Korrupsioni endemik, dashi që prin kopenë e sektit “Rama”

Më 3 gusht 2022, Departamenti Amerikan i Shtetit(DASH) publikoi raportin mbi klimën e investimeve për vitin 2022 në Shqipëri, duke ngritur një sërë problemesh të mprehta. Në paragrafin e gjashtë të përmbledhjes ekzekutive, raporti cilëson se “Investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin endemik, përfshirë në gjyqësor dhe prokurimet publike, konkurrencën e pandershme, ekonominë informale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave, si sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri. Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, duke përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe përjetësimi i praktikave joformale të biznesit. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje tregtare të diskutueshme me entitete publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar. Në vitin 2019 dhe 2020, tentativa për investim e një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara, të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja tani është në arbitrazh ndërkombëtar”.
(https://www.state.gov/reports/2022-investment-climate-statements/albania/)
Në paragrafin e tetë të përmbledhjes ekzekutive, DASH thekson se “Shqipëria vazhdon të ketë rezultate të dobëta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Në vitin 2021, Shqipëria ra në vendin e 110-të nga 180 vende, një rënie prej gjashtë vendesh nga viti 2020”.
Jo vetëm për DASH dhe Transparency International, por për të gjithë komunitetin ndërkombëtar që na vëzhgon, është e qartë pse ka ndodhur kjo rënie. Gjatë vitit 2021, sekti në qeverisje ka kryer 17,400 procedura të pa-anuluara tenderimi, me një fond limit mbi 147 miliardë lekë pa TVSH, ose mbi 1.2 miliardë euro. Prej këtij fondi, mbi 24 miliardë lekë, ose 16.4 përqind, janë tenderuar përmes Procedurave të Kufizuara ose Negocimit pa Shpallje.
Të dyja këto procedura kufizojnë konkurrencën mes operatorëve dhe nuk lejojnë zhvillimin e garës së hapur, duke lënë vend për dyshime të arësyeshme për korrupsion. Për vitin 2021, autoritetet kontraktuese kanë kryer 137 tendera me procedurë të kufizuar për Rindërtimin, me vlerë totale të fondit limit mbi 19 miliardë lekë pa TVSH, ose mbi 158 milionë euro. Këto kontrata me procedurë të kufizuar, zënë 13.1 përqindtë fondit limit total. Ndërkohë, vijon praktika e tenderave sekretë, e evidentuar dhe kritikuar edhe nga Gjykata Evropiane e Audituesve(ECA).
I. Shkeljet e rënda në tenderat e rrugëve, kosto për 1 km e rritur me 6 herë!
Janë të panumurta denoncimet në media të shkeljeve të ARRSH-së në tenderat për ndërtimin e rrugëve, si ai i Tunelit të Llogarasë, i tenderuar tri herë, ku firma shqiptare me përvojë dhe kapacitete dha një ofertë 30 milionë euro më të ulët, ndërkohë që fitoi një konsorcium i huaj nga një shtet evropian jo anëtar i BE-së, i cili zgjodhi si partner nënkontraktor pikërisht firmën shqiptare me ofertën më të ulët!
Janë abuzivë tenderi për Mbikalimin në TEG, ku firma fituese dha një ofertë 6 milionë euro më të shtrenjtë, tenderi për Rrugën Maliq-Strelcë, ku doli fituese oferta 1 milionë euro më e lartë, tenderi për Rindërtimin e Rrugës së Porto-Romanos, duke refuzuar të tri ofertat më të ulta, pa respektuar kriteret përzgjedhëse, tenderi 12 milionë euro për mirambajtjen e rrugëve në Jug të vendit, për të ardhur tek skandali i fundit me tenderat e rrugëve, ai i rrugës Kardhiq-Delvinë, ku punë të kontraktuara që në vitet 2007-2008 me vlerë 50-60 milionë euro përfundojnë në vitin 2022 me vlerë 108 milionë euro!
Të gjitha të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe nga ajo e Infrastrukturës flasin për kosto të rritura me herë për ndërtimin e një km rrugë gjatë nëndë viteve të fundit. Kostot kanënjë diferencë të lartë në rrugët e ndërtuara me para nga Buxheti i Shtetit, në krahasim me financimet dhe huatë e buta nga donatorët.Në mënyrë sistematike, kostot për njësi (kilometër) me fonde të huaja janë shumë më të ulëta se ato me fonde buxhetore të brendshme për periudhën 2013-2022.
Kështu, një kilometër rrugë e kategorisë C, me financim të brendshëm, kushtoi në vitin 2020 mesatarisht 667 milionë lekë, ndërsa një kategori e tillë me financim të huaj kushtoi 111 milionë lekë, ose 6 herë më pak. Të dhënat mbi kostot për kilometër u dhanë në raportin e Monitorimit të Ministrisë së Infrastrukturës.
Edhe pse krahasimet nuk janë strikte, pasi përfaqësojnë punime në segmente, ose vepra arti që shpesh prodhojnë kosto që ndryshojnë nga viti në vit, për të njëjtën kategori rruge, të dhënat tregojnë një diferencë lineare gjatë 9 viteve të fundit, ku kosto për njësi me financim të huaj është shumë më e ulët se kosto për njësi me financim të brendshëm. Të njëjtat diferenca vlejnë edhe për kategorinë B të rrugëve.
Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në tenderat publikë për rrugët, me para të buxhetit të shtetit, përbën arësyen madhore pse Banka Botërore, një nga financueset kryesore të ndërtimit të rrugëve publike në vendin tonë në vitet 1996-2012, është larguar nga pjesëmarrja në projektet tona të infrastrukturës rrugore.
II. Skandali me TEC-et lundruese
Kompania e naftës Excelerate Energy Inc.ka një marrëveshje me shtetin shqiptar, për tësjellë në Triport, në gjirine Vlorës,dy TEC-e lundrues, për të balancuar defiçitin energjitik të vendit.
Sipas rrjetit prestigjoz ndërkombëtar të informacionit ekonomik, Bloomberg, kjo kompani ka blerë në prill 2022 nëBangladesh njëTEC lundrues me kapacitet 110 MW, me çmimin 15 milionëdollarë amerikanë(USD). Sipas Bloomberg, TEC-i do tëshvendoset në një vend të Europës Lindore.
Duke qenë se deri tani Excelerate Energy nuk ka marrëveshje me ndonjë vend tjetër të Europës Lindore, për më tepër të vendeve të BE-së, i bie që TEC-i lundrues do të vijë në Shqipëri. Ky TEC lundrues në Bangladesh është prodhuar në vitin 1997 dhe është teknologji shumë e vjetër. Që nga viti 2018, ai nuk punon në Bangladesh, për shkak të ndotjes dhe kostos shumë të lartë.Në Shqipëri, sipas marrëveshjes, qeraja për të përdorur këtë TEC dhe një tjetër, që do te djegin naftë bruto, do të jetë 63,000 USD në ditë, për 2 vjet, pra afro 45 milionë dollarë amerikanë.
Çmimi i blerjes së energjisë elektrike nga TEC-et lundruese për shtetin shqiptar do të jetë 170 euro/MWh, pa llogaritur koston mjedisore, si rrjedhojëe një superndotjeje që krijohet nga djegja e naftës bruto, pikërisht në Triport, në mes tëgjirit turistik të Vlorës, duke asfiksuar industrinë e turizmit në Perlën e Jugut.
Kosto ekonomike e TEC-it del 5-6 herë më e madhe se kosto e prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet impianteve fotovoltaike nga kompania franceze Voltalia, e cila ka filluar ndërtimin e parkut fotovoltaik në Karavasta dhe do t’ia shesë prodhimin shtetit shqiptar me 24.89 euro/MWh.
Nëse të63 mijë dollarët në ditë të qerasë së TEC-it për 2 vjet do të jepeshin si subvencion për qindra familjet dhe bizneset e vogla dhe të mesme që të investotnin në panelet fotovoltaike, Shqipëria për 2 vjet do tëprodhonte shumëfisha të energjisë së TEC-eve lundrues, duke filluar vetëm për pak ditë, që nevojiten për instalimin e impianteve fotovoltaike(energjia diellore). Për më tepër, mijëra familje dhe biznese të vogla e të mesme tek ne, për më shumë se 2 dekada nuk do tëpaguanin për energjinëelektrike.
III. Energjia elektrike blihet mbi çmimin e tregut dhe në gusht 2022
Brenda 2 ditësh, më 5 dhe 6 gusht, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare(KESH) ka kryer 2 procedura për blerjen e energjisë elektrike, ndërkohë që çmimi me të cilin është siguruar sasia më e madhe është ndjeshëm më i lartë se çmimi mesatar në bursënreferuese të energjisë elektrike, atë të Budapestit.
Fillimisht, KESH hapi një tendër në datën 6 gusht, përmes të cilit bleu 10,152 MWh, me një çmim mesatar prej 408.37 euro/MWh. Ndërkohë që, për datën 8 gusht, është kryer një tjetër procedurë blerje për 50,754 MWh, me një çmim mesatar prej 482.34 euro/MWh apo rreth 74 euro më shtrenjtë se procedura e 2 ditëve më parë!
Në total, për këto 2 blerje janë shpenzuar rreth 28.6 mln euro, ndërsa fatura vetëm për muajin gusht përllogaritet në 46.6 milionë euro. Blerja e energjisë me baza ditore apo javore dëmton drejtpërdrejt buxhetin e shtetit, pasi mungojnë kontratat afatgjata për blerjen e energjisë, që mund të ishin siguruar në periudha kur çmimet ishin më të favorshme.
Sigurimi i kontratave afatgjata të energjisë deri në 3 vjet ishte një nga pikat kryesore të VKM-së të qeverisë, që u miratua në tetor të vitit të kaluar, në kuadër të emergjencës së furnizimit me energji të shpallur nga Këshilli i Ministrave, e cila synonte përballimin e situatës. Jo vetem kjo VKM nuk është zbatuar, por fatura për blerjen e energjisë deri më tani, sipas shifrave të publikuara nga KESH, së bashku me 2 blerjet e fundit për gushtin, përllogaritet në 235.6 mln euro.
IV. 195 milionë euro për mbrojtje kibernetike dhe për tre ditë shteti paralizohet!
Sulmi kibernetik me virusin shkatërrues “Ransomware” i datës 15 korrik 2022 e gjeti të gjithë shtetin e drejtuar nga sekti Rama komplet të papërgatitur. Pa mjetet e duhura mbrojtëse dhe me të vetmen mbrojtje dhe rrugëdalje mbylljen e sistemit e-Albania pasditen e datës 15 korrik. Për tre ditë, shteti nuk funksinoi dhe qytetarët iu drejtuan më kot portalit e-Albania për dokumentet që ju duheshin.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit(AKSHI), struktura shtetërore që menaxhon të gjitha shërbimet shtetërore online, duhej të ishtee përgatitur për një situatë të tillë. Infrastruktura mbrojtëse e rrjetit dhe e shërbimeve online duhej të ishte në nivelin më të lartëmbrojtës. Trafiku që përballon shërbimet online ndaj qytetareve duhej të ishte i menaxhueshëm dhe i bollshëm, si dhe serverat që i ofrojnë këto shërbime duhej të ishin të dubluaradhe në vendndodhje të ndyshme, për të bërë alternimin e tyre, në rast se njëra nga nyjet do të kishte probleme.
Në të vërtetë, rënia e sistemeve të mbrojtjes kibernetike të shtetit shqiptar, në formën që qytetarët e përjetuan në datat 15-18 korrik 2022, kur nuk morën shërbime online nga shteti, është një kronikë e paralajmëruar që në vitin 2017, kur Këshilli i Ministrave miratoi VKM Nr. 673, datë 22.11.2017 për riorganizimin e AKSHI-t.
Nëpërmjet atyre ndryshimeve dhe të tjerave që i ndoqën, AKSHI u bë pronar i vetëm, pa asnjë lloj mbikëqyrjeje, i shtetit dixhital, duke qenë edhe politikëbërës, edhe hartues projektesh, edhe prokurues, edhe zbatues, edhe auditues(!).
Ndalimi për disa ditë i të gjitha shërbimeve dixhitale të ofruara nga AKSHI është i fundit në radhën e incidenteve të sigurisë në administrimin e sistemeve qeveritare. Ky ndalim është pasojë e strategjisë totalisht të gabuar, të ndjekur që në fillim, për përqëndrimin e shërbimeve në njëinstitucion dhe ndërtesë të vetme.
AKSHI ka marrë deri tani 195 milionë euro nga taksat tona për të realizuar sigurinë kibernetike të sistemit. Një shumë marramendëse, shumë herë më e madhe për qytetar/përdorues, nga sa e ka edhe Danimarka, një shtet në pararojë të shërbimeve publike online. E pra, duhet të kishim një sistem të fuqishëm mbrojtës.
E vërteta e hidhur është se të 136 tenderat me 195 milionë euro në total i kanë kaluar jo kompanive profesioniste ndërkombëtare. Në vend të tyre, AKSHI ka ndërtuar një sistem amator, duke i ndarë të 195 milionë eurot vetëm në 4 kompani private shqiptare.
Këto janë “arritjet” më të fundit tësektit Rama në qeverisje, të ngjizura nga njëkorrupsion i ngritur në sistem(endemik), sidomos në prokurimet qeveritare, si dhe PPP që largojnë investuesit e huaj seriozë.
Krahas boshatisjes së vendit, kapjes së shtetit, ligjeve të qepura me porosi, masakrës me pronat, braktisjes së shtresave në nevojë dhe biznesit gjatë pandemisë dhe tani në inflacionin galopant, si dhe rrënimit të shtresës se mesme, përmes një politike absurde tatimore, korrupsioni endemik, i denoncuar fuqishëm këto ditë dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përbën dashin e kopesë të sektit Rama në tufën e të këqijave që u ka ofruar dhe u ofron shqiptarëve.

Botuar në Gazeta Sot më dt. 09.09.2022