nga Bujar Leskaj
Pas vizitës së tij një-javore në Shqipëri në datat 12-19 maj 2022, në deklaratën përmbyllëse më 19 maj, Misioni i Fondit Monetar theksoi se “Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirë-orientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara, me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve. Për këtë arsye, përpjekjet për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale në vend duhet të vazhdojnë, duke përfshirë dhe zgjerimin e mbulimit të shtresës së varfër dhe në nevojë në sektorin informal”(Paragrafi i tretë i Deklaratës, https://www.imf.org/en/News/Articles/2022/05/19/pr22161-imf-staff-concludes-a-staff-visit-to-albania).
Kërkesa e FMN-së që të mbyllen bordet e transparencës përfaqëson një shuplakë të fortë ndaj qeverisjes me borde në tregje të caktuara jetësore për qytetarin dhe ekonominë, praktikë që nuk e zbaton asnjë vend në rajonin tonë dhe është e rrallë në kontinentin evropian e më tej.
Një muaj më parë, më datën 20 prill, kam kërkuar në Kuvend dhe në media mbylljen e menjëhershme të bordeve të transparencës në tregjet e ushqimeve bazë dhe të karburanteve, si struktura që (i) kufizojnë vendimarrjen e bizneseve nga faza e e prodhimit deri te faza e tregtimit; (ii) sjellin mungesë të theksuar likuiditeti, (iii) rritjen e borxheve të brendshme mes bizneseve, (iv) . përkeqësim të situatës financiare të tyre dhe (v) rëndim të zinxhirit të furnizimit, sidomos për mallrat bazë të shportës.
Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi zëvendësimin e Bordit të Transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, me struktura dhe programe mbështetje për të varfrit dhe shtresat e pambrojtura, duke kryer rishpërndarjen e të ardhurave buxhetore brenda vitit ushtrimor 2022.
I. A ka mundësi të kryejë rishpërndarjen e të ardhurave sekti Rama?
Po. Mundësitë janë të mëdha. Vetëm për periudhën janar-prill 2022, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve të produkteve të konsumit të gjerë, të ardhurat nga tatimet dhe doganat u rritën me 33.2 miliardë lekë, ose 277 milionë euro më shumë se periudha janar-prill 2021 (https://www.financa.gov.al/permbledhje-e-performances-paraprake-4-mujore-te-te-ardhurave-dhe-shpenzimeve-2/). Sipas raportit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat doganore u shtuan me 12.7 miliardë lekë ose 24% më shumë se 4 mujori i parë 2021. Të ardhurat nga TVSH në import për 4 mujorin janar-prill 2022 rezultojnë me 10.7 miliardë lekë ose 29.7 % më shumë se një vit më parë. Në shifra të konsiderueshme të larta vijon lista e të ardhurave të shtuara edhe nga vjelja e taksave të tjera, si akciza, renta minerare dhe taksat doganore.
Megjithatë, sekti Rama nuk bëzan dhe nuk lëviz. Që në gjenezë të tij 9 vite më parë, ai nuk ka qenë i gatshëm të përfillë asnjëherë orientimin për shëndoshjen e financave publike, të dhënë nga gjykimet profesionale të misioneve të shumta të Fondit Monetar Ndërkombëtar, këtij organizimi ndërkombëtar prestigjoz. Sekti nuk ka ndërmend të kryejë rishpërndarjen në ndihmë të të varfërve dhe shtresave në nevojë, sikurse e këshillon FMN, megjithë paketën jashtëzakonisht të vogël dhe të pamjaftueshme të ndihmës që dha në fillim të marsit 2022, që me të drejtë u quajt paketë e lëmoshës sociale.
Ja përse, si Banka Botërore dhe FMN e klasifikojnë ndihmën e dhënë nga qeveria e Shqipërisë gjatë pandemisë dhe krizës ndërkombëtare të çmimeve, të agravuar nga invazioni i Putin mbi
Ukrainën pas 24 shkurtit 2022, si më të ultën e të gjitha vendeve të Ballkanit JugPerëndimor, në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto të vendit, prodhimin kombëtar.
II. Pse nuk i ndihmon qytetarët në nevojë sekti Rama?
Sipas FMN, ekonomia e Shqipërisë po përballet me presionet që vijnë si pasojë e luftës në Ukrainë, përmes rritjes së menjëhershme të çmimeve dhe shtrëngimit të mëtejshëm të kushteve financiare globale.
FMN cilëson se sektori publik do të përballet me kosto më të larta të financimit të huaj për një kohë të gjatë. Ky është një nga mesazhet kryesore të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në përmbyllje të vizitës se misionit te tij në Shqipëri gjatë këtij muaji. Fondi theksoi se kursimi i të ardhurave të mundshme buxhetore të mbledhura mbi planin, si dhe konsolidimi i besueshëm nga kahu i të ardhurave në periudhën afatmesme, janë thelbësore për rikrijimin e hapësirave të nevojshme për politikën fiskale.
Mirëpo sekti Rama nuk dëshiron të ndihmojë njerëzit në nevojë në Shqipëri, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë. Ai ka “boll punë” me favorizimin e bizneseve kliente të tij dhe mbizotëruese në treg, me realizimin e investimeve publike që ndihmojnë infrastrukturën, komplekset e vilave dhe qendrat e mëdha tregtare të këtyre bizneseve, si dhe me vijimin pa kufizim të shpenzimeve të luksit dhe të fasadave të administratës publike.
III. FMN kërkon përparësi të reja të buxhetit për qytetarët dhe ekonominë
Në paragrafin e katërt të Deklaratës së 19 majit, FMN nënvizon se “Buxheti i vitit 2022 (i rishikuar në mars) ofron tashmë hapësirë të mjaftueshme për të mbështetur njerëzit dhe ekonominë. Prandaj, çdo e ardhur shtesë përtej asaj që është parashikuar aktualisht në buxhet, duhet të kursehet për të rindërtuar hapësirën për manovra politike. Kjo është kritike, pasi kostot e financimit të jashtëm janë rritur ndjeshëm dhe mund të jenë vazhdimisht më të larta. Prandaj, sektori publik duhet të përgatitet për të jetuar brenda kushteve të jashtme më të shtrënguara. Mbështetja shtesë e përkohshme, e synuar dhe e diskutuar më sipër, dhe çdo kosto potencialisht më e lartë e prokurimit ose e punës publike, duke pasur parasysh rritjen e çmimeve, duhet të përmbahet brenda zarfit ekzistues të shpenzimeve buxhetore përmes ri-prioritizimit… Rregullime graduale të tarifave janë të nevojshme dhe duhet të plotësohen me masa që mbështesin të varfërit dhe të pambrojturit”.
Asgjë nuk ka ndërmend të plotësojë sekti Rama në qeverisje! Ai nuk ka ndërmend të zëvendësojë bordet e transparencës, të cilat po prishin balancat e brishta të tregjeve aktuale, me ritmin e një elefanti në një dyqan qelqurinash, duke favorizuar bizneset kliente të Ramës, për të rritur ndikimin e tyre në treg, si dhe duke rrezikuar vërshimin e parasë informale.
IV. A ka dritë në fund të tunelit? Si ndihmohen qytetarët
Në kushtet e ekonomisë sonë me sistem financiar jo të zhvilluar, me sektorë ende në ristrukturim dhe me pamundësi të politikave subvencionuese, për shkak të qasjes shkatërruese të qeverisjes Rama me koncesionet dhe PPP-të, duhet të kërkojmë zgjidhje në vënien në funksion të plotë të institucioneve monitoruese dhe ligjzbatuese te rregullave te tregtise se lire ne tregjet tona, të cilat jane anashkaluar nga bordet dhe duhet te kene ndikimin e tyre të madh në një situatë si kjo që po kalojmë. Ndërkohë, pjesë plotësuese e zgjidhjes mund dhe duhet të jetë edhe një politikë tatimore nxitëse dhe lehtësuese, por me rezerva të mëdha në kushtet e informalitetit.
Këtë zgjidhje propozon edhe Deklarata e FMN-së, kur cilëson se “Një konsolidim fiskal afatmesëm i besueshëm dhe i bazuar në të ardhurat është tani edhe më vendimtar për të rindërtuar amortizatoret e politikës fiskale, te cilet janë dobësuar në masë të madhe. Borxhi publik dhe, veçanërisht, kërkesa për financim bruto duhet të ulet, ndërkohë që ekonomia vazhdon të shënojë rritje të mirë.(Po aty, paragrafi i gjashtë, https://www.imf.org/en/News/Articles/2022/05/19/pr22161-imf-staff-concludes-a-staff-visit-to-albania ).
Po pse është i paaftë sekti Rama të realizojë këshillën e FMN-së për një konsolidim fiskal afatmesëm, të besueshëm dhe të bazuar në të ardhurat? Sepse, edhe pse ka një shtim të ardhurash për katërmujorin prej 277 milionë eurosh, ai e ka gërryer kaq shumë bazën e taksapaguesve me përjashtimet nga taksat, duke ushtruar diktatin e ekonomisë së votës, saqë e ka të pamundur të rikthejë një sistem të drejtë dhe të moralshëm taksimi. Në të kundërt, me miratimin e ndryshimeve në ligjin “Tatimi mbi te Ardhurat” më 1 qershor 2022 dhe me targetimin e profesioneve te lira, qytetarët si profesionistë të pavarur dhe klientët e tyre mund të lundrojnë në sfida të rrezikshme për të ardhmen e tyre.
Sistemi i ri do të shkaktojë pasiguri dhe kaos në strukturat e bineseve. Mungesa e përgjegjshmërise për tatimpaguesit do të përkthehet në humbje të mëtejshme të besimit te sistemi dhe tek ndjeshmëria e qeverisë në trajtimin e barabartë të tatimpaguesve, në zbatimin e taksave neutrale dhe të një sistemi që bazohet tek drejtësia tatimore.
Kjo nismë do të forcojë kapacitetet e korrupsionit dhe hapësirat për kryerjen e tij, pse profesionistët e lirë do të përballen me tre alternativa: (i) të punojnë sa të munden si informalë, (ii) të largohen si emigrantë ose (iii) të rregjistrohen si biznese të tjera, duke paguar nën dorë për “shërbimin”. Targetimi i profesioneve të lira ka ndikim negativ të drejtpërdrejtë ndaj pjesës më vitale të sektorit te shërbimeve, duke ndikuar edhe në tkurrje të 12-14 përqind të ekonomisë për bizneset e vogla dhe duke lënë hapësira për t’u shfrytëzuar nga bizneset e mëdha.
Kjo politikë fiskale është në shkelje të Kushtetutës duke bërë diferencim dhe diskrimin përpara ligjit të një kategorie të caktuar të qytetarëve, duke favorizuar një profesion dhe sektor dhe duke trajtuar ndryshe një profesion dhe sektor tjetër.Së fundi por jo pak më e rëndësishme, taksimi i profesioneve të lira prish parimet e sistemit fiskal dhe është në kundërshtim me taksimin e ndershëm, që kush fiton më shumë paguan më shumë, pasi në fakt kjo politikë e gabuar fiskale do të krijojë edhe më shumë shmangie të tjera dhe evazion fiskal.
Artikull i botuar në Gazeta Sot, datë 23 Maj 2022