Gati një në çdo tre të rinj as në punë, as në shkollë!

  • Tetor-dhjetor 2022: 3,669 më shumë të rinj të papunë
    Sipas Barometrit Ballkanik, Shqipëria është shumë prapa në punësimin e të rinjve dhe renditet ndër vendet e para në Europë për përqindjen e lartë të të rinjve që nuk janë as në punë dhe as në ndonjë trajnim. Në vitin 2020, rreth 28 për qind e të rinjve të moshës 15-29 vjeç tek ne nuk ishin as në punë dhe as duke ndjekur ndonjë shkollë apo trajnim. Gati një në çdo tre të rinj!
    Kjo situatë tregon se në të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë, punësimi tek ne, për shkak të indiferencës së plotë të sektit Rama në qeverisje, do të vuajë kronikisht nga mungesa e aftësive në tregun e punës. Për rrjedhojë, ekonomia do ta ketë gjithnjë e më të vështirë për t’u orientuar drejt një modeli që prodhon mallra dhe shërbime me vlerë të lartë në tregjet ndërkombëtare, pasi forca kryesore e saj e punës, të rinjtë, janë të painteresuar të punësohen dhe të rrisin produktivitetin e tyre.
    Tregu i punës po kthehet në Shqipëri në emergjencë kombëtare! Sipas të dhënave nga INSTAT, papunësia në grupet e reja të popullsisë shënoi rritje në tremujorin e fundit të vitit 2022, në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit 2021.
    Në tetor-dhjetor 2022 rezultuan të papunë 75,050 persona të moshës 15-29 vjeç, ose 3,669 të rinj më shumë të papunë se njëjta periudhe e vitit të mëparshëm, me rritje gati 5.1 %. Treguesi i punësimit tregoi zhvillime negative duke raportuar rënie të punësimit tek të rinjtë.
    Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç ishte 21,5 % në 3-mujorin e fundit 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit 2021, shkalla e papunësisë për të rinjtë është rritur me 0,9 për qind. Krahasuar me tremujorin e tretë 2022, ky tregues është rritur me 1,0 pikë përqindje.
    Të dhënat nga INSTAT tregojnë se tregu i punës në vendin tonë paraqitet problematik për grup moshat e reja. Anketa më të hollësishme mbi zhvillimet në tregun e punës dëshmojnë se modeli ekonomik në të cilën është bazuar vendi ynë, nuk ofron vende pune atraktive për të rinjtë.
    Ofertën më të lartë për punë e kanë sektorë më vlerë të ulët pagese, si fabrikat në industri tekstile, punonjës pastrimi nga hoteleria dhe punëtorë krahu në sektorin e ndërtimit. Të rinjtë e sotshëm nuk preferojnë të punojnë në këto sektorë me një lodhje të madhe fizike kundrejt një pagese të ulët në kufijtë e minimales.
    Qeveria është krejtësisht indiferente dhe politikat e nxitjes së të rinjve për punë i ka vetëm në propogandën e saj virtuale në Facebook. Në këta nëntë vite, sekti në pushtet nuk ka realizuar asnjë program dhe masë konkrete në shkallë kombëtare, për të ndihmuar të rinjtë të punësohën në pozicione pune me perspektivë.
    Burimet:
    Barometri Ballkanik: (https://research-and-innovation.ec.europa.eu/news/all-research-and-innovation-news/balkan-barometer-2020-2020-06-26_en)
    INSTAT: file:///C:/Users/user/Downloads/anketa-tremujore-e-forcave-t%C3%AB-pun%C3%ABs-t4-2022__.pdf