Një vit pa mikun e vyer, politikanin e urtë e të paqtë, Presidentin Bujar Nishani.

Sa shpejt ikin ditët, javët, muajt, por edhe sa ngadalë e sa të rënda janë ato ditë, javë e muaj kur në jetë nuk janë më ata miq, me të cilët je respektuar gjithmonë e ke bashkëpunuar me sinqeritet e mendje të hapur…
Sepse në përditshmërinë tënde të mungon ajo copëz historie e një njeriu të qetë e të paqtë, e një burri shteti të urtë e të mençur, e një politikani përbashkues…
Tani që mungon fizikisht, duket se po jeton dikur larg në paqe dhe i qetë, në një vend pa njerëz dhe pa zhurmë,në një vend të pastër.Në një vend ku nuk ka shthurje totale, anarki e rrëmujë, kaos e kacafytje, ndarje, përçarje e anatemime, pra, nuk është më në të ashtuquajturën demokraci shqiptare!
Sot u mbush plot një vit nga ndarja e parakohshme dhe e padrejtë nga jeta e ish- Presidentit fisnik, Bujar Nishani, ikje që zhyti në pikëllim të thellë familjen, të afërmit, miqtë, Partinë Demokratike dhe gjithë shqiptarët.
Bujar Nishani ishte shembulli i familjarit model,qytetarit të përgjegjshëm, shtetarit të ndershëm e atdhetar, politikanit të urtë e të matur, modest e punëtor, të përgjegjshëm e largpamës në emër të demokracisë e prosperitetit, që e përfaqësoi Shqipërinë dhe kombin tonë në mënyrën më dinjitoze.
Gjatë gjithë karrierës së tij, zoti Nishani ishte një shërbestar i vërtetë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, i vlerave demokratike, ishte politikani, që me maturinë e tij ngriti në shkallën sipërore vlerat e institucionit të Presidentit të Republikës.
Në mendimin tim modest ishte Presidenti më i mirë i Shqipërisë në këto 32 vite tranzicion.
Karriera e tij ishte karriera e një njeriu këmbëngulës, të qartë e mendje hapur.
Anëtar i PD në vitin 1991; Sekretar i Degës së Partisë Demokratike Tiranë në 2001; në vitin 2003 anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës; në vitin 2005 zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë së PD-së.
Deputet i PD në zgjedhjet e vitit 2005. Rizgjidhet deputet në mandatin 2009- 2013.
Nga marsi 2007 deri në shtator 2009, z. Bujar Nishani shërbeu si Ministër i Brendshëm; nga shtatori 2009 deri në prill 2011 shërbeu si Ministër i Drejtësisë dhe më pas, në prill të 2011 u emërua sërish në postin e Ministrit të Brendshëm, ku qëndroi deri në qershor të vitit 2012, kur u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë në detyrën e Kreu i shtetit.
Më 24 korrik 2012, Bujar Nishani u betua si President i Republikës para Kuvendit të Shqipërisë dhe shërbeu në këtë pozitë përgjatë një mandati të plotë deri në vitin 2017.
Por edhe formimi i tij akademik e profesional ishte i shkëlqyer.
Studimet e larta i kreu në vitin 1988 në Akademinë Ushtarake Skënderbej në Tiranë, ndërsa ato pasuniversitare në Menaxhimin e Burimeve të Mbrojtjes në 1996 në Kaliforni, SHBA. Po ashtu u diplomua për Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 2004. Në vitin 2005, ai mori titullin Master për Studime Evropiane në Shkollën e Studimeve Evropiane të Universitetit të Tiranës.
Dhe më tej grada shkencore Doktor nga ky Universitet.
Karriera e tij profesionale filloi në vitin 1988 si pedagog në Akademinë Ushtarake Skënderbej. Më pas, në vitin 1993 shërbeu si Drejtor i Punëve të Jashtme në Ministrinë e Mbrojtjes, për të vazhduar në Departamentin e Marrëdhënieve me NATO-n në MPJ në vitin 1994. Në vitin 1996, presidenti Nishani shërbeu në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997, ai u emërua dhe shërbeu si Kryetar i Forumit Ushtarak Euro-Atlantik.
Ai diti të tregojë vëmendjen maksimale ndaj Kosovës dhe dha një mbështetje të çmuar për njohjen e Kosovës dhe mbështetjen e kauzave të saj në arenën ndërkombëtare.
Personalisht e kam çmuar veçanërisht zotin Nishani, bashkëpunimin, ndihmën e këshillat e vyera të tij, sidomos gjatë viteve kur Ai ishte President dhe unë Kryetar i KLSH, bashkëpunim, i cili u shndërrua më pas në një miqësi të ngushtë.
Përpos të tjerash Presidenti Nishani ishte mik i vërtetë i Vlorës, i kulturës, vlerave dhe traditave të qytetit tonë, veçanërisht i Lumit të Vlorës, duke nderuar figura të shquara intelektuale, patriotike e historike të Labërisë, si bir i saj për nga origjina.
Presidentin Nishani do ta kujtoj si një personalitet me vlera të rralla, si burrë shteti me integritet, vizion dhe konseguent, si mik të mençur e të urtë.
Sot, një vit pas kalimit të tij në përjetësi, Shqipëria, Partia Demokratike, të gjithë ne jemi më të varfër!
Sepse humbëm mikun e vyer e fisnik, Shqipëria dhe Kosova humbën një burrë shteti dinjitoz, një qytetar me vlera, një shërbestar të vërtetë, të paqtë e të ndershëm, kontributin e të cilit do ta kujtojë gjithmonë me respekt.
Partia Demokratike humbi njërën prej figurave të saj më të rëndësishme, një politikan të matur, të ekuilibruar e të përkushtuar, i cili deri në fund të jetës së tij u përpoq ndershmërisht e pa hezitim për bashkimin, për më të mirën për PD dhe Demokracinë.