Kandidatët e primareve të Partisë Demokratike janë shpresa dhe energjia e ndryshimit në të 61 bashkitë e vendit. Është e domosdoshme, që në takimet me qytetarët dhe në publik e media, ata të shpalosin plane dhe programe efektive, për të përmirësuar jetën e qytetarëve në komunitetet e tyre.
Një shembull të mirë dha kandidati i primareve për Tiranën, Belind Këlliçi, duke shpalosur programin e tij për transport publik falas për të mbi 900 mijë qytetarët e Tiranës, të realizueshëm duke përdorur vetëm 6.8 përqind të fondeve të bashkisë, si dhe programin për ulje drastike të numrit dhe nivelit të 33 taksave dhe tarifave vendore për kryeqytetin, që po ia marrin frymën sipërmarrjes së lirë në Tiranë.
Kandidati i primareve duhet të formulojë programin e tij/saj të ndërhyrjeve dhe punëve për bashkinë ku kandidon, mbi bazën e kërkesave themelore të qytetarëve, për përmirësimin e shërbimeve publike të bashkisë. Ai/ajo duhet të prononcohen haptazi dhe me kurajo të marrin përsipër përmirësimin e situatës financiare, pasi për shumë bashki të vendit, borxhet dhe detyrimet e tyre financiare janë rritur në mënyrë shumë shqetësuese, duke i vënë përballë riskut të falimentimit.
Kandidati duhet të artikulojë vizionin e tij/saj për të ardhmen e bashkisë në katër vjet, duke përcaktuar qartë politikat për orientimin e zhvillimit territorial, ekonomik, social dhe kulturor të komunitetit. Kandidati duhet të angazhohet në formulimin e planeve të detajuara vendore, duke e nisur që nga procesi i planifikimit të përdorimit të tokës, duke evidentuar zonat me zhvillim intensiv, rigjenerim urban, rikonceptim, apo ato të lidhura me projekte madhore publike.
Kandidati duhet të shprehet për shërbimet baze publike për qytetarin: ndihmën sociale në komunitet, punësimin, strehimin, pastrimin, ndriçimin, etj. Ai/ajo duhet të mendojë dhe planifikojë në nivel makro dhe mikro ndërhyrjet për përmirësimin e këtyre shërbimeve jetike për qytetarin.
Kandidatët e primareve i galvanizon entuziazmi dhe energjia e bashkimit të shqiptarëve në një betejë historike ndaj keq-qeverisjes së sektit Rama në çdo nivel menaxhimi, duke patur në përparësi menaxhimin publik në nivelin vendor. Por për ata, nuk është e mjaftueshme vetëm denoncimi i mangësive dhe paudhësive abuzive dhe korruptive, të qeverisjes vendore të sektit.
Ata duhet ta tregojnë veten në betejën e ofrimit të alternativave të qarta dhe planeve të detajuara për përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre, duke treguar kurajo dhe aftësi menaxhuese. Ata duhet të jenë mbartës të dokumentuar mirë dhe të përgatitur, të shpresës dhe energjisë së ndryshimit që po vjen në nivel vendor. Si mbartës të shpresës dhe ndryshimit, i ftoj kandidatët e primareve të kenë planet dhe programet më të mira të menaxhimit të territorit dhe të kryerjes në kohë dhe me cilësi të shërbimeve jetike publike për qytetarët e tyre. Shembulli i kandidatit Belind Këlliçi në Tiranë është orientues i mirë dhe kandidatët e tjerë duhet ta shohin me përparësi qasjen e tij, duke përshtatur planet, programet dhe ndërhyrjet e tyre, me kushtet specifike të territorit dhe kërkesave të komuniteteve ku jetojnë.
Ne të gjithë, nga Kryetari i Partisë Demokratike, tek deputetët, kandidatët e primareve, këshilltarët dhe ish-këshilltarët, drejtuesit e seksioneve, duhet të lëmë sa më parë çdo hatërmbetje të vogël, çdo moskuptim mes nesh, në emër të misionit madhor të sotëm të Partisë Demokratike, për të rikthyer pluralizmin në Shqipëri dhe për t’ua kthyer Shtetin qytetarëve shqiptarë.
Do të kemi kohë më vonë të sheshojmë çdo keqkuptim dhe kontradiktë mes nesh, por tani parësore është bashkimi ynë në garën e madhe të 14 majit 2023, për të mirën e qytetarëve tanë.
Në fund të këtij postimi, shpreh besimin e plotë dhe ju uroj të gjithë kandidatëve të primareve suksese dhe fitore në zgjedhjet vendore të 14 majit!