Më 19 maj 2022, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën përmbyllese të misionit të tij në Shqipëri, cilësoi se “Ne përsërisim këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme tatimore, duke pasur parasysh shqetësimet për ndikimin e saj në pajtueshmërinë me detyrimet tatimore, si dhe rreziqet e pastrimit të parave dhe qeverisjes”.
Në këtë deklaratë, FMN i rekomandon administratës tatimore që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ajo kërkon që të vëndosen përpara përgjegjësisë personat që kanë të ardhura të konsiderueshme, por shmangin pagesën e taksave dhe nuk justifikojnë pasurinë.
Në 5 prioritet kyçe që Fondi i ka lënë qeverisë në mbyllje të vizitës në Shqipëri, është reduktimi i informalitetit në sektorin e ndërtimit, reduktimin e cash-it, taksimi i pasurisë, lufta ndaj informalitetit në tregun e punës dhe forcimi i kapaciteteve të administratës fiskale.
Më 4 korrik 2022, në deklaratën në takimin e 13-të të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet midis BE-së dhe Shqipërisë, Komisioni Evropian shprehu “…shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnistinë fiskale. Kjo amnisti do të dobësojë kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar perputhshmerine e ardhshme tatimore me ligjet. Për më tepër, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e amnistisë dhe u kërkohet të importojnë para për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për anëtarët e BE-së. shtetet dhe partnerët e tjerë dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin.”(https://www.eeas.europa.eu/delegations/albania/13th-subcommittee-meeting-trade-industry-customs-and-taxation-between-eu-and_en?s=214).
I. Pse FMN dhe BE janë kundër
Afërsisht dy vite më parë, në qershor 2020, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, në një dokument pune të tijin, parashtronte nëndë çështje të rëndësishme të konstatuara prej tij, gjatë vlerësimit të projektligjit për “Amnistinë Fiskale dhe Penale për subjektet e deklarimit vullnetar të pasurisë”, të cilin sekti në qeverisje kishte synim ta miratonte që në qershor 2020. Në këtë dokument, BE konstatonte:
1 Riatdhesimi i aseteve duhet të bëhet nëpërmjet transfertave bankare ndërkombëtare në vend, që të nënkuptohet se paratë mund të lëvizin fizikisht. Nëse të ardhurat janë jashtë vendit, transferimi i tyre mbi një kufi të caktuar duhet të deklarohet në zyrën doganore në kufi. Ekziston rreziku që projektligji të krijojë një “dritare mundësie” për evazionin fiskal dhe pastrimin e parave të huaja.
2 Projektligji rrezikon të sigurojë mosndëshkim të panevojshëm për subjektet që posedojnë pasuri të paligjshme.
3 Asnjë konsultim adekuat me palët e interesit nuk u zhvillua përpara se sa drafti të dorëzohej në Kuvend. Urgjenca e qeverisë nuk duket të jetë e justifikuar. Draftit i mungon një vlerësim i nevojshëm i aseteve të pritshme që do të formalizohen dhe të ardhurat e pritshme që do të gjenerohen.
4 Objekti i amnistisë shkon përtej asaj të legjislacionit të ngjashëm të zbatuar në vende të tjera. Qeveria duhet të synojë vetëm evazionin fiskal të kryer nga personat që mund të jenë në Shqipëri, dhe jo evazionin e emigranteve ne shtetet anetare te BE-se dhe ne shtetet e tjera.
5 Një amnisti e tillë tatimore do të ishte shumë e vështirë për t’u zbatuar, pasi përkufizimi i aktiveve përfshin elementë të tillë si pasuri të paluajtshme në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, para të gatshme në monedhë kombëtare ose të huaj, monedhë dixhitale, sende me vlerë prej ari ose gurësh të çmuar. Është e vështirë të garantohet se a) ato nuk vijnë nga veprimtari kriminale; b) deklarohen nga pronari i tyre aktual (përfitues) dhe c) rezulton nga të ardhurat që nuk i përkasin një periudhe tatimore që ose është ende subjekt i deklarimit tatimor ose subjekt i një kontrolli tatimor të njoftuar tashmë.
6 Shqipëria së pari duhet të ndërtojë një administratë fiskale profesionale, e cila do të bllokonte mundësitë për pastrim parash dhe korrupsion.
7 Për të qenë e besueshme dhe për të shmangur konkurrencën e pandershme nga ata që deri më tani kanë mbajtur pasurinë e tyre jashtë sistemit, amnistia fiskale duhet të kombinohet me rritjen e kontrollit dhe sanksioneve ndaj tatimpaguesve që nuk respektojnë detyrimet.
8 Për Bankat dhe Moneyval është e paqartë se si do të zbatohet Ligji Kundër Pastrimit të Parave në kuadër të kësaj amnistie.
9 Është i paqartë funksionimi i Njësisë Speciale që do të zbatojë ligjin.
Ende deri sot, qeveria nuk ka trajtuar në detaje dhe nuk ka dhënë asnjë përgjigje për çështjet e ngritura nga Bashkimi Evropian, lidhur me amnistinë fiskale.
II. Amnistia fiskale legalizon paratë e korrupsionit dhe paratë e pasuritë kriminale
Megjithë këshillën e vyer të FMN-së në maj të këtij viti dhe vërejtjet konstruktive të Delegacionit Evropian dhe të Bankës Botërore dy vite më parë, sekti Rama vendosi t’i shkojë deri në fund dëshirës së papërmbajtur të tij për të legalizuar paratë e korrupsionit të politikanëve dhe ministrave e ish-ministrave të qeverisë, si dhe paratë dhe pasurite e vëna në rrugë kriminale.
Projektligji i kaluar për diskutim publik ka në themel legalizimin e deklarimeve vullnetare të individëve, pa pyetur për origjinën, në vlerën deri në 2 milionë euro, kundrejt një tatimi 7-10%.
Lind pyetja, përse qeveria vendos një tavan 2 milionë euro për t’u amnistuar? Cilat para dhe kapitale ka parasysh brenda këtij tavani? Asnjë qytetar shqiptar që ka punuar në mënyrë të ndershme, në emigracion ose brenda vendit, nuk mund të gjenerojë kaq shumë të ardhura. Kush është ai biznes i rregullt ose që punon pjesërisht në ekonominë gri, i aftë të grumbullojë deri në 2 milionë euro, duke i mbajtur të fshehura këto para apo kapitale? Këto janë para të ekonomisë kriminale, që tentojnë të futen në kanalet bankare, nëpërmjet ligjit më të diskutueshëm mbi faljen masive fiskale në historinë e vendit tonë.
Për biznesin e konsoliduar dhe serioz shqiptar, projektligji i tanishëm i Amnistisë Fiskale është amoral, për shkak se targeton linja dhe individë që ushtrojnë aktivitete amorale. Amnistia do të ishte e pranueshme, nëse do të fillonte nga gjobat dhe kamatëvonesat e biznesit, të krijuara nga pamundësia për të deklaruar në kohë gjatë viteve të krizës, tërmetit dhe pandemisë. Për shkak se kjo amnisti nuk e çliron regjistrin pasiv të bizneseve, ajo nuk është e pranueshme për aktivitetet e moralshme.
III. Modeli i propozuar i amnistisë nuk e ndihmon ekonominë, por e shkatërron atë
Ky model amnistie, i pangjashëm me asnjë model të mëparshëm të aplikuar në vendet e rajonit apo në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, nuk përbën një rrugë të gjenerimit të fondeve të ekonomisë gri dhe të paformalizuar të vendit, por ndihmon ekonominë dhe pasuritë e vëna nga korrupsioni, dhe jo paratë dhe pasuritë e emigrantëve, të cilët i përdor si fasadë.
Shoqëritë e kriminalizuara janë ato ku të rinjtë duan vetëm të largohen, sapo gjejnë një mundësi. Nisma e sotme e amnistisë fiskale do të ketë një përdorim tjetër fundor: pastrimin e parave të korrupsionit në nivelet e larta të politikës shqiptare. Kjo nuk është rruga e progresit ekonomik të vendit, as e kapërcimit të gjendjes së vështirë nga rritja e çmimeve dhe lufta në Ukrainë. Çdo ide apo projekt, i cili kërkon legalizimin e pasurisë dhe parasë, pa përjashtuar qartë dhe me forcë pasurinë dhe paranë kriminale, përbën një hap të rëndë prapa në zhvillimin normal të shoqërisë dhe ekonomisë së një vendi. Është një qasje krejtësisht e pabazuar në eksperiencat e shoqërive të zhvilluara.
Shoqëritë që nuk e kanë luftuar krimin dhe korrupsionin janë shkatërruar prej tyre. Ato janë shoqëri ku askush nuk ka arsye për të investuar apo për të prodhuar, për t’u arsimuar apo për të sjellë risitë e teknologjisë së informacionit dhe të inteligjencës artificiale.
Edhe pse projektligji është paraqitur si një nismë për të formalizuar pasuri, ai krijon një autostradë për legalzimin e parasë dhe pasurive kriminale dhe shuan mundësinë për të ndjekur paratë e krijuara nga aktivitete dhe burime të ndryshme në brendësi të vendit.
Duke mënjanuar nevojën për të deklaruar burimin e pasurisë, me këtë projektligj, i cili shumë shpejt(në më pak se një muaj) do të kthehet në ligj, politikanë dhe funksionarë të lartë të administratës publike sot kanë një rrugë tejet të thjeshtë dhe ligjore për të formalizuar pasuritë e tyre, nëpërmjet kontakteve përtej familjes së ngushtë. Asnjë nen i projektligjit nuk garanton se këto lehtësi nuk mund të përdoren nga personat në fjalë. E kundërta është më e mundshme: ligji është menduar dhe qëndisur pikërisht për këtë arsye.
IV. Kjo amnisti fiskale do të sjellë një stuhi të ekonomisë informale
Një ligj i tillë, nëse do miratohej, do të krijonte efekte shkatërrimtare. Ligji do të zhdukte përfundimisht çdo lloj iluzioni se shoqëria shqiptare mund të kthehet në një ekonomi moderne, e bazuar në konkurrencën e barabartë, ku vlerësohet puna dhe sipërmarrja, e ku fëmijët rriten që në moshë të hershme, me modele suksesi të shëndosha.
Me këtë ligj, ekonomia shqiptare rrezikon fort të krijojë një varësi kronike ndaj parave të pista. Mjafton të shikosh ekonomitë dhe shoqëritë e vendeve nga Kolumbia në Afganistan, ku modelet e pastrimit të parave janë të shumta.
Kjo amnisti e propozuar, në modelin se si është përgatitur, nuk i ndihmon realisht emigrantët dhe paratë e tyre të padeklaruara. Masa e madhe e emigrantëve të rregullt do të kenë pak, ose aspak arsye dhe pasuri për të deklaruar, pasi në shumicë dërrmuese janë qytetarë që nuk i përkasin shtresës së pasur, por edhe nëse kanë fonde të lira, ato i kanë investuar ose po i investojnë tashmë në një shumëllojshmëri alternativash investuese në botë, që janë shumë më fitimprurëse, fleksible dhe të besueshme, nga alternativat në Shqipëri.
Amnistia nuk parashikon dhe nuk vendos mekanizma nxitës që të orientojnë fondet apo pasurite e legalizuara drejt investimeve produktive private në ekonomi, apo në sektorë që kanë nevojë të mbështeten me investime nga sipërmarrësit shqiptare. Eshtë domethënës fakti që ndryshe nga sa ndodh me amnistitë fiskale në vendet e BE dhe më gjerë në botë, këtë amnisti e kanë kundërshtuar të gjitha shoqatat dhe grupimet e konsoliduara e serioze të biznesit shqiptar dhe të huaj në Shqipëri.
Dhoma Shqiptaro-Amerikane e Tregtisë, sipas një deklarate të shpërndarë prej saj dy ditë më parë, u shpreh se “rreziqet e projektligjit të ri i tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij”, duke rekomanduar tërheqjen nga kjo nismë.
Amnistia do të ketë efekte të shumta negative mbi sipërmarrjet private, duke sjellë konkurrencë të pandershme, pasi individë me aktivitete të shkuara të paligjshme, do të favorizohen nga nisma, duke shmangur pasojat e sistemit gjyqësor, duke investuar fonde nëpërmjet kanaleve jo të ligjshme në ekonominë formale, si dhe duke paguar një normë tatimore më të ulët (5-10 përqind), në krahasim me sipërmarrjet e përfshira në aktivitete të ligjshme, të cilat përballojnë një normë tatimore totale prej 32 përqind.
Nisma rrezikon të sjellë pasoja dhe në raportin e vendit kundrejt institucioneve ndërkombëtare. Pozicioni i Shqipërisë në programet e monitorimit ndërkombëtar mbi parandalimin dhe pastrimin e parave do të përkeqësohet. Duke qenë se vendi ynë ndodhet në listën gri të pastrimit dhe parandalimit të parave nga Moneyval, zbatimi i amnistisë së sektit Rama në këto momente do të sjellë një stuhi të ekonomisë informale. Miratimi i këtij projektligji do të rrezikonte pozitën zyrtare të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke rrezikuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Botuar në Gazeta Sot më dt 15 Korrik 2022