Projektligji “Për ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, të përfaqësuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, për shkëmbimin e informacionit për qëllime të lidhura me migracionin” vjen në kohën e duhur për forcimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Britaninë e Madhe, një nga shtetet më të zhvilluara dhe ekonomitë më të fuqishme të botës, kampione e të drejtave të njeriut dhe e mbrojtjes së vlerave të demokracisë.
Ky forcim marrëdhëniesh duhet parë dhe në këndvështrimin e mbrojtjes së interesave të ligjshme të komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe, një komunitet në shtim të ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit, me shembuj të shumtë të integrimit social dhe ekonomik të emigrantëve tanë dhe forcimit të një diaspore shqiptare të re, me cilësi të larta shoqërore dhe të konkurrimit ekonomik, si dhe me atdhedashuri të theksuar.
Shembujt pozitivë të suksesit dhe sjelljes shëmbullore të përfaqësuesve të diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe janë të panumurt, por, për fat të keq, shumë rrallë gjejnë hapësirë në mediat tradicionale dhe sociale britanike.
Në të kundërt, shembujt e trafiqeve të paligjshëm dhe kriminalitetit të disa përfaqësuesve të këtij komuniteti bëhet stereotipe të rrezikshme dhe shumë dëmtuese për imazhin e emigrantit ekonomik shqiptar, edhe pse numri i trafikantëve dhe kriminelëve shqiptarë mund të përbëjë vetëm një të mijtën e numrit të sotëm të diasporës shqiptare në këtë vend.
Krahas procesit të shtimit të shkëmbimit të informacionit dhe njohjes reciproke të agjencive të ndryshme të qeverisë shqiptare dhe asaj britanike, ne si shtet dhe qeveri duhet të tregohemi të përgjegjshëm dhe të aftë, në mënyrë që të mbrojmë me dinjitet, efektivitet dhe në nivelin e duhur, të drejtat e e ligjshme të emigrantëve shqiptarë në Britanine e Madhe, të tilla si e drejta e njohjes së viteve të punës për marrjen e pensionit, e drejta e përfitimit të mbulimit mjekësor falas si çdo qytetar tjetër britanik, etj. Pensioni merret në vendin ku jeton dhe punon!
Njohja e sigurimeve shoqërore, është nga problemet më të mëdha që shqetëson sot emigrantët tanë, përballë indiferentizmit të qeverisë shqiptare dhe strukturave të tjera të shtetit amë, një indiferentizëm që me të drejtë ka indinjuar e po indinjon sot çdo emigrant shqiptar, jo vetëm në Britaninë e Madhe. Zgjidhja e këtij problemi në rrugë juridike dhe politike duhet të jetë një zgjidhje përfundimtare për pensionet të tyre të pleqërisë.
Emigracioni shqiptar në Evropën Perëndimore përbën ndër diasporat që mbrohen më pak nga shteti amë evropian. Kemi patur një ministër shteti për Diasporën dhe ky institucion qeveritar u hoq në mandatin e tretë të socialistëve, pa dhënë arësyet pse, thjesht nga një xhelozi e Liderit Global ndaj ish-ministrit Majko. Kjo ndodh në një kohë që, sipas të dhënave të Eurostat, kemi 1.64 milionë shqiptarë në vendet e BE-se, ose më shumë se gjysmën e popullsisë së sotme të Shqipërisë.
Në vend që jo vetëm të kishim një ministri të dedikuar për Diasporën, por edhe shumë programe të dedikuara dhe serioze buxhetore për të mundësuar votimin elektronik të emigrantëve dhe thithjen dhe pjesëmarrjen aktive të kursimeve të tyre në financimin e projekteve të mëdha të
infrastrukturës së Shqipërisë, duke ua garantuar me garanci shtetërore riskun e investimit, kemi sot një indiferencë dhe shurdhëri të plotë nga qeveria e sektit Rama.
Paratë që ata sjellin në atdhe, remitancat, të nivelit mbi 1 miliardë euro çdo vit, kanë përbërë jo vetëm një komardare shpëtimi për vitet më të vështira ekonomike që kemi kaluar e po kalojmë, por edhe motorr të mirëfilltë zhvillimi dhe burim investimesh për ekonominë tonë. Nëse kemi një nivel konsumi dhe në zonat më rurale dhe të varfëra të vendit, kjo i dedikohet pikërisht fondeve të dhëna pa kursim për familjet dhe të afërmit e tyre, nga ana e emigrantëve tanë.
Kjo diasporë, si në vendet e Bashkrimit Evropian, edhe në Britaninë e Madhe, përballet me problemet e lejeve të qëndrimit, bashkimit familjar, sigurimeve shoqërore, shkollave shqipe, rasteve të trajtimeve denigruese apo keqtrajtimeve nga punonjës të administratave publike përkatëse, si dhe probleme të integrimit në tërësi të emigrantëve në jetën ekonomike dhe shoqërore të këtyre vendeve
Thellimi i krizës ekonomike, në rradhë të parë të asaj energjitike në vendet e Evropës Perendimore, e ka vështirësuar perspektivën e punësimit dhe realizimit të një jetese normale të emigrantëve tanë. Është koha më shumë se kurrë që qeveria dhe shteti ynë të marrë nismën dhe të kërkojë me forcë mbrojtjen e të drejtave të ligjshme të emigrantëve tanë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në Britaninë e Madhe.
Për këtë arësye, gjykoj se krahas miratimit të këtij projektligji, qeveria duhet të vijë me një strategji dhe program të qartë dhe efektiv të mbrojtjes së të drejtave të mbi 1.7 milionë emigrantëve tanë në vendet e Evropës Perëndimore(duke përfshirë dhe mbi 70 mijë emigrantët që kemi në Britaninë e Madhe).
Ne duhet të zhvillojmë konferenca ministrore, edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë britanike, ku, krahas kontributit të agjencive tona ligjzbatuese për një informacion më të plotë rreth personave të inkriminuar për trafiqe të paligjshme, i cili jepet në kanale të ndryshme, të parashtrojmë problematikën e statusit shoqëror dhe ekonomik të emigrantëve tanë dhe të kërkojmë me forcë dhe shembuj konkretë shkeljesh, mbrojtjen e tyre, edhe në Britaninë e Madhe.
Emigrantët çdo vit dëgjojnë premtime nga qeveria Rama, për pjesëmarrjen e tyre dixhitale në votime në Shqipëri, premtime që tashmë nuk i beson askush dhe janë bërë të bezdishme për ta, sa herë përsëriten.
Në vend të këtyre premtimeve boshe, ne duhet të përqëndrojmë punën tonë në mbrojtjen efektive të emigrantëve tanë dhe të drejtave të diasporës shqiptare në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Britaninë e Madhe.