Keqmeneaxhim qeveritar me vetëdije në 9 vite

Gjatë këtyre nëntë viteve të një sundimi okult dhe anti-demokratik, sekti Rama në qeverisje, me vetëdije të plotë dhe pa asnjë vrarje ndërgjegje apo ngurrim, prodhoi dekalogun e KËQIJAVE ndaj shqiptareve, si më poshtë:

  1. Kanabizimi masiv të vendit. Sipas Raportit të vitit 2022 për tregun e drogës në vendet e BE-së, të Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë nga Droga, ”Shqipëria për disa vite ka qenë një prodhues kryesor i kanabisit bimor të destinuar për tregun europian”. Revista prestigjoze “The Economist”(Ekonomisti) e konsideron Shqipërinë vend origjine për trafikun e kanabisit si dhe thekson se trafiku kryhet me skafe dhe kamionë. “Shqipëria është një qendër e madhe e tregut të drogës në Evropë. Vendi ka qenë prej kohësh një bazë nga e cila bandat kriminale kontrabandonin çdo gjë, nga cigaret te heroina, kokaina, kanabisi dhe substancave të tjera të paligjshme në pjesën tjetër të Evropës, sipas Qendrës Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga. Gjithnjë e më shumë, Shqipëria është bërë gjithashtu një prodhues i madh i kanabisit në natyrë, që është shpërndarë me ndihmën e një rrjeti kompleks të grupeve të organizuara të krimit shqiptar”, shkruan “The Economist”.
  2. PPP-të. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Shqipëri, kontratat koncesionare të tipit partneritet publik-privat(PPP), jo vetëm kapin mbi 50 përqind të prodhimit kombëtar, shifra më e lartë në krahasim me GDP-në në të gjithë Evropën, por janë të përgatitura pa konsideruar raportin kosto-përfitime. Ato, në shumicën e tyre, përmbajnë risqe, të cilat i përballon ose të gjitha, ose pjesën më të madhe Buxheti i Shtetit. Në deklaratën për mediat të Misionit të Fondit Monetar, theksohet se rritja e shpejtë e stokut të Partneriteteve Publike Private (PPP) në 50 përqind të PBB-së në vitin 2021, nga 33 për qind në vitin 2018, kërkon dyfishimin e përpjekjeve për të forcuar menaxhimin e investimeve publike. FMN cilësoi se sfidat kryesore përfshijnë mungesën e transparencës mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve, përfshirë këtu kur PPP-të përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme. Fondi rekomandoi bashkërendim të proceseve për projektet e financuara nga buxheti dhe PPP-të. “Shqipëria do të përfitojë shumë nga përpjekjet e bashkërenduara, për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë risqet fiskale në rritje. Mungesa e të dhënave të sakta mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore”, përfundon deklaratën Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sekti Rama, në vijimësi gjatë këtyre nëntë viteve, ka anashkaluar dhe injoruar vërejtjet dhe rekomandimet e FMN-së, Bankës Botërore dhe të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë. Raporti i “Transparency International” dhe Institutit Shqiptar për Demokraci e Ndërmjetësim, me titull “Dekonstruktimi i kapjes së Shtetit në Shqipëri”, cilëson se “Korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të nxitet nga privatizimi i shërbimeve publike, në dëm të interesave të buxhetit të shtetit, duke hipotekuar pagesat e taksave të qytetarëve shqiptarë për një periudhë të ardhshme deri 13-vjeçare, nëpërmjet koncesioneve të formës së partneriteteve publik-privat(PPP)”.
  3. Ligje të qepura me dorë. Sipas organizatës prestigjoze Transparency International dhe Departamentit Amerikan të Shtetit që e ka cituar në raportet e tij, Shqipëria “shkëlqen” në ligje të përgatitura mbi bazën eskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar. Mjafton të përmendim Ligjin për Teatrin Kombëtar, masakrën e tokave sipas Ligjit 2020, si dhe abuzimet masive me Ligjin e Investitorit Strategjik. Sipas studimit të “Transparency International” dhe Institutit Shqiptar për Demokraci e Ndërmjetësim(IDM), me titull “Dekonstruktimi i kapjes së Shtetit në Shqipëri”, “Kapja e shtetit është rritur në dekadën e fundit. Vitet e fundit kanë dëshmuar një forcim të bashkëpunimit midis politikës, biznesit dhe krimit të organizuar, që ka arritur kulmin e tij gjatë viteve të fundit. Kontratat qeveritare për biznese të zgjedhura dhe të lidhura me funksionarë të spikatur publikë kanë çuar në keqadministrim të pasurive publike, humbje të jetës dhe rritje të borxheve financiare që i rëndojnë taksapaguesit shqiptar”. Organizata “Transparency International” dhe IDM përmendin nëntë ligje të qepura me porosi, ndër të cilat theksojmë: (i)Ligjin për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar; (ii) Vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shfuqizon nenin 62 të Ligjit për Mediat Audiovizive; (iii) Amendamentet e vitit 2015 në Ligjin për Koncesionet dhe Partneritetet Publiko-Private (PPP); (iv) Ligjin Nr. 52/2019 për miratimin e Kontratës PPP për Autostradën Milot– Balldren; (v) Ligjin Nr. 107/2017 datë 30 Nëntor 2017 për ndryshimin e Ligjin Nr. 92/2014 për TVSH-në në Republikën e Shqipërisë — Pragu i TVSH-së, etj..
  4. Dorëzimi i interesave kombëtare, duke rrënuar perspektivën e konkurrueshmërisë së ekonomisë kombëtare, me pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur” të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Edhe pse duket si një nismë ekonomike, “Open Balkans” nuk eshte iniciative e paster ekonomike, por ka një karakter te qarte politik.Kosova nuk mund të jetë pjesë e nismës dhe të ulet në të njëjtën tryezë me Serbinë, për sa kohë pozitat nuk janë të barabarta. Kjo nuk mund të ndodhë, për sa kohë Serbia nuk e njeh Kosovën dhe nuk kërkon falje për krimet gjate genocidit te Millosheviçit ne Kosove. Nisma ka nje problem madhor me produktet shqiptare, për shkak të shkëmbimeve me Serbinë dhe tarifave zero. Kjo po ndodh me qumështin dhe shume shpejt do te ndodhe dhe me produktet tona te tjera. “Ballkani i Hapur” nuk mund të funksionojë dhe është i dështuar plotësisht edhe në aspektin ekonomik. Një nga deklaratat e Ramës ishte se si Serbia po na ndihmon për grurin. Po. Si Hrushovi dikur në kohën e Enver Hoxhës!
  5. Dorëzimi i detit tek grekët, me një rënie dakord me qeverinë e vendit fqinj, për ta adresuar çështjen në një gjykatë ndërkombëtare, duke dobësuar dukshëm pozitën kombëtare në përcaktimin e ujrave të Shqipërisë sipas rregullave të mirëpërcaktuara të vijës bregdetare. Hapja nga BE e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë më 19 korrik 2022 është një hap pozitiv në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, por euforia, që ndezi për nevoja propagandistike sekti Rama nuk duhet të pengojë t’i thuhen opinioni publik shqiptar të vërtetat siç janë. Në Kornizën Negociuese të pranimit të Shqipërisë në BE, është vendosur kushti që Shqipëria duhet t’i japë Greqisë marrëveshjen e detit siç e kërkon Athina. Në kapitullin “Parimet udhëheqëse të negociatave” të Kornizës Negociuese të BE-s për pranimin e Shqipërisë , në faqen 11, në pikën 5, në nenin 3, thuhet tekstualisht: “Angazhimi i Shqipërisë për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kufitare sipas parimit të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve në përputhje me Kartën e OKB dhe Konventën e OKB mbi Ligjin e Detit, përfshirë nëse është e nevojshme juridiksionin e detyrueshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”. Pavarësisht se nuk përmendet emri “Greqi”, është më tepër se e qartë që është fjala për marrëveshjen e detit, të cilën Greqia po kërkon t’ia imponojë Shqipërisë me çdo kusht. Shqipëria zyrtarisht nuk ka mosmarrëveshje kufitare me asnjë shtet kufitar me të. Rivendikimi i vetëm është ai i Greqisë. Kjo përbën dorëzim të mirëfilltë të detit tek grekët.
  6. Dyfishimi i borxhit publik. Në nëntë vjet 2013-2022, borxhi publik i Shqipërisë(si ai zyrtar, dhe borxhi i fshehur i detyrimeve PPP, vendime të Arbitrazhit Ndërkombëtar dhe detyrimeve të pashlyera të TVSH, etj.) ka kërcyer nga 68% në mbi 105%, në raport më Prodhimin Kombëtar! Në stokun aktual të borxhit, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë nuk llogarit Detyrimet Kontingjente për Koncesionet-PPP, të cilat deri në fund të vitit 2021 llogariteshin në 197 miliardë lekë ose rreth 1.7 miliardë euro, si dhe detyrimet e prapambetura, të cilat sipas raportit të zbatimit të buxhetit të Shtetit për vitin 2021, llogariten në rreth 780 milionë euro. Stoku i borxhit në vitin 2013 ishte 6 miliardë e 313 milionë euro. Stoku i borxhit në vitin 2020 ishte 9 miliardë e 899 milionë euro.Stoku i borxhit në shtator 2021 ishte 10 miliardë e 549 milionë euro. Nga viti 2013 deri ne shtator 2021 kemi nje rritje prej 67 përqind të borxhit publik. Në rast se shtojmë deri në korrik 2022, edhe borxhet e fshehura si detyrimet e papaguara TVSH, etj., borxhi shkon në12 miliardë Euro. Nëse shtojmë edhe detyrimet e papasqyruara në bilancin e Buxhetit të Shtetit, të koncesioneve të formës PPP me 1,7 miliardë Euro, si dhe vendimet e Arbitrazhit Ndërkombëtar kundër Shqipërisë në shumën 446 milionë euro, atëhere borxhi arrin në 14.1 miliardë euro, ose 105 përqind e Prodhimit Kombëtare! Ky është borxhi ynë skandaloz publik në gusht 2022, minë me sahat e përherhme e financave tona publike, i BARABARTË ME PRODHIMIN KOMBËTAR!
  7. Shpërdorimet galopante në investimet publike. Të gjitha të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe nga ajo e Infrastrukturës flasin për kosto të rritura me herë për ndërtimin e një km rrugë. Ato kanë një diferencë të lartë në rrugët e ndërtuara me para nga Buxheti i Shtetit, në krahasim me financimet dhe hua të buta nga donatorët. Kosto mesatare e 1 km rrugë është trefishuar në nëntë vitet e fundit!
  8. Politika e fasadave. Shpenzime në nivele mbi 650 milionë euro në vit, jo sipas 3 E-ve(Efektivitet, Efiçiencë dhe Ekonomicitet) dhe parimeve të OECD/SIGMA të administrimit të përgjegjshëm të financave publike, si dhe dëm ekonomik mbi 200 milionë euro.
  9. Politika që inkurajuan “hemorragjinë” masive të qytetarëve nga Shqipëria. Në nëntë vitet e fundit janë larguar rreth 600 mijë vetë, ose sikur të boshatiseshin qarku i Fierit, Vlorës dhe Kukësit bashkë! 345 mijë të larguar janë të rinj të gupmoshave 19-27 vjeç. Sipas EuroBarometrit, 74.8 përqind e grupmoshave 19-27 vjeç duan të emigrojnë, ose gati tetë në dhjetë të rinj, duke mos parë asnjë mundësi për të realizuar aspiratat e tyre në atdhe.
  10. “Gropat e zeza” financiare në naftë dhe në energjitikë. Politikë qeveritare që lejoi dhe nxiti abuzimet masive me koncesionet në naftën shqiptare dhe me blerjet dhe shitjet skandaloze të energjisë elektrike nga KESH.
    Mund të shtojmë dhe TË KËQIJA të tjera. P.sh.:
  11. Instalimi i antikulturës së papërgjegjshmërisë. Asnjë nga zyrtarët e lartë të sektit Rama, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion nga institucionet e pavarura të vendit, nuk është larguar nga detyra. Në të kundërt, disa janë promovuar. Sekti ka bërë të shurdhëtin dhe ka refuzuar e injoruar për shtatë vite rrjesht 2014-2020, propozimin e përvitshëm të një institucioni kushtetues, për përgatitjen dhe miratimin e Ligjit për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik.
  12. Konsiderimi i opozitës si armike. Fjalori denigrues, sulmet verbale dhe tentativat për blerje të përfaqësuesve të opozitës janë kthyer në dukuri të përhershme e të zakonshme të sektit në qeverisje, të motivuar dhe duke dhënë shembullin personal në këto sulme, nga vetë Lideri Global.
  13. Goditja ndaj mediave. Nuk mjaftojnë vetëm insinuatat dhe sulmet verbale të mediave pranë qeverisë. Sa herë mediat e pavarura të vendit sulmojnë dhe denoncojnë aferat qeveritare, nga organet tatimore dhe doganore nisin kontrollet selektive dhe gjobat ndaj kompanive që i financojnë këto media.
  14. Inkurajimi i grupeve kriminale dhe pastaj “të hanë kokat”. Përdorimi i elementëve me të kaluar kriminale dhe i grupeve kriminale gjatë fushatave zgjedhore është tashmë një dukuri e zakonshme gjatë nëntë viteve të fundit, e denoncuar dhe nga raportet e OSBE/ODHIR.
  15. Uzurpimi i të gjitha institucioneve të pavarura dhe (keq)përdorimi i tyre. Rasti i fundit flagrant ishte ai i përdorimit të Autoritetit të Dosjeve në sulmin e paprecedent dhe të turpshëm ndaj ish-Presidentit të Republikës Ilir Meta.
  16. Shkatërrimi i bujqësisë. Realizimi i politikave fiskale inkoherente dhe bllokuese të prodhimit të brendshëm. U zerua rimbursimi i TVSH 6 përqind në blerje për fermerët dhe u vu një taksë e re 10 përqind TVSH për lëndët e para. Pragu i rimbursimit të TVSH për investimet kapitale në bujqësi (blerje makinerish, linjash prodhimi, etj.) u dhjetëfishua! Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2022 ishte më i ulët se ai i vitit 2021, ndërsa mungojnë për këtë vit investimet për kanalet vaditëse dhe kulluese nga fondet e Buxhetit të Shtetit.
  17. Mungesë e thekshme e mbrojtjes së shtresave të varfëra. Rimbursimi ndaj inflacionit i 348 mijë pensionistëve kryefamiljarë, pensionistëve me pension më të vogël nga gjysma e pagës minimale dhe familjeve në nevojë me 3 mijë lekë në muaj, edhe pse një fond shumë i vogël, nuk u rinovua pas skadimit të afatit tremujor të Paketës së Rezistencës(Mjerimit) Sociale më 1 korrik 2022, megjithë të ardhurat rekord nga inflacioni, me shtesë mbi 440 milionë euro në buxhetin e Shtetit, gjatë gjashtëmujorit të parë janar-qershor 2022.
  18. Mungesë e mbrojtjes së biznesit dhe gjoba selektive ndaj tij. Janë me dhjetëra biznese të rrënuara nga kontrollet selektive dhe gjobat ndaj aktivitetit të tyre, ndërkohë që bizneset “mavi”, favorite të Ramës dhe sektit të tij, nuk kontrollohen asnjëherë dhe fitojnë tendera pafund nga buxheti i Shtetit.
  19. Propagandë arrogante dhe manipuluese gëbelsiane. Çdo ditë, që nga orët e para të mëngjezit, mendja e qytetarit të thjeshtë bombardohet nga mijëra mesazhe dhe statuse, si dhe qindra shkrime, intervista dhe video në faqet në internet të institucioneve qeveritare, në mediat sociale dhe në mediat tradicionale. Çdo ditë deformohet realiteti, për të sprucuar vetëm bojën rozë të pseduo-“arritjeve” të sektit.
  20. Grabitja e Butrintit përmes dhënies me koncesion. Kjo formë krejtësisht e pazakontë dhe e paprecedent në Evropë, e dhënies me koncesion privatit të thesareve arkeologjike të vendit, si Parku Kombëtar i Butrintit, përbën një goditje mizore dhe shkatërruese ndaj trashëgimisë sonë kulturore, ruajtjes dhe zhvillimit të saj.
  21. Gllabërimi i Sheshit të Flamurit në Vlorë dhe përgjysmimi i sipërfaqes së tij, gjoja duke e “rikualifikuar”. Ndërhyrjet në Shesh përbëjnë një goditje të rëndë të simbolit dhe vetëdijes kombëtare për vlerat tona historike.
  22. Dhënia me koncesion e Porteve të Durrësit dhe Vlorës. Procedurat koncesionare po realizohen përmes kontratave dhe marrëveshjeve okulte, duke dëmtuar rëndë interesat e ekonomisë kombëtare dhe mundësitë e zhvillimit në të ardhmen të këtyre dy portave kryesore të vendit. 23Shkatërrimi pa kthim i administratës publike (sugjerim në Facebook nga një dashamirës).
    Një shok më sugjeron që këtë material ta plotësoj në trajtën e një broshure me titull “101 Të Këqija nga një 99-ësh përgjatë 9 viteve mbretërim!”). Në fillim e nisa këtë shkrim si dekalog të këqijave të sektit Rama ndaj shqiptarëve, por minimalisht dolën 23 TË KËQIJA dhe ka me dhjetëra të tjera si këto. Ftoj çdo qytetar ta thotë të tijën si e mendon.
  23. Shkatërrimi pa kthim i administratës publike (sugjerim në Facebook nga një dashamirës).
    Një shok më sugjeron që këtë material ta plotësoj në trajtën e një broshure me titull “101 Të Këqija nga një 99-ësh përgjatë 9 viteve mbretërim!”). Në fillim e nisa këtë shkrim si dekalog të këqijave të sektit Rama ndaj shqiptarëve, por minimalisht dolën 23 TË KËQIJA dhe ka me dhjetëra të tjera si këto. Ftoj çdo qytetar ta thotë të tijën si e mendon.

Botuar në Gazeta Sot më dt. 17.08.2022