nga Bujar Leskaj
Konkurrenca është një fenomen bashkëshoqërues i ekonomisë së tregut dhe është përcaktuar nga eksperiencat e zhvilllimit si instrumenti më i mirë për të nxitur rritjen ekonomike. Vetëm në një mjedis konkurrues, mund të kemi rritje të produktivitetit. Ky efekt pengohet nga shtrembërimet dhe inefiçiencat, të cilat luftohen pikërisht nga zbatimi i ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.
Autoriteti i Konkurrencës është një institucion publik i pavaruar, i cili duhet të garantojë që loja midis operatorëve të tregut është e barabartë, prandaj quhet ndryshe edhe “watchdog” i konkurrencës së lirë dhe efektive ne treg.
Ky institucion është përgjegjës për zbatimin e plotë të Ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” , i ndryshuar, ligj i cili është shumë specifik, pasi bazohet në analizat e sjelljes së operatorëve të tregut bazuar në teorinë e lojës apo në teorinë e të burgosurit, kryesisht në rastet e marrëveshjeve të fshehta, apo siç quhen ndryshe të karteleve, zbulimi i të cilave kërkon besim dhe partneritet me komunitetin e biznesit.
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin(UNCTAD-the United Nations Conference on Trade and Development), në Raportin Peer Review të Raportin Peer Review të paraqitur disa vite më parë për vleresimin e ligjit, politikës dhe veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës, thekson se “është shumë e rekomandueshme për Autoritetin e Konkurrencës që të vazhdojë përpjekjet e tij për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rregullat e anti-kartelit dhe për natyrën e dëmshme të kartelit, sepse është shumë e rëndësishme për të forcuar efektivitetin e zbatimit kombëtar të masave anti-kartel. Në këtë kuadër, Autoriteti i Konkurrencës duhet të jetë akoma dhe më shumë aktiv në kryerjen e aktiviteteve me të tretët dhe ndërmarrjen e fushatave informuese të adresuara për biznesin, shoqatat e biznesit dhe studio ligjore që ofrojnë asistencë ligjore për bizneset. Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për politikën e anti-kartelit, së pari luan një rol parandalues ndaj karteleve, por në të njëjtën kohë lehtëson zbulimin e shtrembërimeve më serioze të konkurrencës.”
Institucioni i konkurrencës nuk mund të ndërtojë një partnership real me komunitetin e biznesit dhe të konsumatorit për të zbuluar praktikat antikonkurruese, pa zbatuar parimet bazë të etikës dhe të transparencës, si dhe duke vepruar realisht si një institucion i pavaruar në interes të publikut dhe taksapaguesve.
Shërbimi më i madh që mund t’u bëjë shteti dhe qeveria konsumatorëve është garantimi i konkurrencës së lirë dhe të ndershme në treg. Misioni emblemë i Autoritetit të Konkurrencës është pikërisht garantimi i konkurrencës së lirë dhe të ndershme.
Ky Autoritet, si dhe disa institucione të tjera ligjzbatuese, po dublohen me pa të drejtë nga veprimtaria e bordeve të caktimit të çmimeve për tregjet e karburanteve dhe të ushqimeve bazë, të krijuara përmes akteve normative të qeverisë. AK duhej të kishte këshilluar qeverinë dhe të theksonte me forcë në publik se kontrolli i drejtpërdrejtë i çmimeve, apo ndërhyrja në një masë drastike e qeverise në tregje, në formën që po aplikohet sot nëpërmjet bordeve, nuk është rruga e duhur. Por nuk ka patur ndoshta largpamësinë dhe kurajon profesionale për ta bërë.
Edhe për këtë arësye, jemi i vetmi vend në Ballkan, disa tregje të rëndësishme të të cilit po funksionojnë ende nëpërmjet vendim-marrjes me borde dhe çmimeve të fiksuara nga shteti.
Te ne ekzistojnë institucionet dhe instrumentet ligjore për të parandaluar sjelljet abuzive të firmave në treg, pa qenë nevoja për të arritur në fiksim të çmimeve nga shteti për një kohë kaq të
gjatë, sikurse po ndodh tani, edhe pse tregjet janë qetësuar dhe pasojat e panikut të rritjes së çmimeve nga lufta në Ukrainë janë larguar.
Vështirësitë e jashtëzakonshme të shkaktuara në treg nga rritja e paprecedentë e çmimeve jetike për popullatën, sikurse çmimet e mallrave kryesore dhe të pazëvendësueshme ushqimore, çmimi i energjisë elektrike për biznesin që furnizohet me tension të mesëm dhe çmimet e karburanteve, kërkonin një vëmendje maksimale dhe punë të thelluar të Autoritetit të Konkurrencës. Ai duhej të kishte analizuar me përgjegjësi dhe në detaje nivelin e lartë të pasigurisë për të nesërmen dhe mundësinë e abuzimit të operatorëve në treg me çmimet dhe cilësinë e produkteve të ofruara, të dy këta faktorë mbizotërues në tregjet tona pas agresionit të Putin në Ukrainë më 24 shkurt 2022.
AK duhej te ishte thelluar ne faktin qe, në kushtet e krizave, ka një nivel të lartë të korrupsionit, por edhe një prirje për përfitime të padrejta apo abuzuese të operatorëve të tregjeve. Nisur nga niveli i pasigurisë dhe i riskut, bizneset mund të provojnë dhe kanë provuar në realitet që të vendosin çmime më të larta, që të mundin të kenë një nivel të sigurtë të fitimit, por në thelb, kjo politikë bie në kundërshtim me parimet themelore të funksionimit të një tregu, sipas të cilit biznesi nuk ka jetëgjatësi, nëse nuk mendon për klientin apo blerësin e tij.
I. AK larg transparencës dhe pritshmërive të qytetarëve
Autoriteti i Konkurrencës mund të kishte zgjedhur praktikën e njoftimeve publike dhe paralajmërimeve publike ndaj operatorëve në treg, në raste të tilla të jashtëzakonshme, të ndjekura në raste të ngjashme nga shumë struktura simotra perëndimore.
Përvoja ka treguar se në kushtet e krizave të paprecedenta dhe keqfunksionimit të tregut, pra, në kushtet e pabarazisë para ligjit dhe sigurimit të fitimeve apo përfitimeve të padrejta nga evazioni, informaliteti apo ulja e qëllimshme e cilësisë së mallrave dhe shërbimeve në treg, biznesi nuk mendon për klientin apo blerësin, por mendon si ta ketë mirë me shtetin.
AK nuk arriti të plotësojë pritshmëritë e qytetarëve dhe të garantojë ndërveprimin e barabartë mes operatorëve të biznesit në tregun e importit, shitjes me shumicë dhe pakicë të ushqimeve të shportës, karburanteve dhe energjisë elektrike për biznesin e mesëm.
Hetimi i thelluar i ndërmarrë prej tij që në vitin 2015 për tregun e karburanteve nuk dha rezultat. Çdo vit, Autoriteti i Konkurrencës bën monitorime të vazhdueshme në tregun e karburanteve, por sërisht hetimi i fundit i tij në këtë treg u mbyll pa gjetur shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, sikurse çdo hetim tjetër, ndërsa hetimi i thelluar i vitit 2019 në tregun e miellit, përfundoi me një vendim kontradiktor dhe shumë të kontestuar të Komisionit të Konkurrencës, duke mos arritur të analizojë plotësisht të gjithë faktorët që sigurojnë funksionimin e tregut të importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë dhe pakicë të këtyre mallrave, sipas parimeve dhe rregullavë të konkurrëncës së lirë dhe të ndershme.
Për rrjedhojë, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të forcojë efektivitetin e zbatimit kombëtar të masave anti-kartel të ndërmarra prej tij, si dhe të sigurojë mjaftueshëm ndërgjegjësimin e komunitetit të biznesit dhe të publikut-konsumator për rregullat anti-kartel dhe për natyrën e dëmshme të kartelit.
AK nuk ka kontribuar mjaftueshëm dhe nuk ka arritur të krijojë, në rradhë të parë mes institucioneve ligjzbatuese të shtetit, por edhe në mesin e opinionit publik dhe të operatorëve në treg, mjedisin antibiotik karshi funksionimit të sipërmarrjeve përmes vendimeve okulte kartel për çmimet, në tregjet me situatë oligopol ose monopol.
II. AK larg partneritetit real me biznesin
Deri tani, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mundur të sigurojë një partneritet real me komunitetin e biznesit, të konsumatorit dhe të organizatave të shoqërisë civile, për të zbuluar praktikat antikonkurruese në tregjet e hetuara dhe në ato ende të pahetuara.
Duke mos e arritur këtë partneritet, AK nuk ka mundur të veprojë realisht si një institucion i pavaruar, në interes të publikut dhe taksapaguesve.
Opinioni publik, nëpërmjet raportimeve të shoqërisë civile dhe analizave në media, ka dyshime lidhur me pavarësinë e plotë të punës së Autoritetit të Konkurrencës. Ende institucioni nuk e ka bërë të ditur, por ekziston në opinionin publik të qytetarëve përshtypja se ky institution pëson në vijimësi ndërhyrje dhe influenca të papërshtatshme nga struktura shtetërore dhe politike. Do të ishte në të mirën absolute të pavarësisë së AK, që nësa ka patur ndërhyrje të tilla, ai t’i bëjë publike, për të dekurajuar çdo strukturë të Shtetit apo partiake, që të vijojnë këtë presion të papërshtatshëm.
Në vijim të propozimeve me vlerë të sjella nga deputetja Tabaku, Autoriteti duhet ta zgjerojë sferën e kontrolleve të tij, në mënyrë që të përfshijë natyrshëm (i) kontrollin e përputhshmërisë me parimet e konkurencës e të gjithë instrumenteve ligjore të përdorura për koncesionet dhe PPP-të, përfshirë marrëveshjet ndërqeveritare të lidhura me vendet e treta për zbatimin e projekteve të përbashkëta, si dhe (ii) analizën e thelluar të koncesioneve shtetërore që i kanë dhënë mundësi një kompanie të vetme private të realizojë pozicionin monopol në shfrytëzimin e një pasurie të vendit apo shërbimi publik të kaluar me PPP tek privati.
III. Domosdoshmëria për një analizë të vazhdueshme dhe të thelluar
Autoritetit të Konkurrencës deri tani i kanë munguar analizat e thelluara ekonomike në shpjegimin e sjelljes së operatorëve të tregut në tregje me tipare të theksuara të funksionimit si oligopol ose monopol. Institucioni duhet të analizojë me përgjegjësi dhe të evidentojë arësyet pse hetimi i tij i thelluar disavjeçar në tregun e shitjes me shumicë të hidrokarbureve, ka rezultuar pa asnjë masë konkrete.
Për këtë, i mjafton të marrë eksperiencën e Autoritetit të Konkurrencës në Kosovë, i formuar shumë më vonë se ai, i cili jo më larg se tre vite më parë, ka gjobitur 13 kompani të tregtimit me shumicë të karburanteve me gjoba disa miliona euro seicilës, për shkelje të rregullave të konkurrencës së lirë në treg.
Ende , Autoriteti i Konkurrencës nuk ka përfshirë si dhe sa duhet në monitorimet e tij teknikat dixhitale forensic të hetimit. Institucioni nuk ka qenë aktiv sa duhet në kryerjen e aktiviteteve me partnerë të rëndësishëm, si shoqatat e biznesit, donatorët, shoqëria civile dhe mediat, duke mos ndërmarrë fushata informuese dhe sensibilizuese të adresuara për biznesin, shoqatat e tij, konsumatorin dhe shoqatat e konsumatorët, si dhe studiot ligjore që ofrojnë asistencë ligjore për bizneset dhe konsumatorët.
Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka shtrirë ndikimin e tij me fushata informuese dhe sensibilizuese në mediat sociale, fushata këto që kushtojnë pak dhe kërkojnë vetëm angazhimin e institucionit për t’i kryer.
Propozim
Me qëllim realizimin e plotë të misionit monitorues dhe vlerësues të Kuvendit në kontrollin e performancës së institucioneve si Autoriteti i Konkurrencës, organet tatimore dhe doganore, i kam propozuar Kuvendit të Shqipërisë amendimin e Ligjit Nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe konkretisht ndryshimin e Nenit 30 “Ruajtja e konfidencialitetit dhe e sekreteve tregtare”, duke lejuar akses, të ngjashëm me atë të organeve gjyqësore, në të dhënat konfidenciale dhe të sekretit tregtar, në rastet e hetimit të thelluar të ndërmarrë nga një anëtar, një grup anëtarësh të Kuvendit, apo nga komisione të tij. Propozimi mund të përshtatet dhe duke e kufizuar me vetëm rastet e hetimit nga ana e komisioneve të Kuvendit.
Botuar në Gazeta Sot më dt. 13.05.2022