Polonia, aleati nr. 1 i Ukrainës në Evropë

Polonia është shtyllë e fuqishme e NATO-s në Evropë dhe fuqia e katërt ushtarake e Evropës, krahas së qenit ekonomia e pestë më e madhe e kontinentit. Që nga anëtarësimi i Polonisë në NATO në vitin 1999, vendi ka modernizuar ushtrinë e tij, ka rritur kapacitetet dhe mjetet luftarake të fjalës së fundit, me trupa të mirëtrajnuara nga specialistët më në zë të NATO-s. Ne kemi shumë për të përfituar nga përvoja ushtarake polake. Që nga fillimi i agresionit të Putin në Ukrainë më 24 shkurt, Polonia ka treguar solidaritet të fortë dhe të jashtëzakonshëm me Ukrainën. Mbi 6 milionë refugjatë ukrainas kanë kaluar kufirin polak në kërkim të sigurisë dhe janë mirëpritur në truallin polak nga një administratë dhe popull i mësuar me privimet e mungesës së lirisë dhe vuajtjet nga tiranitë dhe autokracitë e shteteve fqinjë. Mbi 1,5 milionë prej tyre kanë marrë statusin e azilit në Poloni, ku janë mikpritur nga shteti, qeveria dhe qytetarët polakë, duke u integruar gradualisht në shoqërinë dhe ekonominë polake. Qeveria polake mbështet fuqimisht kursin politik të Ukrainës për në NATO dhe BE. Qytetarët polakë janë gjithashtu të angazhuar në mënyrë aktive për të ndihmuar Ukrainën. Iniciativat vullnetare, të tilla si fushata popullore për mbledhjen e fondeve për të blerë dronët luftarakë Bayraktar për Ukrainën, kanë frymëzuar dhe motivuar si ushtrinë ukrainase, ashtu edhe civilët. Duke qenë një aleate e vendosur e Ukrainës, Polonia po e mbështet fuqimisht vendin dhe popullin më martir të sotëm në botë. Ukraina po mbron lirinë dhe demokracinë botërore, ndërsa Rusia e Putin lufton për ambicie dhe diktaturë neo-perandorake. Parlamenti polak miratoi një ligj për statusin special të ukrainasve në Poloni në qershor 2022, duke vendosur garanci ligjore dhe sociale për qytetarët ukrainas që banojnë në Poloni. Përkushtimi i qeverisë qendrore polake, autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile në mbështetjen e refugjatëve ukrainas dhe kombit ukrainas në luftën kundër agresionit rus, paraqitet i pandërprerë.
Polonia- aleate e patundur e integrimit evropian të Shqipërisë
Me popullin dhe kombin e madh polak na lidhin shumë gjëra. Njëlloj si ne, polaket janë një komb liridashës dhe kanë zhvilluar beteja pa fund përgjatë shekujve, për të fituar pavarësinë e tyre. Njëlloj si ne, në identitetin e të qenit polak, dashuria për atdheun dhe krenaria kombëtare janë virtyte bazë. Polonia, ky vend i madh evropian dhe mik i Shqipërisë, e ka mbështetur fuqimisht integrimin tonë në familjen e përbashkët evropiane. Në të gjitha marrëveshjet për pranimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike, të cilat kanë pasur nevojë për ratifikim nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, Polonia ka qenë gjithmonë në grupin e parë të vendeve që i ka ratifikuar. Polonia është aleate e Shqipërisë në NATO dhe një provokuese e vendosur e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Qëkur Polonia iu bashkua Bashkimit Europian në vitin 2004, për gjithë këta 18 vite, ka qenë mbështetëse e politikës së zgjerimit të Unionit. Qeveria polake dhe qytetarët e saj e vlerësojnë këtë si një prej politikave më efektive, jo vetëm për efektet pozitive që kanë fondet e BE-së mbi rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standardeve të jetesës në vendet që i janë bashkuar BE-së, por gjithashtu në aspektin gjeopolitik, përkatësisht në zhvillimin e një zone të stabilitetit dhe begatisë në të gjithë Europën. Polakët besojnë se politika e zgjerimit është me rëndësi themelore për të ardhmen e BE-së. Për të siguruar qëndrueshmërinë dhe sigurinë në Europë, BE duhet të vazhdojë me vendosmëri politikën e tij të zgjerimit dhe të mbështesë reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që vendet e rajonit të bëhen anëtarë të BE-së në të ardhmen. Politika e zgjerimit ka gjithashtu një ndikim të madh në rritjen ekonomike të BE-së dhe vendeve kandidate duke i lejuar ato t’i përgjigjen më mirë sfidave, si përmirësimi i nivelit të jetesës së njerëzve dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kur Shqipëria u godit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, qeveria polake ishte ndër të parat që tregoi solidaritet solli ekipe shpëtimi. Mbështetja financiare që Polonia premtoi gjatë konferencës së donatorëve për Shqipërinë në 17 shkurt 2020 në Bruksel ishte një shprehje e miqësisë polako-shqiptare.
Presidenti polak Andrzej Duda- mik i shqiptarëve
Polonia është atdheu i personaliteteve të kalibrit botëror si Papa Gjon Pali i Dytë, si Leh Valesa, udhëheqësi i Lëvizjes Solidarnosht që solli pranverën evropiane të vendeve të Evropës Lindore, si Presidenti Leh Kaçinski, ideatori i integrimit polak në BE. Sot 10 për qind e deputetëve të rinj të Parlamentit Evropian vijnë nga Polonia. Ndihma polake ndaj integrimit tonë në BE është shpeshtuar dhe intensifikuar vitet e fundit. Deklarimet e vendeve të Vishegradit e dëshmojnë këtë. Në këtë iniciativë që ka ndërmarrë shteti polak, mendoj se duhet të vlerësojmë dhe respektojmë veçanërisht dy vizita të rëndësishme politike, siç janë vizita e Presidentit të Polonisë, Andrzej Duda, i ftuar nderi në samitin e Brdo-Brijunit në Tiranë më 8-9 maj të vitit 2019 në Tiranë, dhe ajo e delegacionit të Parlamentit të Polonisë në 6 qershor po në vitin 2019. 
Vizita e Presidentit polak përbënte pa dyshim një moment të rëndësishëm për integrimin tonë. Polonia, me zërin e personalitetit më të fuqishëm të sotëm të saj në arenën ndërkombëtare, dha kumte domethënëse nga Tirana: Politika e Bashkimit Evropian duhet të jetë gjithmonë politika e dyerve të hapura, theksoi Duda,- Arsyeja e parë është se në të kaluarën ne aplikuam si komb të ishim pjesë e BE-së, bëmë mjaft përpjekje për reformat për të përshtatur funksionimin e vendit tonë ndaj pritshmërive të Komisionit Evropian. Ne jemi prej 15 vitesh anëtarë të BE-së, mbështetja e polakëve është mjaft e madhe sepse gëzojnë lirinë që solli ky anëtarësim, për shkak të fondeve nga BE.
Xxx
Me polakët na lidhin shumë gjëra, përsa i përket historisë dhe integritetit shpirtëror. Në parathënien e librit “100 Simbolet Polake”, theksohet se “Rruga e Polonisë drejt Europës ka qenë e gjatë, me barriera dhe ka zgjatur më shumë se dhjetë shekuj. Në një moment të historisë, Polonia u fshi nga harta botërore, por kombi polak ishte i fortë dhe këmbëngulës për të rivendosur Poloninë në kufijtë e saj tradicionalë në zemër të Europës. Që nga anëtarësimi në Bashkimin Europian, Polonia ka qenë një partner i denjë dhe i qenësishëm. Vendi i përmbahet motos së Bashkimit Europian “In varietate concordia (nga latinishtja, “unitet në diversitet”, ose “bashkim në shumëllojshmëri”) dhe ndërkohë arrin të ruajë karakteristikat e tij të veçanta, sharmin e tij të shkëlqyer, ndoshta shumë të vështirë për t’u arritur në ditët e sotme nga kombe të tjera të kontinentit të vjetër”.
Polonia dhe Shqipëria kanë bashkëpunim në shumë fusha. Në nivel politik, Polonia ndan përvojën e saj të periudhës së shndërrimeve dhe bisedimeve hyrëse në BE, përmes forumit të këshillimeve dypalëshe, të cilësuar si konferenca e Tiranës. Polonia është gjithashtu aktive në lidhje me bashkëpunimet binjakëzuese. Bashkëpunimi në fushën e arsimit të lartë po shkon mirë. Qendra e Studimeve Europiane në Universitetin e Varshavës ka hapur një degë kërkimi në Universitetin e Tiranës.
Bashkëpunimi ekonomik luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe. Edhe pse vëllimi i shkëmbimeve tregtare mes të dyja vendeve është modest, rreth 98 milionë euro në vit, potencialet janë të mëdha dhe në fushën e investimeve ka shumë mundësi për rritje. Me përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit europian, sipërmarrësit polakë do të jenë gjithnjë e më të interesuar për të bërë biznes me partnerët e tyre shqiptarë.
Shqipëria është një destinacion turistik popullor për polakët. Ata e vlerësojnë bukurinë e natyrës së saj dhe mikpritjen shqiptare. Shumica e turistëve zgjedhin qytetet bregdetare, por gjithmonë e më shumë po vendosin të zbulojnë pjesët malore të Shqipërisë. Në kater vitet e fundit, rreth 320 mije turiste polakë vizituan Shqipërinë, duke përbërë grupin më të madh të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë, duke përjashtuar diasporën shqiptare.
Projektligji “Për ratifkimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Polonisë, për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”, i cili do të votohet në janar 2023 në Kuvend, përfaqëson një nismë të dobishme dhe të rëndësishme, pasi synon fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak, brenda kuadrit të marrëdhënieve të qëndrueshme miqësore të dy vendeve tona, anëtare të NATO-s.

Botuar në Gazeta Sot më 29 Dhjetor 2022