Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE na takojnë të gjithëve!

Më 12 qershor 2006, 16 vite më parë, Shqipëria firmoste Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit(MSA). Në periudhën 2006-Në sajë edhe të punës dhe kontributit të Partisë Demokratike gjatë viteve 2006-2012, procesi i integrimit kishte ecur mirë dhe negociatat për anëtarësim mund dhe duhej të ishin hapur që në vitin 2013, 9 vite më parë, kur edhe Bashkimi Evropian ishte gati për ta ndërmarrë atë hap. Në shkurt 2013, Komisioneri i atëhershëm Evropian për Zgjerimin, Stefan Füle, i bëri thirrje opozitës të miratojë tri ligjet e integrimit, si kushtin themelor që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Në vitin 2013, drejtuesi i opozitës së atëhershme, Edi Rama, kryetari i sektit që po ravijëzohej dhe uzurpoi PS dhe pastaj drejtimin e te gjithe vendit, bëri gjithçka për të penguar integrimin dhe për të mos votuar 3 ligjet e paketës së 12 prioriteteve të BE-së, me pretekstin e kryetarit të Qarkut të Fierit! (Vërtet, e mban mend njeri emrin dhe veprat e këtij kryetari qarku?!…).
Puna fillon tani
Më 19 korrik 2022 u çelën zyrtarisht negociatat, pasi 27 vendet anëtare të BE-së votuan unanimisht pro për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ishte një ditë e mirë për të gjithë ne, për Shqipërinë, për realizimin e ëndrrës evropiane të shqiptarëve. Kjo ditë e mirë u prish nga megalomania e Ramës, që nuk ftoi asnjë përfaqësues nga opozita në Konferencën Ndërqeveritare dhe, në adresimin e tij në Bruksel, gjeti momentin të kritikojë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian është institucioni garant i progresit të një vendi që i hapet drita jeshile e bisedimeve për anëtarësim. Ekspertët e tij kanë një eksperiencë të madhe negociatash, të akumuluar në vite përmes qindra e mijëra raundeve të bisedimeve për anëtarësim të dhjetra vendeve që tani janë Shtete Anëtare të BE-së. Komisioni garanton monitorim të rreptë dhe nga shumë afër, të ecurisë së progresit. Gjithëpërfshirja duhet të jetë deviza jonë në procesin e integrimit. Aty ku Acquis(legjislacioni komunitar) do të ketë implementim më të gjerë, opozita, institucionet e pavarura dhe shoqëria civile duhen ftuar në tavolinë. Qeveria nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në pronare e procesit. Nuk funksionon kështu në BE. Acquis, korpusi legjislativ i Bashkimit Evropian përmban 135 mijë faqe. Rreth 70 % e Acquis do të implementohet në nivel vendor. Kërkohet përfshirje më e lartë e institucioneve të pavarura dhe e pushtetit vendor. Ky proces integrues do të jetë tejet i gjatë, sfidues dhe i komplikuar.
Kritizeri i sëmurë i BE-së në Ballkan
Rama nuk e do monitorimin e rrepte dhe t’i tregojnë çfarë duhet bërë për ta merituar anëtarësimin. Ai kërkon ta lënë të lirë të veprojë si të dojë. Prandaj është bërë kritizeri i sëmurë i BE-së në Ballkan. E ka rrëmbyer flamurin e kritizerit, me një synim të qartë, ta lënë të qetë ta qeverisë Shqipërinë si një sulltanat. Por kjo nuk do të ndodhë kurrë. Opozita nuk duhet të provokohet dhe kompleksohet nga qëndrimet e Ramës, por të shikojë të zbatojë detyrat e saj në procesin e integrimit.
Natyra e negociatave
Procesi do të jetë shumë i vështirë dhe rruga përpara nesh do të jetë e tatëpjetë. Për të qenë anëtar i Bashkimit Evropian, duhet që vendet kandidatë të përafrojnë legjislacionet e tyre përkatëse me atë të BE-së, i njohur ndryshe si “acquis comunitaire”. Ky acquis përbëhet nga 35 kapituj apo fusha të ndryshme të cilat përfshijnë politikat monetare, transportin, energjinë, politikat sociale, mjedisin, etj. Ajo që mbetet e rëndësishme për tu theksuar është se secili prej këtyre kapitujve negociohet me vete duke marrë në konsideratë ecurinë dhe progresin e arritur në reformat e ndërmarra. Acquis comunitaire nënkupton bazën ligjore të Bashkimit Evropian, e cila është në ndryshim të vazhdueshëm. Ajo përfshin parimet dhe objektivat politike të traktateve; legjislacionin e përshtatur në zbatim të tyre si dhe jurisprudencën e Gjykatës së drejtësisë; deklaratat dhe rezolutat e miratuara në kuadrin e Bashkimit Evropian; aktet e ndryshme të miratuara në fushën e drejtësisë, të çështjeve të brendshme, të politikës së jashtme dhe të sigurisë; marrëveshjet ndërkombëtare të Komunitetit si dhe marrëveshjet e lidhura midis vetë vendeve anëtare në fushat e veprimtarisë së BE-së. Pranimi i «acquis» nga vendet anëtare është parakusht për aderimin e tyre në BE. Kjo gjë nënkupton përshtatjen e legjislacioneve kombëtare me normat e BE-së dhe zbatimin e tyre që në momentin e aderimit. Secili kapitull diskutohet më vete dhe në bazë të situatës ose ecurisë, mund të përcaktohen kritere/standarde të matshme për hapjen dhe mbylljen e secilit kapitull. Këshilli i Evropës dhe vendi qe i jane çelur negociatat analizojnë ligjet kombëtare dhe ato të BE-së, për të përcaktuar dallimet mes të dyjave. Këshilli më pas përcakton hapjen e bisedimeve për ‚kapitujt? e ligjeve, për të cilat mendon se ka një bazë të përbashkët e të mjaftueshme për bisedime. Kështu, bisedimet janë mundësia që vendet qe u jane çelur bisedimet për anëtarësim kanë për të bindur BE-në se administrata e vendit të tyre është e afte dhe e gatshme të zbatojë ligjin Evropian. Kapitulli quhet i mbyllur kur të dy palët kanë rënë dakord se ai është zbatuar mjaftueshëm. Bisedimet për anëtarësim mbahen në Konferenca Ndërqeveritare Dypalëshe midis shteteve anëtare të BE-së, që përfaqësohen nga ministri apo ambasadori në BE i shtetit anëtar që ka Presidencën e BE-së dhe vendit që i janë çelur negociatat, i cili përfaqësohet nga ministri përgjegjës për çështjet e BE-së ose kryenegociatori. Takimet mbahen së paku dy herë çdo gjashtë muaj. Për secilin prej kapitujve, përcaktohen qëndrime të përbashkëta diskutimi. Kur bisedimet dhe reformat shoqëruese kanë përfunduar në mënyrë të kënaqshme për të dy palët, Shqipëria mund t’i bashkohet BE-së. Pas mbylljes së bisedimeve për të gjithë kapitujt, rezultatet e bisedimeve vendosen në një traktat anëtarësimi. Sipas rastit, sistemi i masave kalimtare u jep mundësi diskutimeve të mbyllen, edhe nëse nuk është realizuar tërësisht harmonizimi i Acquis.
Elementet e negociatave
Bisedimet për çdo kapitull bazohen në elementet e mëposhtme: Shqyrtimi (në anglisht, “Screening”. Komisioni Evropian, së bashku me vendin që i janë çelur negociatat, kryen një kontroll të hollësishëm të politikave të çdo kapitulli, për të përcaktuar përgatitjen e vendit. Shqyrtimi për çdo kapitull mbahet në dy faza. Faza shpjeguese është faza ku vendi që i janë çelur negociatat mëson rreth kërkesave që duhet të plotësojë. Komisioni Evropian e paraqet “Acquis”, bazuar në një listë aktesh ligjore. Takimet shpjeguese mund të zgjasin nga 1 deri në 9 ditë pune për kapitujt më voluminozë, të tilla si bujqësia apo mjedisi. Shqyrtimi dypalësh është faza ku vendi që i janë çelur negociatat testohet për nivelin e të kuptuarit dhe gatishmërinë e administratës së tij për të plotësuar detyrimet. Vendi shpreh qëndrimin e vet, nëse e pranon ose jo acquis dhe nëse do të mund ta zbatojë atë menjëherë apo në një të ardhme. Ekspertë nga ministritë e linjës, si dhe anëtarët e grupeve të punës paraqesin nivelin e harmonizimit të legjislacionit vendas me Acquis. Gjatë prezantimeve mund të identifikohen probleme të mundshme për zbatimin e Acquis ose Komisioni Evropian mund të kërkojë informacion shtesë në formë të shkruar. Takimet mbahen në Bruksel. Në rastin e Kroacisë, shqyrtimi për të gjithë kapitujt zgjati 1 vit. Gjetjet për çdo kapitull, Komisioni Evropian ia paraqet shteteve anëtare për miratim në formën e një raporti shqyrtimi. Ato përmbajnë rekomandime nëse bisedimet mund të hapen direkt, (procedura e shkurtër) apo do të duhet të plotësohen më parë disa kushte (procedura e dytë). Standardet për hapjen dhe mbylljen e kapitullit, zakonisht i referohen kuadrit ligjor apo strategjik të nevojshëm për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit, ndërsa standardet për mbylljen e një kapitulli i referohen nivelit të zbatimit të legjislacionit të përafruar.
Negociatat na takojnë të gjithëve
Pas konfirmimit nga ana e Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare që standardet e hapjes janë plotësuar, Presidenca e BE-së i dërgon letër shtetit që i janë çelur negociatat, që të paraqesë pozicionin e vet negociues për kapitullin përkatës. I njëjti parim zbatohet edhe kur janë vendosur standarde për hapjen dhe mbylljen e kapitullit, si dhe kur nuk ka standarde shtesë. Përpara fillimit të bisedimeve, vendi që i janë çelur negociatat duhet të paraqesë pozicionin e tij negociues dhe BE duhet të miratojë një qëndrim të përbashkët mbi të. Për përgatitjen e një drafti final të një pozicioni negociues, kërkohet angazhimi i të gjithë ekspertizës dhe burimeve të mundshme; marrja në konsideratë e të gjitha komenteve dhe sugjerimeve për të dhënë një pasqyrë të plotë të të gjitha çështjeve kryesore me interes kombëtar, dhe se si harmonizimi në këtë kapitull do të reflektojë në politikën kombëtare. Kërkohen konsultime jozyrtare me Komisionin Evropian, sidomos nëse standardet për hapjen janë përmbushur. Pozicionet negociuese janë një proces delikat, si në aspektin procedurial, ashtu dhe atë substancial/thelbësor. Ato përgatiten bashkërisht nga anëtarët e grupeve të punës, duke synuar përfshirjen e gjerë të ekspertizës nga administrata publike apo shoqëria civile, përpara se të miratohen përfundimisht nga Qeveria. Pas miratimit të versionit final nga Qeveria, pozicioni negociues i dërgohet Presidencës së Këshillit të BE-së, nëpërmjet Misionit në Bruksel të vendit që i janë çelur negociatat. Ritmi i bisedimeve varet nga shpejtësia e reformave dhe harmonizimit me ligjet e BE-së, prandaj dhe kohëzgjatja e bisedimeve ndryshon dhe nuk ka garanci se kur do të mbyllen. Ja përse bisedimet e anëtarësimit na takojnë të gjithëve dhe në to duhet të përfshihen aktivisht opozita dhe ekspertët e saj, si dhe shoqëria civile dhe ekspertët e saj. Është hapur vërtet një kapitull i ri dhe jemi të gjithë përpara sprovave të mëdha. Opozita dhe Partia Demokratike duhet dhe do ta bëjnë punën dhe pjesën që u takon atyre, për të shkuar dinjitozë e me kokën lart në BE, jo me propagandë boshe, jo me fasada, si ato që propagandon, ngre e ndërton çdo ditë sekti në pushtet. Integrimi na takon të gjithëve si qytetarë. Ai nuk mund dhe nuk do të ngelet peng i kapriçove të Liderit Global.

Botuar ne Gazeta Sot me dt. 23.07.2022