nga Bujar Leskaj
Projektligji i rishikuar “Për tatimin mbi të ardhurat” vijon të karakterizohet nga një pabarazi e theksuar tatimore, pavarësisht rishikimeve të bëra.
Ky projektligj si frymë nuk përkrah, por përkundrazi, e godet shtresën e mesme dhe grupin e profesionistëve. Ai drejtpërsëdrejti thellon dhe e inkurajon, përmes politikës tatimore që vendos, largimin e ekspertëve nga vendi.
Ju qeveria e sektit Rama kujdeseni ta theksoni përsëri në dispozitat kalimtare të ligjit (Neni 69.b) përjashtimin nga tatim fitimi i pronarëve të hoteleve brand name me 4-5 yje, ndërsa shtresën bazë të shoqërisë që dikton konsumin, shtresën e mesme, e lini pa asnjë perkrahje.
Ju nuk tërhiqeni nga zbatimi i tatimit progresiv nga 15 deri në 23% tek profesionet e lira dhe biznesi i vogël. Rishikimet e fundit në draft nuk sjellin asnjë ndryshim, përveçse disa përmirësimeve teknike.
Projektligji shënjestron vetëm profesionistët e lirë. Ai është në kundërshtim me frymën që duhet të ketë një qeveri kombëtare, për të krijuar shtresën dhe klasën udhëheqëse edhe në biznes, për të siguruar punësim, të ardhura dhe zhvillim. Është kjo shtresë që drejton ekonominë dhe konsumin. Ajo nuk duhet të goditet, përkundrazi duhet të mbështetet ,që të ketë mundësi të investohet dhe të zhvillohet sa më shumë. Por ju nuk jeni qeveri kombëtare.
Bizneset e profesionistëve të lirë janë promotorë të ekonomisë. Ato nuk duhet të trajtohen me norma tatimore të barabarta me ato të korporatave, pasi kurrsesi nuk mund t’i konkurrojnë ato. Në këtë mënyrë, ne do të dyfishojmë emigracionin, pse tani, pas mjekëve, do të na emigrojnë edhe juristët, avokatët, kontabilistët dhe të gjitha profesionet e tjera të lira!
Projektligji, kështu si është sot, nxit pabarazinë mes tatimpaguesve dhe evazionin fiskal. Shoqatat e juristëve dhe avokatëve pohojnë se drafti është antikushtetues, për shkak të trajtimit të pabarabartë tatimor.
- Shoqatat e biznesit dhe profesioneve të lira, në bllok kundër projektligjit
Të gjitha shoqatat e biznesit, si Dhoma Amerikane e Tregtisë, apo shoqatat e profesioneve të lira, si IEKA, Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Shoqata e Avokatëve Penalistë, etj., janë shprehur kundër draftit të qeverisë.
Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkoi pak ditë më parë që ky projektligj, që është baza e sistemit tatimor, të garantojë nxitjen e produktivitetit të ekonomisë dhe punës së kualifikuar. Në fakt, drafti, edhe ai i përmirësuar kohët e fundit, bën të kundërtën.
Instituti i Ekspertëve të Çertifikuar Kontabël (IEKA) theksoi se vërejtjet e tyre nuk janë marrë në konsideratë. Ministria e Financave dhe e Ekonomise nuk ka bërë ndryshime për profesionet e lira, nga varianti që është diskutuar në dhjetor 2022.
Projektligji i rishikuar përcakton dy afate zbatimi. Për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira, tatimi progresiv nga 15% deri në 23% do të nisë zbatimin nga 1 janari 2024, ndërsa për biznesin e vogël (duke përfshirë kategoritë e të vetëpunësuarit), efektet e ligjit do të fillojnë të zbatohen nga 1 janari 2029. Nëse profesionet e lira i taton me 15%, projektligji tregtarët e dyqaneve i lë me tatim 0 deri në vitin 2029.
Shtrirja e ligjit tek të vetëpunësuarit e profesioneve të lira, për shumë arsye, do të sjellë efekte negative. Të vetëpunësuarit janë biznese, marrin përsipër rreziqe, nuk kanë të ardhura të fikse dhe të ardhurat e tyre nuk mund të quhen kurrsesi të ardhura nga paga. Projektligji, edhe me ndryshimet, është evaziv. Ai i konsideron njësoj si të vetëpunësuarit, ashtu dhe të punësuarit në sektorin privat apo shtetëror.
Klasifikimi është i gabuar. Gjithashtu trajtimi i të vetëpunësuarve me tatim 15% mbi të ardhurat deri në 2,040,000 lekë dhe mbi këtë nivel, 23%, nuk i vë në kushte të barabarta të vetëpunësuarit, profesionet e lira me bizneset e tjera. Një biznes sh.p.k. që mund të fitojë të ardhura deri në 5 milionë lekë paguan 15% tatim mbi fitimin, ndërsa një i vetëpunësuar, për të ardhurat mbi 2,040,000, do të paguajë 23%!
Të gjithë jemi dëshmitarë që shumë biznese të vogla hapin dyqane tregtare të çuditshme, që punojnë 6 muaj apo 1 vit dhe më pas mbyllen, rihapen apo mbyllen sërish. Këto lloj biznesesh me xhiro deri në 14 milionë lekë, do ta kenë tatimin zero për 6 vite rradhazi , ndërsa të gjitha profesionet e lira duhet të paguajnë tatim 15 apo 23%! Ku qëndron barazia këtu?!
- Me projektligjin, sezoni i gjuetisë së shtrigave çelet sërisht
Pavarësisht përmirësimeve që i janë bërë projektligjit, praktikisht, tatimi ndaj profesioneve të lira barazohet me tatim fitimin e korporatave. Edhe në draft-ligjin e përmirësuar aktualisht, ashtu si dhe në variantin që do të hynte në fuqi në janar 2023, kjo kategori biznesi barazohet me tatimin mbi fitimin e korporatave, nëse i gjithë fitimi i tyre do të shpërndahej si dividend (15% tatim fitimi + 8% tatim dividenti).
Kjo normë tatimi për profesionet e lira është shumë e lartë. Gjithmonë trumbetohet se punë ka, por nuk ka profesionistë. Mirëpo, kur vjen puna tek taksimi, duam t’i detyrojmë profesionistët tanë të lirë, që drejtojnë konsumin në vend, që të paguajnë aq sa paguajnë dhe kolegët europianë. Profesionet e lira kanë filluar të formohen në sektorin privat pas viteve 2000. Të gjithë individët që ushtrojnë profesionet e tyre, si të vetëpunësuar, janë ata që kanë kaluar periudhën e gjatë të tranzicionit, si edhe shteti ynë shqiptar. Pak komunizëm, pak demokraci, liberalizim dhe globalizim te tregjeve.
Janë formuar dhe ngritur profesionalisht, pa pasur mbështetjen e një shteti të brishtë, siç është Shqipëria. Sot, këta profesionistë kërkojnë të institucionalizohen dhe përparësitë e tyre t’i kthejnë në vlera konkurruese për ekonominë dhe shoqërinë tonë. Taksimi i tyre, duke harruar premtimin 10-vjeçar të qeverisë, sjell deformim të strukturës së biznesit të vogël.
Sezoni i gjuetisë së shtrigave për biznesin e profesioneve të lira duket se u çel sërish. Trajtimi ndryshe në tatim i profesioneve të lira, bëhet në një kohë kur Shqipërisë, çdo vit i ikin mijëra intelektualë e profesionistë në tregjet europiane te punes, si në Gjermani, Britani të Madhe, etj, por edhe në Kanada e SHBA. Ngjan më tepër si një luftë klasash, e cila po na mban ende të lidhur e nuk po shkëputemi nga ky realitet i shëmtuar i një të kaluare të turpshme.
Profesionistët e lirë e përfaqësojnë po aq denjësisht Shqipërinë sa shoqëritë e programeve softuerike, që paguajnë 5%, po aq sa investitorët strategjikë me subvencione e taksim zero, agrobizneset e bujtinat, apo industria automotive e trajtuar me 5% tatim mbi fitimin.
- Projektligj që ushqen evazionin fiskal
Taksimi i të ardhurave të të vetëpunësuarve do të nxisë informalitetin, duke rritur nivelin e ekonomisë gri. Problemi kryesor tek ne nuk janë politikat fiskale apo barra tatimore, por administrimi tatimor. Ryshfeti, klientelizmi dhe mungesa e ekspertizës në të gjithë vertikalitetin e piramidës tatimore, janë ato që e deformojnë sistemin, duke e shndërruar në mos-funksional.
Drafti qeveritar ka devijime të rënda. Me të, tatohet 8% kapitali dhe taksohet në nivele të papërfillshme ose 0% prona, pra pronarët e trojeve dhe të ndërtesave. Kur duhet të ndodhë e kundërta, nëse pretendojmë të ngrejmë një sistem të barazisë shoqërore dhe të kontributit më shumë të atij që fiton më shumë.
Një tjetër paradoks i projektligjit është se taton punën(pagat) me 23% dhe profesionet (kontabilistë, juristë, arkitektë, etj., sipas një liste jotransparente) me 15%, kurse, nga ana tjetër, tatohen 0% një kategori klienteliste dhe me risk të lartë të pastrimit të parave, si ndërtimet në turizëm, hoteleritë, etj..
Drafti qeveritar ul shumën e të ardhurave që detyron një subjekt të deklarojë, nga 2 milionë lekë që është aktualisht në 1,5 milionë lekë. Ai detyron të deklarojnë të gjithë ata persona që realizojnë mbi 50 mijë lekë të ardhura në vit, të ndryshme nga paga. Ky nivel kaq i ulët, edhe pse rrit numrin e individëve që deklarojnë, nga ana tjetër shton oreksin dhe prirjen për transaksione informale.
Nga ana tjetër, zbritja e 30% të shpenzimeve të supozuara për një person fizik i vetëpunësuar që ofron shërbime, me qarkullim vjetor deri në 10,000,000 lekë, do të çonte në mosdeklarimin e plotë. Ofrohet e gjere mundësia e përfitimeve financiare me para nën dorë, për të ulur pagesën e të ardhurave të tatueshme, të mbetura pas zbritjes së shpenzimeve.
Projektligji jep përcaktimin se personat juridikë që ofrojnë shërbime profesionale do të tatohen me tatim mbi të ardhurat personale, me kriter sipas natyrës së biznesit. Nga pikëpamja e administrimit tatimor, ky përcaktim paraqitet tejet shqetësues, pasi lë hapësira të gjera për interpretime dhe i ekspozon profesionet e lira ndaj sjelljeve arbitrare të administratës tatimore.
Shqetësimi tjetër për kontabilistët është edhe vendosja e një regjimi i veçantë tek të vetëpunësuarit, siç është zbritja e shpenzimeve te biznesi i vogël nga 30 deri në 90%. Kjo është e gabuar për disa arsye. Së pari nuk specifikohet ndarja e shpenzimeve për bizneset që kryejnë aktivitet të përzier. Së dyti, vlerësohet si masë negative, pasi bie në kundërshtim me ligjin ekzistues të kontabilitetit që përcakton kufijtë e mikrobizneseve deri te bizneset e mëdha dhe detyrimin për deklarimin e bizneseve me xhiro mbi 5 milionë lekë.
Duke i hequr nga detyrimi për të mbajtur shpenzime, krijohet mundësia për mosdorëzimin e deklaratave tatimore për bizneset me xhiro nga 5 deri në 10 milionë lekë. Kjo do të krijojë probleme edhe tek bizneset e mëdha, të cilat nuk do të pranojnë të lëshojnë fatura.
Nga ana tjetër, kjo do të rrisë presionin e bizneseve për mosdeklarimin e të ardhurave, për të mbetur brenda këtij kufiri. Kjo masë duket si lehtësi për biznesin e vogël, por nuk është e tillë dhe do të ketë pasoja negative me rritjen e informalitetit në ekonomi.
- Përmirësimet teknike të projektligjit
Drafti i ri ka disa ndryshime për mirë, në krahasim me versionin e parë të ligjit, por nuk ka ndonjë ndryshim domethënës, në krahasim me projektligjin, i cili pritej që të hynte në fuqi nga 1 janari 2023, por u shty për t’u konsultuar më tej me grupet e interesit. Ndryshimet kryesore teknike konsistojnë në:
- Është pozitiv fakti që në projektligj janë përfshirë disa terma si “Mjet Virtual” apo “Përftimi nga mjetet virtuale (mining)”, të cilat përdoren sot gjerësisht në praktikën tatimore evropiane e dotërore, por nuk ka një kornizë të mirëpërcaktuar ligjore.
- Në këtë projekt ligj trajtohen edhe të ardhurat nga këto mjete. Ka një shpjegim më të mirë të terminologjisë së përdorur në ligj, të tillë si: “Person Fizik”, “Entitet”, “Shoqëri”, etj., por do ishte më mirë nëse do të kishim një harmonizim total të terminologjisë, për të zvogëluar konfuzionin me këto terma. Kjo, referuar të gjitha ligjeve të fushës, si ligjet tatimore, ligji për tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare, ligji për QKB, ligji për Kontabilitetin, ligjet për auditimin e brendshëm dhe të jashtëm publik, standardet e kontabilitetit, si dhe cilido ligj tjetër, që lidhet me të ardhurat apo të bërit biznes.
- Një tjetër përmirësim që sjell projektligji është lejimi për mbartjen e humbjeve në 5 vjet, nga 3 vite që është aktualisht, duke u dhënë mundësinë bizneseve të reja që të mund të mbartin më gjatë humbjet e viteve të para të jetës së biznesit, deri në konsolidimin e tyre.
- Për sa u përket të ardhurave nga punësimi, ka një lehtësim për pagat e ulëta në krahasim me ligjin aktual. Projektligji sërisht, njësoj si varianti që do të hynte në fuqi në 1 janar 2023, parashikon tre fasha të tatimit nga 0%, 13% dhe 23%, por tatimi 0% tashmë, sipas këtij drafti, shtrihet deri në një nivel page deri në 50,000 lekë (pra për paga deri në 50,000 lekë, tatimi do të jetë 0%), si edhe për pagat deri në 60,000 lekë, tatimi do të ndryshojë nga 3,900 lekë që është tani (60,000-30,000) x 13%, në 3,250 lekë (60,000-35,000) x 13%. Lehtësim sado i vogël, por duhet parë si diçka pozitive, duke menduar që ky lehtësim shkon pikërisht për ata që kanë më shumë nevojë.
Në përgjithësi, ndryshimet ligjore kanë qenë shtrënguese kohët e fundit, si ashpërsimi i disa gjobave, rritja e shpeshtë e pagës minimale, e cila shoqërohet dhe me rritjen e kufirit të poshtëm dhe të sipërm, për efekt të sigurimeve shoqërore, etj..
Projektligji duhej te parashikonte lehtësime edhe për atë që e quajmë shtresë e mesme. Një vit më parë, qeveria rriti pragun e pagave që tatohen me 23%, por me ndryshimet e shpeshta të pagës minimale, e cila sjell ndryshimin e tavanit për pagesën e kontributeve, ky efekt është zhbërë totalisht.
xx
Dhoma Kombëtare e Avokatëve po përgatit dërgimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Shqetësim për juristët është edhe nxitja e evazionit apo e dhënies së ryshfetit. Në draftin, edhe të përmirësuar, janë disa shembuj problematikë për këtë.
Shtimi i çdo tatimi në drejtim të biznesit të vogël, në përgjithësi, dhe subjekteve të vetëpunësuara në veçanti, do të sillte edhe falimentin e një pjesë të tyre, duke marrë parasysh faktin që një pjesë e kësaj kategorie biznesi nuk ka ushtruar aktivitetin e saj gjatë pandemisë dhe nuk përfitoi asnjë ndihmë ekonomike nga qeveria.
Vendosja e çdo tatimi mbi të ardhurat e biznesit të vogël dhe të të vetëpunësuarve është një hap i nxituar, duke marrë në konsideratë efektet e pandemisë, rritjen e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë dhe mosfunksionin efiçient të institucioneve gjyqësore.
Botuar në Gazeta Sot më 01.04.2023