Ukraina do të fitojë! 24 Gushti, Festa Kombëtare e Ukrainës.

Sot më 24 gusht, populli ukrainas feston Ditën e Pavarësisë. Për ukrainasit është një festë e madhe kombëtare, që shënon shkëputjen nga Bashkimi Sovjetik dhe shpalljen e pavarësisë, 31 vite më parë, më 24 gusht 1991. Këtë vit, festa vjen saktësisht gjashtë muaj tragjike nën agresion dhe pushtim, pasi diktatori Putin nisi invadimin në shkallë të gjerë të Ukrainës. Përkujtimi dhe mesazhet e Ditës së Pavarësisë marrin një rëndësi përcaktuese për motivimin e ushtrisë dhe popullit ukrainas sot.
Ukrainasit e panë qartë, vetëm dy javë pas fillimit të agresionit rus më 24 shkurt 2022, se përpara kishin një armik që nuk kursente jetët e civilëve të paarmatosur dhe të fëmijëve të mitur, për të kënaqur dëshirat për hegjemoni të diktatorit rus. Që ndiqte taktikën e tokës së djegur, përpara se sa ushtria të shkelte në territoret e pushtuara. Kuptuan se rezistenca e tyre do të shndërrohej në një luftë të gjatë dhe se ekzistenca e ukrainasve si komb ishte në rrezik të vërtetë, nëse nuk luftonin dhe nuk përballeshin me ushtrinë e dytë më të madhe të botës. Kuptuan se Vladimir Putin synonte t’i privonte nga e drejta për të pasur shtetin e tyre kombëtar të pavarur dhe kulturën e tyre kombëtare, duke i shndërruar në një provincë të Rusisë.
Dhe populli heroik i Ukrainës ka shtatë muaj që përballet çdo ditë, në betejë për të siguruar ekzistencën e tij si komb dhe shtet. Një e pesta e territorit të vendit është pushtuar nga agresori. Në fushën e betejës kanë rënë heroikisht me mijëra ushtarë ukrainas, me mijëra civilë janë masakruar dhe vrarë nga bombardimet mizore të ushtrisë së Putinit. Mbi 20 milionë qytetarë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe 7 milionë ukrainas kanë emigruar jashtë vendit. Ukraina, shteti evropian më i madh si territor, në gjysmën e saj të territorit ka pësuar shkatërrime të jashtëzakonshme, në nivele të dhjetra miliarda eurove dëme. Qytete të tëra janë zhdukur nga faqja e dheut dhe janë kthyer në gërmadha.
I. Pse Perëndimi rizbuloi Ukrainën pas 24 shkurtit 2022
Publiku i gjerë perëndimor ka “zbuluar” edhe një herë Ukrainën pas 24 shkurtit 2022, kur populli liridashës ukrainas nisi rezistencën e tij të madhe. Edhe pse në fakt, lufta e Ukrainës për pavarësi ka histori shumë më të gjatë.
Sipas analistëve perëndimorë, arësyet kryesore pse Perëndimi e kishte të vështirë t’i kuptonte ukrainasit përpara 24 shkurtit 2022, janë tre.
Së pari, është orientalizmi i vjetër klasik. Për shumë njerëz në Perëndim, Evropa Lindore është një vend i egër, ekzotik dhe konflikti atje është një gjë normale.
Së dyti, shumica e elitave perëndimore e kanë parë historikisht Ukrainën përmes prizmit të historisë perandorake ruse. Narrativa kryesore historike e Perëndimit, që e përshkruan Evropën Lindore, është formuluar kryesisht nga emigrantët rusë të pas vitit 1920, të cilët e kanë përvetësuar Ukrainën. Sikurse është shprehur historiani britanik Norman Davies, “Ukrainasit janë portretizuar si rusë kur kanë bërë diçka të mirë dhe si ukrainas ose nacionalistë, kur kanë bërë diçka të keqe”.
Së treti, shkëputja e historisë së Ukrainës dhe e aspiratave demokratike të popullit të saj nga historia e Rusisë ka nisur me kthimin e Vladimir Putinit si President më 2012, kur shpresat për liberalizim të Rusisë dhe popullit rus nën Dmitry Medvedevin rezultuan të kota. Dështimi i
liberalizimit rus i ka inkurajuar liderët perëndimorë që ta shohin Ukrainën si një alternativë demokratike ndaj Rusisë.
Tri dekadat pas rënies së Bashkimit Sovjetik, treguan qartë se Ukraina dhe Rusia janë shumë larg si perceptime demokratike dhe dallojnë fort nga njëra-tjetra, jo për shkak të gjuhës, madje as për shkak të kulturës, por për shkak të jetës politike, perceptimit të marrëdhënieve midis shtetit dhe individit dhe shoqërisë. Vështirë se mund ta imagjinojmë fitoren e një lideri si Putini në Ukrainë, apo fitoren e një revolucioni si Revolucioni i Portokallinjtë (vitet 2004-2005) ose Euromaidani (vitet 2013-2014) në Rusi. Kjo është arësyeja pse Putin sulmoi dhe pushtoi Krimenë në vitin 2014, për të mbajtur larg popullit dhe shoqërisë ruse influencën e revolucionit demokratik paqësor Euromaidan të Ukrainës.
Shumë njerëz jo vetëm në Rusi, por edhe në Perëndim, nuk i kuptojnë ndryshimet që kanë sjellë dy revolucionet e njëpasnjëshme të Ukrainës në vitet 2004-2005 dhe 2013-2014. Pa fitoren e shoqërisë civile në rrugët e Kievit më 2004 dhe më 2014, Ukraina do të ishte një vend i ngjashëm si Rusia dhe Bjellorusia, ku protestat në Sheshin “Bolotnaya” në Moskë më 2012 dhe në Minsk më 2020 nuk sollën ndryshime politike.
II. Fryti i Pavarësisë së Ukrainës
Pavarësia e Ukrainës ka ardhur si rezultat i një kompromisi midis tre forcave politike, aleate të pamundura të njëra-tjetrës: komunistëve në Kiev që kanë përfaqësuar traditën e Ukrainës sovjetike, elitave ukrainase perëndimore, me prirje nacionaliste dhe lëvizjes së grevës së minatorëve të Donbasit, – shpesh e harruar –, e cila ka qenë një nga lëvizjet më të forta shoqërore në Bashkimin Sovjetik të viteve 1990-të.
Të parët kanë dashur të mbeten në pushtet, të dytët kanë dashur shtet kombëtar si Polonia apo Republika Çeke, ndërsa të tretët kanë dashur që kërkesat e tyre ekonomike të plotësohen. Minatorët e Donbasit fillimisht ju drejtuan Rusisë, por kur kuptuan se Kremlini i injoronte, u kthyen nga Kievi.
Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Ukrainës, kjo aleancë e pamundur u shpërbë dhe këto forca përcaktuese u bënë konkurrente. Ka qenë vështirë të flitej për një Ukrainë të bashkuar në vitet e para të Pavarësisë, pavarësisht integritetit të territorit.
Ndryshimi erdhi me Maidanin e parë dhe të dytë, ose Revolucioni i Portokallinjtë 2004-2005 dhe protestat e Euromaidanit 2013-2014, që injektuan fuqimisht aspiratat demokratike në masivitet në popullin ukrainas dhe e shndërruan Kievin në kryeqytetin e vërtetë të Ukrainës.
III. Ukraina më e bashkuar se kurrë pas 24 shkurtit 2022
Para invazionit rus të 24 shkurtit 2022, Odesa dhe Kharkivi kishin shumë influenca pro-ruse. Agresioni fashist i Putinit i ktheu këto kryeqendra tërësisht pro Ukrainës. Kryetarët e bashkive të tyre kanë marrë pozicione të fuqishme anti-ruse dhe kanë kaluar në gjuhën ukrainase në paraqitjet e tyre publike.
Në të njëjtën kohë, në mbarë vendin, ukrainasit janë më të bashkuar se kurrë më parë. Në kundërshtim me atë që Putin ka thënë në prag të pushtimit, kombi ukrainas ekziston dhe është politikisht i qëndrueshëm. Në 30 vjetët e fundit, shumica e ukrainasve e kanë mbështetur pavarësinë nga Rusia dhe kurdohere që janë përballur me një kërcënim nga Moska, kjo tendencë vetëm është rritur.
IV. Raportet shpirtërore Shqipëri-Ukrainë
Për ne shqiptarët, Ukraina ka dhe një dimension krejt të veçantë historik, pasi me mijëra shqiptarë të shkëputur nga Atdheu, të shpërngulur nga Korça dhe Pogradeci 500 vjet më parë, si pasojë e sundimit otoman, nisën një rrugëtim të gjatë 2 shekullor, duke kaluar nëpër Maqedoni, Bullgari e Rumani, derisa në shek XVIII-të u vendosën në katër fshatra në jug të Ukrainës: ne Karakurt, Devneskoje, Gjeorgjevka, dhe Gamovra, ku jetojnë edhe sot.
Sot rreth 5000 banorë të këtyre fshatrave e identifikojnë veten si shqiptarë. Gjuha që flitet sot në to është një përzierje e shqipes me gjuhën e vendit, ndërsa zakonet, folklori dhe veshjet janë ato të trashëguara nga stërgjyshërit e tyre.
Personalisht, në kohën kur shërbeja si Kryetar i KLSH, ruaj kujtimet më të bukura nga vizita në Kiev në vitin 2019 dhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Dhomën e Llogarive të Ukrainës dhe me Presidentin reformator e vizionar të saj, z. Valeriy Patskan. Dhoma e Llogarive e Ukrainës po profilizohej si një institucion i besueshëm tek qytetari ukrainas, duke i ofruar opinionit publik, shoqërisë dhe autoriteteve shtetërore informacion të vërtetë mbi menaxhimin e fondeve të Buxhetit të Shtetit. Jam i bindur se z. Patskan dhe institucioni që drejton kanë ditur t’i shërbejnë me përkushtim, devotshmëri dhe profesionalizëm shtetit dhe popullit ukrainas, në kushtet e agresionit barbar të Putinit.
V. E ardhmja e Ukrainës
E ardhmja e vendit është e rëndësishme dhe përcaktuese jo vetëm për popullin ukrainas, por edhe për mbarë botën demokratike.
Diktatori Putin ka thënë se nuk po bën luftë kundër Ukrainës, por luftë kundër Perëndimit në territorin e Ukrainës. Prandaj, Ukraina është një terren testimi për stabilitetin e dy modeleve politike konkurruese të epokës sonë: demokracisë liberale dhe autoritarizmit e fashizmit modern.
Ja përse qëndresa dhe fitorja e popullit ukrainas është mision jo vetem i ukrainasve, por i gjithë botës demokratike.
Ukraina sot po pëson një transformim të jashtëzakonshëm, nën drejtimin kurajoz të Presidentit Zelenski dhe bashkëpunëtorëve të tij. Pavarësisht humbjeve të mijëra jetëve, shkatërrimeve në masë, zhvendosjes së popullsisë dhe emigracionit, ky vend po etnizohet! Por forcohet si betoni(sikurse shprehen analistët perëndimorë), identiteti i tij kombëtar, si në rastin e Izraelit pas Luftës së Yom Kipurit të vitit 1973. Mes tragjedive të popullit martir ukrainas nga agresori Putin, kemi formëzimin e një identiteti shumë të fuqishëm kombëtar, të ndërtuar mbi baza etnike, fetare dhe gjuhësore.
Dimensioni i dytë i transformimit është rruga e hapur e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE dhe marrja e mbështetje së fuqishme ekonomike, për t’u rikuperuar nga shkatërrimet që ka shkaktuar agresioni rus. Në këtë mënyrë, shpresat për ndërtimin e një demokracie të fortë do të përmbushen edhe në aspektin ekonomik. Nuk do të jetë dhe aq e largët dita kur Ukraina do të mund të shndërrohet edhe në një lloj tigri të Evropës Lindore, me pasuritë e saj të pafundme dhe me një popull sa martir, aq edhe punëtor.
Pozicioni mbizotërues i shoqërisë ukrainase sot është se Ukraina nuk do të pranojë asnjë lëshim territorial dhe dëshiron të kthehet në kufijtë e vitit 1991. Edhe pse ky skenar është i mundur të realizohet vetëm në një periudhë afatgjatë, ai do të mbizotërojë, pse është vullneti i popullit ukrainas dhe mbi vullnetin e një populli demokratik dhe të martirizuar nuk del asnjë tiran dhe diktator. As edhe Putini. Ukraina dhe ideali i saj i pavarësisë do të fitojnë!

Literatura e konsultuar:

1 Paul Robert Magocsi, “Ukraina: një histori e ilustruar”, 2019
2 “Dy revolucionet e ndryshme të Ukrainës”, emision i rrjetit televiziv BBC, qershor 2021 https://www.bbc.com/news/world-europe-25210230
3 Peter Dickinson: “Si Revolucioni i Portokallinjtë i Ukrainës formësoi gjeopolitikat e Shekullit të XXI”, nëntor 2020
4 Prof. Paul D’Anieri, “Ukraina dhe Rusia”, tetor 2021, Universiteti i Kalifornisë.
5 Tim Judah, “Në kohë lufte: zërat e Ukrainës”, qershor 2022

Botuar në Gazeta Sot, më dt. 24.08.2022