Partia-shtet mohon zgjedhjet e lira

Është shumë e trishtë ta pohojmë, por Shqipëria më 14 maj 2023 dështoi të zhvillonte zgjedhje vendore të standardit evropian, në një fushatë të dominuar nga Partia Socialiste-shtet. Simptomat e partisë-shtet ishin të dukshme vite më parë, por në gjysmën e dytë të vitit 2022 dhe në pesë muajt e parë të këtij viti, ato u shtuan dhe u përqëndruan në vetëm një objektiv: deformimin e vullnetit të lirë të qytetarit përpara kutisë së votimit.
Sekti Rama në qeverisje vrau më 14 maj, përmes qindra mënyrave të kamufluara dhe të hapura, një nga të drejtat themelore të qytetarëve- të drejtën për të zgjedhur të lirë përfaqësuesit e tyre në pushtet. Gjithshka në ngrehinën Rama, në strukturat shtetërore në qendër dhe në bashkitë, funksionoi vetëm për deformimin e votës në garën zgjedhore. Stafet e të 60 bashkive dhe të ndërmarrjeve të varësi të tyre, në duart e socialistëve, u frynë artificialisht me dhjetra e me qindra vetë, që u punësuan gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022 dhe pesë muajve të parë të këtij viti.
Jo vetëm qytetarëve të thjeshtë, por edhe sipërmarrësve që nuk e mendonin si sekti në pushtet, si alternativë e vetme për mirëqënien e tyre dhe jetën me dinjitet, iu la braktisja e vendit. Në dy vitet e fundit, janë 200 mijë shqiptarë që kanë braktisur Shqipërinë, në shumicë dërrmuese simpatizantë dhe votues të opozitës.
Armata e mijëra aktivistëve dhe patronazhistëve gjeti strehë dhe punësim në dhjetra sh.a-të shtetërore, në dikastere qendrore dhe ndërmarrje shtetërore të periferisë, apo u inkuadrua si “aktivistë organizatash joqeveritare”, me projekte të fituara gjoja “me meritë” në AZHBR të Ministrisë së Bujqësisë, apo në thirrje për projekte, të hapura me paratë e Buxhetit të Shtetit, në dikastere të tjera, si Ministria e Kulturës, Arsimit, etj.
Këta mijëra aktivistë dhe patronazhistë, për ditë dhe javë të tëra trokitën me lista të plota e të sakta në dyert e atyre familjeve që i gjykonin të pavendosur për votën, duke u ofruar, me qetësi e këmbëngulje, përmes takimesh sy në sy apo telefonatash, pazarin e turpshëm të punësimit në shtet apo të parave të thata në dorë, në vend të votës.
Sekti Rama, me ndihmën edhe të përfaqësuesve të botës së krimit dhe trafiqeve të paligjshme, deformoi dhe praktikisht vrau barazinë para ligjit, duke zeruar të drejtën themelore të qytetarëve për të votuar të lirë. Vetëm në muajin e fundit përpara votës së 14 majit, qarkulluan në ekonominë shqiptare rreth 300 milionë euro të trafiqeve, të vërtetuara në një lidhje shkak-pasojë, me rënien e theksuar të vlerës së këmbimit të euros në tregun valutor në Shqipëri. Kjo rënie, e paprecedentë në ekonomitë e tjera të rajonit, të ngjashme me ne, përbën faktin e qartë dhe të pamohueshëm të përdorimit të fondeve të narkotikëve dhe trafiqeve të tjera të paligjshme, për interesa dhe aktivitete të fushatës zgjedhore, nga narkoshteti i Ramës. Sapo fushata mbaroi, euro nisi rritjen.
Rama përdhosi dhe shkatërroi shtetin e së drejtës, shkeli çdo ligj dhe kod etik në zgjedhje, që nuk lejon përdorimin e Buxhetit dhe Arkës së Shtetit për premtime dhe dhënie fondesh përpara zgjedhjeve, apo program dhe premtime për rritje njëvjeçare pagash, pikërisht më pak se një muaj përpara garës zgjedhore.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë u vu në rolin e siguruesit të parave për mega-premtimet përpara dhe gjatë fushatës, si bonusi 5 mijë lekë për pensionistët në prill 2023, apo programi njëvjeçar për rritjen e pagës mesatare në administratën publike, duke përfituar nga sufiçiti i të ardhurave buxhetore, për shkak të inflacionit të lartë.
Sekti mbolli përçarjen në Kurbin, në Vaun e Dejës e në shumë bashki të tjera, ndërsa falangat e IKMT-së së Ramës përgatiten këto ditë pas zgjedhjeve, që të hakmerren me goditje ndaj biznesit, për ata që nuk i binden urdhërave dhe interesave të sektit. Fakt demaskues për këtë është bllokimi i një hoteli në Dhërmi hotelin e një numëruesi të Bashkimit për Fitore.
Krahas deformimit dhe blerjes së votës me mënyrat e mësipërme, fushata elektorale për zgjedhjet vendore 2023, u zhvillua në mungesë të theksuar serioziteti dhe llogaridhënie nga sekti në qeverisje. Zerimi i rivalitetit dhe krahasimit në ide dhe programe, solli mungesën e vëmendjes së qytetarëve ndaj realizimit ose jo, të premtimeve qeverisëse të socialistëve, që menaxhuan për katër vite 60 bashki, me drejtim të plotë dhe pa pjesëmarrjen e këshilltarëve të opozites në këshillat bashkiakë, parlamentet vendore.
Qytetarëve në të 61 komunitetet iu dha vetëm opiumi i paradës së investimeve të bëra dhe sukseseve të arritura, pa përmendur fare premtimet e pambajtura, detyrimet financiare të akumuluara nga tenderat e hapur pa siguruar 20 përqind të fondit, fryrjen e stafeve të bashkive me aktivistë dhe patronazhistë, në shkelje flagrante të çdo standardi të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, abuzimet me tenderat vendorë, nepotizmin dhe korrupsionin.
Fushatës së zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023 i mungoi plotësisht transparenca dhe llogaridhënia, dy elementë bazë të një gare demokratike. Në vend të llogaridhënies, takimet e pozitës me qytetarët morën formën e cirkut dhe tallavasë, me gjuhën denigruese të kryeministrit dhe elementët vizualë joetikë të posterave të tij.
xx
Keqpërdorimi i institucioneve shtetërore dhe përdorimi i shfrenuar dhe pa kriter i fondeve shtetërore në shpërblime e rritje pagash, për të blerë vota, ka denatyruar karakterin demokratik dhe të hapur të zgjedhjeve tona, duke i kthyer ato në tërësisht të manipuluara dhe okulte.
Gjuha që Rama dhe klonët e tij përdorën në fushatë për të sulmuar kundërshtarët politikë në zgjedhje, është bërë gjithmonë e më denigruese, arrogante dhe në mungesë totale të etikës dhe seriozitetit. Dëshira e papërmbajtshme dhe e sëmurë për të denigruar dhe përçmuar me çdo kusht kundërshtarin, e ka çuar Ramën të gërryejë nga themelet shtetin e së drejtës në Shqipëri, duke instaluar partinë-shtet si në pushtetin qendror dhe në atë vendor, klonet e tij të sektit të përbetuar për të mjeruar akoma dhe më shumë shqiptarët dhe për të boshatisur edhe më tepër Shqipërinë.