BE fshikullon ashpër Ramën

Progres-Raporti 2022 për Shqipërinë: hiqni dorë nga amnistia dhe nga pasaportat e arta!
Raporti 2022 për Shqipërinë i Komisionit Evropian (Progres-Raporti), i publikuar më 12 tetor(file:///C:/Users/user/Downloads/Albania%20Report%202022.pdf ), ngre shqetësime të mëdha për (i) mënyrën e administrimit të financave publike nga sekti në pushtet, (ii) për aventurën në të cilën kërkon ta fusë vendin Rama me amnistinë fiskale dhe penale, (iii) për mungesën e ndëshkimit të rasteve të pastrimit të parave, (iv) për masakrën me pronat, (v) për kredibilitetin e ulët të buxhetit, (vi) për ndërhyrjet e shumta në legjislacionin fiskal, si dhe (vii) për mungesën e ndihmës së duhur sociale.
BE u thotë “JO!” aventurave me amnistinë fiskale dhe pasaportat e arta
Në faqen 6, në përmbledhjen e Raportit, BE shprehet se “Shqipëria ka një sektor të madh informal dhe ekonomia e saj bazohet kryesisht në paranë letër(cash). Krimet që gjenerojnë shuma të mëdha parash përfshijnë trafikun e drogës, evazionin fiskal, kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Për sa i përket pastrimit të parave, Shqipëria është në listën e Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF) të juridiksioneve nën monitorim të shtuar që nga shkurti 2020 dhe nuk ka përfunduar zbatimin e Planit të Veprimit të FATF deri në afatin e shkurtit 2022… Në 2021, 317 raste të pastrimit të parave ju referuan Prokurorisë, kundrejt 280 në vitin 2020. Pavarësisht kësaj rritjeje, numri i personave me dënime të formës së prerë për pastrim parash mbetet pothuajse inekzistent (katër në vitin 2020 dhe vetëm një në vitin 2021).
Sekti në pushtet paralajmërohet ashpër nga Progres-Raporti 2022 për projektligjin e aministisë fiskale dhe penale. Shqipërisë i kujtohet se është në “Listën Gri” të vendeve me rrezikshmëri të lartë ndaj dukurive të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Raporti thekson se “Qeveria duhet të zbatojë elementët e mbetur të planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar te Moneyval. Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval, mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë”(Faqe 7 e Progres-Raportit).
Në faqen 76, Bashkimi Evropian shprehet se “Megjithëse FMN përsëriti në maj 2022 këshillën e saj që Shqipëria të mos përfshihet në një amnisti të mundshme tatimore, nisur nga shqetësimet për ndikimin e saj në pajtueshmërinë me taksat, si dhe rreziqet e pastrimit të parave dhe qeverisjes, në qershor qeveria publikoi për konsultim një projektligj për amnisti fiskale dhe penale, për ata që do të bëjnë deklarim vullnetar të fondeve dhe aseteve të padeklaruara. Miratimi i një ligji të tillë kundër këshillës së BE-së dhe Moneyval mund rrezikojnë progresin në pajtueshmërinë me taksat dhe luftën kundër pastrimit të parave”
Pavarësisht kritikave të kahershme dhe të vazhduara të Bashkimit Evropian, mbi planin e sektit Rama për dhënien e shtetësisë të huajve të pasur që duan të investojnë në vend, në korrik të këtij viti, qeveria hodhi një tjetër hap drejt zbatimit te tij, kur miratoi një vendim që i hap rrugën angazhimit të një kompanie ndërkombëtare për promovimin e pasaportës shqiptare.
Për këtë arësye, Progres-Raporti 2022 thekson me forcë se “Shqipëria duhet të heqë dorë nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta), pasi do të paraqiste rreziqe, sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit të krimit të organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me normat e BE-së” (faqe 23 e Raportit).
BE e shqetësuar për humbjen e kredibilitetit të buxhetit
Progres Raporti 2022 i Komisionit Evropian trajton gjerësisht shqetësimet për klimën e biznesit dhe ndërhyrjet e shumta në ligjet fiskale të vendit. Ai shprehet se “Rishikimet e shpeshta të buxhetit dobësojnë besueshmërinë fiskale. Inflacioni u rrit mbi objektivin, ndersa ekonomia joformale mbetet e rëndësishme. Ekonomia informale mbetet e madhe – vlerësohet nga FMN se ajo përbënte rreth një të tretën e PBB-së në vitin 2019 dhe është më e përhapur në tregti, turizëm, prodhim dhe ndërtim” (Faqe 6 dhe 55 e Raportit).
Bashkimi Evropian, në këtë Progres-Raport, nxjerr në pah prapambetjen në njohuritë sipërmarrëse dhe teknologjike të vendit. “Njohuritë sipërmarrëse dhe teknologjike mbeten të ulëta, me nevoja të paplotësuara për investime në kapitalin njerëzor dhe fizik, boshllëqe në aftësi dhe arsim, si dhe shpenzime të ulëta për kërkim dhe zhvillim. Diversifikimi i ulët i eksporteve rrit ndjeshmërinë ndaj goditjeve të jashtme. Edhe pse integrimi rajonal dhe eksportet u rritën, ato mbetën nën potencial (faqe 6 e Raportit).
Raporti vë gishtin në keqmenaxhimin e financave publike në tërësi dhe të investimeve publike në veçanti, kur ravijëzon kredibilitetin e ulët të administrimit të Buxhetit të Shtetit. “Dobësitë në menaxhimin e investimeve publike vazhdojnë. Shpenzimet për investime shpesh mbetën prapa planeve të rishikuara dhe perqendrohen ne fundvit, me një të tretën e totalit të shpenzimeve kapitale në vitin 2021, të ekzekutuar vetëm në dhjetor. Kjo sinjalizon një dobësi të vazhdueshme në menaxhimin e investimeve publike, e cila, në kombinim me detyrimet e prapambetura të kontratave dhe rishikimet e shpeshta të buxhetit me akt normativ, dobëson besueshmërinë e buxhetit” (Faqe 55 e Raportit).
Ne faqen 90 te Raportit, Bashkimi Eropian veren se “Qeveria përdori akte normative për të ndryshuar gjashtë herë buxhetin e saj të vitit 2021… Frekuenca e ndryshimeve buxhetore dhe përdorimi i akteve normative në vend të procesit të rregullt legjislativ, nxjerr në pah dobësitë në kapacitetin e planifikimit dhe komprometon besueshmërinë e procesit të përgatitjes së buxhetit”.
Komisioni Evropian ka shume shqetesime edhe per procesin e planifikimit te buxhetit dhe te konsultimit me partneret. “Planifikimi i buxhetit nuk bazohet në vlerësimet e rezultatit aktual fiskal të vitit të kaluar, por në planin e buxhetit të vitit të kaluar, i cili kërkon një rishikim të parë të buxhetit, menjëherë pas miratimit të buxhetit nga Parlamenti, kur të dhënat e zbatimit fiskal dhe borxhit bëhen të disponueshme. Shqipëria dorëzoi Programin e saj të Reformës Ekonomike (ERP) 2022-2024 në kohë, por kuadri i saj fiskal nuk bazohej në shifrat e përditësuara të buxhetit dhe nuk përfshin asnjë të dhënë nga konsultimet me palët e interesuara joqeveritare, ngaqë këta nuk e përdorin platformën e konsultimit publik online, në të cilën konsultimi është i kufizuar. Shqipëria mbetet në nevojë për procese efektive konsultimi me palët e interesuara, si dhe për forcimin e mekanizmit të saj të koordinimit ndërinstitucional, për planifikimin gjithëpërfshirës të politikave strategjike dhe kapaciteteve të saj, për të siguruar zbatimin efiçient të reformave”.
BE kundër papërgjegjshmërive me ndihmën shtetërore
Progres Raporti 2022 i Bashkimit Evropian i çjerr maskën mburrjeve të sektit Rama për gjoja asistencën e duhur sociale ndaj shtresave në nevojë, përgjatë pandemisë dhe inflacionit të lartë të dy viteve të fundit, kur thekson se “Ndihma Shtetërore ra në 0.25% të PBB-së në vitin 2021. Pjesa e ndihmës horizontale në veçanti ra në vitin 2021 në rreth 50% të nivelit të saj në vitin 2019. Megjithatë, Zyrës së Ndihmës Shtetërore i mungon ende pavarësia institucionale dhe gjithëpërfshirja e të dhënave të raportuara mbetet e paqartë”. (Faqe 56 e Raportit). Më tej, në faqen 79 dhe 80 të Raportit, Komisioni Evropian vijon shqetësimin e tij, duke thënë se “Megjithë rekomandimet në vitet e mëparshme, pavarësia operacionale e Komisionit të Ndihmës Shtetërore ende nuk është siguruar. Efektiviteti i punës së tij duhet të përmirësohet ndjeshëm. Rekomandimet nga viti paraprak nuk janë përmbushur dhe mbeten të vlefshme… Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH) është përgjegjës për zbatimin e Ligjit për ndihmën shtetërore. Pavarësia e tij operacionale, e cila kërkohet nga Marreveshja e Stabilizim-Asocimit, mbetet për t’u siguruar, duke qenë se KNSH ende varet nga Ministria e Financave. KNSH mund të urdhërojë rikuperimin e ndihmës së paligjshme dhe të papajtueshme, por nuk e ka bërë këtë deri më sot. Kapaciteti zbatues i KNSH mbetet i pamjaftueshëm, pasi personeli i sekretariatit të tij duhet të rritet ndjeshëm. Në zbatim, historiku i kontrollit të ndihmës shtetërore mbetet shumë i dobët. Komisioni i Ndihmës Shtetërore miratoi vetëm një vendim në vitin 2021 dhe 3 vendime në gjysmën e parë të vitit 2022, për autorizimin e ndihmës shtetërore”.
Bashkimi Evropian denoncon fuqishëm edhe masakrën e bërë me të drejtën e pronës private dhe kërkesat për kompensim të saj nga pronarët e ligjshëm, kur në faqen 33 të Raportit vëren se “Që nga shkurti i vitit 2021, nuk është dhënë asnjë vendim për të drejtën e dëmshpërblimit dhe është pezulluar ekzekutimi i vendimeve përfundimtare, për shkak të rishikimit të ligjit për procesin e kompensimit nga Gjykata Kushtetuese. Mandati i skaduar i Agjencisë së Trajtimit të Pronave la pak rreth 7, 000 kërkesa për njohje pronësie për t’u trajtuar nga gjykatat”.
Në lidhje me efektivitetin e administratës tatimore, Bashkimi Evropian vëren se numri i vendeve bosh në këtë administratë është ende i lartë. Sipas Raportit, në prill 2022, ai përbënte 10.7% të të gjithë punonjësve. Raporti shprehet se “Shqipëria nuk ka ende kapacitetin teknik për të lehtësuar shkëmbimin efiçient të informacionit për qëllime tatimore me vendet e BE-së. Sistemi elektronik i administratës tatimore është funksional, por nuk ka afate për të arritur ndërlidhjen dhe ndërveprueshmërinë me sistemet e BE-së”(Faqe 88 e Raportit).

Botuar në Gazeta Panorama më dt. 13 Tetor dhe Gazeta Sot më dt.14 Tetor 2022