Presidenti burrështetas Bujar Nishani

Nuk ka asnjë dyshim që Presidentit Bujar Nishani i shkon shumë për shtat shprehja e Presidentit të përjetshëm dhe Babait të mëvetësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova “Për mirëkuptim ndërshqiptar dhe ndërnjerëzor”. Në çdo moment të jetës dhe veprimtarisë së tij politike dhe shtetërore, Presidenti Nishani aspironte të shihte si Shqipërinë dhe Kosovën, si dy shtete aleate permanente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të dedikuara në rrugën e integrimit të shpejtë në Bashkimin Evropian.
Në shumë dimensione, gjykoj se Presidenti Nishani ngjante me Presidenti Ibrahim Rugova. Njëlloj si ai, Nishani ishte Presidenti i të gjithëve. Në vlerat e integritetit të tij si burrështetas, ai identifikohej me interesat e qytetarit dhe të brezit më progresiv, liridashës dhe demokratik të shteteve tona.
Njëlloj si ai, Presidenti Nishani ndante dashurinë e pakusht për identitetin dhe krenarinë kombëtare, për njeriun dhe qytetarin shqiptar. Njëlloj si ai, Nishani punonte me ngulm dhe rrezatonte urtësi, dedikim dhe qëndresë në mbrojtjen e idealeve të veta. Njëlloj si Presidenti Rugova, Presidenti Nishani punoi me përkushtim deri në çastet e fundit, për demokratizimin e jetës së shqiptarëve. Përfaqësonte Presidentin punëtor, që asnjëherë nuk e lodhi puna. Në mënyrë të ngjashme me Rugovën, Nishani ka qenë gjithmonë zëri i arësyes, duke kontribuar në uljen e tensioneve dhe toneve dhe në gjetjen e zgjidhjeve të drejta dhe të shpejta.
Ndonëse përfaqësonte Presidentin më të ri në moshë gjatë periudhës së pluralizmit politik dhe demokracisë në Shqipëri, Bujar Nishani shkëlqeu me maturinë dhe diturinë e tij, thjeshtësinë dhe qetësinë në momentet e tensioneve më të mëdha që kalonte vendi për kohën, duke kryer me devotshmëri përgjegjësitë publike të institucionit dhe duke përcjellë mesazhe të rëndësishme bashkimi dhe tolerance për kombin dhe qytetarët.
Presidenti më i ri ngriti në piedestal interesat e vendit për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është aresyeja pse Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken cilësoi në mesazhin e tij të ngushëllimit se “Kontributet e Presidentit Nishani në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe partneritetin tonë të qëndrueshëm lënë pas një trashëgimi jetëgjatë”. Ky kontribut filloi që me detyrën e tij si Përgjegjës i Zyrës për NATO-n në Ministrinë e Mbrojtjes, në vitin 1994. Gjatë ushtrimit të detyrës si President, Nishani është vlerësuar në vijimësi nga figura botërore si Papa Françesku, kryeministra evropianë dhe personalitete të SHBA-ve.
Vlerat e tij si burrështetas shpalosen qartë gjatë gjithë aktivitetit të tij shtetëror, duke filluar nga detyra si pedagog në Shkollën e Bashkuar Ushtarake, ku u shqua jo vetëm për përgatitjen profesionale, por edhe për komunikimin transparent dhe shpirtin demokratik e liridashës. Presidenti Nishani që në vitin 1990 iu bashkua Lëvizjes Demokratike të Studentëve të Dhjetorit dhe Partisë Demokratike.
Ai ishte ministri më i ndershëm dhe më i mirë i Kryeministrit Berisha në vitet 2005-2012, duke u shndërruar më vonë në Presidentin më të mirë të 30 viteve tranzicion. Në detyrat e Ministrit të Brendshëm dhe më vonë në atë të Ministrit të Drejtësisë, të cilat i kreu me përkushtim, pastërti, ndershmëri dhe pjekuri të pashoqe, ai u evidentua jo vetëm një shërbestar i devotshëm i shtetit dhe qytetareve, por dhe ministri i Brendshëm dhe ministri i Drejtësisë i papërfolur kurrë.
Ai diti t’i bashkonte shqiptarët në vlerat më të dashura të tyre: atdhedashurinë, respektin për njeri-tjetrin, për kulturën dhe traditat, në përqëndrimin tek puna e përbashkët për progres dhe zhvillim shoqëror dhe ekonomik.
Bujar Nishani personifikonte shembullin e familjarit model, qytetarit të përgjegjshëm, shtetarit të ndershëm dhe atdhetar, politikanit të urtë e të matur, modest e punëtor, të përgjegjshëm e largpamës në emër të demokracisë e prosperitetit, që e përfaqësoi Shqipërinë dhe kombin tonë në mënyrën më dinjitoze. Ai do të kujtohet me nderim e respekt përgjithmonë, për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, si deputet e ministër, dhe pastaj, në kulmin e merituar të karrierës së tij, si President i dashur i të gjithë shqiptarëve.
Tek zoti Nishani ngërthehej natyrshëm ndjenja e lartë e detyrës me kuptimin e thellë të përparësive që kishte në një moment të dhënë zhvillimi politik dhe shoqëror i vendit, trajtimi i barabartë, qytetar dhe plot respekt i kolegëve, partnerëve por edhe kundërshtarëve politikë, me atdhedashurinë dhe integritetin ekzemplar që e kërkonte përgjegjësia e postit që mbulonte.
Ai punoi për shtetin dhe kombin shqiptar me fuqitë e njeriut të drejtë dhe korrekt, i cili çdo herë vendos përpara detyrën, nderin dhe Atdheun. Me vetëdije të lartë kombëtare, u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, ku dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj, si dhe rezervoi ndihmën dhe vlerësimet më të larta për personalitetet e saj politike dhe shoqërore, gjatë gjithë 5-vjeçarit të kryerjes së detyrës si Kryetar i Shtetit. Në lobimin e tij të parreshtur për Kosovën, Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, duke e përkrahur shtetin dhe autoritetet kosovare në të gjitha daljen publike e ndërkombëtare të tij, pranë çdo organizmi ndërkombëtar dhe në çdo event të rëndësishëm kombëtar e ndërkombetar, duke punuar për bashkimin kombëtar deri në frymën e fundit.
Personalisht e kam çmuar veçanërisht zotin Nishani, bashkëpunimin, ndihmën e këshillat e vyera të tij, sidomos gjatë viteve kur Ai ishte President dhe unë kryetar i KLSH, bashkëpunim, i cili u shndërrua më pas në një miqësi të ngushtë. Ai përfaqësonte ndër dinjitarët e paktë të shtetit që kishte një kuptim të plotë mbi misionin, rolin dhe rëndësinë, duke e mbështetur fuqimisht komunitetin e audituesve më të lartë publikë të KLSH.
Presidenti Nishani përkrahu dhe nxiti partnerët e huaj strategjikë dhe që e ndihmuan shumë Kontrollin e Lartë të Shtetit, gjatë viteve 2012-2016, në rrugën e tij të reformimit dhe modernizimit si institucion i auditimit më të lartë publik të vendit, të tillë si Presidenti i Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë dhe më vonë Eurodeputet i Parlamentit Evropian, Igor Sholtes, Presidentët e Zyrës së Auditimit të Polonise(NIK), z. Jacek Jezierski dhe z. Krzysztof Kwiatkowski, ZvPresidenti i NIK z. Wojciech Kutyla, Presidenti i Gjykatës Europiane të Audituesve (ECA) Dr. Vitor Caldeira, Presidenti i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë Ivan Klesiç, Presidenti i Gjykatës së Llogarive të Turqisë, Dr. Recai Akyel, Këshilltari i Lartë pranë Drejtorit të DG-Budget të Komisionit Evropian, Robert Gielisse, Këshilltari i Lartë pranë SIGMA Joop Vrojlik, etj. Vlerësimi dhe inkurajimi i tyre nga Presidenti Nishani përbënin një shtysë të rëndësishme për gjenerimin e projekteve të reja për reformimin e institucionit të KLSH.
Presidenti Nishani ishte mik i vërtetë i Vlorës, i kulturës, vlerave dhe traditave të kryeqendrës së Jugut, veçanërisht i zones së Lumit të Vlorës, duke nderuar figura të shquara intelektuale, patriotike e historike të Labërisë, si bir i saj për nga origjina. Ai ka dhënë vlerësimet dhe nderimet më të larta shtetërore personaliteteve vlonjate të Shpalljes se Pavarësisë në vitin 2012, të Luftës së Vlorës së vitit 1920, si dhe të trashëgimisë kulturore e të këngës labe, dhe po ashtu edhe krahina të veçanta me tradita si Kanina e Drashovica. Zotin Nishani do ta kujtoj si një personalitet me vlera të rralla, si burrë shteti me integritet, vizion dhe konseguent, si mik të mençur e të urtë.
Sa ishte President, ai ishte i të gjithë shqiptarëve dhe në vitet 1990-2002, vitet 2002-2012 dhe 2017-2022, ai mbeti mik i të gjithë demokratëve, larg klaneve apo grupimeve karakteristike për partitë tona politike.
Me largimin e tij të parakohshëm, familja e Tij ka humbur njeriun e dashur, bashkëshortin besnik dhe babain e përkushtuar, miqtë humbën mikun e vyer e fisnik, Shqipëria dhe Kosova kanë humbur një burrështetas dinjitoz dhe të rrallë, një qytetar me vlera, një shërbestar të vërtetë, të paqtë e të ndershëm.
Partia Demokratike ka humbur njërën prej figurave të saj më të rëndësishme, një politikan të matur e të përkushtuar, i cili edhe në muajin e fundit të jetës së tij u përpoq ndershmërisht e pa hezitim, për më të mirën e PD dhe demokracisë.
Pa Presidentin Nishani, Shqipëria, Partia Demokratike dhe të gjithë ne jemi sot më pak të barazpeshuar dhe më të varfër! Qofsh i paharruar, Mik i dashur dhe i shtrenjtë!
Presidenti shërbestar i Shqipërisë do të deklaronte në përfundimin e mandatit të tij presidencial se “Është një nder i madh për mua që i vlejta popullit tim. Ju faleminderit që më dhatë rastin t’ju shërbej. Thjesht i shërbeva vendit tim. Atij vendi si e thotë aq bukur Lasgushi i madh:”Ku më pat lindur nderi i Zotit dhe bëra punën e njeriut. Ju faliminderit!”.