Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” kërkon të ripërmasojë në rritje rolin e Parlamentit në procesin e integrimit.
Pavarësisht qëllimit të mirë per nje dinamizem dhe ritem me te larte ne rrugetimin integrues te vendit, qellim të cilin e përshëndes, duke vleresuar veçanerisht punen e bashkedrejtuese se Komisionit parlamentar te Integrimit nga opozita, zonjes Jorida Tabaku, projektligji rrezikon të realizojë vetëm disa ndërhyrje kozmetike në mundësitë reale që Kuvendi ka për të nxitur, përshpejtuar, mbikqyrur dhe monitoruar me efektivitet futjen e vendit në familjen e madhe evropiane, objektivin tonë madhor. Kjo, për disa arësye:
I. Ri-emërtimi i Komisionit të Integrimit Evropian-një nonsens!
Megjithë dinamizmin pozitiv të disa ndryshimeve të propozuara në strukturat e Kuvendit për integrimin, është e pakuptueshme dhe na çon prapa në punën që kemi nisur, fakti që struktura kryesore përgjegjëse e Parlamentit shqiptar, Komisioni i Integrimit Evropian do të ri-emërtohet Komisioni për Çështjet Evropiane!?
Me çështjet evropiane po merremi prej më shumë se 30 vite tashmë. Sot misioni jo vetëm i Kuvendit, por i mbarë shoqërisë sonë, duke përfshirë forcat politike, qeverinë, institucionet e pavarura, shoqërinë civile, mediat, etj., është integrimi sa më i shpejtë i vendit në Bashkimin Evropian. Dhe i tillë, sipas misionit dhe qëllimit, duhet të qëndrojë edhe emertimi i komisionit përkatës parlamentar, Komisioni i Integrimit Evropian.
Ne duhet të përzgjedhim në qasjen tonë drejt këtij komisioni sugjerimet dhe frymën e sjellë nga eksperti gjerman Hans-Joachim Falenski, kur cilëson se vendimet dhe propozimet e Komisionit parlamentar të Integrimit Evropian duhet të kenë fuqi detyruese, në atë masë sa jo vetëm t’i mbikëqyrë, por edhe të shprehë vullnet mbi qëndrimet dhe pozicionet negociuese të qeverisë.
Por a do të arrijmë të jemi të suksesshëm në këtë përzgjedhje? E ngrej këtë pyetje, për faktin se kur opozitës nuk i mundësohet të ngrejë një komision hetimor për skandalin MCGonigal, që është një e drejtë kushtetuese e saj, përmes artificash të gjoja rregullores parlamentare për ngritjen e komisioneve hetimore në rishqyrtim, si mundet Komisioni i Kuvendit për Integrimin Evropian të lejohet nga qeveria që të vendosë veton mbi vendim-marrjen qeveritare për integrimin?! Që projekt-pozicionet negociuese për kapitujt të caktuar të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të miratohen nga Komisioni i Integrimit Europian, si dhe strategjia e negocimit dhe pozicionet përkatëse negociuese të paraqiten në Komision dhe të diskutohen në Parlament?!
Ne duhet të kemi mirë parasysh rigorozitetin dhe risitë e Metodologjisë së Re të Zgjerimit të Bashkimit Europian, të miratuar në vitin 2020, për të rritur besimin tek procesi dhe për ta bërë sa më real procesin e integrimit. Kjo metodologji i jep një rol më të madh monitorimit sistemik nga shtetet anëtare të procesit të negociatave.
Për një proces më dinamik të negociatave, kapitujt e negociatave janë grupëzuar (të ashtuquajturit clusters
[klastërs]
).
Po ashtu, Metodologjia e Re parashikon një proces më të qartë vlerësimi, duke përcaktuar konkretisht pasojat pozitive që sjell progresi në sferën e negociatave, por edhe ato negative nëse nuk konstatohet progres. Në rastin e progresit të procesit, përfitimet do të jenë të prekshme dhe të ndjeshme për qytetarët. Një nga këto është edhe phasing-in
.
Në rastet e pasojave negative, Komisioni Evropian propozon masa proporcionale që sanksionojnë stanjacionin serioz ose të tej zgjatur ose regres në zbatimin e reformave. Negociatat mund të pezullohen në fusha të caktuara, të pezullohen të gjitha, ose edhe të rihapen kapitujt e përfunduar, përfitimet nga një integrim i afërt mund të pezullohen, siç është përfitimi nga programet e financuara nga Bashkimi Europian.
Metodologjia e Re e Zgjerimit të BE-së 2020 ka sjellë ndryshime thelbësore, duke krijuar një kuadër tërësisht të ri sa u përket negociatave, përmes një fokusi më të madh tek reformat themelore, si shteti i së drejtës, funksionimi i institucioneve demokratike, administrata dhe ekonomia. Metodologjia kërkon që këto reforma të mos jenë vetëm projektim i një angazhimi politik, por realizimi në praktikë i premtimeve politike.
Për fat të keq, gjykoj se asgjë e tillë realisht nuk do të ndodhë. Nuk ka asnjë garanci që kjo qeveri që kemi të dëgjojë zërin e opozitës, të institucioneve të pavarura dhe të shoqërisë civile, për veprimet kryesore në procesin e integrimit evropian. Mjafton të përmend faktin që propozimi i deputetes Monika Kryemadhi, për përfshirjen e përfaqësuesve të partive parlamentare në Këshillin Kombëtar të Integrimit, krahas partnerëve të tjerë që janë pjesë e tij, si shoqëria civile, institucionet e pavarura, etj., nuk u miratua.
Nuk jemi kurrë vonë për ta miratuar këtë propozim edhe sot, në këtë seancë, duke treguar seriozitet dhe përgjegjësi në ndryshimet ligjore për integrimin.
II. Çfarë kërkon Parlamenti Evropian nga Kuvendi i Shqipërisë
Fuqizimi i rolit të Kuvendit të Shqipërisë është kërkuar me forcë dhe institim edhe nga projekt-Rezoluta e Parlamentit Evropian, Komisionit të tij të Marrëdhënieve me Jashtë (në anglisht “DRAFT REPORT on the 2022 Commission Report on Albania” https://www.europarl.europa.eu/doceo/document/AFET-PR-739812_EN.pdf) (faqe 6, pika 2 e Nën-Temës “Zotime ndaj futjes në Bashkimin Evropian”), e përgatitur dhe e publikuar më datën 7 mars 2023 në faqen në internet të Parlamentit Evropian, nga Raportuesja për Shqipërinë, Izabel Santos, eurodeputete, përfaqësuese e grupimeve të majta evropiane.
Projekt-Rezoluta përfaqëson një nga dokumentet më të ashpra të viteve të fundit për Shqipërinë, ku Parlamenti Evropian mban shënim mungesën e progresit në liritë themelore të qytetarit dhe kritikon me forcë qeverinë për nismat e saj të projektligjit për amnistinë fiskale dhe programit për pasaportat e arta, në këmbim të investimit në Shqipëri nga sipërmarrës të huaj, gjoja strategjik.
Parlamenti Evropian, përmes një projekt-Rezolute që është në procedurat e miratimit dhe shumë shpejt do të bëhet Rezolutë, ka kritikuar qeverinë shqiptare për përshpejtimin e procedurave të dhënies së “pasaportave të arta” për të huajtë në Shqipëri, ka ritheksuar problemet me prokurimet publike, si dhe degradimin e lirisë së medias dhe konkurrencës së lirë.
Projekt-Rezoluta e ka shprehur qartë shqetësimin për skemën e pasaportave të arta, të përgatitur nga qeveria, në këmbim të investimeve nga investues të huaj strategjike, si skemë e papajtueshme me normat e Bashkimit Evropian dhe politikën e tij të vizave.
Në një kohë kur gjithë ditën flasim për integrimin evropian dhe orientimin e shoqërisë sonë dhe mbarë ekonomisë së vendit për nga vendet e Bashkimit Evropian, ju portin e Durrësit, këtë urë lidhëse me Perëndimin, ia jepni një arabi, pavarësisht se kush është ai! Me të dyja këmbët abuzoni me këtë pronë të vyer publike, duke rrezikuar, për më tepër, edhe politikat tona të sigurisë.
Kjo Projekt-Rezolutë në praktikë denoncon falsitetin e sektit qeverisë Rama për gjoja përkushtimin qeveritar drejt BE-së dhe respektimit të standardeve të Bashkimit Evropian.
III. Ndal gjuetisë së shtrigave ndaj mediave kritike ndaj qeverisë!
Përmes raportueses së tij për Shqipërinë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë, Parlamenti Europian shpreh shqetësimin për mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale dhe në sigurimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias.
Në Projekt-Rezolutë, Parlamenti Evropian dënon përpjekjet për të diskretituar reporterët dhe për të mbajtur në mënyrë arbitrare informacionin publik, si dhe dështimin për të siguruar sigurinë e gazetarëve, ndërsa u kërkon autoriteteve të ndëmarrin masa të menjëhershme kundër ndikimit politik dhe ekonomik në media dhe kundër frikësimit të gazetarëve(Pika 14, Nën-Tema ”Liritë themelore dhe të drejtat e njeriut”).
Sot, pas disa muajsh sulmesh të paprecedenta dhe gjobash selektive, gazetarët në mediat e njohura, gazeta “Panorama” dhe televizioni “News 24” ndjejnë realisht frikë nga goditjet e ardhshme të mundshme të rregjimit të Ramës. Nuk u ngopët me gjoba për gjoja pagesa të gazetarëve nën mesataren e tregut dhe me hedhje në erë pronash me dinamit e bllokime të aktivitetit të kompanive që financojnë mediat kritike ndaj jush?
Sipas Progres Raportit për Shqipërinë nga Komisioni Evropian, publikuar në tetor 2022, Shqipëria ka shënuar “jo progres” përgjatë dy viteve të fundit në drejtim të lirisë së medias. Shqetësimet kryesore lidhen me presionet politike, kryesisht nga qeveria, kundër gazetarëve, ku vetë kryeministri ka marrë përsipër rolin e qortuesit dhe disiplinuesit të mediave dhe gazetarëve.
Në Projekt-Rezolutën e tij, Parlamenti Evropian thekson rolin dhe përgjegjësinë që kanë drejtuesit politikë, në krijimin e një mjedisi favorizues për lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut.
Po a dëgjon Rama për këto përgjegjësi? Ju përfaqësoni dhe mbroni interesat e një qeverie që po financon drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të turpshme media, nga drejtori dhe institucione të ndryshme qeveritare, pa transparencë dhe me prokurim të drejtpërdrejtë.
Ju jeni qeveria që këshilltarët mediatikë dhe patronazhistët tuaj po i bëni, gjoja si përfaqësues të shoqërisë civile, fitues pa garë reale, të thirrjeve të AZHBR-së dhe agjencive të tjera shtetërore, si dhe përfitues të dhjetra milionë lekëve të taksapaguesve shqiptarë.
Në një letër të bërë publike dje dhe drejtuar Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian, misioneve diplomatike perëndimore të akredituara në Tiranë, misionit të delegacionit të BE ne Tirane, të OSBE-se dhe organizatës “Reporterët pa kufi”, gazetarët e mediave te pavarura, gazeta “Panorama” dhe televizioni “News 24”, përcjellin pranë institucioneve evropiane shqetësimin e tyre të madh dhe dokumentet përkatëse, për të dëshmuar sulmet e vazhdueshme selektive të qeverisë Rama ndaj këtyre mediave dhe pronarëve të tyre. Gazetarët e këtyre mediave po e ndjejnë fort presionin e qeverisë dhe shtetit mbi ta.
Kjo situatë absurde duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Progres-Raporti i fundit i Komisionit Europian e bëri të qartë se tek ne nuk ka asnjë përparim në lirinë e medias, duke shprehur edhe shqetësime të mprehta në lidhje me presionin qeveritar ndaj punonjësve të medias së lirë.
xx
Ja përse ndryshimet e propozuara në këtë projektligj, për fat të keq, janë thjesht kozmetike dhe përbëjnë një lipstick
[lipstik, të kuq buzësh)]
për qeverinë, që të mburret në Bruksel se ka fuqizuar rolin e Parlamentit në procesin e integrimit.
Ato synojnë të mbulojnë një realitet të trishtuar të jetës sonë parlamentare, ku Kuvendi është shndërruar thjesht dhe de-facto në një noter të rëndomtë të vullnetit qeveritar. Madje edhe kapriçiove qeveritare, si rasti i instalacionit prej druri në oborrin e Kryeministrisë. Në një kohë kur qeveria është ajo që duhet të jetë derivat i frymës dhe vendim-marrjeve ligjore të Kuvendit, dhe jo e kundërta.
Fjala në Seancën Plenare të dt. 16.03.2023