Preambul
Në teorinë moderne ekonomike, koncepti i minimumit jetik i referohet një sasie të ardhurash, të nevojshme për të mundësuar mbijetesën, bazuar në një kosto reale jetese. Prej më shumë se tre dekadash tashmë, janë bërë përpjekje për të zgjeruar konceptin e minimumit jetik, duke përfshirë në të parametrat e një jetese dinjitoze, sikurse është edhe mundësia për të mbuluar nevojat e familjes, të ruajtjes së ndjenjës së vetrespektit ndaj jetës, dhe mundësisë për të marrë pjesë lirisht në jetën sociale e kulturore të vendit përkatës.
Minimumi jetik është indikatori social kryesor, i cili përdoret për vlerësimin e varfërisë dhe cilësisë së jetës, si dhe për llogaritjen e pagave minimale, pensioneve minimale dhe pagesave sociale bazë.
Niveli i minimumit jetik përfaqeson shumën e parave që duhet të zotërojë çdo person për të përballuar nevojat bazë të mbijetesës së tij si qenie njerëzore.
Mënyra tradicionale për matjen e varfërisë bazohet në të ardhurat. Një familje konsiderohet e varfër, kur të ardhurat e saj bien nën një nivel minimal të nevojshëm për të plotësuar nevojat bazë të anëtarëve të saj. Ky nivel quhet minimumi jetik ose kufiri i varfërisë.
Në përgjithësi, minimumi jetik në botë përcaktohet duke u mbështetur në nivelin e të ardhurave kombëtare i cili garanton që konsumi të përfshijë kërkesat minimale të qenieve njerëzore: fizike dhe sociale. Në këtë mënyrë minimumi jetik përdoret më pas si referencë për përcaktimin e pagës minimale, pensionit minimal dhe pagesave të tjera sociale.
Aktualisht ,në vendin tonë mungojnë të dhëna zyrtare lidhur me treguesin e minimumit jetik. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, pa një tregues zyrtar të minimumit jetik të përcaktuar, që do të thotë se në vendin tonë mungon aktualisht niveli bazë i matjes së varfërisë. Sipas raportit të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 32 perqind e popullsisë së Shqipërisë vuan nga pamjaftueshmeria ushqimore. Ndërsa sipas Eurostat, 74.7% e popullsisë së Shqipërisë që është në moshë pune, rrezikon varfërinë.
Sipas studimit te EUROSTAT për vitin 2020, 21.6 për qind e popullsisë në 27 vendet e anëtarë të BE-së jetojnë në kufirin e varfërisë, ndersa ne Shqipëri popullsia e rrezikuar te bjere ne varferi perben me shume se dyfishin e mesatares evropiane, 43.4% e popullsisë. Te gjitha raportet e FMN, OKB, BB dhe te institucioneve te tjera nderkombetare e rendisin Shqipërinë ndër vendet më të varfra në rajon.
\Sipas studimit te fundit te Avokatit te Popullit te vitit 2020, minimumi jetik ne Shqiperi duhet te jete ne nivelin 18,000 leke ne muaj. Inflacioni i larte i periudhes mars 2022-shkurt 2023 ka nxjerre domosdoshmerine qe kjo shifer te koprrigjohet serish ne rritje te ndjeshme.
Ndër vendet e rajonit tonë, Mali i Zi shfaq vlerën më të lartë të përkufizuar si minimum jetik, ndjekur nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ndërsa Shqipëria, nuk është fare në listën e vendeve të rajonit pasi nuk ka një minimum jetik të përcaktuar me ligj.
Në vendet e Bashkimit Europian, minimumi jetik është shumë herë më i lartë se në vendet e rajonit tonë, ku, po ta krahasojmë me Shqipërinë, sipas ndihmave sociale që marrin qytetarët në nevojë, ndihma ekonomike paraqitet disa dhjetra herë më e lartë.
Lufta kundër varfërisë ndodhet prej kohësh në një udhë pa krye në Shqipëri. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, e matur në kontekstin e fuqisë blerëse të popullsisë, varfëria në Shqipëri është mbi nivelin 52 përqind. Sipas vlerësimeve të EUROSTAT, fuqia blerëse e shqiptarëve është rreth 2.9 herë më e vogël sesa e konsumatorëve europianë. Mirëpo asnjera prej të dhënave të mësipërme nuk ka me cilin matës të nivelit të jetesës të krahasohet. Në Shqipëri, kjo pikë e referencës, që duhej të ishte minimumi jetik, as është llogaritur ndonjëherë dhe as është shpallur.
Ulja e varfërisë është një ndër objektivat kryesorë të sistemit botëror të mirëqenies shoqërore. Që sistemi t’i shërbejë uljes së varfërisë, ai duhet të jetë i shëndetshëm. Por që sistemi të jetë i shëndetshëm, raporti midis të ardhurave që hyjnë në sistem dhe shpenzimeve që dalin prej tij duhet të jetë në favor të të parave. Jo vetëm kaq, por të ardhurat në sistem duhet të jenë kryesisht kontributive. Në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur.
I. Domosdoshmëria e matjes së minimumit jetik
Llogaritja e minimumit jetik ka një rëndësi të veçantë, pasi ky i fundit është tregues i mirëqenies dhe matjes së kufirit të varfërisë. Matja e varfërisë e bazuar në kufirin e varfërisë, i cili llogaritet mbi konsumin ose të ardhurat e familjeve, përdoret më tepër për të orientuar dhe për t’i dhënë prioritet veprimeve politike.
Minimumi jetik shërben si një udhëzues për politika efektive të qeverisë pasi:
- Tregon dinamiken e ndryshimeve në standardin e jetesës së individëve.
- Ndihmon për te përcaktuar normën minimale të pensioneve, ndihmës ekonomike, pagesës së papunësisë , pagesës së paaftësisë dhe numrin e përfituesve për secilën prej tyre.
- Tregon mënyrat për të orientuar pagën minimale drejt nivelit të minimumit jetik për një të punësuar. 4. Ndihmon për të përcaktuar përjashtimin nga taksa mbi te ardhurat nën minimumin jetik ose limitin e përjashtimit nga taksa e të ardhurave.
Matja e minimumit jetik është e domosdoshme, për arsyet e mëposhtme: - Minimumi jetik shërben për rishikimin e strategjive të rritjes ekonomike dhe për reduktimin e varfërisë. Treguesi i minimumit jetik përdoret në studime të thelluara, për t’u krahasuar me pagat, pensionet etj, por edhe me të ardhurat gjithsej të punonjësve, mbi bazën e buxheteve familjare.
- Minimumi jetik krahasohet me pagën minimale për një të punësuar dhe me madhësinë e pensioneve, të ndihmave sociale, të pagesës së papunësisë, etj. Mungesa e përkufizimit të minimumit jetik zyrtar në legjislacionin për mbrojtjen sociale, ndikon negativisht në hartimin e
politikave të përshtatshme dhe të mjaftueshme për mbrojtjen sociale, sidomos në përcaktimin e qartë të qëllimit të tyre. - Përcaktimi i strukturës së minimumit jetik për artikujt ushqimorë, veshmbathje, pajisje dhe orendi shtëpiake dhe shpenzime të tjera, si dhe krahasimi i minimumit jetik për frymë me pagën minimale, pensionin minimal, ndihmën ekonomike dhe pagesën e papunësisë ndihmojnë vendim-marrjen publike në nivel të mbrojtjes sociale të nevojshme dhe të domosdoshme për plotësimin e nevojave bazë jetike për qytetarët.
- Nëse qeveria do të njihte një minimum jetik, atëherë ajo duhej të ndante shuma më të mëdha nga buxheti, për të kompensuar varfërinë, ose për të mbuluar programin e të ardhurave të garantuara, sikurse quhen kudo në botë.
- Politikat mbrojtëse duhet të ishin të tilla që çdo qytetar nën minimumin jetik zyrtar duhet të merrte një kompensim nga shteti, ashtu si ndodh në vendet demokratike të botës, Kjo do të ndodhte, vetën nëse do të kishim një minimum jetik të njohur zyrtarisht.
- Në legjislacionin aktual shqiptar ende mungon një dispozitë e posaçme kushtuar minimumit jetik, si për përkufizimin ligjor të tij, ashtu edhe për detyrimin ligjor për llogaritjen e tij.
- Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut ,në Nenin 25 të saj citon se “çdokush ka të drejtë për një nivel jetese të mjaftueshëm për shëndetin dhe mirëqenien e tij dhe familjes së tij”. Përcaktimi i minimumit jetik dhe indeksimi në vijimësi i tij është në përputhje me të 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Axhendës 2030 të Kombeve të Bashkuara. Sidomos me Objektivin Nr. 1 të Mijëvjeçarit, për të zhdukur varfërinë ekstreme dhe për të pakësuar rrezikun e përjashtimit social, si dhe me Objektivin Nr. 7 të Mijëvjeçarit, për të përmirësuar qeverisjen për të gjithë qytetarët. Në Axhenden e re te zhvillimit te qendrueshem 2030 te OKB, objektivat per uljen e ndjeshme te varferise nuk mund te kuptohen pa lidhjen simbiotike minimum jetik-page minimale dhe ndihme sociale.
II. Garantimi i jetesës me dinjitet të qytetarëve; kusht “sine qua non” i Bashkimit Evropian
Komisioni Evropian prezanton një ndërveprim dinamik të Shteteve Anëtare të BE-së dhe promovon politikat e përfshirjes sociale mes aktorëve të ndryshëm. Përmes sugjerimeve për buxhetet në kuadër të sigurisë sociale, indikatorëve matës, llojeve të politikave të nevojshme për zbatim etj., Bashkimi Evropian përpiqet të nxisë vendet anëtare në plotësimin sa më parë të qëllimeve madhore për uljen e varfërisë, të përcaktuara nga vetë Shtetet Anëtare. Institucionet e Bashkimit Evropian synojnë në vazhdimësi përcaktimin e objektivave të përbashkëta dhe nxisin vendet drejt zbatimit të Modeleve Ekonomike Sociale.
Në kuadrin e domosdoshmërisë së ndërtimit të një shtylle evropiane të të drejtave sociale, Bashkimi Evropian ka bërë përpjekje të mëdha që Shtetet Anëtare të tij, por edhe ato kandidate, sikurse është Shqipëria, me gjithë diferencat e tyre, të garantojnë një nivel të caktuar dinjiteti mes qytetarëve, duke e konsideruar arritjen e jetesës dinjitoze për çdo qytetar si kusht “sine qua non(të domosdoshëm)” për qënien vend anëtar në BE..
Sot, BE zbaton një Agjendë të Politikave Sociale dhe ka në fokus të vazhdueshëm qëllimet e vendosura në kuadër të Strategjisë për Evropën 2030. Në objektivat e kësaj të fundit të përcaktuara edhe në përputhje me atë që njihen si Strategjia e Zhvillimit të Qëndrueshëm, përfshihen: rritja e normës së punësimit për moshën 20-64 vjeç në 75% dhe largimi i të paktën 20 milion njerëzve nga rreziku i varfërisë dhe përjashtimi social.
Komisioni Evropian, në rekomandimet e tij ka përsëritur përgjegjësinë e vendeve anëtare të BE-së, por edhe të vendeve kandidate, në promovimin e skemave të mbështetjes së duhur me të ardhura të bazuara te e drejta themelore e një individi në burime dhe ndihmë të mjaftueshme për të jetuar me dinjitet njerëzor, në kuadrin e një mekanizmi global dhe koherent për të luftuar varfërinë dhe përjashtimin social.
Gjatë viteve të fundit, ka pasur disa iniciativa konkrete nga Bashkimi Evropian, në drejtim të forcimit dhe modernizimit të sistemeve të mbrojtjes dhe përfshirjes sociale. Në muajin Tetor të vitit 2020, Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi konkluzionet lidhur me forcimin e garantimit të të ardhurave minimale për të luftuar varfërinë dhe përjashtimin shoqëror gjatë pandemisë COVID-19, dhe pas saj.
Nëpërmjet këtij dokumenti, Këshilli e ftoi Komisionin Evropian të fillojë përditësimin e kuadrit ligjor të BE-se, me qëllim mbështetjen efektive dhe plotësimin e mëtejshëm të politikave të shteteve anëtare, lidhur me të ardhurat minimale në nivel kombëtar. Në muajin Mars të vitit 2021, Komisioni Evropian prezantoi Planin e Veprimit, lidhur me të drejtat sociale. Ky plan veprimi parashikoi adoptimin e një rekomandimi të Këshillit të BE-së, lidhur me të ardhurat minimale në vitin 2022, duke theksuar se kushdo me të ardhura të pamjaftueshme, ka të drejtën e të ardhurave minimale, për të garantuar një jetë me dinjitet.
III. Presioni pozitiv mbi qeverinë shqiptare
Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), Banka Botërore, FMN, Kontrolli i Larte i Shtetit, sindikatat, Avokati i Popullit dhe Kuvendi i Shqipërisë, herë pas here i kanë adresuar sugjerime qeverisë për përcaktimin e treguesit zyrtar të minimumit jetik, por qeverian jonë vijon të mos ketë një qasje zyrtare ndaj këtij standardi jetese.
Avokati i Popullit ka realizuar dy herë raporte për “Minimumin Jetik në Shqipëri”, një në vitin 2016 dhe një tjetër në 2021. Asnjë prej këtyre raporteve të cilët synonin, sipas Avokatit të Popullit, plotësimin e boshllëkut ligjor dhe ndikonin drejtpërdrejtë në garantimin e minimumit jetik për mijëra qytetarë shqiptarë të cilët jetojnë në kushte varfërie, nuk është marrë parasysh nga qeveria.
“Vlera e përllogaritur në studimet e tij për minimumin jetik për vitin 2019 është përafërsisht 17.875 Lek. Kjo vlerë indikative është 9.9% më e lartë sesa pensioni minimal për zonat urbane, 37.5% më e lartë se pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më e lartë se ndihma ekonomike, ndërsa 45.5% më e ulët sesa paga minimale. Sipas tij, në vitin 2022-2023 minimumi jetik duhet të jetë më i lartë”, shprehet institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ndër të tjera rekomandon që të hartohet dhe miratohet metodologjia për llogaritjen e minimumit jetik në Republikën e Shqipërisë.
Ne raportin e auditimit te performancës “Varfëria në Shqipëri dhe roli i shtetit në zbutjen e saj”, te Kontrollit te Larte te Shtetit ne vitin 2018, theksohet se “Në Shqipëri nuk ka një vlerë të miratuar nga qeveria të minimumit jetik dhe kufirit të varfërisë, mbi të cilën të bazohen politikat dhe studimet e
përkujdesit social. Skema aktuale e Ndihmës Ekonomike nuk është efektive në zbutjen e varfërisë referuar numrit të familjeve që dalin nga skema për shkak të punësimit dhe përmirësimit të kushteve social-ekonomike të tyre. Mbështetja e qeverisë me programin e Ndihmës Ekonomike do të ishte efektive nëse kontributi do të vlerësohej paralelisht me nivelin e përgjithshëm të çmimeve, me produktet e shportës së konsumit dhe me studime dinamike për ri-integrimin e individëve në shoqëri”.
Duke bërë lidhjen e përcaktimit të minimumit jetik dhe skemës së ndihmës ekonomike, KLSH ka kërkuar që të merren masa për të kryer një studim që do të prodhojë një shifër zyrtare për të ardhurat minimale që i duhen një personi për të plotësuar nevojat bazë. Mungesa e një përkufizimi të tillë të përcaktuar me ligj dhe akte nënligjore, sipas auditimit të KLSH, ka prekur thellësisht nivelin e jetesës së familjeve në ndihmë ekonomike, duke e ulur atë. Pikërisht minimumi jetik duhet të jetë bazë për llogaritjen e shumë aspekteve, përfshi ndihmën ekonomike. Mospasja e një shifre të përditësuar bën që vlera që u kalon familjeve në ndihmë ekonomike nuk është e saktë dhe shumë më e ulët se sa niveli i duhur. Mbi këtë bazë, KLSH ka kërkuar që institucionet qeveritare përgjegjëse të angazhohen për nisjen e një studimi, i cili do të nxjerrë minimumin jetik zyrtar.
Kërkesa e publikut dhe trysnia e ekspertëve të njohur të ekonomisë dhe të mbrojtjes shoqërore për minimumin jetik ushqehet edhe nga nivelet e ulëta të pagës minimale dhe të pensionit minimal. Janë pikërisht këto nivele minimale që apelojnë për llogaritjen e minimumit jetik, i cili mund dhe duhet të shërbejë si një shtysë për rritjen e pagave minimale dhe të pensioneve minimale.
Skenarët dhe rekomandimet për llogaritjen e minimumit jetik nuk kanë munguar. Përpjekja e parë për llogaritjen e minimumit jetik nisi në fillim të viteve 2000 nga Ministria e Punës e atëhershme, por nisma u la në gjysmë të rrugës, pa dhënë ndonjë shpjegim. Përpjekja e dytë u bë në vitin 2016, kësaj radhe me nismën e Avokatit të Popullit. Studimi i Qendres Shqiptare per Kerkime Ekonomike (ACER), me titull “Llogaritja e minimumit jetik në Shqipëri. Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt një standardi të arësyeshëm jetese”, i vitit 2016 u publikua, por nuk tërhoqi vëmendjen e qeverisë. Ekspertët e saj kishin filluar të projektonin programin për sistemin e mirëqenies, jo duke pasur si referencë minimumin jetik të llogaritur, por duke vendosur si objektiv programor rritjen e të ardhurave të disponueshme.
Në programin qeverisës të mandadit të saj të parë të viteve 2013-2016, qeveria përcaktoi si objektiv llogaritjen, publikimin dhe kalendarizimin e plotësimit të minimumit jetik në Shqipëri. Në programin e mandadit të dytë 2017–2021, qeveria nuk iu referua më minimumit jetik, por objektivit të rritjes së të ardhurave të disponueshme. E njëjta gjë ndodhi dhe me programin e tanishëm qeverisës 2022-2025. Pse qëllimisht eliminohet objektivi i përcaktimit dhe përditësimit të minimumit jetik, si bazë e politikave sociale të qeverise?
Përcaktimi i minimumit jetik si një referencë në politikat për reduktimin e varfërisë është një praktikë e njohur. Një kufi ligjor i përcaktimit të të ardhurave bazë që duhet të gëzojë një individ ose një familje përbën një detyrim për qeverinë për ta garantuar atë. Lind pyetja: Pse qeveria nuk e ndoqi këtë praktikë?
Më 9 dhjetor 2022, 21 mijë nënshkrime të qytetarëve shqiptare, të mbledhura nga aktivistë të shoqërisë civile, iu dorëzuan Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me qëllim nisjen e procedurave për miratimin e projektligjit për minimumin jetik.
Koha për përcaktimin e minimumit jetik zyrtar ka ardhur!
IV. Amendimi i Ligjit të Buxhetit të Shtetit për Sigurimet Shqoërore: një domosdoshmëri
Bazuar në të gjithë këto konsiderata dhe në kërkesat e kohës dhe të Bashkimit Evropian, kam paraqitur propozimin për amendimin e Ligjit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2023, në pjesën e Sigurimeve Shoqërore, duke shtuar përcaktimin zyrtar të Minimumit Jetik, si më poshtë:
“Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, qeveria të përcaktojë Minimumin Jetik Zyrtar, në bazë të studimeve dhe anketave të deritanishme, të kryera nga Instituti i Statistikave. Duke filluar nga korriku 2023, gjatë gjithë gjashtëmujorit të dytë dhe për buxhetet e viteve në vijim, pagesat për personat me aftësi të kufizuar dhe për familjet në skemën e asistencës sociale të indeksohen (plotësohen), deri në respektimin e Minimumit Jetik Zyrtar”.
E përcolla këtë propozim në Kuvend, por propozimi nuk gjeti mbështetje. Mendoj se është e domosdoshme që brenda këtij viti, ne të fiksojmë në ligj që të përcaktohet minimumi jetik zyrtar.
Vakuumi normativ i përcaktimit të minimumit jetik zyrtar duhet të përfundojë sa më parë, në mënyrë që të vendoset një standard normativ me efekte të drejtpërdrejta në politikat sociale dhe ekonomike te vendit, si dhe t’u ofrohen garancitë qytetarëve, në drejtim të sigurimit të mjeteve të tyre të jetesës.
Është e pafalshme për një vend si Shqipëria, i cili ka filluar bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që të mos e përafrojë legjislacionin e vet në fushën e mbrojtjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve, me standardin e BE-së. Për ne, integrimi evropian, si paradigmë zhvillimi është një koncept i kristalizuar jo vetëm në politikën tonë legjislative, por përbën pjesë thelbësore të zhvillimit ekonomik, social e shoqëror në tërësi.
Po planet tona për garantimin qytetarëve tanë të një jetese dinjitoze, në respekt të parimeve të zhvillimit shoqëror të Bashkimit Evropian, me të cilin po bisedojmë që të anëtarësohemi, ku janë?
Nga analiza e legjislacionit shqiptar në tërësi, rezulton se minimumi jetik është një normë ligjore që buron nga të drejtat kushtetuese të qytetarëve tane. Edhe pse koncepti i minimumit jetik është i parashikuar prej më tepër se 2 dekadash si një normë kufizuese për mbrojtjen e burimit të të ardhurave, kryesisht të punëmarrësve, mungojnë aktet ligjore dhe nënligjore që përcaktojnë masën e minimumit jetik zyrtar.
Debati mbi pagën minimale në Shqipëri, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, dhe lidhjen e saj të pazgjidhshme me minimumin jetik, sikurse është parashikuar në disa ligje, përfaqëson një debat që e kapërcen fushën e politikave sociale dhe atyre të punësimit, duke prekur çështje të natyrës makroekonomike dhe kushtetuese.
Ndër-disiplinariteti i raportit pagë minimale-minimum jetik, duhet të identifikohet dhe studiohet sa më drejt nga qeveria dhe palët e tjera të interesit, në mënyrë që të arrihet një ekuilibër legjitim, i cili maksimizon interesat jetike të shoqërisë shqiptare në tërësi, duke shmangur fokusin nga trajtimi i minimumit jetik apo pagës minimale si një barrë për ekonominë dhe buxhetin e shtetit. Kjo, pasi minimumi jetik, më tepër se sa pengesë për zhvillimin ekonomik, duhet parë si një faktor zhvillimi.
Për këtë nevojiten qasje konstruktive të cilat të adresojnë maksimalisht polarizimin e thellë të konfliktit ndërmjet rritjes ekonomike dhe politikave sociale të punësimit. Për të vënë në jetë këtë qasje, kërkohen procese legjislative, të cilat respektojnë dhe integrojnë në produktet e tyre kornizën e parimeve normative ligjore dhe kushtetuese.
V. Lidhja simbiotike minimum jetik-pagë minimale-ndihmë ekonomike
Një sistem i konsoliduar mirëqenieje presupozon sinergjinë midis tri minimumeve: pagave minimale, pensioneve minimale dhe minimumit jetik. Si politikat sociale, ashtu dhe programet e sistemit të mirëqenies, siç është, për shembull, përcaktimi i pagës minimale apo programi i ndihmës ekonomike, janë zbatuar duke mos pasur parasysh këtë sinergji.
Mungesa e përcaktimit të minimumit jetik zyrtar e bën Shqipërinë pjesë të grupit të atyre vendeve që nuk mund të garantojnë apo sigurojnë në mënyrë efektive burimet bazë të jetesës së qytetarëve.
Qeveria e ka për detyrë jo vetëm morale, por edhe juridike, përpara qytetarëve të vendit, evidentimin e relacionit të pazgjidhshëm dhe simbiotik të minimumit jetik, në raport me pagën minimale të miratuar në rang vendi.
Ky relacion do të nxirrte në pah aftësinë e shoqërisë për të garantuar, nëpërmjet ndërhyrjes rregullatore të shtetit (sikurse janë paga minimale dhe percaktimi i minimumit jetik) mirëqenien e shtresave shoqërore që jetojnë në kufijtë e të ardhurave minimale.
Debati mbi relacionin simbiotik ndërmjet minimumit jetik dhe pagës minimale, duhet të synojë arritjen e një ekuilibri të drejtë, ndërmjet një shoqërie solidare e të barabartë, dhe modeleve panevropiane të zhvillimit, mbi bazën e parimeve të ekonomisë së tregut dhe mbrojtjes se te drejtave sociale te qytetareve, sipas direktivave te BE-se.
Minimumi jetik, njëlloj si paga minimale apo ndihma sociale janë instrumente që mund të amortizojnë efektet negative të ekonomisë së tregut për shoqërinë në tërësi dhe per pjesen më të pambrojtur të saj, në veçanti.
Është fakt që ndihma ekonomike është mbi 3 herë më e ulët se niveli i pagës minimale të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Ndihma ekonomike nuk mund dhe nuk duhet kuptuar si një “pagë” e mirëfilltë që zëvendëson pagën nga punësimi, por si një mbështetje për familjet në nevojë.
Vakumi normativ i përcaktimit të minimumit jetik duhet të përfundojë sa më parë, në mënyrë që të vendoset një standard normativ, me efekte të drejtpërdrejta në politikat sociale dhe ekonomike, si dhe t’u ofrohen garancitë qytetarëve, në lidhje me sigurimin e mjeteve të tyre të jetesës. Kjo mangësi ka nxitur zbatimin e standardeve të dyfishta në mbrojtjen e të drejtave themelore të shtetasve, në lidhje me garancitë që duhet të ofrojë legjislacioni, përsa i përket minimumit jetik.
xx
Propozimi që paraqita në Kuvend synon marrjen e një angazhimi serioz të përvitshëm, në mënyrë që vakumi normativ i përcaktimit të minimumit jetik zyrtar të përfundojë sa më parë dhe të vendoset një standard normativ, me efekte të drejtpërdrejta në politikat sociale dhe ekonomike, si dhe t’u ofrohet garanci qytetarëve, në drejtim të sigurimit të mjeteve të tyre të jetesës.
Përcaktimi i Minimumit Jetik Zyrtar mundëson që buxheti i Shtetit t’u sigurojë personave me aftësi të kufizuar dhe familjeve në skemën e ndihmës sociale, një jetesë dinjitoze me shërbimet bazike. Ai njëkohësisht, do t’u mundësojë të gjithë shtetasve që të marrin pjesë aktive në shoqëri, pavarësisht nga aftësia e tyre për të punuar.
Një skenar ideal i zbatimit të minimumit jetik presupozon tri faza: llogaritjen; publikimin dhe zbatimin/garantimin. Është e qartë se llogaritja dhe publikimi i minimumit jetik janë detyra të realizueshme. Problemi qëndron te garantimi i tij. Në kushtet e Shqipërisë plotësimi i minimumit jetik
është një detyrim i sistemit të mirëqenies, i cili mund të realizohet në proces dhe në mënyrë graduale, duke llogaritur burimet financiare të vendit.
Krahas realizimit të propozimit, nevojitet që të hartohet dhe miratohet metodologjia për llogaritjen e minimumit jetik në Republikën e Shqipërisë, që të shërbejë si udhërrëfyes dhe referencë zyrtare për llogaritjen periodike të Minimumit Jetik Zyrtar. Duke u përcaktuar në mënyrë rigoroze shkencore, Minimumi Jetik Zyrtar duhet të përdoret në themel të hartimit të politikave sociale për shtresat në nevojë. Minimumi Jetik Zyrtar duhet po ashtu të përdoret si referencë, për të përcaktuar pensionin minimal urban dhe rural, pagën minimale, ndihmën ekonomike dhe pagesën e papunësisë.
Botuar në Gazeta Sot më 24.03.2023