Projektligji “Për përgjegjësinë financiare të punonjësve publikë” përfaqëson një nismë të domosdoshme për të luftuar me efektshmëri korrupsionin dhe abuzimin me fondet publike. Dispozitat që përmban projektligji janë të pranishme në legjislacionin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së (https://www.eupan.eu/wp-content/uploads/2020/05/Report-The-Civil-Service-System-at-European-Level.pdf).
E kam hartuar këtë projektligj, në bashkëpunim me një nga ekspertët më të mirë të auditimit në vend, Dr. Gjon Ndreaj, të cilin e falenderoj.
I. Synimet e projektligjit
Projektligji ka efekte parandaluese të qarta ndaj korrupsionit dhe përdorimit abuziv të b urimeve publike, duke rritur ndjeshëm efektivitetin dhe efiçiencën e menaxhimit të tyre. Ai synon:
Të vendosë procedura dhe të rregullojë marrëdhëniet që lindin midis subjekteve publikë dhe punonjësve publilkë, lidhur me dëmet e shkaktuara prej këtyre të fundit, në periudhën që ata janë/kanë qënë të punësuar ose në çfarëdo marrëdhënie me subjektin publik.
- Synimi kryesor i projektligjit është mbrojtja e burimeve publike nga veprimtaria e kundraligjshme e punonjesve publikë, tëcilët, me dashje ose nga pakujdesia, i shkaktojnë dëme interesave publike.
- Projekt ligji pritet të ketë efekte parandaluese në përdorimin abuziv të burimeve publike, korrupsionit dhe të shtojë efektivitetin dhe efiçiencën e përdorimit të këtyre burimeve.
- Ai do të rrisë dhe forcojë përgjegjshmërinë menaxheriale dhe profesionale të punonjësve publikë dhe do të kufizojë arbitraritetin e tyre në vendimmarrje, duke siguruar një mbrojtje efektive të nëpunësve të ulët dhe të mesëm nga eprorët e tyre, si dhe nga ndikimi i paligjshëm i eprorëve të lartë, deri me kërcënime të hapura apo të kamufluara me humbjen e vendit të punës, duke u imponuar vendimmarrje të gabuara.
- Mbrojtjen e burimeve publike nëpërmjet vënies në arkëtim në mënyrë të shpejtë të detyrimeve, rrjedhojë e dëmeve që i janë shkaktuar atyre.
- Miratimi i projekligjit do të pakësojë ndjeshëm volumin e cështjeve gjyqësore në gjykatat civile dhe administrative, duke i zgjidhur konfliktet në rrugë administrative.
Projektligji do të ulë në tërësi kostot administrative në procesin e rikuperimit të dëmeve, si dhe do tëfuqizojë rekomandimete institucioneve të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm
II. Objektivat, nocionet dhe struktura
Objekt i projektligjit “Për përgjegjësinë financiare të punonjësve publikë” është caktimi i shpërblimit të dëmit, mbi bazën e frymës së legjislacionit evropian, sipas pjesëmarrjes dhe rolit të punonjësit publik në shkaktimin e dëmit ndaj Buxhetit të Shtetit.
Projekt ligji kërkon të rrisë në një shkallë shumë të lartë përgjegjëshmërinë menaxheriale dhe profesionale të punonjësve publikë. Në ligjin për menaxhimin financiar dhe kontrollin, përgjegjëshmëria menaxheriale konsiderohet në tërësi si një parakusht për menaxhimin efikas të burimeve publike por ky ligj nuk ka instrumentet e duhura për ta realizuar atë. Projektligji shërben si një instrument komplementar, për të sanksionuar dhe rritur përgjegjëshmërinëmenaxheriale dhe profesionale në të gjitha nivelet, duke përcaktuar llojet e përgjegjësisë financiare, rastet sipas llojeve dhe përgjegjësitë respektive.
Projekti sjell disa risi dhe zhvillime në fushën e pergjegjësisë financiare duke klasifikuar llojet e kësaj përgjegjësie.Kështu, “Përgjegjësia e plotë” e punonjësit publik, konsiston në detyrimin e tij për të kompensuar subjektin publik, në vlerën e plotë të dëmit pasuror të shkaktuar, plus fitimin e munguar.
“Përgjegjësia e kufizuar” presupozon zhdëmtimin nën kufijtë e vlerës së plotë të dëmit të shkaktuar dhe parashikohet të aplikohet në rastet kur punonjësi ka bërë përpjekje për zvogëlimin e dëmit të shkaktuar dhe provon se ka qenë në pamundësi për të ndaluar të gjitha pasojat.
“Përgjegjësia financiare specifike” e zyrtarëve publikë konsiston në rastet kur zyrtarët publikë janë përgjegjës për dëmet e shkaktuara subjektit publik, si rrjedhojë e sjelljeve të paligjshme profesionale apo e vendimmarrjeve të tyre të gabuara, të cilat nuk janë kryer me dashje direkte.Zyrtarët publikë janë gjithashtu përgjegjës edhe për dëmet e shkaktuara nga punonjësit në vartësi të tyre.
Një lloj tjetër i përgjegjësisë financiare është “Përgjegjësia e përbashkët”, e cila presupozon se kur dëmi pasuror është shkaktuar nga disa punonjës, secili punonjës është përgjegjës për pjesën e dëmit të shkaktuar nga ai vetë.Si një risi në këtë projektligj, e cila përfshihet në kategorinë e përgjegjësisë së përbashkët, vjen “Përgjegjësia e organeve kolegjiale”. Projektligji përcakton se anëtarëte organeve kolegjiale kanë përgjegjësi, sipas qëndrimit të tyre në votim. Ata që votojnë kundër, në një proces vendimmarrje i cili ka sjellë një dëm pasuror, përjashtohen nga përgjegjësia.
Ky projektligjsynon fort të mbrojë me efektivitet pronën dhe fondet publike nga veprimtaria e kundraligjshme e punonjësve publikë, të cilët, me dashje apo nga pakujdesia, neglizhenca dhe paaftësia, i shkaktojnë dëme interesave publike.
III. Projektligji plotëson ligjin “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” dhe Kodine Punës
Projektligji plotëson ligjin nr. 10296 datë 8.7.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i ndryshuar, duke i dhënë këtij të fundit instrumentet e duhura për të realizuar përgjegjshmërinë menaxheriale, si një parakusht për menaxhimin efektiv, efiçient dhe me ekonomicitet të burimeve publike. Ai përfaqëson një instrument thelbësor për të sanksionuar dhe rritur përgjegjshmërinë menaxheriale dhe profesionale në të gjitha nivelet e administratës publike, duke përcaktuar llojet e përgjegjësisë financiare dhe materiale, rastet sipas llojeve dhe përgjegjësitë respektive.
Projektligji plotëson dhe forcon edhe zbatimin e Kodittë Punës, i cili ka trajtuar vetëm përgjegjësinë e punëmarrësve brenda një enti publik dhe vetëm brenda kuadrit të detyrimeve kontraktuale. Për shembull, detyrimin kontraktual(dhe për rrjedhojë, përgjegjësinë financiare) të një ministri me Shtetin, Kodi i Punës nuk e trajton. Po ashtu, projektligji trajton përgjegjësitë financiare të titullarëve të tjerë të enteve shumë të rëndësishme publike, të cilat nuk dalin të qarta në Kodin e Punës.
IV. Projektligji: instrument për të rekuperuar dëmete zbuluara dhe për të mbrojtur punonjësit e ranggjeve të mesme dhe të ulta
Kuadri ligjor ekzistues nuk ezauron përcaktimin e autoritetit që ka të drejtë të kërkojë zhdëmtimin e shumave që rrjedhin nga vendimmarrjet e gabuara të punonjësve publikë. Ky vakuum ligjor plotësohet nga projektligji i propozuar.
Praktika ofron shumë raste të zbulimit dhe raportimit të dëmeve të konsiderueshme financiare në institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore, të shkaktuara nga veprimtaria(ose mungesa e veprimit) e punonjësve publikë, por deri tani, mundësia e arkëtimit të këtyre dëmeve është mjaft e ndërlikuar, pasi kompetente për të caktuar zhdëmtimin është vetëm gjykata. Kjo është sanksionuar në nenin 24/7 të Kodit të Punës, sipas të cilit vetëm gjykata mund të japë një verdikt për përgjegjësinë materiale të punonjësve, si dhe në nenin 117, sipas të cilit zbritjet nga paga e punonjësve bëhen vetëm për të ndalur tatimin, ose me autorizim me shkrim të vetë punonjësit.
Projektligji synon që, pa cënuar në asnjë rast dispozitat e mësipërme të Kodit të Punës, por as edhe të drejtën e punonjësve për një ankim përfundimtar në gjykatë, të sjellë një zgjidhje administrative të ndërmjetme të rasteve kur, me dhjetra e madje qindra zyrtarë publikë të rangut të lartë dhe të mesëm, qëndrojnë prapa shifrave të konsiderueshme të dëmeve të shkaktuara Buxhetit të Shtetit. Kjo zgjidhje do të jepet e shpejtë dhe e drejtë, në funksion të interesit publik të qindra mijëra qytetarëve-taksapagues, kontribues në Buxhetin e Shtetit.
Projektligji parashikon zhvillimin e procedurave lidhur me caktimin e zhdëmtimit, duke i hapur rrugën transparencës së plotë, si dhe të drejtës për t’u mbrojtur, për të paraqitur prova dhe për t’u ankuar, kundrejt një vendimi përfundimtar të administratës publike, mbi bazën e këtij ligji.
Nga ana tjetër, projektligji siguron një mbrojtje efektive të punonjësve publike të rangut të mesëm dhe të ulët nga eprorët e tyre dhe ndikimi i paligjshëm i këtyre të fundit, deri në kërcënime të hapura apo të kamufluara për humbjen e vendit të punës, si imponim për të firmosur vendim-marrje të gabuara.
V. Përafrimi i projektligjit me Acquis Communautaire(legjislacionin) e BE-së. Përvoja evropiane
Projektligji “Për përgjegjësinë financiare të punonjësve publikë” nuk është një projekt-akt normativ, por synon të arrijë një përafrim më të mirë të kuptimit të përgjegjësisë financiare të punonjësve publikë, në linjë me praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian.
Ai në vetvete nuk përfaqëson një akt të ngjashëm me vendet anëtare të BE-së, për shkak të specifikave të vendit tonë, që konsistojnë në:
- Mungesën e parashikimit të përgjegjësisë financiare në Kodin e Punës, apo ligje të tjera të veçanta
- Mungesën e procedurave ligjore për caktimin e përgjegjësisë financiare
- Pozicionin e pafavorshëm të Shtetit në këtë proces.
Përvoja evropiane në këtë fushë shpaloset qartë në studimin “Përgjegjësia e autoriteteve publike në BE: Një vështrim krahasues” të botuar në Revistën Evropiane të Ligjit Krahasues (Journal of European Tort Law) të majit 2020 (https://www.degruyter.com/document/doi/10.1515/jetl-2020-0135/html?lang=en), cilësohet se ”Në të gjithë Evropën e Bashkuar, rregullat e përgjegjësisë penale dhe financiare të nëpunësitpublik janë zhvilluar për të trajtuar në mënyrë adekuate pozicionin e veçantë të autoriteteve publike; në disa juridiksione, nëpërmjet praktikës gjyqësore, dhe në të tjera, nëpërmjet regjimeve të veçanta ligjore. Kjo vëmendje e veçantë është e garantuar, për shkak të gamës së kompetencave të veçanta që u jepen organeve publike, veçanërisht pasi kjo rrit cënueshmërinë e buxheteve publike dhe qytetarëve ndaj tyre”(Faqe 136 e Revistës dhe faqe 4 e studimit).
Në manualin e SIGMA“Përgjegjësitë dhe disiplina e punonjësve publikë”, cilësohet se “Në legjislacionin e vendeve anetare te Bashkimit Evropian, përgjegjësia financiare dhe materiale e një nëpunësi civil pothuajse nuk ndodh kurrë e veçuar nga përgjegjësitë penale ose disiplinore te tij. Ajo i bashkëngjitet gjithmonë një sanksioni disiplinor, ose një sanksioni penal. Përgjegjësia financiare dhe materiale e autorit të veprës administrative që ka sjellë dëm publik, përcaktohet në mënyrë imperative si aneks i përgjegjësisë disiplinore, ose penale. Kjo zakonisht nuk paraqet probleme për palën e dëmtuar që kërkon kompensim, sepse ekziston një lidhje e përcaktuar qartë midis nëpunësit civil të dënuar për kryerjen e një vepre administrative apo penale, dhe dëmeve që i janë shkaktuar palës së dëmtuar”. (Faqe 3, paragrafi i tretë,https://www.sigmaweb.org/publications/37890790.pdf)
Në tërësi, projektligji“Për përgjegjësinë financiare të punonjësve publikë” jep në formë të plotë dhe të njëjësuar mënyrat dhe dokumentimin e dëmeve që nëpunësi publik u shkakton fondeve dhe aseteve publike, vlerësimin e dëmeve, mënyrat dhe kriteret e vlerësimit, etj… E kam depozituar qe prej nje viti kete projektligj ne Kuvend dhe shpresoj qe ai te gjeje perkrahjen e duhur per t’u miratuar nga Kuvendi, si nga deputetet e opozites dhe te pozites, pasi ai siguron një proces të qartë e transparent të shpërblimit të dëmit ndaj interesave publike, duke vendosur edhe një balancë mes mundësive reale të punonjësit shdëmtues dhe duke ruajtur minimumin jetik. Projektligji sanksionon në mënyrë të plotë dhe pa ekuivoke përgjegjësinë financiare dhe materiale të titullarëve të subjekteve publike, ndaj vendimmarrjevete gabuara, në dëm të interesave publike, duke përcaktuar edhe kriteret se kur përgjegjësia materiale shndërrohet në përgjegjësi penale.
Botuar në Gazeta Sot më 21 Janar 2023