Në 12 shtator mijëra nxënës do të ulen në bangat e shkollës. Normalisht atyre u takon urim, por këtë vit në bangat e shkollave shqiptare të arsimit fillor, të mesëm të ulët e të mesëm të lartë do të ulen shumë më pak nxënës nga viti i kaluar. Më pak nxënës në bankat e shkollës, arsim më pak cilësor, shpopullim masiv, pasoja afatgjata në ekonomi e shoqëri. Këto ndoshta do të ishin katër pika, në të cilat qeveria, por edhe gjithë politika shqiptare duhet të ulet me seriozitetin më të madh e të gjejë një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme e të zbatueshme. Pasi, sipas të dhënave të publikuara edhe në mediet kombëtare (TV KLAN, prej nga janë marrë edhe fotografitë ilustruese) këtë vit në shkollat shqiptare do të ketë 58.000 nxënës më pak krahasuar me 5 vite më parë! Dhe nuk është vetëm rënia natyrore e popullsisë, është edhe shpopullimi për arsye emigrimi, por edhe largimi i të rinjve, që po thellon një plagë 30 vjeçare për shoqërinë tonë! Mijëra të rinj nën moshën 18 vjeç, një kontingjent për arsimin e mesëm të ulët e të mesëm të lartë, zgjedhin emigrimin në të shumtën e rasteve me familjet e tyre. Varfëria, mungesa e shpresës, papunësia, pamundësia për të përballuar “arsimin falas” në Shqipëri, burokracia, arsimi jo cilësor janë disa nga arsyet që mund të listoj… “Politikat arsimore” të qeverisë së sektit Rama në pushtet kanë 9 vite që vetëm nxisin emigrimin, analfabetizmin dhe analfabetizmin funksional, ndëshkojnë të arsimuarit, vrasin shpresën. Në 9 vite të Edi Ramës në pushtet, mbi 300.000 të rinj dhe mbi 500.000 shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. Në 9 vitet në pushtet të sektit Rama, afërsisht 150.000 nxënës braktisën shkollën. Vetëm këtë vit nga 31.000 maturantë, 11.000 kanë aplikuar për të studiuar jashtë shtetit, normalisht nxënësit ekselentë, të cilët shumë shpejt do të pasohen nga familjet e tyre për të mos u rikthyer më në Shqipëri. Dhe kjo shifër rritet vit pas viti, duke treguar se sa besim ka rinia jonë tek arsimi, punësimi, mundësitë që ky sekt në pushtet u krijon atyre… Pavarësisht gjendjes, nxënësve në mbarë Shqipërinë u uroj suksese në rrugën e dijes këtë vit të ri shkollor!
Botuar në Gazeta Sot më dt. 12.09.2022