Diskutim lidhur me Projektvendimin për miratimin e Planit vjetor 2023 për zbatimin e Programit të Statistikave Zyrtare 2022-2026”
Përshëndes dhe vlerësoj Planin vjetor 2023 për zbatimin e Programit të Statistikave Zyrtare 2022-2026, sikurse rreth një vit më parë, në shkurt 2022, kam përshëndetur dhe vlerësuar këtë Program, të përgatitur, përmes një pune sa voluminoze, aq edhe serioze dhe profesionale, nga Instituti i Statistikave(INSTAT),.
INSTAT këto vite ka patur zhvillim të konsiderueshëm dhe po provon të luajë një rol në rritje, nëpërmjet produkteve dhe serive të tij statistikore, për hartimin e politikave te duhura ekonomike publike, sa më të bazuara në informacion objektiv dhe të plotë, falë drejtuesve të tij ndër vite dhe deri tek drejtuesja aktuale.
Theksoj veçanërisht përpjekjet e INSTAT për hapjen dhe pastaj mbylljen e bisedimeve për Kapitullin 18 “Statistikat” të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, për të realizuar përafrimin maksimal dhe pastaj njehsimin e produktit tonë statistikor me standardet e statistikave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe me treguesit e EUROSTAT.
Është detyra ime si deputet, që, krahas vlerësimeve të merituara, të tërheq vëmendjen lidhur me dobësitë dhe kërcënimet ndaj punës së INSTAT, mbështetur në analizën SWOT të institucionit, si dhe mangësitë që sollën mosrealizimin e Censit të Popullsisë dhe Banesave gjatë vitit 2022, për probleme në prokurim. Mangësi që mund të përsëritën në mënyrë kërcënuese edhe këtë vit.
Duket paradoksale që angazhimi më i madh statistikor në vend për vitin e kaluar, mbeti peng i një tenderi. Censi i Popullsisë dhe Banesave u shty, si pasojë e mossigurimit të tabletëve, mjeteve elektronike për realizimin e një prej proceseve, atë të grumbullimit dhe monitorimit të informacionit në terren.
Kjo është një vonesë e qëllimshme dhe strumbullari i saj kryesor ka qenë qeveria dhe stepja e saj përpara dokumentimit, nëpërmjet censit, të boshatisjes së frikshme të vendit. Në një kohë kur duhej të ishte qeveria e interesuara kryesore që censi të realizohej sa më shpejt, pasi informacioni i plotë për numrin e popullsisë dhe të banesave, do t’i mundësonte marrjen e vendimeve sa më të drejta e të dobishme për qytetarët.
I. Dobësitë madhore që kërcënojnë prodhimin statistikor
Në analizën e tij SWOT, INSTAT cilëson me të drejtë si mangësi kryesore burimet e pamjaftueshme që ka në dispozicion.
a. Mungesa kronike e fondeve ia ka vështirësuar institucionit realizimin e objektivave të tij. Për censin e popullsisë dhe banesave të vitit 2020, që në vitin 2018 ishte miratuar një buxhet prej 15.8 milionë ëurosh. Kjo shumë do të financohej në masën 52% nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donatorët. Bashkimi Europian u ofrua me 31% të totalit dhe për 17% u ofruan donatorë të tjerë. Por shtyrjet që iu bënë procesit për tre vite rresht kanë zhvlerësuar fondin e vitit 2018, ndërkohë që çmimet janë rritur për të gjitha mallrat dhe shërbimet dhe INSTAT ka ngecur në qerthullin e tenderave dhe pamjaftueshmërisë së fondeve për të bërë statistikën e re kryesore të popullsisë dhe banesave.
b. Vetë INSTAT cilëson si dobësi themelore burimet e pamjaftueshme njerëzore, të cilat nuk ia mundësojnë përmbushjen e kërkesave në rritje për statistika zyrtare. Lëvizja, largimi i stafit ekspert ka qenë e lartë dhe politikat e motivimit të institucionit, në rradhë të parë motivimi financiar, nuk kanë mjaftuar për të minimizuar largimet. Kjo ka sjellë në vonesa në prodhimin dhe shpërndarjen e statistikave zyrtare dhe ka ngritur pikëpyetje për cilësinë e prodhimit statistikor. Edhe pse INSTAT ka investuar në vite për rritjen e aftësive profesionale të ekspertëve të tij, mundi dhe fondet kane rezultuar jo efektivë, pasi një pjesë jo e vogël e tyre është përthithur nga sektori privat, ose është larguar në emigracion. Qeveria duhet të shikojë me përparësi rritjen e nivelit të pagave të ekspertëve të stafit të INSTAT dhe të ekspertizës së jashtme që institucioni kontrakton.
c. INSTAT thekson se sistemi i trajnimit të stafit të tij nuk paraqitet i konsoliduar dhe nuk është i zhvilluar akoma në formë të tillë, që të ndikojë sa duhet në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale. Kjo ndodh në një kohë kur shkenca dhe industria e prodhimit të statistikave zyrtare është zhvilluar me ritme të shpejta në botë dhe sidomos në Evropë dhe risitë në teknologjinë e informacionit statistikor prezantohen e përthithen me një ritëm marramendës, nga statistikat zyrtare të vendeve anëtare të BE dhe nga EUROSTAT .
d. Tek ne mungon auditi i mirëfilltë statistikor. INSTAT, nën cilësinë e institucionit përgjegjës për të garantuar zbatueshmërinë e parimeve statistikore, nuk zotëron kontroll të mjaftueshëm mbi cilësinë e të dhënave të ofruara nga institucionet publike dhe prodhuesit e tjerë të statistikave zyrtare, në rradhë të parë mbi saktësinë, përpikmërinë, afatin kohor, etj. Të dhënat jo të plota që INSTAT merr ndikojnë në cilësine e produktit përfundimtar të tij. Është domosdoshmëri krijimi i një sektori të auditit statistikor pranë INSTAT, me degëzime në institucionet kryesore publike qendrore dhe vendore, për të garantuar cilësinë dhe plotësinë e informacionit statistikor që mbledh INSTAT.
e. Edukimi i mangët statistikor. Mangësitë në njohuritë statistikore ndikojnë negativisht në interpretimin e drejtë të treguesve statistikorë nga grupet e interesit, siç janë përdoruesit: institucionet qendrore dhe vendore publike, kompanitë e konsoliduara të biznesit dhe media. Për të mbushur këtë boshllëk, trajnimi i përdoruesve për fusha të ndryshme të statistikës do të ndikonte në rritjen e shkallës së interpretimit dhe analizave të informacionit statistikor.
f. Forma të pamjaftueshme komunikimi me palët e interesit. Ka mosbesim të përhapur të sektorit privat dhe të qytetarëve në deklarimin e të dhënave që mbledh dhe kërkohen prej INSTAT. Po ashtu, edhe bashkëpunimi i tyre në vrojtimet statistikore, ku garantohet ruajtja e konfidencialitetit, është minimal. INSTAT duhet të diversifikojë e zhvillojë format e komunikimit me palët e interesit, duke punuar veçanërisht për një komunikim më të mirë me institucionet që sigurojnë të dhënat administrative.
INSTAT, në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorët, duhet të synojë që të rrisë transparencën për të dhënat statistikore, mënyrën si ato sigurohen dhe kriteret e objektivitetit statistikor, duke organizuar fushata sensibilizimi në çdo nivel, veçanërisht në sipërmarrjet dhe institucionet e sektorit privat. Duke nënkuptuar dhe përfshirjen e biznesit privat në këtë proces, duke inkurajuar rritjen e rolit të dhomave të tregtisë dhe industrisë, nëpërmjet botimeve të ndryshme, faqeve në internet, katalogjeve apo vjetarëve specifikë, përfshirjes së të dhënave rajonale e kombëtare lidhur me ndërmarrjet private, llojin e sasinë e prodhimeve apo të shërbimeve, shkallën e punësimit, nivelin e teknologjive të përdorura, etj.
g. Shpërndarja jo efektive e informacionit statistikor. Nga analiza SWOT e institucionit, del qartë se disponimi i një kalendari publikimi nuk është i mjaftueshëm, për të patur një politikë koherente të shpërndarjes së statistikave zyrtare. Është e domosdoshme të ndërmerren fushata informimi dhe ndërgjegjësimi dhe qeveria duhet të ndihmojë me akordimin e fondeve të duhura për institucionin, por edhe vetë INSTAT duhet të aplikojë për fonde pranë Ministrisë së Financave, me një program të plotë, të qartë e gjithëpërfshirës, për rritjen e kanaleve të komunikimit dhe përcjelljes së prodhimit statistikor, imazhit, si dhe nivelit të pranueshmërisë dhe besueshmërisë së INSTAT. Institucioni e ka domosdoshmëri që prodhimi i tij statistikor të vendoset i gjithi në një format të lexueshem dhe konciz PDF, lehtësisht të përdorshëm nga palet e interesit.
II. Të gjithë duhet të ndihmojmë dhe jo të pengojmë INSTAT!
Duhet ta pranojmë të gjithë se sistemi ynë i llogarive kombëtare është ende shumë i mangët. Një pjesë e të dhënave të raportuara, përfshi PPB, paraqiten jo rrallë herë si vlerësime, dhe jo matje faktike. Një pjesë e informacionit statistikor që mbledh INSTAT vjen i cunguar në kohë dhe në fushat që ai mbulon.
Në këto kushte të vështira të punës së INSTAT dhe të sfidave të mëdha që këtë institucion serioz dhe profesional e presin për këtë vit, të gjithë NE, institucionet e tjera, duke filluar nga Kuvendi, por edhe qeveria dhe institucionet qendrore dhe vendore, publiku dhe media, duhet të bëjmë më shumë për të ndihmuar INSTAT. Në rradhë të parë, ne duhet të kontribuojmë në plotësimin e mangësive, me të cilat përballet ky institucion.
Si kërcënim kryesor per efektivitetin dhe efiçiencën e produktit statistikor të INSTAT, shoh mungesën e garancive të plota për pavarësinë e këtij institucioni statistikor thelbësor për vendim-marrjen publike. Personalisht, e quaj jetike dhe të domosdoshme këtë pavarësi. Pavarësia e institucioneve statistikore, aq më tepër e të dhënave statistikore, ndaj politikës dhe ndikimit të saj të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, merr sot një rëndësi akoma më të madhe se në të shkuarën, krahas transparencës dhe pavarësisë brenda dhe jashtë sistemit statistikor dhe ndërthurjes shumëpërmasore të tij. Ruajeni pavarësinë institucionale. Ruhuni nga patronazhistët dhe mos i bashkoni me administratën profesionale të INSTAT, se do jua hanë si mola institucionin. Shpresoj të mos i keni angazhuar deri tani, nga presioni i sektit Rama.Pavarësia e INSTAT nga ndërhyrjet apo interesat e ngushta qeveritare, paraqitet si domosdoshmëri dhe kusht “sine qua non” për besueshmërinë e produkteve të institucionit.
Bëj thirrje për zbatimin serioz dhe me përgjegjësi të detyrimeve që na rrjedhin të gjithë institucioneve shtetërore nga ky Plan vjetor 2023. Moszbatimi i këtyre detyrimeve, mosrespektimi i afateve kohore për dërgimin e të dhënave dhe informacioni jo i plotë nga njësitë statistikore dhe siguruesit e të dhënave administrative, do të sillte jo vetëm vonesë në realizimin e produkteve statistikore sipas afateve të parashikuara, por edhe mangësi në sasinë dhe cilësinë e treguesve.
Nga ana tjetër, mungesa e strukturave statistikore si dhe rishikimi i herëpashershëm i strukturës organizative në ministritë e linjës dhe institucionet e tjera që sigurojnë të dhënat administrative, rrezikon zbatimin cilësor të këtij Programi.
Kurse mosadresimi dhe mungesa në vijimësi e burimeve financiare dhe njerëzore të domosdoshme për INSTAT, do të sillte mosrealizimin e aktiviteteve, të cilat janë për t’u përshëndetur si nisma me standarde, si dhe mosplotësimin e Planit vjetor 2023 dhe moskryerjen e vrojtimeve të parashikuara në Programin e Statistikave Zyrtare 2022-2026.
Shënim: Ky diskutim nuk u mbajt, për shkak të situatës së krijuar në dhe për shkak të shkeljes së Rregullores së Kuvendit nga Kryetarja e Kuvendit, zj. Lindita Nikolla
Botuar në Gazeta Sot më dt. 31 Janar 2023