Shqipëria, ndër vendet më të korruptuara të Evropës

19 vite më parë, më 9 dhjetor të vitit 2003, përfaqësuesit më të lartë të 100 shteteve nga mbarë bota, nënshkruar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Konventën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Edhe pse vendi ynë ishte një shtet nënshkrues i Konventës që më 9 dhjetor 2003, bilanci ynë në luftën kundër korrupsionit vjen sot sureal, me një butafori dhe shkëlqim 3D të qeverisjes online, sa të trishtë, aq edhe mjeran.
Papërgjegjshmëria është kthyer në normë
“Shqipëria ka bërë hap pas sa i përket nivelit të korrupsionit, duke e thelluar atë”, shprehet raporti më i fundit i “Transparency International”, “Indeksi i perceptimit të korrupsionit 2021”, i botuar këtë vit.
Indeksi i Transparency International është mjeti më i saktë, i njohur gjerësisht në botë, për matjen e nivelit të korrupsionit. Vendi ynë renditet në pozicionin e 110-të në glob, ndër 180 shtete, duke humbur 6 pozicione krahasuar me raportin e një viti më parë, kur renditej në vedin e 104-rt në botë. Ndër vendet e rajonit, tashmë jemi të fundit, duke u barazuar Bosnje Hercegovinën.
Në botë, krahasohemi me vende si Tanzania, Etiopia, Kazakistani dhe Gambia. Në vitin 2017, në renditjen e Transparency International(https://www.transparency.org/en/news/corruption-perceptions-index-2017), ishim në vendin e 84-rt. Kemi zbritur 26 pozicione!
Një vit më parë, Transparency International dhe Instituti Shqiptar për Demokraci e Ndërmjetësim publikuan një raport mbi kapjen e shtetit, korrupsionin e lartë dhe ligjet me porosi (https://idmalbania.org/deconstructing-state-capture-in-albania/?fbclid=IëAR2xMswbn13VMB_zuKJHqIMd8wjim_v4pu8BZhSXmSgmDQr_tMBfXeWo5Lk) . Raporti theksoi dukurinë më të shëmtuar të qeverisjes Rama, garantimin e pandëshkueshmërisë së veprimit korruptiv dhe në sistem të zyrtarëve të lartë publikë. Papërgjegjshmëria tek ne është kthyer në normë.
Raporti përmend se korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të nxitet nga privatizimi i shërbimeve publike, në dëm të interesave të buxhetit të shtetit, duke hipotekuar pagesat e taksave të qytetarëve shqiptarë për një periudhë të ardhshme deri 13-vjeçare, nëpërmjet koncesioneve të formës së partneriteteve publik-privat(PPP).
Sekti Rama e ka zhvilluar kancerin e kapjes së Shtetit në përmasa alarmante, të mundësuar nga mekanizmat e pamjaftueshme institucionalë të kontrollit dhe balancës së pushteteve, si dhe nga politizimi i skajshëm i administratës publike, me armatën e patronazhistëve si hunveibinët e Mao Ce Dunit dhe Revolucionit Kulturor kinez.
Këta faktorë mbështeten nga një gjyqësor i korruptuar, që siguron pandëshkueshmëri për autorët e korrupsionit. Periudha 2013-2022 ka dëshmuar një thellim dhe forcim të bashkëpunimit midis politikës qeverisëse, biznesit dhe krimit të organizuar, i cili ka arritur kulmin e tij gjatë gjashtë viteve të fundit.
Raporti i fundit i SELDI-t: Shteti shqiptar i zhytur në korrupsion!
Raporti Rajonal Antikorrupsion i SELDI-t (Lidërshipit për Zhvillim dhe Integritet të Evropës Juglindore), me titull “Monitorimi i sistemit të korrupsionit 2021”, i botuar kete vit, e profilizon Shqiperine si vendin me rrezikshmerine me te larte ne rajon per korrupsion dhe kapje te shtetit.
Sipas raportit, Shqipëria ka presionin dhe përfshirjen më të lartë për korrupsion në Ballkanin Perëndimor për të gjithë treguesit, si për kërkimin e ryshfetit, dhënien e tij, pranueshmërinë e korrupsionit, rënien pre ndaj tij dhe deri në kapjen e shtetit nga bizneset.
“Shqipëria duket të jetë vendi më i prekur nga korrupsioni administrativ më i lartë në rajon me 57% të qytetarëve që u kërkohet ryshfet të paktën herë pas here dhe 47% marrin pjesë realisht në transaksione korrupsioni”, thuhet në raport.
Sipas raportit, përfshirja e drejtpërdrejtë në transaksionet e korrupsionit shoqërohet me mbizotërimin e qëndrimeve specifike ndaj korrupsionit dhe sjelljeve korruptive dhe nga perceptimi se korrupsioni është i përhapur në shoqëri.
Një tjetër tregues, ai i pranueshmërisë së korrupsionit pasqyron besimin e qytetarëve se disa praktika korruptive nga zyrtarët publikë janë normale dhe mund të tolerohen. Në vitin 2021, pranueshmëria është më e larta në Shqipëri (40%), Bosnje dhe Hercegovinë (38%) dhe Maqedoninë e Veriut (37%), por edhe rezultatet më të ulëta (Kosova – 25% dhe Mali i Zi – 27%) mbeten mjaft të larta.
Edhe kapja e shtetit është mbizotëruese në Ballkanin Perëndimor, ku sërish Shqipëria mban rekordin, si një vend ku interesat private ndikojnë ndjeshëm në proceset vendimmarrëse të një shteti në avantazhin e tyre.
Treguesin e presionit për kapjen e shtetit nga bizneset, i cili përqendrohet në presionin e monopolizimit në nivel kombëtar, sektorial ose institucional, Shqipëria e ka 45, më i larti në rajon, së bashku me Bosnjë Hercegovinën. Ndërsa për indikatorin tjetër, mundësuesit e kapjes së shtetit, që përfshijnë faktorë institucionalë dhe mjedisorë në nivel kombëtar, arrin në 50, gati dy herë më i lartë sesa vendi i dytë në rajon, që është Kosova.
Bizneset në Shqipëri e kapin më shumë shtetin
Kontratat qeveritare për biznese të zgjedhura dhe të lidhura me funksionarë të lartë publikë, të “bekuara” nga vetë Rama (mjafton të kujtojmë rastin e qindra milionë eurove të dhëna kompanive të lidhura për ngritjen e inceneratorëve të mbetjeve në disa qytete kryesore të vendit, si në Tiranë, Fier dhe Elbasan, sot nën hetim nga SPAK), kanë çuar në keqadministrim të pasurive publike dhe rritje të borxheve financiare, të cilat e kanë sjellë borxhin publik në kufij të papërballueshëm dhe në prag krize të thellë.
Ligjet e bëra me porosi legalizojnë kapjen e Shtetit, duke vendosur rregulla që favorizojnë interesat private të beniaminëve të sektit, në dëm të interesit publik. Këto ligje zakonisht miratohen pa konsultime paraprake publike dhe nuk bazohen në vlerësime thelbësore të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Janë me dhjetëra ligje dhe vendime të Këshillit të Ministrave(VKM) të tilla, por me kryesoret, ato ku Shteti dhe interesat e qytetareve janë dëmtuar më fort, janë: (i) Ligji special për Teatrin, (ii) Ligji për Mediat Audiovizive, (iii) Ligji për Lojërat e Fatit, (iv) Ligji për Lotarinë Kombëtare, (v) Ligji për Koncensionet dhe PPP-të, (vi) VKM e kthyer në ligj për autostradën Milot-Balldren, (vii) VKM e kthyer në ligj për kompaninë Air Albania dhe rasti i fundit flagrant, Ligji per kontratën e “Durrës Yachts&Marina” në Portin e Durrësit.
Sekti në qeverisje e ka kolauduar në perfeksion grabitjen prej tij të pasurive dhe fondeve publike, duke alternuar korrupsionin tradicional me hipotekimin e parasë së ardhshme të taksapaguesve, në shërbim të detyrimeve nga PPP-të e nënshkruara me oligarkët e vet.
Fitimet okulte, arsyeja pse sekti ‘Rama’ po zeron portin mijëvjeçar të Durrësit!
Porti i Durrësit si porti më i madh në vend është njëkohësisht dhe porti më i investuar. Vetëm gjatë dy dekadave të fundit, në këtë port janë modernizuar kalatat, pajisjet dhe shërbimet. Ai ka arritur të përpunojë rreth 4 milionë tonë mallra në vit, duke dalë me fitim në dhjetra milionë euro në vit.
Që porti të zhvillohej dhe të arrinte një rentabilitet të mirë, janë bërë investime me kredi të buta afatgjata, marrë nga institucione ndërkombëtare financiare si Banka Evropiane e Investimeve(BEI) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), mbi bazën e masterplaneve dhe planeve të tjera të zhvillimit të portit.
Aktualisht Porti i Durrësit vijon të paguajë këstet dhe interesat e 92 milionë eurove kredi afatgjata të marra nga BERZH dhe BEI, për modernizimin e tij.
Papritmas, qeveria e Liderit Global, e braktis portin mijëvjeçar dhe gjithë investimet mbi të. Ajo po kërkon ta spostojë në Porto Romano, për t’i lënë vend në hapësirën e portit, ndërtimit nga një miliarder arab, kryesisht të 12,600 apartamenteve të banimit, për t’i shitur. Madje e ka bërë fakt të kryer këtë!
Lajmi i zerimit gradual të portit të Durrësit dhe i zhvendosjes së tij diku gjetiu, ka bërë që kompanitë e mëdha detare të transportit të mallrave me konteinerë, të nisin përpjekjet të largojnë aktivitetin e tyre nga Porti i Durrësit, në drejtim të porteve të Pireut në Greqi dhe të Kotorrit në Malin e Zi. Kjo, pasi këto kompani punojnë me plane paraprake transporti dy deri në tre vjet më përpara dhe mbyllja graduale e portit të Durrësit, për t’u rindërtuar në një vend tjetër, u krijon pasiguri. Sa kohë do të kërkojë ky rindërtim: 5, 7, 10 vjet? Asgjë nuk është e sigurt tashmë.
Nga ky kufizim në vijimësi i aktivitetit të transportit tregtar detar në port, do të preket në të ardhmen dhe aktiviteti i mallrave tranzit për në Kosovë. Vitet e fundit panë rritjen e vëllimit të mallrave tranzit për në Kosovë, nëpërmjet shërbimeve të portit të Durrësit.
Kompanitë e mëdha importuese nga Kosova i orientuan anijet ku porosisnin mallrat, për në Portin e Durrësit, pasi kostot e transportit ishin më të pakta dhe koha më e pakët, në krahasim me përpunimin e këtyre mallrave në portet Pire të Greqisë, apo në Kotorr të Malit të Zi. Po ashtu, edhe kosto e transportit Durrës-Prishtinë është më e ulët, nga ajo Selanik-Prishtinë, apo Kotorr-Prishtinë. Vetë Porti i Thatë në Prishtinë nisi të zgjerohej dhe zmadhohej, mbi perspektivën e rritjes së aktivitetit tregtar dhe përpunues të konteinerëve, nga aksi Durrës-Prishtinë. Tani, me zhvendosjen e portit të Durresit dhe me faktin që nuk dihet se sa kohë kjo zhvendosje do të marrë, i gjithë i transportit detar për në Kosovë, nëpërmjet Durrësit, vihet në pikëpyetje.
Sekti Rama, për të siguruar fitime kolosale nga kjo aferë e Portit të Jahteve dhe Marinës në Durrës, nuk ndalet në zerimin gradual të portit tregtar mijëvjeçar, pa marrë parasysh kreditë që duhen paguar për modernizimin e portit aktual, as edhe dëmet që i shkaktohen ekonomisë së Kosovës, nga zhvendosja e Portit. Për të mos folur për mbi dy miliardë euro kosto të zhvendosjes dhe ndërtimit të portit të ri në Porto Romano, që do t’i përballojnë qytetarët shqiptarë nga taksat e tyre.
Shteti më i kapur në historinë e Shqipërisë
Qeverisja Rama përfaqëson shtetin më të kapur në historinë e Shqipërisë, duke u mbështetur në tre shtylla: (i) në një rrjet marrëdhëniesh klienteliste, (ii) në procedime gjyqësore të korruptuara dhe (iii) në ligjet e bëra me porosi. Rastet e ekzaminuara të korrupsionit të nivelit të lartë sugjerojnë që marrëdhëniet klienteliste vendosen mes zyrtarëve të nivelit të lartë (me raste edhe të të afërmve të tyre) dhe subjekteve private.
Ka raste të shumta kur kompanitë private( të cilat janë pjesë e një skeme korrupsioni të madh të nivelit të lartë ose politik) krijohen si rezultat i një miqësie ekzistuese ose marrëdhënie tjetër të ngushtë mes një individi privat dhe një nëpunësi të lartë publik, për të përfituar nga privatizimi i një aseti ose shërbimi shtetëror. Vetëm në mjekësinë publike, sekti Rama ka privatizuar gjashtë shërbime publike në vitet 2016-2018, duke krijuar detyrime në kohë për buxhetin e Shtetit, për vlerën e 568 milionë eurove.
Edhe nëse rrallë qëllon që kryhet një hetim mbi korrupsionin e nivelit të lartë, ushtrimi i ndikimit politik në procedimet gjyqësore dhe korrupsioni ende endemik brenda gjyqësorit dhe prokurorisë, zakonisht çojnë në dënime të buta ose në pushimin e çështjeve. Ligjet e bëra me porosi legalizojnë kapjen e Shtetit, duke vendosur rregulla që favorizojnë interesat private në dëm të interesit publik.
Këto ligje zakonisht miratohen pa konsultime paraprake publike dhe nuk bazohen në vlerësime thelbësore të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Ndërkohë që politikanët (kryesisht në qeverinë qendrore, por edhe në qeverisjen vendore), bashkëpunojnë me sektorin privat për të shfrytëzuar egërsisht dhe barbarisht burimet e vendit, gjyqësori ende i korruptuar, siguron pandëshkueshmëri për këto veprimtari dhe u zgjat jetën skemave fitimprurëse korruptive.
Xx
Ky sistem me Shtet tërësisht të kapur, me institucione të pavarura të kapura nga Ekzekutivi ose të shurdhuara në oponencën e tyre, me një opozitë të dobët dhe shoqëri civile të kapur, me mediat nën trysni e shantazh të përditshëm, është e pamundur të shkatërrohet nga përbrenda qeverisjes së sotme.
Sekti Rama nuk mund kurrsesi të luftojë korrupsionin, sepse është alter-ego e tij. Është i ngjizur, i identifikuar plotësisht me korrupsionin dhe mbahet në pushtet e gjallon vetëm nëpërmjet aferave korruptive dhe kapjes së Shtetit. 9 dhjetori i Ditës Botërore Kundër Korrupsionit është një moment i trishtë, i pagojë dhe gur kilometrik i nxirë për Shtetin shqiptar dhe qytetarët e tij sot, ngaqë ata nuk kanë asnjë trofe, asnjë arritje për të vendosur në altarin e luftës botërore kundër korrupsionit.
Shteti shqiptar dhe qytetarët e tij kanë sot qeverisjen Rama, që do të vijojë të shmangë llogaridhënien dhe transparencën, si të vetmet mjete efektive për të dekurajuar korrupsionin kudo në botë. Kanë një sekt të panginjur në pushtet, që do të vijojë t’i gënjejë e t’i shfrytëzojë pa mëshirë, duke zgjatur duart lakmitare e boshatisur xhepat e taksapaguesve shqiptarë, sot dhe për 13 vite në vijim.

Botuar në Gazeta Sot më 10 Dhjetor 2022