërtesash, apo rikonstruksione zyrash, etj., qëndrojnë në Buxhetin e Shtetit 2022, madje edhe pas këtij akt normativ, në nivele të larta të pajustifikuara dhe dëshmojnë vetëm papërgjegjshmërinë tuaj.
Duhet të rishikoni urgjentisht me shkurtim të ndjeshëm shpenzimet administrative jo-thelbësore, shpenzimet operative dhe të ndaloni po urgjentisht shpenzimet e luksit të shfrenuar, por këtë ju nuk po e bëni dhe nuk do ta bëni!
E keni kthyer vendin në parajsën e ligjeve të qepura me porosi. Nga dita në ditë po dalin fakte që Ligjin për Investimet Strategjike e keni vënë në duar të kompanive të dyshimta. Zgjatja e afatit të këtij ligji, në kombinim me Ligjin 2020, po ju nxjerr vazhdimisht zbuluar.
xx
II. Ulje ose zerim i TVSH për mallrat e shportës
Mbi ç’logjikë ekonomike pretendoni të përballoni krizen, duke rritur taksat dhe të ardhurat e Buxhetit mbi konsumin?!
Ekonomia jonë ka një varësi më të lartë se vendet e tjera nga të ardhurat e TVSH-së, duke qenë se as nuk aplikon përjashtime dhe reduktime të TVSH, veçanërisht për mallra të shportës apo konsumit të gjerë. Për rrjedhojë, barra bie e gjitha mbi konsumatorin.
Në nivel të TVSH-së, Shqipëria rezulton me një normë më të lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor. Në situatën që ndodhemi, e kemi të domosdoshme të fillojmë të aplikojmë ulje dhe përjashtime nga TVSH. Nëse çmimet rriten, nuk do të thotë të rriten edhe taksat! Akti normativ parashikon 7 miliardë lekë rritje të ardhurash nga TVSH, 4 miliardë lekë rritje nga akciza e me rradhë. Qeveria duhet të heqë dorë nga ky përfitim jo i drejtë dhe i ndershëm.
Duhet të shikojmë si po veprojnë vendet e tjera. Shumë shtete kanë ndërmarrë së fundmi masa për të ndryshuar normën e TVSH dhe për të përballuar efektet e krizës dhe inflacionit të pritshëm, si psh:

  • Polonia ka vendosur aplikimin e një norme të reduktuar TVSH prej 0 % për produkte bazë ushqimore. Këtë shembull e kanë ndjekur edhe Sllovakia dhe Rumania.
  • Maqedonia ka vendosur ulje të TVSH-së për produktet bazë nga 5 në 0%.
    Edhe ne duhet ta ulim ndjeshëm dhe madje edhe ta zerojmë TVSH për mallrat e shportës. 3 mijë lekëshi i paketës së mbështetjes sociale është vetëm një bukë në ditë!
    Ky buxhet duhet rishikuar i tëri! Duhet rishpërndarje për shtresat në nevojë. Por jemi i vetmi vend në Evropë dhe ndër të rrallët në botë, që nuk kemi minimum jetik zyrtar të llogaritur. Shumat që keni miratuar në Buxhetin 2022 për të ndihmuar të varfërit dhe shtresat në nevojë, janë shumë të ulëta dhe qesharake.
    xx
    III. Ulni pagesat buxhetore për PPP-të dhe koncesionet!
    Kur kemi diskutuar për buxhetin e vitit 2022 dhe për dekretin e Presidentit për kthimin në Kuvend të ligjit për Buxhetin, jam shprehur: ”E keni kthyer buxhetin 2022 tërësisht në shërbim të koncesioneve-PPP, duke ulur ndjeshëm kredibilitetin e Buxhetit të Shtetit dhe duke minuar tërësisht transparencën e tij. Merrni përsipër angazhime financiare në formën e projekteve të mëdha PPP, jo në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi dhe me angazhimet e disiplinën buxhetore të buxhetimit afatmesëm, në mungesë të strategjisë për investimet e huaja dhe ato publike, mungesë kjo e theksuar dhe nga Deklarata e misionit të FMN në tetor 2021”.
    Përgjatë vitit 2021, pagesat e Buxhetit për koncesionet dhe PPP-të, për të cilat përgjërohet sekti Rama, ishin në nivelin 119 milionë euro dhe në një nivel të lartë të ngjashëm prej 112 milionë euro janë parashikuar edhe për këtë vit. Edhe pse Buxheti pati shumë shpenzime shtesë për shkak të krizës energjitike, sidomos në fund të vitit 2021, këto pagesa nuk u rishikuan asnjëherë në ulje.
    Tani është koha më shumë se kurrë, që të rishikohen në ulje këto detyrime buxhetore. Jemi në kushtet e emergjencës nga çmimet e rritura me herë të lëndëve të para bujqësore, të ndërtimit, të karburantit dhe të energjisë elektrike. Qeveria duhet të mendojë të negociojë uljen e përkohshme të detyrimeve ndaj koncesioneve dhe PPP-ve për këtë vit, ashtu sikurse bëri për vitin 2020 në kulmin e pandemisë. Edhe tani kemi pandemi, atë të çmimeve!
    Por kjo duket mision i pamundur, pse sekti Rama e ka të gjatë, shumë të gjatë “love story”-n e tij me PPP-të dhe nuk shkeputet dot.
    xxx
    Me këtë akt normativ që po miratoni, duke mos rishikuar politikat fiskale në drejtim të uljes dhe zerimit të TVSH për mallrat e shportës, duke mos rishpërndarë buxhetin në dobi të shtresave në nevojë dhe në ndihmë sociale, duke mos ulur shpenzimet administrative jo të domosdoshme dhe zeruar shpenzimet e luksit, duke mos prekur në ulje pagesat ndaj koncesioneve dhe PPP-ve, po u tregoni shumë qartë shqiptarëve se Paketa e Rezistencës Sociale dhe ky Akt Normativ në shërbim të saj, nuk janë asgjë më tepër se një “Paketë e Rezistences Qeveritare ndaj Zemërimit Popullor”, të cilin nuk do ta ndalni dot as ju, as shërbëtorët tuaj në shoqërinë civile. Paketa juaj dhe ky akt normativ jo vetëm nuk po kontribuojnë në menaxhimin dhe kapërcimin e krizës ekonomike, në lehtësimin e barrës së shtresave në nevojë, por do të rëndojnë më tej qytetarët dhe bizneset dhe do të agravojnë problematikat e jashtëzakonshme të ekonomisë sonë në krizë të thellë.
    Bujar Leskaj