Çdo 28 nëntor Sheshi i Flamurit shndërrohet në kryeqendrën e aktiviteteve festive dhe zenitin e gëzimit dhe krenarisë sonë kombëtare.
Sa për parantezë: Fotoja që ne jemi mësuar të shikojmë, fotoja e Ismail Qemalit me anëtarët firmëtarë të Pavarësisë dhe anëtarët e kabinetit të tij qeveritar, nuk është e 28 nëntorit 1912, por e 28 nëntorit 1913 dhe, nga viti 1913 deri në vitin 2021, gjithmonë përvjetorët e pavarësisë janë kremtuar me solemnitet, respektin e veneracionin që kërkon ky eveniment. Në veçanti 10- vjetorët, duke filluar me 1922, 1932, etj, 1972, 2021. Sot rrezikojmë që 110- vjetorin e Pavarësisë ta celebrojmë me një goditje të madhe që vjen nga sekti Rama, goditje, që vjen pas shkatërrimit të Sheshit të Flamurit, heqjes së simboleve kombëtare, shtimit të simboleve të pakuptimta, një goditje, e cila do ta denatyrojë këtë shesh, do t’i heqë të gjithë kuptimin simboleve të tij. Këtë 28 nëntor, në 110- Vjetorin e Pavarësisë, sekti Rama, nëpërmjet të ashtuquajturit “projekt të rikualifikimit të Sheshit të Flamurit”, po denigron dhe shpërfytyron sheshin e krenarisë sonë kombëtare!Përgjysmon sipërfaqen e tij prej 37 mijë metra katror, duke e denatyruar, zvogëluar, deformuar dhe keqtrajtuar me ligësi e urrejtje të pashoqe. Ndërkohë që rijetëzimi duhet të kishte simbolet e Historisë e të Pavarësisë në fokus, dhe jo duke i hequr apo fshehur ato. Sheshi i Flamurit “u flet” shqiptarëve, jo vetëm me Monumentin e Pavarësisë, por edhe me Shtizën e Flamurit, edhe me Varrin Monumental të Ushtarit të Panjohur e Atit tonë të Kombit, edhe me 4 Topat! I gjithë ky ansambël historik sot po shkallmohet nga sekti Rama në qeverisje. Jemi në përjvetorin e 110-të të shpalljes së Pavarësisë dhe në vend që të përmbytemi nga krenaria, respekti e mirënjohja për Historinë tonë,po përballemi me një ndërhyrje të paimagjinueshme ndaj Sheshit të Flamurit, duke zhvendosur monumente të rëndësishme historike në favor të ndërtimit pranë tij të një qendre apo stacioni autobusash. Justifikimi i shesheve me konceptim “sovjetik” dhe që“u ka kaluar koha” nuk qëndron. Një komb pa Histori vdes! Me cilën logjikë historike bazohet prishja dhe shëmtimi i Sheshit të Flamurit? Mos të harrojmë, është sheshi i gjithë shqiptarëve, i Kosovës, Maqedonisë, i arbëresheve dhe arvanitasve, i vëllezërve e motrave tona emigrante dhe i fëmijëve të tyre. Me cilën logjikë urbanistike vendoset në qendër të qytetit, në sheshin e kombit, një terminal autobusësh?
Kush ka të drejtë të vërë dorë mbi Kujtesën tonë kombëtare, kush e ka tagrin ta bëjë atë?
Asnjë sekt në qeveri, askush që ka pushtet për ca vjet, nuk mund që të vërë dorë mbi Historinë e kaluar dhe atë të ardhme, mbi ndërgjegjen shpirtërore të shqiptarëve, mbi identitetin e Vlorës dhe Shqipërisë!
Përse duhet transparenca dhe duhet dëgjuar zëri i qytetarëve?
Unë nuk jam arkitekt, por:
-Projekti në fjalë shpërfytyron Sheshin e shenjtë të Flamurit. Territori që ky ndërtim ka zënë është pjesë e ansamblit, kuadratit, të Sheshit të Kombit, pra, të Vlorës historike.
-Projekti ne fjalë dëmton dhe pothuajse e nxjerr jashtë funksionit rrugën historike “Justin Godard” prej nga kaloi Ismail Qemali dhe erdhi Isa Boletini me kosovarët në Vlorë, ditën e Flamurit, duke e kthyer në një rrugë thjesht dyqanesh.
-Terminali i autobusëve, ose çfarëdo tjetër të jetë ajo godinë, (edhe Tempulli i Dodonës apo i Orakullit të Delfit, sikur të jetë),ka eklipsuar kodrën e Budakut, ose sic njihen nga vlonjatet dhe shqiptarët, Varrezat e Dëshmorëve.
-Në projektin e ri, Monumenti i Pavarësisë, i cili simbolizon gjithë tematikën e Sheshit të Flamurit duke përfshirë aty në mënyrë figurative historikun e Pavarësisë dhe personazhet që morën pjesë në themelimin e shtetit shqiptar, humbet funksionin dhe nuk është i dukshëm me sy të lirë nga ana e rrugës “Justin Godard” për shkak të hotelit; nga ana e Varrezave të Dëshmorëve për shkak të Terminalit të autobusëve. Ndërsa nga drejtimet e tjera Monumenti i Pavarësisë humbet për shkak të ndërtimeve asimetrike. (Në të gjitha vendet e botës, simbolet kombëtare janë impozante dhe mbizotërojnë, jo vetëm në përmasa e lartësi, por edhe në konceptim. Monumenti i Pavarësisë është shumë më i ulët se Hoteli dhe paksa më i lartë se Terminali! Normale? Absolutisht JO!)
-Monumenti i Pavarësisë, me ato shkallët rrethore duket se humbet funksionin që duhet të ketë ndaj pelegrinazhit historik. Përpara se të besoj piktorin, që vetëm piktor nuk u bë ndonjëherë, unë besoj Skulptorin e Popullit, Muntaz Dhrami, i cili shprehet se me projektin e ri ndryshon raporti i monumentit me spektatorin dhe: “Monumenti tani, duket sikur është bërë një skulpturë dekorative e ndonjë shtojzovalle, dhe nuk ka asnjë linjë që lidhet me monumentin e nuk krijohet ai emocioni i veçantë. Muri prej betoni nuk ka të bëjë fare me frymën e monumentit.
-Sheshi i Flamurit është përgjysmuar si hapësirë, duke bërë që me projektin e ri të ketë ndoshta vërtet bukuri dhe estetikë fasadash, por humbet çdo identitet.
-4 Topat, që ishin simbole të katër vilajeteve shqiptare dhe që qëndronin përballë monumentit duket sikur humbasin rëndësinë kudo që të vendosen, duke dhënë përshtypjen e një mosdëshire për bashkim kombëtar.
-Një tjeter cështje që ngre diskutim janë edhe shpenzimet për rikualifikimin e Sheshit te Flamurit. Nuk do të ishte më mirë që në vend të këtyre ndërhyrjeve dhe ngritjes së terminalit apo “tempullit (siç u pëlqen ta quajnë) të florinjtë” të ringrihej, siç ka ndodhur në shumë vende të botës, Shtëpia ku u shpall Pavarësia?
Kujtoni Prizrenin! Shtëpia ku u shpall Lidhja e Prizrenit u dogj dhe kosovarët e rindërtuan sic ishte, me të gjitha hollësitë, duke dëshmuar se respektojnë traditën, historinë, identitetin. Këtij sekti do t’i rëndojë në ndërgjegje jo vetëm prishja e Teatrit Kombëtar. Do t’i rëndojë edhe shfytyrimi që po i bëjnë Vlorës, goditja e simboleve dhe gjithçkaje që ato përfaqësojnë për Shqipërinë e shqiptarët! Ndërkohë që duhet të ngrinin një monument madhështor të Atit të Kombit në Tiranë, ky sekt fshehu në Skelë monumentin e Ismail Qemalit dhe ministrave të tij, poshtë pemësh dhe grumbujsh dheu. Zhdukën fare nga Skela monumentin e Isa Boletinit… Në qeverisje kemi një grup të vogël gllabëruesish. Që nëpërmjet projektesh antikombëtare, duan të zhbëjnë dhe tkurrin jo vetëm pasuritë, por edhe simbolet dhe thesaret e identitetit dhe krenarisë sonë kombëtare. Sekti Rama po shpërfytyron gjithçka në Shqipëri pa u konsultuar me komunitetin. Nuk duhet të lejojmë t’ia dalin. Dhe Projekti për Rikualifikimin e Sheshit të Flamurit është një projekt strategjik kombëtar. Përse sekti Rama nuk pyeti qytetarët vlonjatë për ndryshimet në Sheshin e Flamurit, për më tepër kur kjo qeveri mburret se po këshillohet me qytetarët? Përgjigjja është e qartë. Sekti Rama ishte i sigurtë se qytetarët e Vlorës nuk do të pranonin kurrë dhunimin që ky projekt po i bën Sheshit të tyre më të dashur, ndaj preferoi t’i vendoste qytetarët e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë përballë faktit të kryer. Por Vlora, ashtu si Shqipëria, sot zien “në heshtje”! Dhe është një heshtje, e cila shumë shpejt do të shpërthejë!
Bujar Leskaj