Sekti Rama keqpërdor praktikën e akteve normative

  • Diskutim lidhur me Aktin Normativ i Këshillit të Ministrave nr. 19, datë 29.12.2022 “Për disa ndryshime në ligjin nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar”

Akti Normativ i Këshillit të Ministrave nr. 19, datë 29.12.2022 “Për disa ndryshime në ligjin nr.115/2021, Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, kërkon alokimin e një fondi shtesëprej 7.8 miliardë lekë(67 milionë euro), për mbështetjeje financiare të menjëhershme për përballimin e inflacionit të luftës për disa kategori të popullsisë, në kuadër të mbylljes së vitit financiar 2022.
Si qytetar dhe deputet, mbështes çdo nismë per ndihmë reale per qytetarët shqiptare dhe kjo është e padiskutueshme, në optikën e angazhimit konstant që kam patur në këtë drejtim.
Ky akt vjen si një veprim tejet i vonuar i qeverisë dhe tregon papërgjegjshmërinë e saj në vitin e e çmimeve më të larta të dy dekadave të fundit dhe në lidhje me shqetësimin që kemi ngritur ne si opozitë, për mbështetjen e shtresave në nevojë.
Shuma afër 8 miliardë lekë duhej të ishte tre hërë më shumë për kategoritë e popullsisë në nevojë, pra 24 miliardë lekë, pasi shumica dërrmuese e 56 miliardë lekëve sufiçit të dhjetëmujorit mars-dhjetor 2022 vjen nga rritja e paprecedentë e çmimeve.

  1. Domosdoshmëria dhe urgjenca, parakushtet themelore të munguara të ndryshimeve buxhetore të kësaj qeverie

Për të kuptuar parakushtet themelore që duhet të ekzistojnë për nxjerrjen e akteve normative me fuqinë e ligjit, duhet të analizojmë dhe të sqarojmë se çfarë përmban neni 101 i ligjit të Buxhetit,  bazuar edhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
“Nevoja e lartë e kthyer në domosdoshmëri dhe urgjenca” janë elementë përcaktues, vendimtarë në ndryshimet që kanë vlerë si akte ligjore mbi buxhetin e shtetit. Janë parakushte për nxjerrjen e akteve normative me fuqinë e ligjit. Për rrjedhojë, duhet të jenë vërtetuar se ekzistojnë, përpara momentit të marrjes së iniciativës nga qeveria për nxjerrjen e aktit normativ me fuqinë e ligjit.
Pyetja që shtrohet është: Çfarë ndryshoi si nevojë parësore dhe urgjencë për përgatitjen e këtij akti normativ, kur në çdo seancë parlamentare që kemi patur, kam kërkuar kanalizimin e te ardhurave shtese te buxhetit teresisht kushtuar shtresave në nevojë.
Veçanërisht kjo kërkesë është përsëritur edhe katër javë përpara këtij akti, konkretisht në 22 dhjetor 2022, kur propozova rishpërndarjen e 10 miliardë lekëve të ardhura sufiçit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2022, për shkak të rritjes së çmimeve, si më poshtë:

  1. 3 miliardë lekë të shkojnë në financimin e Paketës së Tretë të Mbrojtjes Sociale, më gjithëpërfshirëse, me pagesa të drejtpërdrejta ndaj qytetarëve më vulnerabël, si pensionistëve kryefamiljarë, familjeve në asistencë sociale dhe studentëve, sikurse e ka kryer Kosova. Pensionet nuk duhet thjesht dhe vetëm të indeksohen me inflacionin vjetor, por të rriten realisht me 5 përqind për vitin 2023.
  2. 3 miliardë lekë të shkojnë për vitin 2023 për pagesat e ish-pronarëve, për të zbutur sadopak padrejtësitë sociale në vend dhe për të nisur dëmshpërblimin real financiar të ish-pronarëve padrejtësisht të shpronësuar nga rregjimi komunist dhe të tallur keqazi me të drejtat e tyre të ligjshme e të shenjta të pronës, nga ligji shkatërrimtar me Nr. 2020.
  3. 3 miliardë lekë të shkojnë për vitin 2023, për dëmshpërblimin e shtresës më të përvuajtur të vendit, ish të përndjekurve politikë, si një hap real për të shkurtuar, në kufijtë e arësyes dhe dinjitetit të tyre, afatin e përgjithshëm të shlyerjes së detyrimeve ndaj kësaj shtrese fatkeqe të popullsisë, si afat pesëvjeçar deri në vitin 2027, dhe jo 30 vjet, siç mendohet te vazhdohet me keto ritme qe keni.
  4. 1 miliardë lekë të shpërndahen sipas propozimit të deputetit të PS Erjon Braçe, për të shlyer detyrimet tek familjet fermere(dhe jo 200 milionë lekë, siç keni parashikuar ju, pasi një fond i tillë është krejtësisht i pamjaftueshëm), me subvencione të drejtpërdrejta për prodhimin e tyre në arë dhe në serra.

Kjo urgjencë nuk lindi në javën e fundit të vitit 2022, por ishte thjesht një lëvizje për të kënaqur tekën e Liderit Global, për të bërë shou përpara vitit të ri, me një gjoja pako të madhe dhuratë.
Përballimi i emergjencës së çmimeve të ushqimeve bazë të jetës, të rritura, sipas INSTAT, me një mesatare 14 përqind për vitin që sapo kaloi, përbën një urgjencë dhe nevojë me të cilën qytetarët shqiptarë hasen çdo ditë të vitit dhe të ekzistencës së tyre. Mostrajtimi i kësaj urgjence jetësore me paketa ndihme të drejtpërdrejta dhe të njëpasnjëshme e në kohën e duhur, sikurse e kanë bërë jo vetëm shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe vendet përreth nesh dhe të krahasueshme me fuqinë tone blerëse, si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si dhe mosvlerësimi në kohë dhe me ndryshime të shpeshta të buxhetit me akte normative, të asaj që në dukje ngjan si ndihmë, e kthen realisht në cënim dhe risk të lartë për përdorimin me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë të fondeve buxhetore. Këto problematika i kam ngritur në mënyrë të vazhdueshme në Kuvend, më së fundmi dhe në shkrimin Përse Qeveria nuk i zbaton rekomandimet e FMN-së?”, botuar në një të përditshme shqiptare.

  1. Aktet e shumta normative gërryejnë besueshmërinë e buxhetit

Është detyra ime si deputet, që çdo akt normativ që sjell ndryshimin e buxhetit të shtetit të miratuar, ta analizoj jo vetëm për atë që përfaqëson në dukje, por edhe në këndvështrimin e menaxhimit që i bëhet buxhetit, efekteve në ekonomi, në qeverisje, në angazhimet e marra me institucionet ndërkombëtare, etj.
Si më 9 dhjetor 2022, në Deklaratën e Bordit të Drejtuesve, ashtu edhe më herët, në tetor 2021, në misionin vlerësues në vendin tonë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka theksuar se “Duhet rritur cilësia dhe transparenca në shpenzimet dhe të ardhurat publike. Forcimi i besueshmërisë së buxhetit do të ndihmojë në ruajtjen e besimit në treg dhe do të mbajë të ulura kostot e huamarrjes. Ndryshimet që lidhen me ligjin e buxhetit duhet të bëhet përmes procedurave normale të parlamentit. Përdorimi i akteve normative për të ndryshuar buxhetin brenda vitit duhet të ndërpritet”.
Ju asnjë nga këto këshilla të vyera të FMN-së nuk keni zbatuar deri më sot. Sa herë e keni ndryshuar buxhetin me akte normative vetëm gjatë vitit 2022? Nuk ka kaluar një muaj nga miratimi i buxhetit për vitin 2023 në Kuvend, dhe prapë ju po e ndryshoni buxhetin, në zëra që duhet të ishin planifikluar në buxhetin e vitit 2023.
Kjo që bëni ju është një politikë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme e qeverisjes përmes akteve normativë. Përmes vendim-marrjesh të përkohshme katërmujore, krejt në të kundërt me udhëzimet e specialistëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me gjashtë parimet e mirëqeverisjes publike të OECD-së. Duke e çuar buxhetin e shqiptarëve në pikën më të ulët të besimit publik në 33 vitet e fundit!

Gjatë vitit fiskal 2022, buxheti i shtetit ka ndryshuar me 4 akte normative, konkretisht me:

– Aktin normativ nr.3 datë 12.03.2022 Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”

– Aktin Normativ nr. 12 datë 29.07.2022,

– Aktin Normativ Nr.17 datë 01.12.2022, si dhe meaktin mbi të cilin jemi duke diskutuar.

Lind pyetja, a tregojnë këto ndryshime kaq të shpeshta me akte normative, qëndrueshmërinë e buxhetit dhe përgjegjshmërinë e kësaj qeverie, kur vetëm 2 aktet e fundit janë brenda muajit dhjetor 2022, dhe vetëm një muaj pas miratimit të buxhetit për vitin 2023!?

Padiskutim që Jo! Në të kundërt, këto veprime dëshmojnë uljen e qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë së buxhetit të shtetit dhe mungesën e thekshme të përgjegjshmërisë dhe të disiplinës financiare të kësaj qeverie.

  1. Pse qeveria Rama e keqpërdor praktikën e akteve normative me fuqi ligjore

Arsyeja e vetme e përdorimit kaq dendur të aktit normativ për buxhetin është që qeveria të mos hyjë në debate parlamentare mbi gjendjen e ekonomisë dhe të mos ua shpjegojë qytetareve taksapagues se përse e ka ndërmarrë ndryshimin e buxhetit dhe përse ka dështuar në kryerjen e investimeve kapitale të planifikuara.
Ligjet normalisht duhet që të propozohen, të diskutohen në komisione parlamentare, të publikohen bashkë me relacionet përkatëse, si dhe  të konsultohen me publikun. Aktet normative nuk kanë nevojë për procedura të tilla. Ato propozohen nga qeveria dhe hyjnë menjëherë në fuqi. Diskutimi dhe miratimi në Kuvend pas kësaj, bëhen thjesht për efekt procedure.
Ju duhet të pohoni që të ardhurat tatimore shtesë prej mbi 5 miliardë lekë për vitin 2022, janë në shumicën e tyre dërrmuese rezultat i rritjes së çmimeve, dhe jo i përmirësimit të administrimit tatimor, apo i rritjes ekonomike, sikurse rrekeni me kot ta interpretoni. E si mund të jenë të ardhurat nga TVSH në rritje, në një periudhë kur konsumi ka rënë, për shkak të shtrenjtimit të jetesës së shqiptarëve, përveçse për shkak të çmimeve dhe rritura dhe inflacionit të lartë?
Akti Normativ Nr. 17 që miratuat pak kohë më parë, denoncon fuqishëm 25.2 miliardë lekë investime kapitale të pakryera, apo shpenzime të tjera, duke ia rënduar dhe mohuar mundësitë për zhvillim ekonomisë shqiptare. Ju një pjesë të mirë të këtyre fondeve, me atë akt i kanalizuat në investime të pastudjuara dhe të dyshimta. Dhatë 2 miliardë lekë për Korporatën Shqiptare të Investimeve, pa e bazuar këtë fond në një plan biznesi të mirëmenduar, në një kohë që këto fonde duhet të planifikoheshin në buxhetin e vitit 2023.
Dhatë 2 miliardë lekë për Aviacionin Civil, ndërkohë që kjo strukturë ka fondet e veta dhe të ardhurat e veta, si dhe nuk ndodhet në proces të kryerjes së një investimi madhor në infrastrukturën aeroportuale. Realizuat mobilizim vlerash të konsiderueshme monetare(1.2 miliardë leke) për një strukturë shtetërore si Albgaz, pa paraqitur asnjë garanci të investimeve konkrete të kompanive prestigjoze ndërkombëtare të fushës në procesin e gazifikimit të vendit, por vetëm nga një interesim paraprak dhe i padokumentuar mirë i tyre.
Aktet tuaja normative nuk reflektojnë, në asnjë zë të ndryshuar të buxhetit, (i) rënien e të ardhurave të disponueshme të familjeve, (ii) rënien e konsumit, (iii) ngadalësimin e prodhimit, (iv) mbylljen e bizneseve dhe rritjen dramatike të numrit të shqiptareve që emigrojnë. Këto akte nuk e orientojnë buxhetin e shtetit për nga qytetari, për nga nevojat parësore të tij dhe të ekonomisë shqiptare. Në këtë drejtim, ato përfaqësojnë një shpërdorim të mundësive të krijuara në buxhetin e shtetit, nga sufiçiti i të ardhurave buxhetore, për shkak të rritjes së çmimeve.
Në veçanti, rritja e paralajmëruar e kostos në sektorin e ushqimit, rritja e çmimeve të mallrave bujqësore dhe pengesat e transportit, kanë çuar në rritjen më të lartë vjetore të çmimeve të ushqimeve në mbi tre dekada dhe në rritjen më të lartë vjetore të çmimeve të ushqimeve që nga fillimi i viteve 1990!
Nga ana tjetër, akti normativ heq çdo pengesë ligjore, duke i hapur rrugë, madje krijuar një autostradem për rritjen e borxhit publik. Ai sjell rrezik për mosrespektimin e disiplinës financiare për administrimin fiskal, si në drejtim të burimeve, ashtu edhe në drejtim të shpenzimeve publike.
Prandaj dhe kësaj qeverie i interesojnë aktet normative dhe ndryshimet e shpeshta të buxhetit, që ajo i shet si “mbrojtje sociale”, por që realisht nuk ka asgjë më shumë se “mbrojtje e përfitimeve të veta okulte përgjatë gjithë vitit”, me kosto të rëndë në xhepat e qytetarëve shqiptarë.

xx

Në fund të ditës, qytetaret pyesin veten se çfarë janë 8,000 lekë ndihmë fund-viti, krahasuar me rritjen e çmimeve, veçanërisht të shportës së konsumit dhe me nivelin e pagave? Çfarë është kjo ndihmë që shitet si “bujare”, kur sufiçiti buxhetor në dhjetë muajt mars-dhjetor 2022, i kalon gjysëm miliardë eurot?
Në të vërtetë, qytetarët shqiptarë e dinë sa peshë zë 8,000 lekëshi “dhuratë” e kësaj qeverie të papërgjegjshme, në “shportën” e stërmadhe të të gjithë vitit që Qeveria ofron për oligarkët që përfaqëson, nëpërmjet PPP-ve, koncesioneve, shpenzimeve të luksit, etj.

Shënim: Ky diskutim nuk u arrit të mnahek, për shkak të situatës së krijuar në Kuvend dhe për shkak të shkeljes së Rregullores së Kuvendit nga Kryetarja e Kuvendit, zj. Lindita Nikolla