Ligj që do të zhdukë historinë dhe traditën e gjuetisë në Shqipëri

Sot Kuvendi do të diskutojë në seancë plenare dhe me gjasa, do të miratojë me kartonin e maxhorancës, projektligjin “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë” edhe për pesë vite të tjera.
Në shtatë vitet 2015-2021 të ndalimit të gjuetisë, fauna e egër u shfrytëzua egërsisht nga gjuetarët kontrabandistë dhe ka pësuar dëme të mëdha dhe, në disa raste, të parekuperueshme për disa specie, duke u trajtuar si mall pa zot.
Moratoriume të gjuetisë që të zgjasin për 12 vjet janë çudira që vetëm në realitetin tonë ndodhin. Nuk ka asnjë rast në shtetet e rajonit apo në shtetet e tjera të Evropës dhe madje është vështirë të gjesh rast të ngjashëm në botë.
Gjatë viteve 2015-2021, nuk u krye asnjë census i shpendëve dhe kafshëve të egra. Nuk u përcaktua asnjë fond i dedikuar nga Buxheti i Shtetit, për rikthimin e specieve që mungojnë totalisht, apo që janë të rrezikuara, si p.sh. fazani dhe thëllëza e fushës, derri i egër, kaprolli, dhia e egër apo shpendë si shapka e madhe e ujit. Ekspertët dhe studjuesit flasin edhe për një rënie të ndjeshme të popullatës së thëllëzës së malit gjatë këtyre shtatë viteve të moratoriumit, shpend ky është objekt i një gjuetie pa kriter nga kontrabandistët. Mundet dikush nga institucionet qendrore dhe vendore zbatuese dhe monitoruese të memorandumit, t’i përgjigjet pyetjes se përse gjatë vitit 2020, importi i fishekëve të gjuetisë arriti nivele rekord?
Zgjatja e moratoriumit dëshmon paaftësinë e administratës sonë publike dhe e institucioneve përgjegjëse të saj, për të kryer detyrën. Ajo rrezikon të zhdukë historinë dhe traditën e gjuetisë në Shqipëri. Janë mbi 15 mijë gjuetarë të rregjistruar tek ne dhe ata do të vijojnë të trajtohen me këtë ligj të ri si të paligjshëm, kurse do të vijojë të gjejë parajsën abuzive gjuetari kontrabandist, i favorizuar dhe nxitur nga segmentet e pushtetit të sektit Rama.
Sipas ekspertit Themi Perri i Federatës Kombëtare Shqiptare për Gjueti dhe Konservim, një strukturë serioze dhe e mirëorganizuar, përfaqësuese e interesave të komunitetit të gjuetarëve të rregjistruar të Shqipërisë, dëmi ekonomik i konstatuar nga shtatë vite moratorium shkon mbi 60 milionë euro, në të ardhura të munguara të Buxhetit të Shtetit nga pagesat e rregjistrimeve të lejeve të gjuetisë dhe nga ndihma për familjet nga gjuetarët, të cilët përpara moratoriumit, ndihmonin ekonomikisht edhe familjet e tyre. Këto para të munguara në Buxhetin e Shtetit dhe në atë të familjeve tona po shkojnë në vendet e rajonit, nëpërmjet gjuetisë kontrabandë, ku fitimi i kontrabandistëve shkon deri në 40 milionë euro në këto shtatë vite moratorium. Sipas Federatës, shuma e hunbur në nivel të ekonomisë sonë rrezikon të dyfishohet, nëse ndalimi ligjërohet edhe për pesë vitet e tjera.
Në shtator 2020, Federata Kombëtare Shqiptare për Gjueti dhe Konservim ka dorëzuar në Kuvend 20 mijë e 200 firma, duke kërkuar që të kalojë për shqyrtim projektligji “Për Gjuetinë”, i cili është një model i përmirësuar i ligjit të mëparshëm të gjuetisë, të abroguar nga moratoriumi. Projektligji “Për Gjuetinë” është hartuar me ekspertizë të Shoqatës Europiane të Gjuetisë, por po has në indiferencën totale të sektit në pushtet, edhe pse është arritur dhe kapërcyer pragu për t’u marrë në konsideratë, si nismë nga qytetarët.
Ligji i ri për gjuetinë do të jepte mundësinë reale të asistimit dhe trajnimit të punonjësve përkatës nëpër bashki, për monitorimin dhe inventarizimin e faunës së egër. Ligji do të ndihmonte në realizimin e programeve dhe projekteve të rigjallërimit dhe shtimit të faunës së egër, nëpërmjet
bashkëpunimit dhe projekteve të përbashkëta me shoqatat evropiane të ruajtjes së mjedisit dhe faunës, me financime nga Bashkimi Evropian.

Fjala e mbajtur në Seancën Plenare në Kuvendin e Shqipërisë më dt. 21.07.2022