Në kapërcyell të vitit, çdo njeri i rritur, përgjegjës për veten ose familjen e tij, reflekton mbi ato që la pas dhe perspektivën që e pret ose do të krijojë. Është një gjendje që lind natyrshëm në ato ditë pushimi, ku pas urgjencës për të mbyllur punët e fundvitit, lodhjes së mbartur nga një vit më parë dhe shkëputjes së shkurtër nga të tjerët, gjithsecili përpiqet të kuptojë të kaluarën, për t’i dhënë kuptim të ri apo të rigjeneruar të ardhmes, për t’u rritur nga eksperienca dhe konsoliduar identitetin e vet familjar, profesional, shoqëror e human. Sigurisht, ka edhe njerëz që nuk e mundojnë veten duke gjuajtur me “plumba të tillë prej letre”. Janë të kënaqur me çfarë kanë arritur dhe i luten Zotit t’i lërë ashtu si vitin e shkuar. Apo të tjerë që kanë frikë t’i shohin gjërat në sy, t’i “nxjerrin skeletet nga dollapi”, e për rrjedhojë vazhdojnë somnambul të përsërisin veten me shpresë se dikush tjetër do t’u vijë në ndihmë apo që në fund gjërat do të zgjidhen vetë, si me magji.
Edhe institucionet, veçanërisht në Shqipëri, ngjajnë shumë me njerëzit. Sillen si ata, madje tamam-tamam, sikurse të martuarit që fillojnë e ngjajnë edhe fizikisht me njëri-tjetrin, ato (institucionet) marrin tiparet e drejtuesve që kanë në krye, sepse një institucion, një biznes, një grupim, merr frymën e atij që e drejton, shfaq karakterin, disiplinën e kapriciot e tij … sikurse thoshte dikur Luigji XIV: “L’État, c’est moi” (Shteti jam unë).
Por ndryshe nga njerëzit, institucionet, qofshin publike apo private, në një demokraci e kapitalizëm funksional nuk duhet të funksionojnë mbi baza voluntariste. Ato e kanë detyrim raportimin, transparencën, llogaridhënien. Jo thjesht si detyrim ligjor që buron nga e drejta për informim, por si detyrim moral, qytetar e menaxherial, për të përmirësuar performancën e vet dhe qenë të hapur ndaj kritikave e sugjerimeve të palëve të interesit, si detyrim për t’u rritur për vete dhe të tjerët që kanë investuar apo kanë interesa në to. Bota perëndimore ku ne aspirojmë të shkojmë e ka kulturë të vetën raportimin. Të huajt raportojnë me besueshmëri, përpikmëri e korrektësi jo vetëm për vete në vendet e tyre, por raportet e tyre renditen të parat për nga cilësia e kredibiliteti edhe në vendin tonë. Edhe në rastet e rralla, kur të huajt raportojnë në Shqipëri sa “për të kopsitur letrat”, pa matur realisht performancën, struktura, metodologjia dhe dimensionet e raportimit respektohen e publikohen … dhe sigurisht janë të certifikuara nga disa filtra.
Nëse si studiues, punonjës, qytetar pro ose kundër qeverisë apo thjesht edhe për kureshtje do të doje të konfirmoje një lajm qeveritar apo shemrën e vet opozitare, të njihesh nga afër me produktet e një politike publike, të analizoje shkallën e realizimit të tyre, sfidat aktuale dhe të ardhshme, mbetet mision i pamundur për ta bërë një gjë të tillë. Në faqet zyrtare të të gjitha ministrive (15 të tilla), në asnjërën nuk gjen raportet e tyre të performancës ndër vite. Tek-tuk gjen ndonjë raport monitorimi, që në fakt është kërkesë e Ministrisë së Financës dhe Programit të Transparencës për të raportuar mbi shpenzimet e planifikuara dhe ato faktike, por asgjë mbi objektivat vjetore të parashtruara në strategjitë institucionale, ndërinstitucionale, planet e veprimit dhe dokumentet e tyre strategjikë (janë 77 të tilla nëse do t’i referoheshim Draft-Strategjisë Kombëtare për Integrim dhe Zhvillim 2021-2030), sa është fjala vjen masa e realizimit të objektivave, arsyet e shmangies, ndryshimi i prioritetit apo rialokimi i buxhetit, si lidhen ato me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe integrimin në BE. Edhe nëse kërkon në prezencën online të Komisioneve Kuvendore, detyrë parësore e të cilave është të ndjekin dhe kontrollojnë performancën e sektorëve publikë dhe ministrive e agjencive përgjegjëse që mbulojnë, përsëri nuk gjen vendime apo rekomandime që adresojnë çështje të performancës apo të tjera. Të vetmet institucione që përgatisin një raport vjetor, institucional performance, janë ato që e kanë detyrim raportimin në Kuvend, për shkak të ligjeve respektive organike.
Sigurisht, raportet e performancës janë rrjedhojë e natyrshme e analizave periodike vjetore apo më të shpeshta që stafet kryejnë mes tyre, e raporteve të inspektimit dhe/ose të auditimit të brendshëm e të jashtëm, e reflektimit ndaj raporteve të shoqërisë civile apo komunitetit ndërkombëtar, por, me sa duket, mungesa e ballafaqimit të brendshëm dhe e fiktivitetit në bashkëpunim e kontroll shpie natyrshëm dhe pashmangshmërisht në pamundësi e mosdëshirë edhe për ballafaqim të jashtëm. E gjitha kjo kontribuon negativisht në instalimin dhe konsolidimin e kulturës së performancës, qoftë ajo personale, profesionale e institucionale në vendin e punës.
Kjo mungesë e vijueshme transparence e bën shumë të lehtë më pas aplikimin e propagandës si instrument për të mjegulluar të vërtetën. Komunikimi nuk është më real, objektiv dhe i gjurmueshëm. Secili mund të flasë e të deklarojë çfarë dhe si të dojë, t’u mëshojë në mënyrë selektive punëve që ka bërë e të kalojë në heshtje ato që s’ka bërë, pa i korreluar objektivat me kohën, buxhetin apo prioritetin e planifikuar. Kjo mungesë transparence iu heq aksesin në informacion të gjithë atyre që duan të kuptojnë se si funksionon administrata publike, cilat janë dinamikat e saj, risqet me të cilat përballet dhe sa vlerë shton ajo në zhvillimin e vendit. Pengon gjithashtu edhe ndihmën që mund të japin universitetet, shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare apo kushdo tjetër që përmes studimeve, projekteve, bashkëpunimeve apo formave të tjera mund të asistojë në aplikimin e metodave moderne apo alternative të vlerësimit e përmirësimit të performancës. Pengon edhe vetë punonjësit e këtyre institucioneve, që objektivat e veta profesionale t’i dizenjojnë e implementojnë në linjë me ato të institucionit. Dhe në fund të ditës, debati publik reduktohet dhe analizon deklaratat politike e propagandistike të palëve, pa pasur mundësi të adresojë teknikisht arritjet dhe mosarritjet.
Kjo mungesë e kulturës së transparencës dhe e performancës ushqen përveç propagandës po aq edhe korrupsionin, mediokritetin, frikën për vendin e punës, sepse humbet “spiranca e vlerës”. Dhe e gjitha kjo shndërrohet në një rreth vicioz që fut në spirale rënëse të aftin dhe fuqizon të paaftin.
Të vetmet që hedhin sadopak dritë mbi punën e institucioneve tona janë organizatat e shoqërisë civile dhe bashkëpunëtorët e huaj, shpeshherë edhe duke “vuajtur” për mbledhjen e informacionit, sepse institucionet qeverisëse nuk përgjigjen ose japin informacione në gjuhë të cunguar e të drunjtë financiare. Këto institucione kanë krijuar një model të mirë raportimi, sepse kur publikojnë gjetjet e tyre ftojnë përfaqësues nga të gjitha palët e interesuara, e shndërrojnë në forum punën e tyre dhe reflektojnë për të përmirësuar raportimin në të ardhmen. Por institucionet qeverisëse, edhe kur përballen me gjetjet negative të organizatave të huaja apo shoqërisë civile, vijojnë të fshihen nën mungesën vesvese të transparencës, duke u mbrojtur se “janë në proces”, “po e bëjnë këtë dhe atë”, “e kanë në planet afatmesme dhe afatgjata” … e thënë shkurt “ … kemi bërë shumë, por kemi ende për të bërë!”.
Në librin e tij “Homo Deus”, Yuval Noah Harari flet për Dataism-in, një lloj “feje” e erës teknologjike që pohon se vlera e një dukurie apo entiteti varet nga kontributi i saj në gjenerimin dhe procesimin e informacionit. Demokracia dhe totalitarizmi, thotë Harari, nuk janë ideologji në konkurrencë me njëra-tjetrën, as sisteme të ndryshme etike dhe politike, por dy mënyra të ndryshme të procesimit të informacionit. Demokracia favorizon procesimin e shpërndarë, liberal të informacionit, ndërsa totalitarizmi procesimin e centralizuar, hermetik të tij. Qeveria jonë mund të mburret se ka digjitalizuar shërbimet që ofron, por sjellja e saj në raport me informacionin që bën publik është propagandistike, selektive dhe e shurdhët ndaj kritikave. Në një ekonomi tregu, e mbyll idenë e tij Harari, nëse një procesor gabon në vendimmarrje, gabimi është i kufizuar, sepse të tjerët e kuptojnë dhe e korrigjojnë shpejt, duke përfituar prej tij. Në një treg të centralizuar informacioni, gabimi i procesorit të vetëm, që merr vendime në izolim, është katastrofik!
Nga Bujar Leskaj, Rinald Muça
Botuar në Gazeta Panorama më 30 Janar 2023