Projektet e Instrumentit të Para-Aderimit (IPA) janë konceptuar nga Bashkimi Evropian si një instrument orientues, lehtësues e mbështetës drejt anëtarësimit në BE. Për më shumë se një dekadë, me qindra projekte nga fondet IPA, programet IPA I dhe IPA II, kanë kontribuar në asistencën ndaj tranzicionit dhe ngritjen institucionale, në zhvillimin rajonal, zhvillimin e burimeve njerëzore, reformën në drejtësi dhe shtimin e bashkëpunimit ndërkufitar.
Duke mbështetur plotësisht ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare kuadër të partneritetit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së, për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të instrumentit për asistencën e paraanëtarësimit (IPA II)” dhe vleresuar asistencën e re IPA III (2021- 2027), e cila do të jepet në përputhje me kuadrin e politikës së zgjerimit të përcaktuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian, në partneritet me përfituesin, dua të theksoj, në vëmendje të agjencive tona zbatuese të projekteve IPA, disa probleme dhe mangësi te mprehta të vërejtura në zbatimin e programeve IPA, mbi bazën e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit(3 E-ve), nga ana e palës sonë.
Këto mangësi kanë sjellë situatën, ku renditemi shumë ulët në shkallën e gjenerimit të ideve për projektet IPA nga vendi përfitues(sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit 2022(https://ëëë.rcc.int/pubs/142/balkan-barometer-2022–infographics), si dhe në shkallën e përthithjes së projekteve IPA mes vendeve në Ballkanin Perendimor, sidomos në krahasim me vende si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Ndonëse në Shqipëri projektet IPA po zbatohen prej më shumë se 11 vitesh, në shuma të konsiderueshme financiare, në nivele qindra milionë euro, efektiviteti i shumë prej këtyre projekteve lë për të dëshëruar dhe progresi real i vendit tonë drejt anëtarësimit në BE vijon të jetë i dobët.
Dobësitë dhe mangësitë kryesore konsistojnë në:
I.Një bashkëpunim institucional i pakët dhe mungesë e theksuar e kapaciteteve të duhura absorbuese
Në terësi, sfida e decentralizimit të menaxhimit të fondeve IPA dhe rritjes së përgjegjësive dhe detyrave të strukturave shtetërore të vendit përfitues, nuk ka sjellë angazhimin e shpresuar nga institucionet tona shtetërore dhe entet menaxhuese.
Këto të fundit, nuk kanë arritur të koordinojnë dhe harmonizojnë si duhet veprimtarinë e tyre, për të realizuar disbursimet sipas parashikimeve të përcaktuara në Marrëveshjet Financiare të projekteve përkatës. Nuk kemi arritur të sigurojmë angazhimin efektiv të strukturave të dedikuara dhe kapacitetet e duhura realizuese dhe absorbuese të projekteve IPA.
Bashkëpunimi institucional për realizimin e projekteve IPA, si në nivel ministrish të linjës dhe institucioneve të tjera qendrore, ashtu dhe në nivel vendor, është parë në shumë raste si një detyrë dytësore dhe shtesë e kompetencave primare të institucioneve, ndërkohë që integrimi evropian, duke përfshirë gjenerimin dhe zbatimin e fondeve IPA, duhet të konsiderohet si një qasje unike zhvillimi.
II.Shtyrje të gjata të afateve të disbursimeve dhe mbikqyrje e dobët e kontratave të punimeve dhe e shërbimeve të konsulencës
Ka ndodhur shumë shpesh dhe është kthyer në një sëmundje kronike, shtyrja e afateve të disbursimeve, duke sjellë shtesa në kontratat e konsulencës dhe mbikëqyrjes, si dhe duke shkaktuar efekte negative financiare në rritjen e kostos së projekteve.
Njësitë e zbatimit të projekteve, në shumë raste, nuk kanë bërë një planifikim në vite dhe nuk kanë patur një plan veprimi konkret, për përfundimin në kohë të disbursimeve.
Njësitë e zbatimit të projekteve, ne shume raste nuk kanë realizuar dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për monitorimin e vazhdueshëm dhe mbikëqyrjen e kontratave të punimeve dhe shërbimeve te konsulencës, duke sjellë, për pasojë, dëm ekonomik për punime të pakryera, por të paguara, cilësi të dobët, shtim të vëllimit të punimeve dhe vonesa të tejzgjatura dhe të paargumentuara, në realizimin e komponentëve të veçantë, si dhe të projekteve në tërësi.
Keto mangesi ne zbatimin e projekteve te programit IPA III duhen adresuar urgjentisht dhe mitiguar e minimizuar.
III.Asnjë nxjerrje përgjegjësie ndaj njësive zbatuese të projekteve, për mungesë penalitetesh ndaj kontraktorëve që nuk kanë plotësuar detyrimet kontraktuale
Njësitë e menaxhimit të projekteve IPA, në shumë nga projektet, kanë shfaqur parregullsi në zbatimin e afateve të përfundimit të kontratave, kryesisht për punimet e ndërtimit, si dhe nuk kanë zbatuar penalitetet për kontraktorët të cilët nuk kanë mundur të plotësojmë detyrimin e realizimit të kontratës brenda afateve të përcaktuara.
Keto njesi nuk kanë bërë asnjehere një analizë e hollësishme, sa here janë shfaqur nevojat për shtyrje të afatit të realizimit të projekteve, analize ku të përcaktohen arsyet e vonesës, masat e marra për realizimin e projekteve, përcaktimi i afatit të ri, si dhe nuk kanë nxjerrë përgjegjësitë për vonesat e shkaktuara.
Në shumë nga projektet IPA, njësitë e zbatimit të projekteve nuk e administrojnë dokumentacionin e projekteve në përputhje me legjislacionin shqiptar, pasi përgjithësisht dokumentacioni mbahet në gjuhë të huaj dhe nuk ruhet sipas kërkesave ligjore për arkivim.
xx
Për projektet IPA, ka munguar transparenca dhe auditimi i tyre. Mjafton të kujtoj këtu, se, në rast se shikoni ëeb-in e Agjencisë së Auditimit të Fondeve të Asistencës së Huaj, të krijuar në vitin 2016, raportimi ka ngelur në Raportet Vjetore të viteve 2018-2019. Duke mos realizuar koordinimin e duhur dhe angazhimin e plotë në realizimin e projekteve IPA, pala shqiptare në përgjithësi dhe ministritë e linjës në veçanti, kanë dëshmuar:
- Pasivitet të theksuar në aplikimin për projekte të tilla, duke treguar se qasja jonë europiane vijon të mbështetet më shumë në slogane, sesa në punë;
- Menaxhim të dobët në nivel strategjik, taktik e operacional të projekteve të ndërmarra, ku mungojnë struktura që duhet të ishin ngritur me kohë, njësi të dedikuara IPA në përputhje me prioritetin politik e social, monitorim eficient në dimensionin financiar dhe atë performant, duke treguar rrjedhimisht për një proces më së shumti fiktiv të rritjes së kapaciteteve administrative dhe integrimi europian;
- Proces të mangët feedback-u në nxjerrjen e mësimeve nga gabimet e kaluara, korrigjimin e tyre në kohë dhe parandalimin e rindodhjes së tyre në ardhmen, duke treguar mungesë përgjegjësie dhe shkaktuar dëme financiare.
- Mungesë të burimeve njerëzore të mirë-trajnuar në ministritë e linjës (për shkak se procedurat e rekrutimit të stafit të ri janë të gjata, si dhe largimi i stafit nga puna);
- Mungesë të komunikimit dhe koordinimit brenda administratës qendrore, veçanërisht në rastet kur një projekt përfshin më shumë se një përfitues;
- Informacion të limituar nga ana e nivelit të lartë drejtues të institucioneve përfituese, lidhur me programimin dhe zbatimin e fondeve IPA;
- Ndryshimet në qeveri prekin njerëzit që janë trajnuar tashmë, mbi mbështetjen dhe mekanizmat e mbështetjes së BE-së;
- Mungesë të politikave për të motivuar stafin. Për shkak të vështirësive gjatë programimit të projekteve IPA si dhe kërkesave të tregut të brendshëm për shkrim projektesh, stafi i IPA-s në ministritë e linjës ka braktisur administratën publike;
- Përfshirje e ulët e grupeve të tjera të interesit, si organizatat e shoqërisë civile dhe stafit të qeverisjes vendore;
- Mungesë të përshkrimit të qartë të punës të dedikuar vetëm për programimin e IPA-s. Në shumë raste, ekspertët në ministritë e linjës nuk kanë kohë për t’i dedikuar shkrimit të projektit IPA, për shkak të detyrave të tjera që duhet të përmbushin, etj.
Mangësitë e mësipërme i përmend, me qëllim që Agjencia e re e krijuar t’i reflektojë në punën e saj, në zbatimin e Projekteve IPA III.
Ne në Komisionin e Ekonomisë kërkuam informacion për implementimin e projekteve të IPA II. Agjencia e e re SASPAK u tregua korrekte dhe na përcolli informacionin. Sipas këtij informacioni, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2022, për projektet IPA II 2014-2020, nga 540 milionë euro janë realizuar 45%, në një kohë kur, sipas afateve normale të IPA +2 vjet, këto projekte duhej të ishin realizuar 100%. Këto shifra vërtetojnë të gjitha mangësitë që kam përmendur në fillim.
Adresimi i duhur dhe sa më parë i këtyre problematikave, do të sillte një rritje të efektivitetit të projekteve ekzistues dhe shtim të stokut të projekt-ideve për ndërhyrje të fondeve IPA në të ardhmen, në dobi të rritjes së imazhit të vendit tonë, si një vend i përgjegjshëm dhe i përkushtuar në rrugën e tij të integrimit, si dhe gjenerues i aftë projekt-idesh të realizueshme, në kuadrin e financimeve nga paratë e taksapaguesve të Bashkimit Evropian, për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.Botuar në Gazeta Sot më dt. 17.09.2022