Nga Bujar Leskaj
Sot dhe nesër, Presidenti polak Andrzej Duda zhvillon një vizitë dy-ditore në Shqipëri, i ftuar nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj. Një ftesë mëse e goditur, pasi kjo vizitë shënon një moment të rëndësishëm, jo vetëm për marrëdhëniet miqësore mes Shqipërise dhe Polonisë, por edhe në rajon.
Polonia është vend aleat i fuqishëm i NATO-s në Evropë dhe fuqia e katërt ushtarake e Evropës. Ajo përfaqëson edhe ekonominë e katërt më të madhe në Bashkimin Evropian. Që nga anëtarësimi i Polonisë në NATO në vitin 1999, vendi ka modernizuar ushtrinë e tij, ka rritur kapacitetet dhe mjetet luftarake të fjalës së fundit, me trupa të mirëtrajnuara nga specialistët e NATO-s.
Janë pesë arësye kryesore, pse kjo vizitë i shërben fort vendit tonë. Le t’i rendisim ato.
I. Duda, pasardhës i denjë i Presidentëve Walesa dhe Kaczynski
Presidenti polak Lech Walesa, drejtuesi i lëvizjes historike Solidarnost që shpejtoi rrëzimin e komunizmit në Evropë, përfaqësonte një barrierë të fortë ndaj ideologjisë dhe influencës së Rusisë sovjetike, ndërsa Lech Kaczynski, Presidenti i vrarë i Polonisë në një aksident ajror në vitin 2010, në rrethana të dyshimta, si dhe arkitekti i Polonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ka thënë se vendi i tij duhet të bëhet “më i vetë-mjaftueshëm ushtarakisht, për të kundërshtuar revanshizmin rus”.
Presidenti Kaczynski ishte përfaqësuesi më i fuqishëm i linjës kundër ndikimit të revanshist rus në Poloni dhe në tërësi në Evropën Lindore. Sot kjo linjë është mbizotëruese në shtetin dhe qeverinë polake, sidomos përmes personalitetit të Presidentit Duda, duke parë dhe kërcënimin e shtuar që vjen nga agresioni i Putin në Ukrainë.
Presidenti Andrzej Duda është pasardhës i denjë i dy Presidentëve Walesa dhe Kaczynski, si dhe mik i madh i Shqipërisë. Polonia është aleate e Shqipërisë në NATO dhe një provomuese e vendosur e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Presidenti polak profilizon veten dhe vendin e tij, Poloninë si përkrahës të zellshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian, ose si një “vend i fortë dhe i fuqishëm në zemër të Evropës së Bashkuar”, sikurse shprehet Duda. Për të, politika është një shërbim për njerëzit. Jo vetëm përkrahësit, por edhe shumë qytetarë të pa-angazhuar politikisht në vendin e tij, e shohin Dudën si konfirmin të vlerave të familjes polake.
II. Polonia- shtyllë e NATO-s në Evropë
Qeveria polake ka deklaruar se shpenzimet ushtarake për këtë vit po të rriten në 4 përqind të Prodhimit Bruto të Vendit (PBB). Kjo shifër përbën nivelin më të lartë të shpenzimeve ushtarake vjetore, krahasuar me prodhimin kombëtar, mes të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.
Presidenti dhe qeveria polake synojnë të blejnë sistemet raketore HIMARS nga SHBA-të. Polakët kanë nënshkruar me Shtetet e Bashkuara kontrata për furnizimin me 32 avionë luftarakë F-35, 366 tanke Abrams dhe sisteme antiraketë Patriot. Varshava gjithashtu ka nënshkruar një kontratë me Turqinë për furnizimin e dronëve Bayraktar.
Ne kemi shumë për të përfituar nga përvoja ushtarake polake, sidomos me perpjekjet e fundit të qeverisë polake për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Presidenti Duda dhe polakët në tërësi janë shumë të qartë për revanshizmin perandorak rus. Kjo qartësi mund dhe duhet t’u shërbejë politikanëve tanë të mos ushqejnë iluzione ndaj rolit të Serbisë në rajonin tonë. Rusia është dhe mbetet aleati më i madh politik dhe ushtarak i Serbisë. Rusia e Putin ushqen aspirata te thella hegjemoniste dhe revanshiste karshi vendeve te Ballkanit. Asnjë nismë që i shërben politikës ekspansioniste të Rusisë në rajon, qoftë edhe e mbuluar me petkat e liberalizimit tregtar, si ajo e Ballkanit të Hapur, nuk duhet të përkrahet nga partitë tona politike dhe politikanët tanë.
III. Polonia, aleati numër një i Ukrainës në Evropë
Që nga fillimi i agresionit të Putin në Ukrainë më 24 shkurt 2022, Polonia ka treguar solidaritet të fortë me Ukrainën. Mbi 6 milionë refugjatë ukrainas kanë kaluar kufirin polak në kërkim të sigurisë dhe mbi 1,5 milionë prej tyre kanë marrë statusin e azilit në Poloni, ku janë mikpritur nga shteti, qeveria dhe qytetarët polakë.
Qeveria e ketij vendi dhe mbare shoqeria polake mbështet kursin politik të Ukrainës për në NATO dhe BE. Qytetarët polakë janë të angazhuar në mënyrë aktive për të ndihmuar Ukrainën. Iniciativat vullnetare, të tilla si fushata popullore për mbledhjen e fondeve për të blerë dronët luftarakë Bayraktar për Ukrainën, kanë frymëzuar dhe motivuar si ushtrinë ukrainase, ashtu edhe civilët.
Duke qenë një aleate e vendosur e Ukrainës, Polonia po bën histori, pasi Ukraina po mbron lirinë dhe demokracinë botërore, ndërsa Rusia e Putin lufton për ambicie dhe diktaturë neo-perandorake. Parlamenti polak miratoi një ligj për statusin special të ukrainasve në Poloni në qershor 2022, duke vendosur garanci ligjore dhe sociale për qytetarët ukrainas që banojnë në Poloni.
Në kuadër të pajisjes së Ukrainës me armë moderne mbrojtjeje, qeveria polake është angazhuar dhe shumë shpejt do të furnizojë Ukrainën me 14 tanke luftarake Leopard 2.
IV. Duda dhe Polonia, mbështetës të vendosur të anëtarësimit të Shqipërisë në BE
Presidenca polake e procesit të Berlinit e ndihmoi Shqipërinë për të forcuar pozicionin e saj në paketën e mbështetjes së axhendës së Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos pas Sesionit Plenar të Poznanit, në korrik 2019, duke ruajtur interesin e BE-së për të përgatitur Ballkanin Perëndimor që t’i bashkohet familjes së madhe.
Presidenti polak Andrzej Duda është një përkrahës i palëkundur i procesit të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Në Tiranë, gjatë samitit të Brdo-Brijunit në maj 2019, Duda konfirmoi fuqishëm vizionin e tij për Evropën e Bashkuar dhe i shërbeu interesave integruese të vendit tonë, kur deklaroi se “Parlamenti i ri Evropian, Komisioni i ri Evropian që do të ngrihet së shpejti, nuk do të shqetësohen vetëm nga fakti që britanikët i thanë jo BE-së. Zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera që po aplikojnë duhet të jetë pjesë e rendit të ditës dhe qëllim i Komisionit të ri Evropian”.
V. Zhvillimi ekonomik Shqipëri-Poloni
Bashkëpunimi ekonomik luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe. Edhe pse vëllimi i shkëmbimeve tregtare mes të dyja vendeve është modest, diçka më shumë se 108 milionë euro për vitin 2022, potencialet janë të mëdha dhe në fushën e investimeve ka shumë mundësi për rritje. Presidenti Duda sjell sot dhe nesër në Tiranë një grup investuesish të fuqishëm polakë. Sot, në pjesën e dytë të ditës, Presidenti Duda dhe Presidenti Begaj do të marrin pjesë dhe do t’i drejtohen me mesazhe, forumit të përbashkët ekonomik që do të zhvillohet me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga të dy vendet. Presidenti Dudaj shoqërohet në këtë vizitë nga një përfaqësi biznesesh kryesore polake, të organizuar nga Agjencia Polake e Investimeve dhe Tregtisë (PAIH).Me përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit europian, sipërmarrësit polakë do të jenë gjithnje e më të interesuar për të bërë biznes me partnerët e tyre shqiptarë.
Nga ana tjetër, Shqipëria është një destinacion turistik popullor për polakët. Në kater vitet e fundit, rreth 320 mijë turistë polakë vizituan Shqipërinë, duke përbërë grupin më të madh të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë, pas diasporës shqiptare. Sipas operatorëve turistikë, pronotimet e turistëve polakë për këtë vit kanë përqindjen më të madhe të rritjes, nga shtetet që kemi turizëm të organizuar në sezonin e verës.
xx
Të pesë këto arësye janë të plota, për të kuptuar dobitë e vizitës së Presidentit polak sot dhe nesër në vendin tonë, si dhe për t’u ndjerë optimist për të ardhmen e forcimit të NATO-s në rajonin tonë, por edhe të bashkëpunimit të frytshëm politik, ushtarak dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Polonisë.